Rugovizimi i Albin Kurtit

Konfliktualiteti i shtirur midis Qeverisë dhe VV-së në mjaft raste i ngjan më tepër një marrëveshjeje kontraktuale, prej të cilës kanë leverdi të ndërsjellë të dyja palët. Qeveria sakaq...

Konfliktualiteti i shtirur midis Qeverisë dhe VV-së në mjaft raste i ngjan më tepër një marrëveshjeje kontraktuale, prej të cilës kanë leverdi të ndërsjellë të dyja palët. Qeveria sakaq vesh petkun e shërbëtores të parimeve evropiane, duke pranuar madje edhe kompromiset më të dhimbshme. Në anën tjetër, VV shfrytëzon situatën duke iu qepur një diskursi mjaft apokaliptik, që në fund të fundit asaj i sjell një bereqet jo të paktë politik Prandaj e quaj të nevojshme të ravijëzoj pak a shumë pjesën e pavërejtur të protestave të sotme, aty ku VV kompenson vizionin e saj gjysmak. Këto protesta janë zvetënuar në mënyrë të pështirë në një mekanizëm i cili pakënaqësinë disidente e përpunon për ta shndërruar në lëndë ushqyese për ambiciet makute të Kurtit.
 
‘Rugovizimi’ i protestave
Gjykuar nga historia jonë më e re, e shënuar me protesta e demonstrata të pareshtura, termi më i përshtatshëm për të konceptualizuar këtë  dukuri do të ishte ‘rugovizimi’ i protestave. Gjatë tërë viteve 90’ta, LDK e zaptonte tërë hapësirën publike të të shprehurit të pakënaqësisë ndaj robërimit duke organizuar dofarë protestash surrogate, të cilat i shërbenin për amortizimin e revoltës gjithë-popullore. Kjo praktikë e frikshme e asimilimit të zërit disident duket se është shartuar edhe me metodat e reja të shteteve përbërëse të misioneve të huaja në Kosovë. Së këndejmi, autoritetet ndërkombëtare në Kosovë si dhe institucionet vendore (që asnjëherë nuk u bënë plotësisht sovrane) e kanë katandisur protestën ose tubimin qytetar në një mekanizëm të frytshëm të shpërbërjes së pakënaqësisë politike e sociale të shqiptarëve. Ngjitja e partive politike apo politikanëve të caktuar në pushtet, njëfarë mënyre, është e lidhur pashkoqitshëm edhe me posedimin e atributeve të mjaftueshme për të kontrolluar turmën. Albin Kurti duket se i përgjigjet përsosmërisht këtij modeli ideal, për të cilin autoritetet ndërkombëtare kanë aq shumë nevojë. I pajisur me dhuntinë e fjalimeve filipike, ai është politikani i shumëkërkuar, përparimi në pushtet i të cilit është i kushtëzuar me dhënien e shërbimeve për kontrollin e pakënaqësisë qytetare dhe asimilimit të saj përmes mekanizimit të protestës. Edhe pse Kurti i është shmangur rreptësisht fytyrëzimit ideologjik, ai gjithnjë i është referuar gjendjes së rëndë sociale. Problematizimi i saj nuk është bërë ngaqë Kurti ndjen vërtetë keqardhje, porse autoritetet ndërkombëtare pakënaqësinë sociale e ndjesojnë si një rrezik të përhershëm për praninë e tyre të padrejtë në Kosovë. Prandaj, ylli i karrierës do t’i shndrit atij për aq kohë sa autoritetet ndërkombëtare frikësohen nga shpërthimet e mundshme sociale në Kosovë, të cilat natyrshëm do ta rimodelonin praninë ndërkombëtare në Kosovë duke u dhënë fund atyre.
Kontrolli i mendjeve dhe zemrave
 Perëndimi asnjëherë nuk ka qenë i interesuar në zgjidhjen e burimeve të vërteta të problemeve: paradigma e tij e të vepruarit është stabiliteti. Për aq kohë sa në sipërfaqe nuk vërehen trazira, gjendja lajthitshëm vlerësohet të jetë stabile. Prandaj s’është edhe aq e çuditshme qasja aq e mefshtë e Perëndimit kundruall veriut të Kosovës: as strukturat paralele, as kartelet e krimit të organizuar dhe as barrikadat e shumta nuk konsiderohen të rrezikshme, përderisa sipërfaqësisht sundon njëfarë ‘stabiliteti’. Barometri i Perëndimit me kohë ka pikasur pezmin që vlon ndër shqiptarë si pasojë e raporteve thellësisht të pabarabarta midis Serbisë dhe Kosovës. Veçmas mungesa e zbatimit të përpiktë të reciprocitetit ndaj Serbisë ka krijuar një valë pakënaqësie të përgjithshme popullore. Pikërisht në këto momente sikleti për qarqe të caktuara perëndimore, del në skenë një njeri, gjakimi i të cilit është kontrolli dhe menaxhimi i turmave. 
I argasur me përvojën e organizimit të dhjetëra demonstratave, talenti i tij është pikasur edhe nga vetë ambasada amerikane (selia e forcës së vërtetë politike në Kosovë). Me 3 mars 2007 në Prishtinë u mbajt protesta e dytë kundër përmbajtjes së Pakos së Ahtisaarit, të cilës iu përgjigjen disa mijëra qytetarë nga mbarë vendi. Edhe pse vetë Kurti nuk ishte i pranishëm në demonstratën në fjalë (për shkak se mbahej në burg nga UNMIK-u), mekanizimi i modeluar nga ai bëri punë, aq sa demonstrata në fjalë të futej në hullinë e kontrollit. Në kabllogramin tronditës që mban datën 5 mars 2007 të zbardhur nga rrjeti Wikileaks mund të vërehen vlerësimet e larta që Tina Kajdanow i bënte mekanizmit të vetë-kontrollit të sajuar nga Kurti. Në këtë raport të lëçitur si ‘kon
fidencial’ theksohet se: “marshallët e VV me fanelat e tyre të bardha kontrolluan masën, përmes formimit të një kordoni njerëzor përreth protestuesve” (origjinali: SDM “marshalls” in their signature white t-shirts controlled the crowd by forming a human cordon around the group).
Më pas kabllogrami vërente se:“marshallët e VV kryen një punë të paçme në kontrollimin e turmës; gjatë tërë kohës ata ishin midis protestuesve dhe policisë” (the SDM marshalls did a good job of controlling the crowd; they were between protestors and police at all times). Nuk do mend se organizuesit e një proteste synojnë që ajo të jetë konsekuente ndaj qëllimit parësor: çdo shmangie apo provokim mund të çojë deri të zhbërja e karakterit politik të protestës, meqë pushteti ose regjimi përballë është i gatshëm që përmes kriminalizimit të saj t’i delegjitimojë kërkesat, sado të ligjshme qofshin ato. Duke qenë vetë aktivist i kësaj lëvizjeje, shpreh bindjen time se mekanizmat e tillë (p.sh, kordonet me trupa aktivistësh si dhe fjalimet me patos që i mbanin demagogët tanë) nuk motivoheshin edhe aq nga dëshira për mbarëvajtje apo rregull: masat e tilla nuk ishin tjetër veçse një mekanizëm i diktuar nga ndërkombëtarët, nëpërmjet të cilit synohej veçse neutralizimi i protestuesve dhe zbutja e kërkesave të tyre. 
Zbatimi i praktikave të tilla mbase edhe mund të numërohet si një triumf i përkohshëm i perëndimorëve, porse ato nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se ndjellin shpërthime edhe më të rrezikshme, të cilat zhvendosen në kuadrin e së ardhmes. Stabiliteti, për të cilin aq shumë flasin ata, nuk mund të prodhohet nga shterpëzimi i të pakënaqurve dhe mbajtja me çdo çmim e një stabiliteti të brishtë. Ai mund të përftohet vetëm nga zhdukja e burimit të problemit.
VV mbijeton përmes të keqes
Protestat janë mediume përmes të cilave afirmohen kërkesat e ligjshme e qytetarëve, të cilat si të tilla nuk duhet as të fshihen nën rrogoz dhe as të shterpëzohen duke u bërë politikisht korrekte. Organizimi i tri protestave nga Kurti gjatë këtij viti vetëm sa dëshmoi përsosmërinë e mekanizimit të shpërbërjes së pakënaqësisë kolektive dhe manipulimit të rafinuar të të pakënaqurve. Do të ishte e pahijshme nëse nuk do të honepsnim faktin e hidhur se vetë drejtuesit e VV nuk janë asnjë fije të interesuar në jetësimin e qëllimeve të protestave. Ata duket se më tepër parapëlqejnë që kërkesat e tyre të mos jetësohen asnjëherë, por të mbahen pezull në mënyrë që sa më gjatë të imponohen politikisht egot e tyre të etura për pushtet. 
Numrin skajshmërisht të vogël të protestuesve, VV pëlqen ta shpjegojë si pasojë e komploteve të errëta, ku në të njëjtën kohë ka gisht gjithkush dhe askush. Ende i freskët është rasti kur pas përfundimit të padenjë të protestës së 22 janarit (fillimisht te Dheu i Bardhë dhe më pas edhe në Merdar), drejtuesit e VV-së përmes kumteve për medie me mllefin më të madh vikasnin se ndërprerja u bë si pasojë e mungesës së logjistikës, për të cilën bënin fajtore policinë e cila gjatë ditës ua kishte konfiskuar atë. Këtij arsyetimi nuk i ecën kungulli mbi ujë as sot e kësaj dite, ngase çdo protestë që pretendon të zgjasë me ditë apo javë të tëra kërkon një sakrificë të komoditetit të përditshëm. Me gjasmë, një sakrificë të tillë nuk ishin në gjendje ta bënin drejtuesit e protestës, të cilët dhanë urdhrin për tërheqje.
Mekanizmi i Foucalt-it
Një shpjegim tjetër për numrin e papërfillshëm të qytetarëve që i bashkëngjitën një proteste të thirrur nga Kurti mund të qëmtohet në vetë faktin e kontrollit të dyfishtë të protestës, hem nga falangat e hekurta të policisë, hem nga kordonët e policisë së brendshme të përbërë nga vetë militantët e Kurtit. Në librin e shkëlqyeshëm “Shutting Down the Streets: Political Violence and Social Control in the Global  Era”  të autorëve Amory Starr, Luis Fernandez dhe Christian Scholl jepet një pasqyrë thjeshtësisht e qartë e funksionimit të praktikave bashkëkohore të kontrollit të protestave. Autorët e këtij libri duke u mbështetur në përvojat e larmishme të lëvizjeve kundër-globaliste gjatë samiteve të mbajtura në kryeqendrat evropiane, vënë në pah se “Taktikat hapësinore të protestuesve mbështetën në shembullin e procesit të de-territorializimit. Aksionet e drejtpërdrejta gjatë protestave kundër samiteve mbështeten në modelin e decentralizuar, duke u dhënë grupeve të ndryshme mundësinë për t’i zbatuar taktikat e tyre të pëlqyera një vend të caktuar…”.
Një mënyrë e tillë e të protestuarit përkon me atë që Deleuze dhe Guattari e kanë quajtur ‘de-territorializim’. Prandaj, shpjegojnë autorët, autoritetet e ‘samiteve’ orvaten që të ri-territorializojnë konfliktet sociale me qëllim që pakënaqësia të bëhet e menaxhueshme. Autoritetet përçapen që të rimarrin kontrollin e hapësirës përmes vendimeve për vendin e protestës, ndarjen e hapësirës ku do të mbahet protesta, kontrollet e rregullta të individëve si dhe praninë e një militarizmi të theksuar. Mekanizmat e kontrollit social nuk synojnë edhe aq shumë vetëm në shmangien e protestës. Sipas autorëve të librit “ata synojnë që të kanalizojnë protestën në hapësira të paracaktuara me qëllim që të përjashtojnë mundësinë e trazimit të hapësirës ku do të mbahet samiti. Kurse, kapaciteti shpërthyes i lëvizjes protestuese paaftës
ohet përmes eliminimit të hapësirave të panjohura nga ku do të kryheshin aksione të paparashikuara.
 
Qytete dhe fshatra të tëra manipulohen në kuptimin hapësinor në mënyrë që ta garantojnë një funksionim të patrazuar të personave të përfshirë në samit, rrjedhimisht duke i mbajtur protestuesit në largësi”. Filozofi i shquar Foucault i cilësonte mekanizmat e tillë të kufizimit hapësinor si një lloj kontrolli shoqëror. Ai vërente se si institucionet ‘moderne’ si burgjet, shkollat dhe spitalet mbështeten në përsosjen e vazhdueshme të teknikave të rrethimit, segmentimit, nën-ndarjeve të njësive të lidhura dhe radhitjen e tyre. Kontrolli mbi aktivitetet arrihet përmes teknikave të orareve të përditshme, konstruktimit të përkohshëm të veprimeve, bashkërendimit midis trupit dhe veprimit si dhe instrumentalizimit të trupit, i cili përfundimisht shpie drejt shfrytëzimit maksimal të atyre qe qëndrojnë brenda këtyre institucioneve. Këta mekanizma, sipas Foucault-it, e organizojnë hapësirën komplekse asisoj që jo vetëm fiksohet lëvizja sipas një rregulli të përcaktuar por edhe lejohet qarkullimi i saj. Kjo është ‘Fuqia’ që organizon rrjedhën dhe qarkullimin e trupave dhe prodhimeve. Kësisoj, kontrolli nuk ka të bëjë vetëm me ndalimin, por mbi të gjitha me kanalizimin e rrjedhës në drejtime të përshtatshme. Protestat efektive cytin diskurs publik duke iu drejtuar autoriteteve dhe bashkë-qytetarëve. Më e  frytshme prej protestave është ajo e cila ndërprenë rrjedhën zyrtare. Për të mënjanuar një rrezik të tillë, autoritetet praktikojnë ‘kontrollet hapësinore’ e cila e shndërron rrjedhën e protestës në kanale të urdhëruara e të kufizuara, duke i bërë ato më të volitshme e më pak trazuese për samitet, nënvizojnë autorët në fjalë. Këto kontrolle përqendrohen në shmangien e atyre që Foucault i ka quajtur ‘ngjarje të padëshiruara’.
Gilham dhe Noakes sqarojnë se policia në mënyrë strategjike paaftëson lëvizjen e disa protestuesve, ndërsa në të njëjtën kohë ua lejon protestuesve të tjerë lëvizjen e lirë. Policitë kanë zhvilluar një arsenal të tërë teknikash për të organizuar hapësirën kontestuese midis ‘globalistëve’ dhe ‘kundër-globalistëve’.  Duke i marrë parasysh vërejtjet e sipërtheksuara vërejmë se protestat e organizuara nga VV i janë përmbajtur me përpikmëri aritmetikore një mekanizmi të tillë të ngjashëm me atë të Foucault, me ç’rast është ndarë ose ri-territorializuar hapësira asisoj që protestuesit e pakënaqur të jenë më kollaj të kontrollueshëm e që rrjedha e protestës të jetë tërësisht e parashikuar. Kjo, padyshim, e ka shndërruar protestën në një demonstrim solemn të aftësive “foucultiane” të Kurtit për të kanalizuar pakënaqësinë e protestuesve në drejtime të paracaktuara. Këtu vjen në spikamë, aftësia e tij i cili në sëndërgjimet  makute për t’u bërë kryeministër i vendit,  protestat i shndërron magjishëm në kapitale të vyeshme të cilat deponohen sakaq në llogarinë e tij politike.
Korrektimi i protestave
Takimet e dyshimta me ambasadorë të huaj e përfaqësues të institucioneve të sigurisë, VV-së gjithherë i kanë lënë këmbët e ariut në dorë. Përgjegjësit e vërtetë të dhunës zhvendosnin fajin mbi zverkun e vetë protestuesve paqësorë. Krijohet përshtypja e gënjeshtërt sikur ‘dhuna’ e protestuesve mund të jetë plotësisht e shmangshme nëse ka komunikim reciprok. Sipas John Williams “në kontekstin e një aksioni protestues, kontrolli shoqëror ka të bëjë me procesin e damkosjes dhe trajtimit të të pakënaqurve si devijantë. Ky proces do të mund të quhej si kriminalizim….një mohim i statusit politik të aksioneve si dhe theksim i karakterit të devijuar të tyre”. Në fund të viteve 60’të, agjenda politike dhe teorike në mesin e sociologëve ishte që të flakej trajtimi i vjetruar i lëvizjeve shoqërore, i cili i damkoste ato si forma ‘devijante’. Në kuadër të këtyre debateve mbi kuptimin e trazirave të zezakëve në SHBA, shumë sociologë tërhoqën vërejtjen se ato nuk duhej të kuptoheshin as si kriminalitet dhe as si shfryrje të marra emocionale, por si shprehje të skajshme të ankesave politike. Autoritetet policore me qëllim të kontrollit të protestave e kanë bërë shprehi që fillimisht të përcaktojnë jo vetëm rrugën e lejuar për marshin protestues, por edhe vendin e nisjes dhe atë të përfundimit, përmbajtjet e parullave dhe nganjëherë edhe numrin e pjesëmarrësve. Nëse protestuesit ngurrojnë të tumirin kushtet e imponuara, atëherë aktiviteti i tyre damkoset si i paligjshëm, duke i hapur shtegun ndjekjeve e reperkusioneve ndëshkimore. 
Ndërkohë, policia përcakton parimet që përcaktojnë nëse demonstrata ose tubimi është duke u sjellë ‘mirë’ ose ‘keq’. Nëse protestuesit i bishtnojnë rrugës së paracaktuar nga autoritetet policore ose mbajnë parulla të caktuara politike, atëherë policisë i jepet drita jeshile e ndërhyrjes e madje edhe e ndalimit të tubimit. Ato tubime të cilat janë të ‘negociueshme’ dhe që i përmbahen kushteve të përcaktuara cilësohen si të ‘mira’, ndërkaq, tubimet të cilat janë spontane dhe për më tepër nuk i honepsin rregullat e negociuara cilësohen si të ‘këqija’ e madje edhe të ‘dhunshme’ dhe kësisoj kriminalizohen më lehtë. Kriminalizimi i demonstratës i lehtëson policisë ndërmarrjen e masave ndëshkimore e sulmuese ndaj protestuesve. Në rastin konkret, policia nuk e përdor forcën e saj mujshare jo falë komunikimit, por pse VV vullnetshëm heq dorë nga protesta.
*Autori është ish-aktivist i Vetëvendosjes!

Salih Mehmeti, është radio gazetar i pavarur. Aktualisht ai është duke vijuar studimet në degën e gazetarisë në Universitetin Publik "Hasan Prishtina", fakulteti i Filologjisë. S. Mehmeti, mes tjerash merret edhe me studime autodidaktike në fushën e historisë dhe politikës.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY