Shpërbërja Tmerruese e Lëvizjes Vetëvendosje

Së fundmi, në rrjetin më të fuqishëm social të komunikimeve ‘facebook’ u hap një faqe e cila nga autori i panjohur u mbiquajt ‘Të vërtetat për Vetëvendosjen’. Gjykuar nga...

Së fundmi, në rrjetin më të fuqishëm social të komunikimeve ‘facebook’ u hap një faqe e cila nga autori i panjohur u mbiquajt ‘Të vërtetat për Vetëvendosjen’. Gjykuar nga përmbajtja dhe përspektiva e të folurit, ky grup duhet të jetë një përpjekje e sinqertë e disa aktivistëve potencialisht të pakënaqur mbi prapaskenat e këtij subjekti politik.

            Publikimet rrënqethëse të këtij grupi të pakënaqurish brenda këtij subjekti politik nxorrën në dritë një të vërtetë të pakëndshme: ky subjekt politik ka krijuar grupe virtuale të militantëve të saj të cilët propagojnë falas për partinë në rrjetin social të facebook-ut. —>>

Ky grup virtual militantësh qenka nën direktivat e drejtëpërdrejta të Sekretariatit për Media dhe Komunikim të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ që drejtohet të paktën publikisht prej Krenare Krasniqit. Mirepo njeri prej këtyre militantëve virtual të partisë i dekonspiroi skemat e brendshme dhe për befasi në dritë nxorri direktiva të ulta që i bën kjo sekretare (K.K) karshi militantëve të saj për të ekskomunikuar cdo material me përmbajtje “jo-korrekte” ndaj atyre që ata i gjykojnë interesa të partisë së tyre.

Në mesin e materialeve ‘heretike’ për të cilat kjo sekretare së bashku me ekipin e saj i paskan shpallë luftë për vdekje mediave të cilat shkruajnë artikuj ‘jo-korrekt’, ishin edhe disa raporte të mia gazetareske e fotografi të botuara në agjencitë ndërkombëtare të lajmeve. Ndonëse shkrimet e mia gazetareske i përmbahen rreptësisht etikës gazetareske dhe të vërtetës – përmbajtja e tyre duket se ka vënë në siklet tërë aparatin e brendshëm të kësaj partie të cilët nisën një fushatë të egër për t’i hequr ato nga publiku.

Në njërin prej këtij shkrimi (të bashkangjitur edhe me një fotografi ilustruese) kam trajtuar një realitet faktik: që lëvizja ‘Vetëvendosje’ nuk i mbajti premtimet e saj dhënë qytetarëve e madje as nuk dha shpjegim publik para qytetarëve për transformimet e saj të befasishme nga një lëvizje që dikur përdorte gomarin dhe quranin si thirrje për bojkotim të zgjedhjeve. 

Te gjendur para nje skandali të turpshëm, militantët virtual të komanduar prej sekretares për media dhe komunikim (e cila paradoksalisht s’ka kurrfare kompetence gazetareske – profesioni i saj është koreografe!) nisen të shigjetonin në mënyrën më të vrazhdë të mundshme kundrejt integritetit tim duke më akuzuar si krijues i atij grupi de-konsiprativ (i ashtuquajturi ‘Të vërtetat për Lëvizjen Vetëvendosje‘)

Pyes logjikshëm: Si ka mundësi të jem pjese e ketij grupi militantësh të besuar e të kem qasje në strukturat e tyre virtuale, kur unë nuk jam pjesë e partisë së tyre, madje që  prej një kohe të gjatë konsiderohem ‘person i papërshtatshëm dhe i rrezikshëm’?!  

Është qartësisht e dukshme që publikuesi i skandalit është dikush që është brenda dhe madje i besueshëm (përderisa i shkojnë të tilla detyra të besueshme nga Sekretarja); të cilit i ka plasur zemra dhe ka vendosur ta bëj publik mendësinë paranoide që mbretëron brenda kësaj partie të mistershme. Dorën në zemër i lumtë për guximin, ndonëse druaj për repërkusionet që mund t’i paguajë nga strukturat e partise se tij.

Konsideroj se ngjarjet pas 10 shkurtit të vitit 2007 shënojnë nje kthesë të madhe (mbase edhe vendimtare të rrjedhave të mëpastajme) në deformimin e konceptit dhe filozofisë  politike të lëvizjes ‘Vetëvendosje’.  Mu për këtë koncept të shëndosh politik unë dhe gjithë aktivistët e tjerë të palodhshëm të Lëvizjes sonë nuk ndalonin së punuari e vepruari e madje me çmimin e rëndë të përballjes me dhunën fizike e psiqike të orkestruar prej autoriteteve supreme ndërkombëtare (ish UNMIK) dhe vartësëve të tyre vendor.

Më 10 shkurt 2007, na u vranë 2 aktivistë, u lënduan dhe invaliduan mbi 80 të tjerë, për të cilët tash e tre vite pas asnjëri s’kujtohet për fatin e ‘gjymtë’ tashmë të jetës së tyre të përditshme. Kundërshtimi i Pakos së Ahtisaarit (që ngërthen në vetëvete varësinë e shtetit tonë) u pagua me një çmim të lartë: humbën dy jetë të rinjësh; u gjymtuan me dhjetëra të tjerë e në ndërkohë ndaj  dhjetëra aktivistëve e qytetarëve (pjesmarrës të demostratës) sot e kësaj dite u kanosen përsekutime në emër të ‘shkeljes së ligjit’.

Paradoksalisht drejtuesit e lëvizjes ‘Vetëvendosje’ ndërruan kursin e të vepruarit dhe menduarit duke harruar madje edhe ata që më së shumti u vetëmohuan për idealet që i pandehnin se i trupëzonte lëvizja ‘Vetëvendosje’. Paradoksalisht, drejtuesit e kësaj lëvizjeje me sa duket po kryenin detyrat e prokurorëve të UNMIK-ut: po bënin klasifikimin e aktivistëve në: të pëlqyeshëm dhe të papëlqyshëm, korrekt dhe jo-korrekt, lojal dhe jo-lojal. Sa herë që ne si aktivistë kryengriteshim kundrejt devijimeve konsideroheshim prej drejtueseve tanë si të papjekur ‘politikisht’ e që kishim nevojë për indoktrinime të mëtutjeshme. Krijonin aso situata mizore saqë aktivistëve më të përkushtuar ua imponin situatën që të tërhiqeshin (pastaj atë e akuzonin për burracakëri ose papjekuri politike!); kurse ‘rebelëve’ të tjerë u fabrikonin pas shpine (duke i shfrytezuar madje edhe aktivistët në emër të interesit të lëvizjes) akuza prej më të pistave për t’ua fyer integritetin dhe krenarinë cdo të riu (që guxonte të bënte ‘harame’ të tilla). 

Pas ngjarjeve të 10 shkurtit e kuptova fare mirë se angazhimit tim dhe shokëve që ishim aty mbi bazat e konceptit dhe për të, në këtë organizim politik, i kishte ardh fundi, por një gjë e kisha shumë të qartë; Nuk do të dorëzohesha!

Ndonëse gjërat dukeshin tejet të qarta sesi do të merrnin kahje, prapëseprapë kjo s’më pengonte mua dhe as të tjerëve (që konsideroheshim jo-lojal, të dyshimtë apo jokorrekt) që të vazhdoja aktivitetin politik në pajtim me ato që proklamonim si parime të lëvizjes.

Për ta mjegulluar para aktivistëve (fatkeqësisht naiv) faktin e transformimeve të mëdha mbanin shpesh edhe debate brenda lëvizjes, ku krijohej iluzioni se politika e lëvizjes ushqehej prej propozimeve e ideve të bijve e bijave të saj, në ndërkohë gjatë tërë kohës aktivistët kanë qenë spektatori që s’ka pas as haberin më të vogël se cfarë po luhej prapa skenës së lëvizjes së tyre aq të idolizuar. Shpeshherë aktivistëve që bënin pyetje të ‘ndjeshme’ i qortonin me tone terrorizuese: “Kush po të porosit ty me fol kështu, e? Kqyreni djema duhet të kemi shumë kujdes se ka mundësi te na infiltrohet dikush brenda rradheve tona?”

Mirepo s’perfundonte me kaq: ai i pabesë që bënte pyetje të tilla që vlerësoheshin si të ndjeshme mbahej në regjistrin e dyshimeve të partisë. S’kalonte edhe shumë kohë dhe etiketohej tërthorazi si i dyshuar për spiunazh ose i porositur prej ‘qarqeve armike’. Pra situata në lëvizjen ‘VETËVENDOSJE’  pas 10 shkurtit ishte përgjithësisht sipas këtij rregulli të pashkruar: nëse bëje një pyetje ‘jokorrekte’ regjistroheshe në dosjen e të dyshuarve; nëse vazhdoje me kryeneqësinë tënde të pyetjeve jokorrekte përballeshe me presionin e desocializimit ku zhgradoheshe prej detyrave, viheshe në kontrollin e të besueshmëve të lëvizjes. Madje të hiqej e drejta që pyetjet dhe pakënaqësitë t’i adresoje në mbledhjet e aktivistëve – pakënaqësitë duhej t’ia thoshe së paku një drejtuesi që bënte pjesë në 10-shen e famshme për të cilën asnjëherë s’morrëm vesh si aktivistë ku e kishte banesën.

  

UZURPATORËT E KONCEPTIT

Të vetëdijshëm se aktivistët që po e kundërshtonin mutacionin e levizjes po rriteshin në numër çdo herë e më tepër, e vetëzgjedhura 10-e udhëheqëse e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ filloi ta përgatisë terrenin për të bërë mutacionin sa më të pranueshëm brenda për brenda.

Aktivistet e rinj i manipulonin me gjoja përvojën e tyre revolucionare, heroizmat  i sajonin atypëraty saqë 10-shja drejtuese e superiorizonte vetën kurse ‘masa’ e aktivstëve gjithnjë inferiorizohej dhe përulej. Madje në këto kushte robotizimi s’ishte çudi që aktivisti (i cili teorikisht duhej të ishte aktivist autonom që avokon një koncept të caktuar) të përdorej për qëllime personale të drejtueseve: aktivistët detyroheshin t’i dërgonin fëmijët e drejtuesve në çerdhe, t’i përcjellnin më pas në shtëpi. Nëse një drejtues kishte nevojë që në shtëpinë e tij të bënte ndryshime atëhere gjente puntërorë krahu pa pagesë. Këta punëtorë krahu ishin aktivistët e lëvizjes, për të cilën ata linin anash gjitha obligimet shkollore e familjare.

Mundësia më e lehtë për ta kontrolluar aktivistin, ishte pikërisht shfrytëzimi i fuqisë fizike të tij (në emër të nevojave e detyrave të lëvizjes) për qëllime ashiqare personale. E ata aktivistë të tjerë që nuk bëheshin aq kollaj puntorë krahu pa pagesë, shiheshin me përçmimin më të madh. E dinim me saktësi kur do të përjashtohej dikush: faza preliminare e përjashtimit të dikujt ishte  pikërisht zhgradimi i tij prej detyrave në emër të paftësisë dhe mungesës së efiçiencës!

Zhgradimi i një aktivisti prej detyrës shoqërohej edhe prej një propagande të gjithanshme e cila e dëmtonte reputacionin e atij aktivisti në mënyrën më të ashpër të mundshme. Madje qëllonte që ndonëse e dinim që ishte i pafajshëm ndonjë aktivist i përjashtuar, ta urrenim atë si ‘dezertor’ si i pabesë – aq thellë injektohej propaganda.

Muajt ecnin në ndërkohë pashmangshëm numri i aktistëve zvogëlohej e bashkë me të tkurrej edhe lëvizja. Tkurrja e lëvizjes vetëm sa fuqizonte drejtuesit tanë. Tanimë nuk i çnderonin vetëm aktivistët e rinj por edhe personalitete e veprimtarë të denjë siç ishte rasti i bacit Adem Demaçi i cili u përzu prej zyrave të lëvizjes sonë. ‘Plak kryeneq dhe budalla’ – i thamë. Të paktën kjo ishte matrica justifikuese që duhej ta përdorte secili ndaj bacës Adem.

 

DIFERENCIMI – KËRCËNIMI

Unë në levizjen ‘VETËVENDOSJE’ përveq që kam qenë përgjegjës për media dhe njëri prej themeluesve te qendrës së Gjilanit (së bashku me Shpend Terziun), njekohesisht merresha edhe me organizimin e qendrës. Qendra e Gjilanit ishte qendra më e fortë dhe më e organizuar në gjithë Kosovën.

Me rastin e kalimit në Prishtinë për shkak të studimeve të mëtujeshme kisha poashtu në përgjegjësi kujdesin ndaj gazetës katërfaqëshe ‘Vetëvendosje’ lidhur me fotografitë si dhe me realizimin e TV-reportazheve në kanalin e lëvizjes në YouTube, së bashku me disa aktivistë të tjerë të cilët poashtu nuk janë më, sepse gjatë kësaj kohe ose më pas u shpallën armiq!

Pas përpjekjeve jo të frytshme të drejtuesve tanë për të mbjellë urrejtje në mesin e aktivistëve kundër meje, ata (drejtuesit) më 1 Tetor 2007, në emër të ‘korigjimit’ më thirrën që të më takonin në një vend diku në periferi të Prishtinës (tek Banesat e reja në Veternik).

 Me të filluar biseda Liburn Aliu (që është në krye të një shërbimi të quajtur atëhere të kontrollit brenda Lëvizjes)  m’u kërcenua në mënyrë prepotente: ‘Shiko Vedat, po të kishim qenë ne LKÇK apo UÇK ta kishin fut koken n’b***, do te rrihnim e rrihnim derisa të kallxoje për kë punon. Ta dish se njerëzit kanë hangër plumba për këso punë. Po ne ty po të falum meqë jemi lëvizje paqësore, se ndryshe do të flisnim me ty’. Punën e policit dhe prokurorit e bënin edhe dy drejtuesit e tjerë Xhelal Sveçla dhe Hysen Durmishi te cilët më mveshnin lloj-lloj akuzash, kurse sa herë ua kundërargumentoja ata ngriteshin në këmbë të tërbuar.

S’me besohej në ç’nivel të ultë kishin rënë këta drejtues të lëvizjes, për të cilët shumica e aktivistëve të rinj as që e kishin idenë se mund të ishin të tillë.

Ata më akuzuan se meqë po shoqërohesha me një gazetare shqiptare, pjësmarrëse në tri lufterat çlirimtare, po bëja spiunazh për Shërbimin francez; insinuatat e tyre konspirative më implikonin edhe në Shërbimin sekret shqiptar të Maqedonisë; se keta të fundit më kishin dhënë një çikë lekë më shumë e kesisoj kërcyen tek shërbimi sekret i Serbisë për të arritë deri tek ai amerikan sepse unë në kohen kur kisha qenë në Tiranë u pata takuar me Gafurr Adilin nga rradhët e së ashtuquajturës FBKSH. Për kohën unë e quaja të drejtë takimin me të përderisa ai përkrahte idetë tona, anipse organizimi i tij qe vetem organizim virtual që asnjëhere nuk arriti të dalë përtej internetit. Drejtuesit që po m’i bënin këto akuza e po nxirrnin insinuata të frikshme më thonin se kishin fakte e argumente e për ironi as në takim e as sot s’publikuan as edhe një prej këtyre fakteve. Nëse këta drejtues legjendar do të ishin vetëm një çikë të sigurtë në akuzat e tyre, ata do të duhej t’i publikonin ato. Mirëpo jo vetëm që s’kanë pasë guximin të bëjnë publikimin e tyre (duke pasë parasysh falsitetin e akuzave të tyre) por kur shokët e mi aktivistë u revoltuan (disa javë më vonë për rastin) drejtuesit jo që nuk u dhanë ndonjë shpjegim (madje as që guxuan të përmendnin ndonjë nga akuzat e tyre të pista) por edhe zverdheshin para aktivistëve. E tillë qe gjendja e tyre: qenë zhytur deri në fyt në ujërat e paranojës, prapaskenës e eliminimit, që madje rrezikonte t’i përmbyste edhe ata vetë.

Në fund të këtij takimi ku ma kumtuan përjashtimin nga rradhët e lëvizjes, drejtuesit m’i dhanë kërcënimet e fundit duke më thënë që të mos dukesha asnjëherë në zyret e lëvizjes sonë, të mos mbaja komunikime me aktivistët (përndryshe edhe ata do të përjashtoheshin nëse nxiheshin në një ‘vepër të tillë penale’), etj. Për ironi këta drejtues (Liburn Aliu, Xhelal Sveçla e Hysen Durmishi) që dje ishin protagonistë të një drame terrorizuese kundër meje (duke më kërcënuar në mënyrë policore) kane figuruar ne listen e partisë ‘Vetevevendosje’ si kandidatë për deputet, njëri prej të cilëve ka arritë madje postin e deputetit.

 

Për fund të dashur lexues, me të drejtë do të pyesni:

Pse nuk ke reaguar më herët, që atëhere kur u zhvilluan këto ngjarje? -Unë po përgjigjem tani duke ju treguar që arsye shumë të forta më ndalonin të reagoja që atëhere duke qenë se nuk kisha një hapësirë të caktuar mediale ku do të mund ta shprehja brengën time. Pastaj, vendosa të mos reagoja (ani pse e dija që duhej ta bëja këtë) për shkak se në Lëvizje akoma ndodheshin aktivistë nga më të denjët të cilët po përkushtoheshin për synimet e saj. Dhe kisha përshtypjen se t’u fyhej identiteti personal në rastë se do të dilte dikush të demaskonte lëvizjen në atë kohë.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY