"debatet" partiake të 'VARG e Vi'së…

Kosova është në muajin Tetor, muaj ky i një mundësie për kandidatët e partive politike të cilat kanë propozuar njërin prej anëtarëve të tyre për kryetar të komunës. Zgjedhjet...
Kosova është në muajin Tetor, muaj ky i një mundësie për kandidatët e partive politike të cilat kanë propozuar njërin prej anëtarëve të tyre për kryetar të komunës. Zgjedhjet e Nëntorit 2013 janë të parat në të cilat pretendohet se do të legjitimohen edhe nga qytetarët e komunitetit Serb, të cilët jetojnë në Kosovë, që kur Kosova kishte shpallur pavarësinë e administratës së saj publike më 17 Shkurt, 2008.
Faton Bislimi
Gjilani si një nga qytetet juglindore të Kosovës përballet me ‘përzgjedhjen’ e më shumë se pesë kandidatëve të cilët garojnë për mandatin katër vjeçar të kreut ekzekutiv të qytetit. Në mesin e shumë aktiviteteve propagandistike dhe skjaruese pro dhe kundër programeve partiake parazgjedhore, që nga pesë tetori 2013 edhe qendra e arteve bashkëkohore ‘VARGeVi’ po provon ti kontribuoj këtij zhvillimi me një qëllim tashmë të shkruar pavarësisht ‘neutralitetit’ megjithatë “korrekt” ose politikisht të pa-anshëm, siç edhe po pretendohet.
Unë nuk e di se si mund të ketë ecur zhvillimi i këtij aktiviteti të emëruar si debat më datën pesë tetor, ku sipas agjendës së orarit të “VARGeVI’së” qenka paraqitur Ylli Isufi, si kandidat i pavarur për kryetar të komunës së Gjilanit por, e di se në dy debatet e fundit, atij të datës tetë-tetor, kur ishte paraqitur Faton Bislimi kandidat nga koalicioni i gjerë dhe datës njëmbëdhjetë,  kur u paraqit Ismajl Kurteshi kandidat nga Vetëvendosje, gjërat kanë shkuar mbrapshtë.
-kandidati Ismajl Kurteshi ©VedatXhymshiti.com
Në të dy debatet kam qenë vetë dëshmitar se prezentimi nuk ka nisur në kohën e paralajmëruar, në të dy debatet (në të fundit) jam dëshmitar se është cënuar e drejta e shprehjes së lirë, e drejta e komunikimit ndërnjerëzor interaktiv, me kandidatin, si dhe sidomos në këtë të fundit të datës 11 Tetor, komunitetit artistik i ishte cënuar koha 30 minutëshe duke ia lejuar kandidatit që të flas më shumë se 30 minuta (50minuta) nga siç e parasheh “protokolli” i shkruar i organizatës “VARG e Vi” e i cili saktëson rregullat e debatit, madje madje duke kërkuar që debatet nuk do të lejohen të shëndërrohen në arenë të militantizmit partiak, diçka që s’do mend se kishte ngjarë, gjë që 70% e pjesëmarrësve në debatin e 11 Tetorit ishin militantët politik të kreut të Vetëvendosje’s duke shpenzuar kështu kohën me duartrokitjet e tyre për liderin e tyre politik, gjë që s’jam aspak kundër “tifozllëkut” të tyre, por ne që mendohej se ishim komunitet artistësh të Gjilanit, kishim shkuar aty për të bashkëbiseduar me zt. Kurteshin dhe të gjithë të tjerët, kishim shkuar aty për të marr përgjigjet për pyetjet dhe shqetësimet që mund të kishim, por asnjihere për të shikuar dhe përjetuar arena tifozlliku duartrokitjesh partiake.
Programi i “VARG e Vi-së thotë se do tu ofroj kandidatëve për kryetar komune që të shpalosin programin e tyre qeverisës kulturor, por ajo çfar kam dëgjuar dhe parë në prezentimin e kandidatit Bislimi dhe Kurteshi ka qenë kryesisht fushatë klasike parazgjedhore, partiake, diçka çfar nuk e di se si mund tia lejojnë vetës (kandidatët) të tentojnë të bëjnë një komunikim të tillë klasik me një komunitet që mendohet të jetë komunitet artistësh. Pastaj “VARG e Vi” ka përzgjedhur një moderator (Avni Shkodra, aktor me profesion) i cili garanton shkeljen e protokollit të tyre të shkruar në shkronja e bardhat mbi fletat e tyre të gjelbërta (të cilin protokoll tekstual do të mund ta lexoni në fund të këtij shkrimi), pastaj ky moderator më ka bindur se nuk ka njohuri në rregullat debatuese, nuk ka njohur se si duhet trajtuar folësi dhe ata që mendohet të kenë ardhur aty për të parashtruar pyetje dhe ngritur tema diskutimi, madje madje jam i shqetësuar se moderatori nuk ka njohuri edhe për rregullat të cilat i ka paracaktuar vetë organizata “VARG e Vi” e nëse është e kundërta që ai ka njohuri së paku për këto rregulla, atëhere unë mund të aludoj se kjo organizatë është e përfshirë në propaganda partiake të cilat vëhen në shërbim të partive (varësisht kush paguan lekun), diçka që nuk më befason sepse jemi dëshmitar të situatave të natyrave të tilla të cilat zbatohen në përditshmëri në Kosovë nga e vetë-emëruara “shoqëri civile”.
Avni Shkodra
Duke qenë dëshmitar se nënshtrimi i moderatorit (organizatës “VARG e Vi”) ndaj kandidatit Bislimi si dhe ndaj kandidatit Kurteshi, ka qenë skandaloz dhe trajtimi i pjesëmarrësve nga ana e tij ishte në kundërshtim me konceptin përmbajtësor të lirisë së shprehjes dhe komunikimit ndërnjerëzor, kam përshtypjen se kur të paraqiten dy kandidatët nga PDK (Qemajl Mustafa) dhe nga LDK (Lutfi Haziri) komunitetit artistik të Gjilanit, do tu mohohet e drejta për pyetje edhe më shumë, mbase “VARG e Vi” mban frikën dhe pasigurinë se a do të mund të mbijetojnë nëse ua prishin qejfin ndonjërit prej shefave të partive e që janë të mundshëm për tu vënë në krye të ekzekutivit të qytetit gjë që s’do mend se Mustafës dhe
Haziri mund tia kenë frikën më shumë. Apo nëse nuk është frika, mund të jetë edhe mentaliteti i nënshtrimit që tregon edhe mungesën e aftësive dhe paraqitjes së zbatimit të koncepteve profesionale.
Prandaj, duke qenë idhtar i mësimeve të vazhdueshme në raport me përvojat e mia njerëzore gjatë këtyre njëzet e shtatë viteve jetë, po provoj tu përshkruaj më poshtë konceptin për debatin dhe atë për lirinë e shprehjes në mënyrë që organizata “VARG e Vi” dhe njerëzit që e përfaqësojnë atë, ta kuptojnë se sa rëndë e kanë shkelur konceptin dhe keqpërdorur qëllimin e shkruar dhe pretenduar.
Ju lutem “VARG e Vi” Liria e fjalës është e drejta politike për të komunikuar mendimet dhe idetë e dikujt. Termi “Liria e shprehjes” është përdorur ndonjëherë si sinonim, por përfshin çdo akt të kërkuar, i cili merr dhe përhapë informacion apo ide, pavarësisht nga mjeti i përdorur. Në praktikë, e drejta e lirisë së shprehjes nuk është absolute në çdo vend dhe kjo e drejtë është zakonisht edhe subjekt i kufizimeve siç po ndodh me ju, por kufizimi lejohet vetëm atëhere kur pjesëmarrësi në diskutim merret me shpifje etj.
Ju lutem “VARG e Vi” Debati është një metodë e argumentit dhe mënyrës interaktive të përfaqësimit dhe komunikimit ndërnjerëzor. Debati është një formë e gjerë dhe mënyrë për të ofruar argumentin dhe arsyetimin përmbajtësor dhe faktik. Natyrisht që qëndrueshmëria dhe lidhshmëria logjike, ka të bëjë me saktësinë faktike dhe disa shkallë të apelit emocional për audiencën të cilat janë elemente të rëndësishme të artit të bindjes. Në debat, njëra anë shpesh mbizotëron mbi anën tjetër duke paraqitur një epror “kontekst” apo kornizë të çështjes, e cila është shumë më delikate dhe strategjike. Në një debat formal, ka rregulla për pjesëmarrësit që diskutojnë vendosin mbi dallimet, brenda një kornize të përcaktuar se si ata do të bashkëveprojnë siç është precizuar edhe në letrën tuaj të gjelbërt, gjë që nuk është respektuar aspak.
“SHPALOSJA e PROGRAMIT QEVERISËS KULTUROR për Gjilanin” Më poshtë e keni të shënuar rregulloren tekstuale të “VARG e Vi’së, dhe besoj se individët pjesëmarrës në këto diskutime të financuara edhe ashtu nga vetë partitë, mund ta kuptojnë se sa është dëmtuar zbatimi i kësaj çfar është shkruar më poshtë.
Neve na intereson kultura dhe arti në përgjithësi. Neve na intereson zhvillimi dhe emancipimi kulturor, gjallëria e qytetit me aktivitete në fushën kulturore, fuqizimi i kulturës, përkrahja sa më e madhe financiare për manifestimet, shoqatat dhe institucionet kulturore. Për ne është shumë me rëndësi që debatet të kenë karakter profesional dhe të jetë tërësisht të depolitizuara, në kuptimin e akuzave dhe të kundërakuzave, sulmeve dhe mbrojtjeve. Ne nuk jemi të gatshëm të dëgjojmë zëra që qortojnë, por zëra që japin zgjidhje konkrete për problemet kulturore. Ne nuk synojmë që debatet mbi kulturën të diskutohen në kontekstin historik dhe se si “nuk është bërë asgjë” apo forma mburrjesh se “është bërë mjaft shumë”. 


Çdo kandidat do t’i ketë në dispozicion 30 minuta kohë që ta prezantojë programin e vet qeverisës për kulturën. Pas 30 minutash, do t’i japim kohën pjesëmarrësve për të pyetur e replikuar lidhur me ato që më herët u prezantuan dhe nuk preferohen komente lavdëruese apo të tipit militant, ngase qëllimi i komenteve, pyetjeve dhe replikave të pjesëmarrësve, është pasurimi i programeve për kulturën dhe rritja e kualitetit të debatit kritik. “Varg e Vi” në asnjë mënyrë nuk synon që të arrihet ngjashmëria me ndonjë debat tjetër ku kandidatët takohen me mbështetësit e tyre që japin vetëm lavdërime, epitete dhe brohoritje. Ne synojmë që vetëm një duartrokitje në fillim dhe në mbarim ta hap e ta mbyll prezantimin për kandidatin, por jo edhe duartrokitje për çdo fjalë të tij. Neve na intereson kultura dhe këtu kemi pikën!

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY