DYSHIMI I MADH!

Kryeministri shqiptar Edi Rama, në paraqitjen e tij për media, tek sa flet për konfirmimin e përgjigjes ndaj SHBA’ve nëse Shqipëria do të pranojë ofertën amerikane për asgjësimin e...
Kryeministri shqiptar Edi Rama, në paraqitjen e tij për media, tek sa flet për konfirmimin e përgjigjes ndaj SHBA’ve nëse Shqipëria do të pranojë ofertën amerikane për asgjësimin e armëve thotë: “Po, në parim jemi të gatshëm që të mbështesim këtë operacion si pikë mbështetëse në Mesdhe, por nuk kemi asnjë kapacitet të brendshëm për të marrë pjesë në të drejtpërdrejt. Prandaj, gjithçka që lidhet me transportin, teknologjinë, ekspertizën duhet ta marrin përsipër shtetet e bashkuara, dhe vendet e tjera”. Janë këto pika përmbajtësore elementare që kryeministri Rama, konfirmon përgjigjen pozitive për ofertën amerikane për ta përdorur territorin shqiptar për procedurën e asgjësimit të lëndëve kimike siriane.
(fjalimi i kryeministrit Edi Rama – A1REPORT) http://youtu.be/hEDlJPjMD9A

Vedat Xhymshiti | between THE frontlines

Tutje, zt. Rama mundohet të detyrojë popullin shqiptar që të pranojnë çfarëdo që ofrohet nga SHBA’të, duke e cilësuar ofertën si diçka që i shërben njerëzimit, unë nuk e kuptoj kryeministrin Rama, a e trajton ai popullin e tij si njerëz në këtë rast, kur i referohet një oferte e cila rrezikon seriozisht shëndetin fizik të qytetarëve shqiptar dhe gjithë rajonit, pasiqë siç dihet tanimë që mbetjet kimike pas asgjësimit janë vështirë të menaxhueshme.
“A mund të imagjinohet se Shtetet e Bashkuara i kanë hyrë kësaj përpjekje, për t’ia hequr nga duart armët një vrasësi, dhe pastaj për t’vrarë me to Shqipërinë, apo cilindo vend tjetër aleat të përfshirë në këtë përpjekje?”
Po zt. Rama, ne nuk duam të besojmë se SHBA’të duan qëllimshëm të përfshihen në një vrasje masive ndaj popullit shqiptar siç thuani ju siç mund të ndodh në rast se ngjan ndonjë incident gjatë procesit, por fakti që ekspertët e pavarur amerikanë thonë se mbetjet e këtij llojit të armëve çfarë posedon Siria janë të pamenaxhueshme na krijon shqetësimin serioz dhe prodhon një vendim të prerë nga ne që të refuzojmë që një proces i tillë të zbatohet brenda territorit shqiptar. Ju kujtojmë zt. Rama se ekspertët amerikanë ishin të përfshirë edhe në ngjarjet e Gërdecit, por ajo tragjedi morri jetën e 26 qytetarëve shqiptarë që po zhvillonin jetët e tyre normale në shtëpitë ku ata po jetonin.
Më tutje zt. Rama vazhdon me fjalët: “unë nuk po ju them që të shkatërrosh armë kimike, është njësoj si të hash karamele. As s’po përpiqem të ju them se shkatërrimi i armëve kimike në Shqipëri është diçka që do të na bëjë të ndihemi qetësisht të lumtur…. Por, ju them vetëm se PO. Kjo është pjesa e vështirë e të qenurit të angazhuar kundër armiqve të njerëzimit dhe në krah të Shteteve të Bashkuara të vendeve të Aleancës Euro-Atlantike”. Vetëm brenda këtij teksti të deklaruar më 15 Nëntor, 2013 në Tiranë, kryeministri Rama konfirmon pesë herë përgjigjen pozitive në favor të ofertës amerikane për ta përdorur territorin shqiptar si laborator ku do të zbatohet procesi i asgjësimit të lëndëve kimike siriane. Zt. Rama tutje zhytet në fyerje ndaj partisë opozitare e cila edhe ashtu nuk është e pastër, duke qenë se gjatë qeverisjes së PD-së në Shqipëri të gjithë jemi dëshmitarë të tragjedisë së Gërdecit dhe importimit të plehrave të Italisë në territorin shqiptar. Madje zt. Rama ofendon rëndë inteligjencën njerëzore dhe kapacitetet profesionale shqiptare duke i quajtur ata të paditur, duke u zhytur thellë deri tek fyerjet ndaj shtëpive mediale. Duket se zt. Rama është në një siklet serioz, ngase me sa duket kontrata e tij me ambasadorin amerikan në Tiranë zt. Arvizu është më e velfshme se vetë kontrata që ka lidhur me qytetarët shqiptarë më 23 qershor.
Gjatë  fjalimit (minuti 8:58) zt. Rama mundohet të bind dëshpërimisht qytetarinë shqiptare se atij duhet t’i besohet. Dhe tutje duke qenë se nuk është e saktë në të vërtetë se ai nuk ka marrë një vendim pozitiv në favor të ofertës amerikane, zt. Rama mundohet të ç’orientoj publikun shqiptar duke provuar në mënyrë të stresshme të arsyetoj pse nuk ka qenë transparent që nga fillimi, duke akuzuar opozitën aktuale që dikur sipas zt. Rama qytetarinë shqiptare (opozita) i ka quajtur “llumi i shoqërisë” por që në fakt edhe vetë zt Rama qytetarinë e vetëdijshme po i quan të padijshëm duke pretenduar se krejt turma protestuese shqiptare na paska dalur në rrugë si pasojë e siç pretendon ai; manipulimeve që ai aludon se na qenkan bërë nga opozita, që praktikisht është një kontradiktë brenda një deklarate sepse vetëm pak sekonda më herët zt. Rama njëkohësisht shpreh vlerësime të larta për faktin që të dy opozitarët Berisha dhe Basha ishin përzënë nga turma protestuese. Sepse siç jemi dëshmitarë, vërtetë ishte një turmë e vetëdijshme. Pavarësisht pretendimeve të zt. Rama se ishte turmë e manipuluar.
(minuti 11:00) “Ky të dashur miq, është një operacion i komplikuar, sa civil aq edhe ushtarak. Dhe si i tillë për përgatitjet e tij nuk mund të jetë subjekt debati publik”. Këtu KM konfirmon se gjithçka do të zhvillohet fshehurazi, pa i treguar askujt, pra me transparencë ZERO. E veç tjerash këtu konfirmon përsëri përfshirjen e territorit shqiptar si
laborator ku do të asgjësohen armët kimike të Republikës Arabe të Sirisë.
 “Nuk ndodh në asnjë vend serioz, ku qeveria, publiku dhe parlamenti të thirren në një debat kur ka një plan operacional dhe jo gjatë projektimit të planit operacional”. Me këtë përmbajtje ai konfirmon se Republika e Shqipërisë nuk është pjesë e projektimit të planit operacional, që s’do mend se duhet të jetë kështu, meqë edhe vetë zt. Rama që në fillim të fjalimit të tij e konfirmoi se Shqipëria nuk ka kapacitete të brendshme për të marrë përgjegjësi për zhvillim e këtij operacioni, por këtë punë do ta bëjnë vetë palët e përfshira në procesin e çarmatosjes së Republikës Arabe të Sirisë nga armët kimike e të cilat siç e ka konfirmuar mes rreshtash vetë kryeministri Rama, do të asgjësohen në territorin e Republikës së Shqipërisë.
“Ju që thirrnit sot nga dritarja, a e dini që në Shqipëri ka 31 zona të rrezikshme, mbetjesh kimike të trashëguara nga e kaluara të cilat nuk plasin një ditë, por vrasin ngadalë. Vrasin përditë” këtu zt. Rama i ri-konfirmon qëndrimet e ekspertëve të pavarur ndërkombëtar të cilët nga mesi i deklaratës së tij i quan të paditurë dhe pseudoekspertë të cilët kanë sqaruar publikun e gjerë njerëzor se mbetjet kimike pas asgjësimit të llojit çfarë posedon Siria, janë vështirë të menaxhueshme, dhe kur Shqipëria paska 31 zona të mbetjeve kimike pasiqë ato i janë nënshtruar një procesi të asgjësimit dhe për ato mbetje vetë zt. Rama konfirmon se vrasin përditë, atëhere çfarë do të ndodh me mbetjet të cilat janë të pamenaxhueshme dhe kur bëhet fjalë për sasi tonelatash? Pra, zt. Rama po konfirmon se po lejon që të pasurohemi me më shumë mbetje kimike që do të na vrasin në sasi më shumë dhe më gjerë madje edhe shumë më shumë më efektshëm, sepse 31 zonat e mbetjeve kimike janë zona ku janë asgjësuar lëndët kimike nga koha e Enver Hoxhës, që natyrisht se janë të rrezikshme, por kur bëhet fjalë për këto çfar posedon regjimi al-Assad, kemi të bëjmë me një efekt sigurisht të dyfishtë, duke qenë se asnjë nga vendet evropiane dhe vetë amerikanët nuk kanë lejuar/pranuar që ato të asgjësohen në territoret e tyre madje as vetë Siria e cila tashmë i ka të ndërtuara impiantet në shtetin e vetë, pasiqë për kujdesin, montimin dhe sigurimin e këtyre armëve, duhet të posedosh impiante të posaçme, diçka që natyrisht se Siria i ka, por natyrisht sirianët janë të vetëdijshëm për pasojat dhe nuk lejojnë që asgjësimi të ekzekutohet në territorin e tyre.
Kryeministri iu rikthehet fyerjeve disa here gjatë fjalimit e kjo, tregon se kultura e tij për të komunikuar me publikun e vetëdijshëm dhe klasën intelektuale shqiptare lë shumë për të dëshiruar.
(minuti 18:00) “SHBA’të nuk po kërkojnë asgjë nga Shqipëria, përveç një pikë mbështetjeje në tokë, një bazë ushtarake, tërësisht të izoluar në dispozicion të tyre, ku lëndët vijnë, asgjësohen dhe ikin për tu djegur e varrosur gjetkë, me trupat e tyre, me ekspertët e tyre, me teknologjinë e tyre, dhe me gjithë punën e tyre. Jashtë Shqipërisë”. Brenda rreshtave zt. Rama përsëri konfirmon, përgjigjen pozitive në favor të ofertës e cila vjen si rezultat i një marrëveshje Ruso-Amerikane, dhe mundohet ta mashtrojë publikun se kjo është një gjë e mirë, por nuk tregon dhe nuk jep asnjë garanci se çfarë do të ndodh me mbetjet kimike që zbarkojnë në ajër dhe në tokë si pasojë e asgjësimit, për të cilat edhe vetë amerikanët kanë thënë se janë të pamenaxhueshme, prandaj po e përsëris edhe njëhere jo rastësisht ato nuk dërgohen në SHBA për t’u asgjësuar dhe jo rastësisht të gjitha vendet e tjera evropiane si Norvegjia, Belgjika e Holanda, kanë refuzuar një ofertë të tillë, sepse mbetjet janë të pamenaxhueshme dhe si të tilla të rrezikshme për shëndetin fizik të njeriut.
Tutje kultura politike e komunikimit të zt. Rama në raport me opozitën nëse mund ta quajmë kulturë nuk dallon aspak nga ajo kulturë me të cilën karakterizohej edhe paraardhësi i tij zt. Berisha që gjithnjë në mungesë të argumenteve gjente fjalë të ndyta për të fyer rëndë e më rëndë, dhe kur duhej të fliste për lisa, edhe ky i tanishmi edhe a ii shkuari flisnin për fshisa.
Madje zt. Rama, duke tentuar të tregojë përmes stilit poetik se armët kimike siriane nuk do të asgjësohen me siç u shpreh ai “Lula të Vocërr dhe Nëna të dëshpëruara” duke aluduar në faktet e pakontestueshme se në Gërdec ka pasur vërtetë punonjës të tillë, ai qartë konfirmon përgjigjen pozitive ndaj ofertës amerikane që Shqipëria të përdoret si territor ku do të zbatohet asgjësimi i armëve siriane duke provuar të paraqes se në këmbim të çmimit Nobel për paqe është në gjendje të pranojë një ofertë të tillë. Këtu bëhet fjalë që sipas mendimit të zt. Rama, çmimi             Nobel për paqe është më i vlefshëm sesa jetët e shqiptarëve. Zt. Rama unë them që Shqipëria meriton çmimin Nobel për paqe nëse ka kuptim permbajtësor vetëm për faktin që ka qenë kokëulur vazhdimisht duke toleruar të gjitha vendimet nëpër konferenca e kongrese të Evropës dhe Ballkanit me qëllimin e vetëm të deklaruar deri më tani t’i shërbejmë paqes dhe të mos gjenerojmë dhunë në rajon.
©Vedat Xhymshiti
Madje është edhe më tragjike kur një lider i një populli të drejtën fundamentale të një kombi për referendum e etiketon si një akt kundër Amerikës, më falni, edhe amerikanët e kanë këtë të drejtë dhe nuk kam hasur ndonjëherë ta dëgjoj ose lexoj nëse ndonjë amerikan ka thënë se referendumi është kundër ndonjë shteti të tyre aleat. Zt. Rama duket se ju po harroni se SHBA janë shtet ligjor, dhe duke qenë shtet ligjor ata respektojnë ligjet e tyre që ndalojnë importimin e armëve kimike të cilin ligj ju në anën tjetër duket se keni vendosur ta shkelni për h
esapet tani për tani të panjohura për publikun. Po ju kujtoj zt. Rama se, Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, neni 230, kreu i VII, e trajton si “akt terrorist” një akt të tillë të cilin ju po mundoheni ta shisni në tregun e opinionit publik shqiptar si një sukses, e i cili nuk është aspak i tillë por, qartëson mirë aktin tuaj qyqar prej një mercenari politik.
Zt. Rama protesta nuk mund të jetë në të njëjtën kohë demokratike dhe e mirë dhe në të njëjtën kohe anti-amerikane. Ju po tregoni se jeni një imitator i keq i paraardhësit tuaj Sali Berisha, madje intelektuali më i madh amerikan Noam Chomski, të cilin nuk mund ta quani anti-amerikan, ngase ai është më amerikan se vetë ju, nëse do të ju dëgjonte deklaratën tuaj, do të ju sqaronte se ju nuk jeni asgjë tjetër pos një bandit i marrë me qera nga ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu, i cili shumë lehtë ju shantazhon edhe nëpërmjet mediave, siç edhe bëri hapur presion ndaj jush duke deklaruar se një përgjigje ‘JO’ e qeverisë shqiptare do të ishte një zhgënjim për amerikën. Çfar kontrate keni me A. Arvizu zt. Rama? E harruat kontratën e 23 qershorit aq shpejt?Ju keni detyrim ligjor e njerëzor ndaj sovranit zt. Rama.
Ju zt. Rama i ofenduat edhe mediat e huaja përveç ato vendore njëjtë siç paraardhësi juaj Sali Berisha i cili kishte deklaruar se “The New York Times” është letër toaleti në shtëpinë e tij, nga nervozizmi që i kishte shkaktuar fakti që kjo gazetë kishte zbuluar dhe hedhur në dritë pazarllëqet në të cilat ishte i përfshirë vetë zt. Berisha dhe ambasadori i atëhershëm amerikan zt. Withers, e që për pasojë kishim tragjedinë e Gërdecit me 26 të vdekur dhe mbi 300 të lënduar e gjymtuar rëndë, shkaktarët e së cilës tragjedi ende janë të lirë dhe nuk janë sjellur kurr para drejtësisë.

Fjalimi 29 minutësh i kryeministrit shqiptar Edi Rama përfundon me fjalët “Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion, faleminderit”, pra zt. Rama e ri-konfirmon atë që e tha në fillim po citoj: “Po, në parim jemi të gatshëm që të mbështesim këtë operacion si pikë mbështetëse në Mesdhe, por nuk kemi asnjë kapacitet të brendshëm për të marrë pjesë në të drejtpërdrejt”, duke mos e sqaruar për publikun se vendimi i tij ishte “Po”, ose “Jo” e qartë. Apo ishte “PJO”?!!! Por, se Shqipëria i ka thënë ‘PO’ përdorimit të territorit shqiptar si një laborator ku do të procedohet asgjësimi i armëve kimike siriane, dëshmon edhe deklarata e ambasadës amerikane në Tiranë, e cila duket nuk është zhgënjyese siç kishte premtuar Aleksander Arvizu gjatë paraqitjes së tij kërcënuese dhe shantazhuese kundrejt politikës butake shqiptare që një përgjigje ‘JO’ do të ishte zhgënjyese. Prandaj Dyshimi se territori shqiptar do të përdoret për asgjësimin e lëndëve kimike, është shumë i madh, deri në momentin kur kryeministri shqiptar të dal dhe sqaroj se nuk ose do të lejohet përdorimi i territorit shqiptar për procedurën e asgjësimit të lëndëve kimike siriane.

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY