Patriotizëm Ekonomik e jo Patriotizëm Partiak

Në sfondin e protestës se 14 janarit në pikëkalimet kufitare me Serbinë qëndron përfytja politike midis Qeverisë së Kosovës dhe partisë së Albin Kurtit. Shkaku i elektrizimit të situatës...
The head of the 'Vetëvendosje' party Albin Kurti, once upon a time in the protests in Pristina. (Picture by Vedat Xhymshiti, for Zuma Press)

Në sfondin e protestës se 14 janarit në pikëkalimet kufitare me Serbinë qëndron përfytja politike midis Qeverisë së Kosovës dhe partisë së Albin Kurtit. Shkaku i elektrizimit të situatës mund të shpjegohet si pasojë e frikës latente të së parës nga rënia e beftë nga pushteti dhe nepsit të së dytës për t’u ngjitur në po këtë pushtet. Megjithatë, të dy palët e përfshira në këtë përfytje dramatike kanë sajuar me delikatesë gjetje të bukura për të arsyetuar mejdanin e tyre katërcipërisht partiak në emër të kauzave madhore. Në një përpjekje groteske, Qeverisë së vendit i pëlqen të hiqet para të huajve si një shërbëtore e ‘lëvizjes së lirë dhe qarkullimit të njerëzve e mallrave’, ndërsa e dyta, akoma më bukur, ngre flamurin e mbrojtjes së prodhimit vendor nga vërshimi i mallrave serbe në tregun e Kosovës.

Kjo përfytje do të quhej e përligjur vetëm atëherë kur Qeveria do të ishte e aftë të shfrytëzonte zgjuarësisht protestën e 14 janarit si thirrjen e fundit ndaj Perëndimit për t’i dhënë fund njëherë e mirë agresionit serb në veri. Së dyti, më shumë sesa të viktimizohet, partia e Kurtit do të duhet të përcjell më zëshëm porosinë se marrëdhëniet asimetrike me Serbinë janë të paqëndrueshme dhe si të tilla, përmbajnë lëndë shpërthyese, mjaftueshëm sa për të trazuar të ardhmen. Sado meskine që mund të jenë motivet e vërteta të kësaj përplasjeje, Qeveria nuk e heq dot barrën e përgjegjësisë dhe fajit. Ne sajë të qëndrimit të saj prostituiv është vënë në pikëpyetje serioziteti i shtetit tonë. Në zemër të propagandës serbe ka qëndruar gjithnjë paragjykimi djallëzor për “paaftësinë” e shqiptarëve për të mbajtur në këmbë një shtet; është pikërisht kjo insinuatë e ligë e cila ka helmatisur përherë vendet me disponim jo dashamirës ndaj shqiptarëve në përgjithësi, dhe Kosovës në veçanti.
Mefshtësia e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar vendimet e Kuvendit për masat e reciprocitetit i vë në siklet edhe mbështetësit më të zëshëm të pavarësisë së Kosovës. Duke mos qenë në lartësinë e detyrimeve të saj kushtetuese, Qeveria në kompleksin e saj të inferioritetit i ka dhënë një hapësirë të  mjaftueshme Serbisë për t’i vazhduar përçapjet e saj drejt nulifikimit praktik të pavarësisë së Kosovës. Nga prepotenca e shfrenuar e efektivëve të njësive speciale ROSU ndaj qytetarëve që aq paqësisht synuan bllokimin e hyrjes së mallrave të Serbisë, u dëshmua qartësisht që Qeveria e vendit është më e predispozuar që aparatin e dhunës ta përdor në raste të shtypjes së zërit opozitar sesa të kërcënuesve të vërtetë të shtetit të Kosovës: për më shumë se 5 muaj, Serbia në vijimësi është lënë e patrazuar në okupimin para-ushtarak të veriut
Për të mos e përmendur tërë kronologjinë e dhimbshme të tolerimit të strukturave para-ushtarake serbe e ruse në veriun e vendit tonë, le të mjaftohemi me rastet më të freskëta për të vënë në spikamë faktin e hidhur se aparati i dhunës shtetërore në Kosovë përdoret kundër qytetarëve të saj dhe jo kundër diversionistëve serb. Me 13 janar është pikasur prania e 50 anëtarëve të grupit fashist serb nga Bosnja “Gvozdeni stroj”, pjesë përbërëse të të cilëve janë bashkëpunëtorë të ngushtë sadistë të kriminelit, Ratko Mlladiq.
Mynxyra e vërtetë nuk qëndron vetëm në hyrjen e një grupi fashist nëpër ‘kufijtë e siguruar ndërkombëtarisht të veriut’ (siç klithin shpeshherë zyrtarë të Qeverisë), por në tolerimin e tyre për të orgjizuar publikisht fare pranë urës së Ibrit. Autoritetet e sigurisë janë mjaftuar vetëm me soditjen e tyre nga larg, duke e turpëruar kësisoj uniformën policore. Një qëndrim i tillë kaq shpërfillës, Urën e Ibrit e kthen në një kufi të vërtetë midis Kosovës dhe Serbisë: mos-reagimi shpreh njëfarë pranimi të heshtur të këtij kufiri gjithnjë e më të fuqishëm. Për ironi me 14 janar, autoritetet policore në pikëkalimin e Morinit kanë penguar hyrjen e aktivistëve paqësorë nga Tirana e qytetet e tjera, duke i malverizuar ata në mënyrën më çnjerëzore. Së këndejmi, Qeveria ka shënuar episodet e saj më të palavdishme në historikun e saj të mbushur me  kundërthënie dhe devijime.
Ajo është instrumentalizuar qenësisht nga Brukseli. Fryma e saj është helmatisur nga euro-kracia në kuptimin e saj më të shëmtuar. Titullarët e Qeverisë, tulitjen e tyre para Brukselit e ndjesojnë si një lloj lajke për të lehtësuar hyrjen në BE. Është pikërisht kjo tulitje, faktori thelbësor i cili Kosovën e largon edhe më tepër nga integrimet, përderisa shteti i Kosovës brydhet nga çasti në çast duke shkuar drejt një zhbërje apokaliptike.
Me fjalë të tjera, Qeveria la pas vetës nam të zi duke vënë në lojë forcën mujshare e duke ndërsyer llavat e analistëve reaksionarë, të cilëve më shumë u pengon një protestë thellësisht paqësore e shqiptarëve sesa qenësia e strukturave para-ushtarake serbe në veriun e Kosovës. Pushtetarët në Kosovë nuk janë aq të leshtë sa të mos e dinë që integrimi i Kosovës në BE është një përrallë e hidisur bukur, përderisa ky i fundit nuk është i gatshëm të tumirë vende të reja.Retorika e mbushullur tejpërtej me apologjizma për BE-në u shërben pushtetarëve tanë si njëfarë eliksiri për ta bërë të pavdekshme jetën e tyre në politikë.
Instrumentalizimi i protestave të qytetarëve nga partia e Albin Kurtit shënon anën tjetër të palavdishme. Paçka se kjo parti e përligjte aksionin e saj si një përçapje për të mbrojtur vendimin e Kuvendit, nuk fashitet dot fakti se ajo bëri edhe një tjetër orvatje për të zhvatë kapital politik në shestimet e saj për të marrë në dorë frerët e qeverisjes së vendit. Duket e pamohueshme që drejtuesve të kësaj partie iu mungon diçka, përderisa bëjnë përfitime meskine nga qytetarët e lënduar apo të arrestuar gjatë protestës.  Çdo plagë e marrë, çdo rrahje a pësim përdoret në mënyrë post-emocionale për të luajtur me ndjenjat e opinionit të gjerë. Sajimi i viktimizimit në raste të tilla rrezikshmërisht përben një lojë të paskrupullt për t’iu imponuar me zor popullit, për të cilin më së shumti mendohet në kohën e ethshme të ditës së zgjedhjeve, kurdo që mbahen ato.
Dyshimi se partia e Kurtit babëzit për marrjen e pushtetit do të zhdavaritej sikur ajo të kishte ende fizionominë e dikurshme të një lëvizjeje të dinjitetshme jashtë-institucionale, qëllimi i së cilës nuk ishte domosdo ardhja në pushtet. Siç dihet, Kurti së bashku me njerëzit e tij i kanë dhënë fund lëvizjes së dikurshme, duke e shterpëzuar mjaftueshëm atë, aq sa të quhej politikisht korrekte nga perëndimorët që diktojnë politikën në vendin tonë. Mbajta e protestës në pikëkalimet kufitare te Dheu i Bardhe (Dardanë) dhe Merdar (Besianë) zbulon një anë tjetër hipokrite të kësaj partie: kontrabandimi i mallrave serbe, për më shumë se një dhjetëvjeçar, është bërë nga veriu. Veçmas pas radikalizimit të strukturave para-ushtarake të Serbisë në këtë pjesë të robëruar të Kosovës, kontrolli i Jarines (porta 1) dhe Bërnjakut (porta 31) është paguar me çmimin tmerrësisht të rëndë të hapjes së qindra korridoreve e shtigjeve malore, përmes të cilave vijueshmërisht qarkullojnë karvanët e diversionistëve serb e rus së bashku me kontrabandën endemike të mallrave nga Serbia.
Në një intervistë dhënë në një nga të përditshmet tona, Kurti në mënyrë sofistike është shprehur se këto pikëkalime në veri (d.m.th Bërnjaku dhe Jarinja) tanimë janë zona të mbyllura ushtarake, prej të cilave nuk rrjedh më malli serb (sic!). Nëse kujtesa nuk na gënjen, ishte pikërisht Kurti, retorika e të cilit dikur fillonte e mbaronte me kritikën ndaj Qeverisë për mos-vënien nën kontroll të këtyre pikave, prej të cilave dëmtohej e dëmtohet aq shumë buxheti i vobektë i Kosovës. Për javë të tëra, Kurti me vartësit e tij kanë vazhduar avazin e një gjuhe krejtësisht apokaliptike, sikur protesta e 14 janarit të ishte beteja përfundimtare me Serbinë. Ky farë shpërthimi histerik nuk ishte gjë tjetër veçse një madhërim i partisë së tij, ndaj të cilës pa fije modestie, i mvesh rolin e paqenë të një shpëtimtareje të kombit në kohë të vështira.
Lufta me Serbisë nuk përfundohet me një betejë të vetme, e aq më pak me një aksion simbolik të një partie politike. Ajo është e gjatë dhe e çdoditshme: zaten, akti i mëvetësimit ekonomik përbën fundamentin e mëvetësimit të njëmendtë politik. Prandaj, shpenzimi i energjive në një betejë simbolike (e cila në fund të fundit, shkon në llogari të një partie politike e cila gjakon të marrë në dorë frerët e pushtetit) dëmton rëndshëm zgjimin e ndjenjës së patriotizmit ekonomik të shqiptarëve. Ky lloj patriotizmi është i lidhur organikisht me zhdukjen e mendësisë konsumeriste të shqiptarëve për prodhime të huaja, të cilat naivisht pandehen të jenë më cilësore. Në vend të aksioneve të një aksh partie politike, duhet mbëltuar kultura e bojkotimit të mallrave serbe dhe nxitjes së prodhimit vendor. Patriotizmi ekonomik i shqiptarëve do të thotë krijim i predispozitave të mjaftueshme për një treg të fuqishëm shqiptar, duke flakur tej prodhimet serbe (Kosovë) dhe ato greke (Shqipëri).

Salih Mehmeti, është radio gazetar i pavarur. Aktualisht ai është duke vijuar studimet në degën e gazetarisë në Universitetin Publik "Hasan Prishtina", fakulteti i Filologjisë. S. Mehmeti, mes tjerash merret edhe me studime autodidaktike në fushën e historisë dhe politikës.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY