Dhjetë shkurti shtatë vjet pas të shtunës së përgjakshme në Prishtinë!

Protestuesve iu kërkohej me ngulm që të ‘rezistonin paqësisht’ duke toleruar kërbaçin e pushtetit t’ua dërmonte kockat. Protestuesit shkonin ose në shtëpi, ose në zyre, ose në burg të...
©Vedat Xhymshiti

Më 10 shkurt 2007 në një demonstratë të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, morrën pjesë më shumë se 60.000 njerëz e cila ishte zhvilluar në rrugët e Prishtinës, thotë një raport i misionit të kombeve të bashkuara në Kosovë UNMIK.  Dy protestues shqiptarë ishin vrarë në përleshjet me policinë atë ditë kur protestuesit siç raportohet në afërsi fizike ishin qëlluar në kokë nga njësiti rumun i OKB-së duke përdorur plumba gome të prodhuara në Itali 13 vite më parë. Plumbat ishin prodhuar në vitin 1991 dhe kishin një afat prej tre vjetësh.  Një raport policor tregon se kishte “ndoshta ngrutësim të gomës” të dalë nga afati i përdorimit.

Nga Vedat Xhymshiti – Gazetar i Pavarur

©t'drejtatIshte ditë e shtune kur disa mijëra shqiptar ishin tubuar në Prishtinë, për të protestuar kundër padrejtësive politike dhe civile që po i bëhej popullit të Kosovës. Kundër Pakos së Ahtisaarit, e cila përveq shumë dokumenteve tjera ndërkombëtare e cënonte të drejtën fundamentale të lirisë kolektive, atë për Vetëvendosje dhe Referendum. Të drejtën e të qenurit i lirë, të drejtën për të vendosur vetë për fatin tënd politik e kombëtar, të drejtën për të zgjedhur vetë për të ardhmen tënde.

Ishte ditë e shtunë dhe me shi e me plot njerëz që kishin vendosur t’i thonin JO! Negociatave të padrejta Prishtinë Beograd; t’i thonin JO! Korrupsionit, ndërhyrjeve të huaja në rregullimin e brendshëm dhe të jashtëm të së drejtë sonë politike dhe civile.

Atë ditë populli po kryengritej kundër banditëve, që kishin okupuar vendin, që e kishin zhytur në krim, në gënjeshtër, në mashtrim, në borxh, në varfëri, në mjerim e në nënshtrim kolektiv. Atë ditë ishte një kryengritje për VETËVENDOSJE!, për LIRI!

Rrugët po gjëmonin nga brohoritjet e qytetarëve, forcat speciale të shërbimit policor të Kosovës kishin zënë pritë në sheshin ‘Nënë Tereza’, ose respektivisht përball Teatrit Kombëtar të Kosovës të cilët ishin vendosur për të pritur protestuesit, që dyshoheshin se kishin planifikuar për të sulmuar zyrën qëndrore të qeverisë e cila ishte nën mandatin qeveritar të kryeministrit të atëhershëm Agim Çeku, ish komandant i përgjithshëm i UÇK-së dhe sot Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës në qeverinë Thaçi 2.

Policët Rumun nën mandatin e OKB-së, duke mbushur armët e tyre për shkrepjen e gazti lotsjellës kundrejt turmës protestuese më 10 Shkurt, 2007

Policët Rumun nën mandatin e OKB-së, duke mbushur armët e tyre për shkrepjen e plumbave të gomës kundrejt turmës protestuese më 10 Shkurt, 2007

Në momentin e parë të përplasjes së protestuesve paqësorë me forcat e rendit, pas pak minutash policia speciale rumune e UNMIK-ut kishte filluar të hedh gazin lotsjellës në turmën që deri atëherë protestuan në mënyrë paqësore.

Pas viktimës së parë në Prishtinë situata kishte dalur plotësisht jashtë kontrollit dhe policia kishte filluar të gjuaj me plumba gome në protestues gjersa gjithmonë duke synuar në kokat e tyre, duke rezultuar në vrasjen e një protestuesi, i cili ishte qëlluar në gjoks, derisa ai po tentonte të fshihej nga gazi lotsjellës brenda Hotelit Iliria.

Një zyrtar i sigurimit privat i cili ishte qëlluar pranë zemrës mbijetoi pas një gjendje kome të gjatë dhe ende sot jeton me predhë brenda në gjoksin e tij. Fundi i protestës rezultoi me dy të vdekur , shtatë të plagosur rëndë dhe 73 dëmtime të lehta tek protestuesit e tjerë.

Një hetim ndërkombëtar gjeti se oficerët rumunë të policisë së UNMIK-ut kishin qëlluar direkt në fytyrën e protestuesve, duke rezultuar në vdekjen e menjëhershme të dy civilëve të paarmatosur. Hetimi i prokurorisë gjeti se plumbat e gomës të përdorura gjatë kryengritjes popullore të 10 Shkurtit, 2007 kundër protestuesve iu kishte skaduar afati i përdorimit 13 vite më parë. Prodhuesi Italian i kishte vënë një afat kohor tre vjeçar për përdorimin e plumbave të gomës, shtresat e gomës mbi kokrrizat e metalit ishin shkrirë 13 vite më parë tregon hetimi i prokurorisë së misionit të kombeve të bashkuara, duke e bërë plumbin vdekjeprurës.

Prokurori kishte vendosur se policia rumune, të cilët ishin pjesë e një force ndërkombëtare të vendosur në Kosovë, respektivisht forcave të OKB-së, kishte vepruar penalisht, por OKB-ja nuk pranoi të bëjë kallëzim penal për shkak se siç ishin arsyetuar atëhere “ishte e paqartë se kush i kishte qëlluar të shtënat fatale.” Në vend të kësaj, kreu udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ishte arrestuar për “përbuzje dhe mospërfillje të të gjithë autoritetit legjitim të Kosovës”.

Por, çfar në të vërtetë ndodhi më pastaj me të drejtën fundamentale të lirisë kolektive të popullit të Kosovës, atë për Vetëvendosje dhe Referendum, ajo nuk u materializua; asnjëhere, sot e shtatë vite.


PUÇI I ‘KRYENGRITËSVE’ KUNDËR KRYENGRITJES

Më 23 Shkurt, 2007, shefi i operacioneve të Shërbimit Policor të Kosovës Reshat Maliqi ka mbajtur takim të fshehur me krerët e Lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu dhe Glauk Konjufca, ku janë dakorduar për t’a shuar protestën e 3 Marsit 2007, e cila ishte një protestë e rradhës pas vrasjes së dy protestuesve më 10 Shkurt 2007‹‹ zbulon një Kabllogram i rrjedhur nga WikiLeaks, raport konfidencial i dërguar nga departamenti për siguri publike i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë UNMIK, drejtuar ambasadës amerikane në Prishtinë #07PRISTINA182_b

Më 23 Shkurt, 2007, shefi i operacioneve të Shërbimit Policor të Kosovës Reshat Maliqi ka mbajtur takim të fshehur me krerët e Lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu dhe Glauk Konjufca, ku janë dakorduar për t’a shuar protestën e 3 Marsit 2007, e cila ishte një protestë e rradhës pas vrasjes së dy protestuesve më 10 Shkurt 2007‹‹ zbulon një Kabllogram i rrjedhur nga WikiLeaks, raport konfidencial i dërguar nga departamenti për siguri publike i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë UNMIK, drejtuar ambasadës amerikane në Prishtinë #07PRISTINA182_b

Më dhjetë shkurt, 2007 ishte urdhëruar ndërprerja e çdo aktiviteti protestues nga krerët e ‘panjohur’ të lëvizjes.

Secili që do të vazhdonte ose tentonte të vazhdonte ndonjë aktivitet protestues do të quhej tradhëtor, ia don të keqen Lëvizjes’ thane krerët e panjohur që sigurisht i njeh vetëm Albin Kurti dhe dezertorët e abortuesit e tjerë të revolucionit të dhjetë shkurtit.

Por, për këtë mbase kanë çfar të tregojnë edhe Liburn Aliu e Glauk Konjufca të cilët ishin takuar me drejtorin e shërbimit policor të Kosovës Reshat Maliqin më 23 Shkurt, me të cilin siç tregon një raport i nxjerrur nga WikiLeaks ishin dakorduar që të shuanin edhe përpjekjen e dytë popullore për liri e vetëvendosje atë të Tre Marsit 2007.

Gjërat tanimë kishin marr një kahje tjetër, të pa pritur dhe të pa imagjinuar për veprimtarët politik të Lëvizjes. Me ç’rast, unë konsideroj se ngjarjet pas 10 shkurtit të vitit 2007 shënojnë nje kthesë të madhe vendimtare të rrjedhave të mëpastajme, në deformimin e konceptit dhe filozofisë  politike të lëvizjes ‘Vetëvendosje’.  Mu për këtë koncept të shëndosh politik shumë aktivistë të palodhshëm të Lëvizjes (sonë) nuk ndalonin së punuari e vepruari e madje me çmimin e rëndë të përballjes me dhunën fizike e psiqike të orkestruar prej autoriteteve supreme ndërkombëtare (ish UNMIK) dhe vartësëve të tyre vendor.

Kundërshtimi i Pakos së Ahtisaarit (që ngërthen në vetëvete varësinë e Kosovës) ishte paguar me një çmim të lartë: humbën dy jetë të rinjësh; u gjymtuan me dhjetëra të tjerë e në ndërkohë ndaj  dhjetëra aktivistëve e qytetarëve (pjesmarrës të demostratës) sot e kësaj dite u kanosen përsekutime në emër të ‘shkeljes së ligjit’.

Turma protestuese në përballje me njësitet speciale të shërbimit policor të Kosovës më 10 Shkurt, 2007.

Turma protestuese në përballje me njësitet speciale të shërbimit policor të Kosovës më 10 Shkurt, 2007.

“PROKURORIA” E LËVIZJES

Drejtuesit e lëvizjes ‘Vetëvendosje’ ndërruan kursin e të vepruarit dhe menduarit duke harruar madje edhe ata që më së shumti u vetëmohuan për idealet që i pandehnin se i trupëzonte lëvizja ‘Vetëvendosje’. Këta drejtues të kësaj lëvizjeje me sa duket po kryenin detyrat e prokurorëve të UNMIK-ut: po bënin klasifikimin e aktivistëve në: të pëlqyeshëm dhe të papëlqyshëm, korrekt dhe jo-korrekt, lojal dhe jo-lojal.

Sa herë që kushdo prej aktivistëve kryengritej kundrejt devijimeve ishin konsideruar prej drejtueseve si të papjekur ‘politikisht’ e që kishin nevojë për indoktrinime të mëtutjeshme. Aktivistët ishin përballur me situata mizore duke ua imponuar vetë-tërheqjen (pastaj atë e akuzonin për burracakëri ose papjekuri politike!); kurse ‘rebelëve’ të tjerë iu fabrikonin pas shpine (duke i shfrytezuar madje edhe aktivistët në emër të interesit të lëvizjes) akuza prej më të ndyrave për t’ua fyer integritetin dhe krenarinë çdo të riu (që guxonte të bënte ‘harame’ të tilla).

Për ta mjegulluar para aktivistëve (fatkeqësisht naiv) faktin e transformimeve të mëdha mbanin shpesh edhe debate brenda lëvizjes, ku krijohej iluzioni se politika e lëvizjes ushqehej prej propozimeve e ideve të bijve e bijave të saj, në ndërkohë gjatë tërë kohës sot e asaj dite, aktivistët kanë qenë dhe mbeten vetëm spektatori që nuk e ka idenë as më të vogël se cfarë po luhet prapa skenës së lëvizjes së tyre aq të idolizuar. Shpeshherë aktivistëve që kishin bërë (dhe bëjnë) pyetje të ‘ndjeshme’ i qortonin (ata qortohen edhe sot) me tone terrorizuese: “Kush po të porosit ty me fol kështu, e? Kqyreni djema duhet të kemi shumë kujdes se ka mundësi te na infiltrohet dikush brenda rradheve tona? Kushdo që guxon të kritikoj partinë nuk është gjë tjetër veq se një SHIK, ose ia don të keqen vendit”, thuhet mes tjerash në dëshmitë e aktivistëve.

Mirepo s’perfundonte me kaq: ai i pabesë që bënte (bënë) pyetje të tilla që vlerësohen si të ndjeshme mbahet në regjistrin e dyshimeve të partisë. S’kalon edhe shumë kohë dhe etiketohet tërthorazi si i dyshuar për spiunazh ose i porositur prej ‘qarqeve armike’. Pra situata në lëvizjen ‘VETËVENDOSJE’  pas 10 shkurtit ishte dhe mbetet përgjithësisht sipas këtij rregulli të pashkruar: nëse aktivistët tentojnë të bëjnë një pyetje ‘jokorrekte’ regjistrohen në dosjen e të dyshuarve; nëse vazhdojn me kryeneqësi të pyetjeve jokorrekte përballen me presionin e desocializimit ku zhgradohen sistematikisht prej detyrave, vihen në kontrollin e të besueshmëve të lëvizjes. Madje iu hiqet e drejta që pyetjet dhe pakënaqësitë t’i adresojnë në mbledhjet e aktivistëve – pakënaqësitë duhet t’ia thonë së paku një drejtuesi që bënë pjesë në 10-shen e famshme për të cilën aktivistët asnjëherë nuk e kishin kuptuar se ku e kishte banesën. Ose ua lansojnë në ‘bisht’ të besueshmit të cilëve ua kanë marr trunin me qera.

Zhgradimi i një aktivisti prej detyrës shoqërohet edhe prej një propagande të gjithanshme e cila e do të dëmtonte reputacionin e atij aktivisti në mënyrën më të ashpër të mundshme. Madje ndodh që ndonëse dihet që aktivistët protagonist janë të pafajshëm atë e urrenjnë si ‘dezertor’ si i pabesë, aq thellë injektohet propaganda.


T’i kthehemi edhe një here dhjetë shkurtit, 2007

Natyrisht, gatishmëria qytetare për përmbytjen e sistemit të instaluar criminal kishte ardhur si rezultat i vrasjeve (dhe jo vetëm!) të dy demonstruesve paqësorë më 10 shkurt, 2007 nga ana e policisë së UNMIK-ut (Misionit të OKB-së në Kosovë), jetët e të cilëve më pas u përdorën për kapital partiak (edhe sot) të një lëvizjeje e cila po shndërrohej në parti, duke shkaktuar kështu konfuzitet serioz tek qytetarët e vendit, të cilët megjithatë kishin një besim të thellë, duke qenë se atë kohë ishte ende e vetmja alternativë politike në vend, si dhe, duke shkaktuar një çarje serioze në mes të aktivistëve të saj të cilët refuzonin të lejonin shkeljet e parimeve politike.

Këto parime detyronin pjesëtarë të saj të refuzonin hyrjen e grupit politik brenda sistemit administrativ të vendit, duke qenë se krejt baza politiko-juridike e vendit nuk e njeh të drejtën fundamentale të lirisë kolektive, atë për ‘vetëvendosje dhe referendum’, nga i cili koncept bazik rrjedh edhe vetë emri i kësaj lëvizjeje, tashmë të bërë parti.

Deri në atë kohë, pjesëmarrja maksimale e qytetarëve të Kosovës në proceset zgjedhore pas ngjarjeve të marsit të vitit 2004 ku kishte shpërthyer revolta popullore për të kundërshtuar administratën e padrejtë të misionit të OKB-së, ishte vetëm 37%.

Në vitin 2007, krerët e Lëvizjes Vetëvendosje (Albin Kurti, Visar Ymeri, Glauk Konjufca, Aida Dërguti, Milot Kelmendi, Liburn Aliu, Xhelal Sveçla, Hysen Durmishi, dhe Dardan Molliqaj adresa e të cilëve nuk dihet ende..,) pa pyetur askend, kishin vendosur që lëvizjen ta bënin parti dhe t’iu nënshtroheshin rregullave dhe normave ligjore të paracaktuara nga pakoja e Ahtisaarit, projekt ky politik, i cili vetëvendosjen e Albin Kurtit e ‘pasuroi’ me kapital partiak të gjakut të dy të vrarëve, të cilët u deklaruan si protestues e u shpallën dëshmorë dhe bashkëveprimtarë të Lëvizjes së asaj kohe, e cila kishte nisur rrugën drejt nënshtrimit, pavarësisht që të vrarët nuk kishin qenë asnjëhere aktivistë; sigurisht mund të kenë qenë simpatizant.

Duke qenë se sistemi i administratës publike në Kosovë, pas shpalljes së Pavarësisë, nuk kishte arritur legjitimitet më shumë se 37%, kësaj administrate i duhej hyrja e VV-së në proceset e nënshtrimit të ligjeve ahtisariane të autoritetit të huaj ekzekutiv. Hyrja, kishte ndikuar në rritjen e numrit të legjitimuesve deri në 10%.

Pra, siç e dimë, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 morën pjesë 47% e popullatës së përgjithshme në Kosovë. Për parregullsitë (vjedhjet) serioze të këtyre zgjedhjeve kishin raportuar më shumë se katër organizata të besueshme ndërkombëtare, por partia e Albin Kurtit pavarësisht kësaj, kishte pranuar të legjitimonte sistemin, duke mos refuzuar rezultatet e atëhershme të cilat ishin jo të besueshme.

Çdo përmbytje të nismave qytetare që Albin Kurti dhe bashkë-partiakët e tij i kanë bërë puçin në Kosovë, duke konsideruar zhvillimet e fundit ‘FilanFistekiane’ të doktorllëkut, ju lutem, konsideroj se ky njeri e meriton titullin shkencor ››Dr. Conflict Menagment‹‹. Mjeshtrit e kontrollit të reagimeve qytetare nga “Vetëvendosje” duket se kanë një marrëveshje me sistemin politik në vend, ç’mund të mendoj tjetër që kur e lexoj njërin prej shkrimeve të Kurtit të vitit 2006 ai thote: “Të kënaqurit janë në sistem”.

Natyrisht, është kohë kur Albin Kurti është lideri që ka monopolizuar protestat dhe reagimet qytetare në Kosovë.

Por, në të vërtetë, Albini dhe subjekti i tij, më nuk u prijnë organizimeve qytetare për të parandaluar zhvillimet politike në dëm të këtij populli. Që nga viti 2007, ata kanë zgjedhur të ulen në karriget institucionale, në të cilat thoshin se nuk besonin. Për tu ulur në këto karrige, iu desh edhe të betoheshin para ligjeve kushtetuese të Pakos së Ahtisaarit – që prapë thanë se e bënin pa besuar në to. Më vonë, po ata edhe kishin kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për të mbrojtur kushtetutën ahtisariane.

Ish ›Lëvizja “Vetëvendosje”‹ ka dëshmuar tanimë se që nga vitet e themelimit ka qenë një mekanizëm i krijuar për të kontrolluar masat e supozuara ekstremiste popullore.

Rezistenca Paqësore nënkuptonte që një ish ushtarak i UÇK-së siç është ky që duket në foto, të toleroj kërbaçin e pushtetit që po mohonte të drejtën tonë civile e politike.

Rezistenca Paqësore nënkuptonte që një ish ushtarak i UÇK-së siç është ky që duket në foto, të toleroj kërbaçin e pushtetit që po mohonte të drejtën tonë civile e politike.

Ngjarjet e marsit të vitit 2004, kishin shkaktuar një nevojë emergjente e krijimit të këtij mekanizmi që vazhdimisht po ua pamundëson popullit të Kosovës krijimin e një organizimi cilësor për t’u organizuar në mbrojtje të interesave njerëzore, politike e civile në vend. Në vitin 2004 shqiptarët kishin reaguar me të drejtë kundër padrejtësive që sistemi i instaluar politik ndërkombëtar në emër të Kombeve të Bashkuara, kishte shtypur në vazhdimësi lirinë dhe të drejtat themelore të një kombi që sapo kishte dalë nga lufta e nisur për çlirim, që burgoste çlirimtarët, baza politiko-juridike e të cilit garanton(te) integritetin dhe sovranitetin territorial të Serbisë mbi Kosovën sot e asaj dite.

Kjo organizatë politike, ›lëvizja Vetëvendosje‹ krijonte përshtypjen e një lëvizjeje kombëtare, që nuk do të dorëzohej deri atëherë kur të ishte zbatuar synimi i saj politik – e që ishte e drejta fundamentale e lirisë kolektive. Kjo lëvizje gjithnjë ka bërë aksione për tu dukur në TV dhe për të dalë në shtyp, e asnjëherë aksione protestuese të cilat do të dërgonin drejt një rruge të re për të nisur zbatimin e synimeve tyre politike.

Protestuesve iu kërkohej me ngulm që të ‘rezistonin paqësisht’ duke toleruar kërbaçin e pushtetit t’ua dërmonte kockat. Protestuesit shkonin ose në shtëpi, ose në zyre, ose në burg të rrahur mirë, me dinjitet të thyer, vetëm shpirti ua mbante trupin. Këto pamje të rezistencës Albin Kurtiane, dokumentoheshin me fotografi, me video xhirime, transmetoheshin gjithandej syve të popullatës, jo për të nxitur mbështetjen, por për t’a shuar atë, për t’ju thënë popullit, rrini ju në shtëpi, se me ba me dal a po e sheh çka të gjen, t’rrehin policia e t’jetë si pi babës. ›Po-po; të vrau policia në Kosovë, e t’meti si pi Babës.

Populli shqiptar nuk do ta toleronte një akt të tillë të qyqarllëkut, por kjo ndodhi e po ndodh për shkak që junta puçiste albin kurtiane ishte dhe mbetet e tillë, pa dinjitet. Në Kosovë bëhet fjalë për të shtypurit populli, dhe shtypësi kërbaçi i vendorëve i dirigjuar nga Dragodani. Ne, një ditë apo tjetër do të rrugëtojmë, sepse nuk ka zgjidhje tjetër pos rrugës. Kërbaçin nuk do e tolerojmë.

Ngjarjet e dhjetë shkurtit mes tradhëtive të shumta dhe puçit që ia bënë popullit të Kosovës, atë ditë kishin rezultuar edhe me dëbimin e bacë Adem Demaçit, kërkonte të mos dorëzoheshim baca! E puçistët nuk donin t’iu dështonte plani për shuarjen e përpjekjeve popullore për liri e vetëvendosje. Mes arsyetimeve banale që puçistët kishin thënë për bacën Adem, ishte edhe kjo: epo, baca me pas qenë seriozisht kundër Serbisë, Serbia do ta kishte vrarë, nuk do ta kishte lënë të gjallë. Kjo më kujton sot Milazimin e Hashim Thaçit që nga fakulteti i gazetarisë i quante studentët e protestuesit djem të shkinave.

›Do donja të merrja një përgjigje, ç’mendojnë për Albin Kurtin në bazë kësaj logjike këta?

Dhjetë shkurti, është përvjetori i tradhëtisë që Albin Kurti dhe klika e tij ia bënë popullit të Kosovës, respektivisht të vrarëve dhe të gjymtuarve të cilët po protestonin në përpjekje për të fituar të drejtën fundamentale të lirisë kolektive, atë për Vetëvendosje dhe Referendum. Gjakun e të vrarëve dhe vuajtjet e të gjymtuarve kjo parti po i përdor për kapital partiak, duke shkelur mbi ata dhe konceptin përmbajtësor për çfar vdiqën dhe vuajtën ata.

Prandaj, protestat #meStudentat nuk duhej të ishin anuluar për të Hënën (sot), ato duhej të kishin vazhduar, për t’u llogaritur si vazhdimësi e përpjekjeve të popullit për liri e vetëvendosje. Dhjetë shkurti 2014 me këtë anulim po amniston tradhëtinë që Kurti dhe shokët e tij puçist e dezertor të revolucioneve, i bënë popullit shtatë vite më parë e në vazhdimësi pa-ndalshëm.

Populli duhet organizuar. Populli duhet të kryengritet. Lirinë për të cilën është luftuar nuk e kemi. Atë pabesisht na e morrën të huajt, dhe po e mbajnë peng t’tanët.


Ky shkrim është botuar edhe në të përditshmen prishtinase EXpress.

Vedat_Xhymshiti_RISC_Training_NewYork_WaReportingPërvoja pesë vjeçare e gazetarit të pavarur Vedat Xhymshiti në rajonin e Lindjes së Mesme, Afrikës, Kaukazit, Evropës Juglindore dhe Ballkanit, i dha atij mundësinë të njihet për së afërmi me zhvillimet shoqërore politike dhe prapaskenat ndikuese të industrisë korporative në fushën e hartimit të politikës afatgjate. Përpjekjet e tij profesionale për gazetari të pavarur janë të dokumentuara në ditarin e tij www.vedatxhymshiti.wordpress.com

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY