Për Leutrimin s’po ka Drejtësi

Këtë terror psikologjik, këtë dëm dhe shkërdhim të dinjitetit tonë njerëzor e kombëtar, dikush duhet ta paguajë! Ne, (populli) po e vuajmë rëndë këtë trajtim! ...

Sot, u bënë 8 ditë, që kur u vra LEUTRIMI në malet e Uglarit të Gjilanit, duke punuar për bukën e gojës. Ne u mblodhëm sot (E Hënë, 14 Mars 2011) në sheshin “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”, në Prishtinë, për të nderuar viktimën e rradhës, e cila ishte thjesht një vrasje për interesa të caktuara politike, në një kohë kur Kosova, është futur në bisedime me Serbinë, për Serbinë.

Vrasja ngjau me 5 mars 2011. Leutrimi, u varros. Dëshmitë deklarative të parat, lidhur me vrasjen, nga dëshmitarët që kishin parë dhe dëgjuar me sy e veshë, dëshmojnë se vrasësit, ishin Serbët.

Leutrim_Musliu_Vrasja-ne-UglareDeklaratat e para zyrtare edhe nga ana e policisë së Kosovës, dëshmojnë se vrasësi përveç se ishte një serb i mbështetur nga një grup tjetër, ai, madje edhe pohohej të ishte anëtar i shërbimit të kundërzbulimit të ushtrisë Serbe. Një shtet ky që na e nxiu dhe po vazhdon të na e nxij jetën që më se nji (I) shekull, e politika, jo e jona por në emrin tonë, vazhdon ta quaj shtet mik Serbinë, derisa ky i fundit ende pretendon territorin tonë. Por, “thashethëmet” se vrasësi ishte agjent i kundërzbulimit të ushtrisë Serbe, dhe pistat drejt kapjes së autorit, avullohen shpejt, e kjo ngjan menjëhere pas shkeljes së këmbës së kreut të vendit, Kryetarit Behgjet Pacolli. Se këto dëshmi dolën nga policia, organ ky për sigurinë e qytetarëve s’do mend, madje kjo dëshmohet edhe përmes raporteve të mediave në Kosovë. Por, diçka e tillë ngjau deri atëhere kur në vendin e krimit nuk kishte shkelur këmba e pushtetarëve tanë, të cilët duket se erdhën për të bërë thirrje për ndriqimin e rastit, së paku kjo ngjau deklarativisht, por në fakt për ta errësuar atë, duke e kamufluar. Krejt “çuditshëm” 3 ditë pas vrasjes dhe varrosjes, u shfaq kryetari Pacolli, i cili viziton familjen dhe i njohur për zemërgjerësinë e tij, ua financoi ceremoninë mortore.

Kryetari, gojarisht kërkoi të zbardhet rasti, sa për të vazhduar më tej me rimën e zakonshme që tashmë po hynë ne vitin e 10-të, të saj të përdorimit spektakular e deklarativ medial, “hetimet vazhdojnë…” Sigurisht, jo që kanë për të vazhduar, por edhe do të ngelin duke vazhduar, jo pse do të jetë vështirë për ta gjetur vrasësin, por sepse viktima për fatin e tij të keq, nuk gjasoi të ishte minoritet serb. E ne, rëndom jemi mësuar që për Shqiptarët të financohen ceremonitë mortore të cilat do të mbyllen me togun e fjalëve “hetimet vazhdojnë” për të vazhduar edhe vrasjet, sepse po të ngjante e kundërta, sigurisht se vrasjet do të ndaleshin që moti. Kryetari u duk në media për tua mbyllur qasjen atyre, por Kryeministri, s’kishte se çfar të mbyllte më, ai nuk u paraqit fare, për të mos thënë se nuk e rruajti hiç. Epo ç’faj te ketë edhe ai, ai edhe ashtu nuk është yni, sepse u zgjodh e u përzgjodh nga zyrat e huaja diplomatike, madje edhe uljen e prapanicës në karrigen e të parit të vendit, ja siguruan po zyrat e huaja diplomatike. Kjo qeveri, nuk është e jona, për fatin tonë të keq, kjo qeveri është Nga të Huajt. Prej të Huajve. Për të Huajt. Ani pse, duhej të ishte e kundërta: Nga Populli. Prej Popullit. Për Popullin.

Pistat e hetimit, për vrasjen e Leutrimit, jane devijuar tmerrësisht, dhe atë në mënyrë organizative duke e mirëmbajtur edhe financiarisht mirë, nuk po mundem ta kuptoj, por po mundem ta imagjinoj, pse deklaratat e babait të Leutrimit të ndjerë, në polici po ndryshojnë në përditshmëri. A thua, kush po i thot atij, “thuaj kështu e thuaj ashtu?”; i shkreti njeri, në hallet dhe varfërinë e tij, nuk e kontrollon dot veten. Në nevojë për bukën e gojës, ai do të thotë çfarëdo që mund ta porosisin, por ama s’po e mbajnë dot, “fatkeqësisht” duke ju falënderuar mungesës së aftësive të tij për të manipuluar situatën e vërtetë. Fukaraja s’din të gënjej, atë mund ta manipulosh, por, duhet te jeshë po aq i çmendur sa të provosh ti ngulitësh një storie tjetër në kokë për një kohë të gjatë, e pa-vërteta, në kokën e tij mund të rrij e financuar për një kohë, por jo për shumë gjatë, sepse shpirti i pastër i një fukaraje megjithatë, nuk mund të duroj, një ditë do të shpërthej, e kjo po ngjan edhe këtyre ditëve, kur policia s’po i bën publike më deklaratat e tij, pasiqë ai po i ndryshon, vazhdimisht, duke qenë se i është turbulluar koka e i është bërë lëmsh.

Sot, pikërisht në këtë ditë mediat lajmërojnë se gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, të hënën ia ka caktuar 30 ditë paraburgim të arrestuarit shqiptar nga Uglari, i dyshuar (sipas gjykatës) për vrasjen e fëmijës 14 vjeçar, Leutrim Musliu, nga i njëjti fshat. Personi i dyshuar, i moshës 35 vjeçare, është arrestuar nga policia para 3 ditësh, ndërsa organet e drejtësisë e ngarkojnë atë për armëmbajtje pa leje, rrezikim të përgjithshëm të sigurisë, dhe me dyshim se ai është personi i cili e ka vrarë fëmijën 14 vjeçar para disa ditësh, në afërsi të fshatit, njoftojnë mediat.

“Përfaqësuesit e këtyre organeve kanë konfirmuar se arma e këtij personi si edhe e dy qytetarëve serbë nga Pasjani, tashmë fshati i Komunës së re të Parteshit, janë në ekspertizë balistike në Prishtinë, për t’u vërtetuar se nga cila është shtënë në drejtim të fëmijës, në ditën kritike” shkruan Koha Ditore. Ju lutem, e ku jane 2 serbët e Pasjanit? Pse ata nuk janë 30 ditë në paraburgim? Sepse janë Serbë? Sepse nuk janë Shqiptar? Apo sepse qeverija e ardhur nga të huajt nuk mund të përballoj më pastaj presionin e shtetit Armik të Serbisë, i cili do të ngrinte zërin deri tek Këshilli i Sigurimit të OKB-së? Ehh, po ju lutem shumë, bëhet fjalë për agjentë shtetëror, apo thënë më troç, bëhet fjalë për Serb.

Këtë terror psikologjik, këtë dëm dhe shkërdhim të dinjitetit tonë njerëzor e kombëtar, dikush duhet ta paguajë! Ne, (populli) po e vuajmë rëndë këtë trajtim! Ajo çfar mund të them për fund lexues të dashur, është se duhet detyrimisht, dhe ironikisht të ndjej keqardhje, pse Leutrim Musliu i ndjeri, nuk gjasoi të quhej “Slobodan Milosevic” dhe me nacionalitet të ishte “Ko to Kaze, Ko to Laze Serbija je Mala”, sepse vetëm duke qenë i tillë, fatkeqësisht në Kosovën e sotme, jo që do të ishte financuar ceremonia e tij mortore, por të gjitha qendrat e vendosjes politike ndërkombëtare e vendore do të ishin tundur e ç’tundur për të gjetur vrasësit, jo 2 shqiptar të futeshin në burg, por një fshat i tërë, madje-madje edhe vetë Hashim Thaçi ndoshta s’do të guxonte më të kalonte në ndonjë shtet mik të Serbisë, e që nuk janë pakë, për fatin e keq të Hashimit. E çfar do ngjante me anët tjera të Kosovës?; do t’ishte paralizuar Kosova, sepse Serbët të gjithë do ti kishe në këmbë-e-në-duar, për ti bllokuar rrugët dhe për të kërkuar drejtësinë. E neve “nuk na takon drejtësia” ashtu siç kurr nuk e morrëm, jo për gjë, por vetëm se jemi Shqiptar e të tillë mbetëm, madje edhe do mbesim, por drejtësi, nuk do të marrim, siç po duket, asnjëhere!

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY