KOSOVA ËSHTË KËRCËNIM NDAJ VETËVETES E JO SIRIA NDAJ KOSOVËS

Shkurt e Shqip »Nuk ka kurrfarë kërcënimi nga Siria. Kërcënimi është nga brenda, nga Kosova«
© Vedat Xhymshiti

Adresimi i përgjegjësisë së zhvillimit të situatave kërcënuese që mediat e caktuara po mundohen t’ia largojnë qëllimshëm përgjegjësinë politikës së Prishtinës si dhe faktorit politiko-ekzekutiv ndërkombëtar në Prishtinë, për ta drejtuar atë në fushëbetejën e Sirisë, është adresim i investuar mirë financiarisht, ose nëse nuk ka investime financiare, atëherë këtu kemi të bëjmë me mungesë të aftësive profesionale dhe njohurive të terrenit për t’i kuptuar zhvillimet e tilla.

Duket se edhe 14 vjet pas luftës disa prej gazetarëve në Kosovë nuk arrijnë të kuptojnë përgjegjësitë dhe detyrat e tyre profesionale si dhe obligimet njerëzore që ata i kanë ndaj shoqërisë.

Sidoqoftë, gazetaria shqiptare që nga Tetova, Prishtina e deri në Tiranë e kishte deklaruar edhe shqiptarin e raportuar si luftëtar në Siri Naman Demollin, të vdekur, madje patën thënë se Demolli kishte studiuar në Siri; gënjyen sepse familjarët dhe shokët e Demollit e mohuan këtë pohim, e mediat nuk kishin asnjë fakt mbështetës për pretendimin në tregimet e tyre televizive dhe elektronike. Dua t’ia kujtojmë lexuesit se për Demollin, mediat shqiptare pa e verifikuar fare mirë patën thënë se ishte vrarë në mision vetëvrasës në Siri, dhe më pas ishte varrosur me ceremoni të larta mortore. Këta, kam përshtypjen se nuk e dijnë çfarë dmth një mision vetëvrasës, sa për informatën e lexuesit, në këtë mision nuk mund të ngelet asnjë copëz e trupit të njeriut pasi misioni të jetë kryer.

Pastaj patën thënë se Namani ishte vrarë në Tbilisi në Siri, këta sigurisht që nuk e kanë hap as ‘Google Map’ për t’a kuptuar e verifikuar se ku gjendet Tbilisi, i cili në fakt është kryeqytet i Gjeorgjisë, nga ku unë pata raportuar për shpërthimin e dhunës ushtarake mes rusëve dhe gjeorgjianëve në gusht të vitit 2008.

©VXh-183259Pra shtëpitë tona mediale nuk kanë ndaluar me vetëm detajet keqinformuese të lartëshënuara të skandaleve të tilla. Disa prej gazetarëve të cilëve madje edhe u janë qëndisur çmime për “gazetari të mire e profesionale” kanë bërë që individët e caktuar që dyshohen për terrorizëm të ideologjisë fetare, pa verifikuar mirë faktet mbështetëse, në shkrimet e tyre kanë pretenduar se këta individ kanë shkuar në Siri, kanë luftuar atje, e madje janë ri-kthyer për të organizuar akte ‘terroriste’ në Kosovë, madje edhe të armatosur mirë sipas këtyre raporteve.

Ndërkohë që kur unë kam nisur një procedurë për t’i verifikuar faktet, duke u përqëndruar kështu në një njërin prej gjashtë individëve më interesant të ngjarjes së raportuar. Kam gjetur se personi në fjalë i cili akuzohet nga gazetarët pa asnjë fakt mbështetës lëre që nuk ka qenë në Siri për të luftuar, por ai madje edhe në Turqi nuk ka mundur të hyj, diçka që ma kanë konfirmuar autoritetet shtetërore të Republikës Turke, pas deponimit të kërkesës sime, për ta verifikuar këtë informacion. Veq konfirmimit, unë kam edhe një dokument i cili është lëshuar nga zyrtari turk i imigracionit ku mes tjerash thuhet: “këtij person ii ndalohet hyrja në Turqi” me ç’rast autoritetet e kishin fluturuar mbrapa për Kosovë ku edhe i është çëndisur një vulë hyrëse e cila përputhet me datën e fluturimit drejt Kosovës.

Nëse autoriteti turk e konfirmon se individi që është subjekt i hetimeve nuk është lejuar të hyjë në territorin e tyre dhe në pasaportën e të akuzuarit nuk ka vula të tjera hyrëse dhe dalëse; ju lutem si ka mundur që i akuzuari i varfër të shkoj në Siri?

Ndryshe ai duhej të përdorte Libanin, Jordaninë ose Irakun. Nëse këta kanë mundur të qarkullojnë pa ua qëndisur një vulë në pasaportën e tyre, atëhere kemi të bëjmë me përfshirjen e shërbimeve sekrete në këto operacione që shkaktojnë një skandal tjetër serioz të sigurisë në vend, por kuptohet e gjithë kjo përfshirje, me vullnet politik të Shkupit, Prishtinës, Tiranës e Beogradit zyrtar.

Pastaj, gazetarët përçmuar, duket se nuk e kanë verifikuar se si janë armatosur të akuzuarit për terrorizëm në Kosovë, e këtë verifikim e kam bërë unë. Ata janë armatosur nga policia e Kosovës, përmes një operacioni simulativ i cili është bazuar në faktin se të dyshuarit na paskan bërë thirrje për përmbytje të rendit kushtetues të vendit, e bazuar në këtë argument policia paska marrë leje nga prokuroria për të ushtruar këtë operacion, më pastaj për të pretenduar se këta (terroristët e sajuar) paskan dashur të kryejnë sulme terroriste të armatosura në Kosovë, po mire por kush i armatosi ata?

Thirrje për përmbytje të rendit kushtetues të vendit bëjnë edhe disa parti politike në Kosovë, siç është ajo e Albin Kurtit, Fuad Ramiqit si dhe ‘Elvis Prisley i Hoxhallarëve’ zt. Shefqet Krasniqi, e përmbytje të rendit kushtetues të Kosovës bëjnë në përditshmëri ambasadat e Dragodanit, krerët e partive politike duke përfshirë këtu edhe kryeministrin e vendit Hashim Thaçi etj.., por këta mbase edhe nuk janë terroristë, sepse terrorizmi duhet përdorë nga këta për t’i terrorizuar njerëzit.

Gazetarët e tregut të çmimeve, patën raportuar në artikujt e tyre se armët janë gjetur në shtëpitë e të dyshuarve, gjë që nuk është e saktë (me përjashtime, por duke mos përjashtuar) duke qenë se operacioni simulativ është zhvilluar në parkun e Gërmisë dhe pas dhjetë minutave të parë të shkëmbimit të armëve mes simulatorëve policor dhe ‘terroristëve të sajuar’ terroristët ishin kapur nga njësitet intervenuese të policisë së Kosovës.

Të dashur lexues, ky është një rrezik vrastar që i kanoset secilit prej neve që jetojmë në një sistem të kriminalizuar nga politika nënshtruese dhe tregëtuese, nga institucionet tona të cilat janë përgjegjëse për të ofruar sigurinë tonë publike, e cila nëse konsiderojmë seriozitetin e këtyre fakteve trishtuese dhe terrorizese, tregon se terrorizmin e vërtetë ndaj popullsisë civile në vend po e bënë vetë shteti, i cili është i pavarur vetëm në kuptimin e adminsitrimit të taksës publike por jo edhe kuptimit juridiko-politik. Pra, këta janë aq të limituar në pavarësinë e operimit të këtyre djallëzive, e këta njerëz politikanët dhe partitë politike (pa përjashtim), sikur të arrijnë ndonjëhere të marrin pavarësi të pa limituar, atëhere edhe rajoni do të terrorizohet. Por me sa duket këta i gëzojnë liritë e mjaftueshme manipuluese aq sa të na terrorizojnë gjendjen tonë psikologjike me qëllimin e vetëm të fshehjes së djallëzive të tyre politike.

Pra, kemi të bëjmë me një situatë ku gjejmë argumente të mjaftueshme për të kuptuar se qenka vetë vendet tona kërcënimi serioz për veten, për ne, e jo Siria. Pra, janë pikërisht institucionet të cilat paguhen nga taksat tona për t’i siguruar vendit qetësi dhe zbatim të rendit publik, edukim dhe kujdes shëndetësor etj.

Në Kosovë, ka varfëri ekstreme deri në më shumë se 35%, në Kosovë numri i papunësisë së të rinjëve nga mosha 18 deri në 27 ka arritur deri në 75%, numri i përgjithsëm i të pa punëve është në më shumë se 45%, detaje këto të raportuara nga Agjensia Zvicrane për Zhvillim (SDC).

Në Kosovë kualiteti i studimeve është shkatërruar sistematikisht. E kush është përgjegjës për këto zhvillime, Siria? Jo, ju lutem! Përgjegjëse janë institucionet e vendit të cilat udhëhiqen nga politikanë të shantazhuar si pasojë e të qenurit të korruptuar deri në fyt. E për këtë ka mjaft fakte mbështetëse dhe artikuj gazetaresk të argumentuar, të shkruar nga mediat prestigjioze si ‘The New York Times, Der Spiegel, The Guardian, Global Post, etj.., të cilat media faktet mbështetëse të këtyre zhvillimeve si në krim të organizuar ekonomik dhe atë politik, i kanë mbështetur me informacionet dhe dëshmitë që ato (mediat) i kanë marrur nga agjensitë shtetërore të zbulimit, prej të cilave redaksitë respektive vijnë.

Por, ç’kanë bërë ambasadat e huaja në këtë pikë? Ato (ambasadat) i kanë mbështetur pikërisht këta politikanë, madje duke e ditur saktësisht se këta janë të përfshirë në krime të natyrës ekonomike, politike e çka jo tjetër, e ky fakt i bënë përgjegjës edhe ambasadorët dhe ambasadat si tërësi të cilat operojnë në Prishtinë.

E për më shumë kjo përbën edhe një skandal të pa shoq ndërkombëtar duke qenë se këto ambasada kanë shkelur rëndë detyrimet e tyre që iu dalin nga Konventa e Vjenës për Diplomaci, e cila i detyron ata të luftojnë trendet negative në vendin ku shtetet mbajnë përfaqësitë e tyre diplomatike. Këta përkundrazi, nuk i kanë luftuar, por e kanë mbështetur e përparuar në mënyrë sistematike krimin në Kosovë.

Pra këtu është faji, në Prishtinë, këtu është kërcënimi, në Prishtinë. Jo në Siri. Me sa duket, ne jemi kërcënim për Sirinë, e jo siria për ne.

Janë pikërisht këta politikanë të cilët kanë toleruar qëllimshëm operimin e procedurave të indoktrinimit, politizimit fetar, e deri në rekrutim të rinjëve për t’u inkuadruar si luftëtar në grupet e huaja të armatosura të cilët i shkaktuan një puç ushtarak Ushtrisë Çlirimtare të Sirisë, misioni i të cilës për çlirimin e vendit nga tirania qeveritare, u pengua nga grupet e huaja luftëtare të cilat ishin krijuar jashtë sirisë nga korporatat e fuqishme perendimore dhe u importuan atje. Madje kohëve të fundit është raportuar se kryekomandanti i ‘Muxhahidëve Shqiptar’ në Siri Lavdrim Muhaxheri, ndryshe është ish punonjës i kontraktuar i forcave amerikane që shërbejnë në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë dhe jo vetëm kaq, ai është edhe ish punonjës i misionit të NATO-s në Afghanistan. E këtë fakt e ka publikuar edhe gazeta prishtinase Express në botimin e dates 28 Janar, 2014.

Pra, Prishtina i është bashkuar këtij misioni, sepse këtu bëhet fjalë për një udhë e tri punë. E udha e Sirisë:

  1. ›mbështetë aktin e puçit ushtarak që korporatat perendimore ia bënë çlirimtarëve sirian;
  2. ››mbështetë luftën e Turqisë kundër kurdëve në Siri;
  3. ››mbështetë, e njëkohësisht e djallëzon figurativisht fenë islame në emër të të cilës janë bërë rekrutimet, që më pas duke ngrehur në top temë mediatike ‘radikalizmin islamik’ të shtojnë dhe ngrejnë frikë terrorizuese në popullsi të përgjithsme që në këtë mënyrë t’ua shpërqëndrojnë vëmendjen shqiptarëve nga djallëzitë, hajnitë dhe krimet politike, ekonomike e njerëzore që i bënë politika në Prishtinë e gjetiu.

Pra të gjitha këto fakte tregojnë se përgjegjësia duhet të thirret në Kosovë, por jo në Siri. Siria nuk është kërcënimi. Kjo është vetë Kosova. Njëkohësisht kjo përgjegjësi bie edhe mbi shoqërinë tonë njerëzore e cila po e toleron një grup politikanësh të operojnë me taksën tonë publike, lirshëm të shkelin mbi ligjin, lirshëm të shtypin me kokën e këmbës mib kokat e studentëve madje duke i fyer ata.

E këta politikanë që ndryshe do t’i quaja banditët e Prishtinës, kanë toleruar agjensitë e huaja të ‘zbulimit’ të operojnë në territorin tonë, të cilët duket tanimë qartë se nuk kanë bërë gjë tjetër pos korruptuar ata (pa përjashtim) të cilët më pas i kanë shantazhuar, kanë instaluar krimin në mënyrë sistematike në çdo pore të shoqërisë në vend dhe rrjedhimisht kanë rrezikuar të ardhmen tonë politike, ekonomike e ligjore, duke shkaktuar dhe mbështetur shkatërrimin sistematik të sistemit edukativ, arsimor, kulturor, ekonomik, politik, shëndetësor etj.


››Ky shkrim u botua në Gazetën elektronike EXpress në Prishtinë, më 31 Janar, 2014‹‹

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY