Shkulen gurët kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë

Kufiri mes Maqedonisë Veriore dhe Kosovës Jugore, duket të jetë mollë sherri për Ballkanin, ky sherr pati filluar që në vitin 2001, kur më 23 shkurt, Beogradi dhe Shkupi...
Kufiri mes Maqedonisë Veriore dhe Kosovës Jugore, duket të jetë mollë sherri për Ballkanin, ky sherr pati filluar që në vitin 2001, kur më 23 shkurt, Beogradi dhe Shkupi patën bërë një marrëveshje për demarkacionin kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë, me ç’rast, rreth 2500ha territor i Kosovës i falet Maqedonisë.
Këto toka, janë prona private të bujqve shqiptarë, të fshatit Debëlldeh të komunës së Vitisë, të cilët të vendosur që nga fillimi kishin shprehur kundërshtimin e tyre për të mos lejuar që toka e tyre pjellore të kalojë nën kontrollin e shtetit të Maqedonisë.
Kundërshtimin e kësaj marrëveshje edhe Kuvendi i Kosovës e pati realizuar teorikisht, kështu me 23 maj të vitit 2002, pati miratuar një rezolutë për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës, të cilën rezolutë më pas, ish-kryeadministratori i atëhershëm i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, zt. Mihail Shtajner, e pati shfuqizuar, përmes një vendimi ekzekutiv, por nuk ishte vetëm zt. Shtajner i cili në fakt e filloi shfuqizimin e kësaj rezolute. Më 5 prill të vitit 2007, rezoluta shfuqizohet për të dytën herë nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, (me përjashtim të deputetit Boshnjak Numan BALIQ) të cilët e votuan Pakon e Ahtisaarit pa ndonjë debat brenda parlamentar. Kjo Pako në aneksin e VIII të saj që iu dedikohet çështjeve të sigurisë, në nenin e 3-të për kufirin, në pikën 3.2 thotë:
“3.2. Territori i Kosovës do të përkufizohet nga vija kufitare e Krahinës Socialiste Autonome e Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga marrëveshja e demarkacionit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë më 23 shkurt 2001
Të gjithë përfaqësuesit e partive politike në vazhdimësi janë shprehur kundër kësaj marrëveshje, mirëpo të njëjtit e kanë votuar këtë marrëveshje. Madje edhe presidenti dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, patën deklaruar se “Çështjen e demarkacionit kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë e rregullon më së miri Pakoja e Ahtisaarit”, derisa në anën tjetër para banorëve të fshatit Debelldeh dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës u patën deklaruar se asnjë pëllëmbë e territorit të Kosovës, nuk do ti falet askujt.
Me 24 prill ’08, komisioni qeveritar për demarkacionin kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë kishte dalë në terren me qëllim të vënies së pikave të reja kufitare, ndërsa në shenjë kundërshtimi banorët e fshatit Debelldeh, më 25 prill ’08 kapin armët të vendosur për të mbrojtur pronat e tyre.
Në vitin 2004 shteti maqedonas kishte vendosur që seriozisht të merrej me aneksimin e 2500ha territor të Kosovës, kjo sipas marrëveshjes që këta të fundit kishin bërë me Serbinë. Ushtria maqedonase në pikat e reja kufitare kishte vendosur edhe barakat e reja për monitorim dhe kontrollim të territorit, mirëpo ishin detyruar të tërhiqeshin pasi debelldeasit kishin vendosur t’i dëbonin duke i granatuar barakat, me ç’rast në atë vend kishin mbetur të vrarë 5 polic maqedonas.
Më 24 prill te vitit 2008 Qeveria e Kosovës e pati krijuar Komisionin Qeveritar për Demarkacionin Kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë, në krye me zt. Bekim Qollaku. Misioni i këtij komisioni ishte që të kryhej puna mes Kosovës dhe Maqedonisë duke respektuar Aneksin e VIII të Pakos së Ahtisaarit, mirëpo banorët e Debelldehut të pakënaqur u detyruan përsëri t’i kapin armët për t’ju kundërpërgjigjur siç thoshin ata “Veprimeve të papërgjegjshme të Qeverisë së Kosovës”. Për një kohë kjo çështje u shua, pasi situata si e tillë me kundërshtimin e fuqishëm të banorëve ishte shumë e tensionuar, maqedonasit më nuk patrullonin përgjatë këtij territori.
Banorët e Debelldehut, të vendosur në mbrojtje
të territorit, ndihen te mashtruar nga qeveria
Javën që shkoi Komisioni i Qeverisë së Kosovës kishte dalë në terren për të vënë gurët e pikave kufitare, të cilët gurë ata i kishin vënë pikërisht aty ku edhe kishin qenë më parë, përderisa në anën tjetër deklaroheshin “çështja mes Kosovës dhe Maqedonisë është realizuar duke iu referuar Pakos se Ahtisaarit” por nuk shkoi as një javë maqedonasit i kishin shkulur gurët e Qeverisë së Kosovës nga vendi ku ata i kishin vënë dhe përsëri po vazhdojnë me patrullime përgjatë 2500ha territor i cili iu sigurohet nga Pakoja e Ahtisaarit e cila legjitimon marrëveshjen Shkup-Beograd të 23 shkurtit 2001.
Hamdi HASANI përfaqësues i fshatit Debelldeh, i tërheq vëmendjen për herë të fundit Qeverisë së Kosovës dhe të gjithë mekanizmave ndërkombëtar të cilët po e përkrahin këtë ide për gllabërim të territorit nga ana e Maqedonisë “Po u shkëput kjo pjesë, lufta s’do të ndalojë, kjo është tokë e jona dhe s`e lëshojmë deri në plumbin e fundit” është shprehur zt. Hasani.
Në anën tjetër një banor tjetër i fshatit Debëlldeh i cili kërkoi të jetë anonim tha: “Qeveria e Kosovës ka dal e i ka vnu gur’t këtu, vec për me mujt mu arsyetu para neve, që qe valla na i vnum gurët ku jon kon, po s’mujtum ma shumë se t’hujt po na bojn presion” sipas banorit në fjalë kjo është një tentativë cinike për t’i mashtruar banorët nga ana e Qeverisë.
Një pjesë e madhe e banorëve të fshatit shpreheshin se tanimë policia dhe ushtria maqedonase në përditshmëri po patrullon përgjatë pronave tona, ata thonë se nuk ndihen të sigurt pasi që në këto anë nuk ka patrullime as nga ana e KFOR-it as nga ajo e Policisë Kosovës, por ata e shprehën besimin e tyre të fortë në, siç thoshin ata “Rrofshin armët, edhe dur’t e tona, se ndryshe s’ka shpëtim”
“Ne nuk do të lejojmë që të na marrin territorin tonë. Tashmë nuk shpresojmë që Institucionet e Kosovës do ta bëjnë këtë zgjidhje, pasi ata po e përkrahin pa rezervë Pakon e Ahtisaarit, shpresojmë që qeveria e Maqedonisë t’i vërë gishtin kokës dhe ta kuptojë se ky territor s’ju takon atyre, ndryshe ne do ta mbrojmë me armë tokën tonë ashtu siç na mësuan gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”, thonë banorët e fshatit Debelldeh.

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY