TERRORISTËT JANË NË QEVERI! ARRESTOJINI ATA!

Nëse dikush është terrorist këtu, janë pikërisht qeveritë bashkë—pjesëmarrëse në krimin e përbashkët të krijimit të këtyre celulave. Këtu nuk bëjnë përjashtim as autoritetet shqiptare, kosovare, maqedonase dhe ato...

Autoritetet turke njoftuan sot se tre personat e arrestuar si përgjegjës për sulmin e djeshëm në provincën e Nidge-s ndaj një njësie të xhandarmërisë ku mbetën të vrarë dy policë dhe një civil, rezultojnë të jenë shqiptarë.

Sipas mediave që citojnë ministrin e Brendshëm turk, dy prej të arrestuarve, të moshës 18-vjeçare, ishin qytetarë shqiptarë, ndërsa një 23 vjeçar tjetër ishte nga Kosova. Por në Tiranë, Ministria e Brendshme mohoi që mes të arrestuarve të kishte shtetas nga Shqipëria.

Sulmi në Turqi, ndodhi gjatë ditës së djeshme në një pikë kontrolli të policisë. Të arrestuarit po udhëtonin me një taksi të marrë me qera. Sipas autoriteteve turke ata flisnin rrjedhshëm arabisht, dhe dyshohet të kenë lidhje me Sirinë e të jenë pjesë të organizatave terroriste si Shteti islamik i Irakut dhe Levantit (SISI), apo dhe Al-Kaedas.

Disa dhjetëra qytetarë muslimanë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Serbia besohet se janë përfshirë në luftimet në Siri. Javën që shkoi Tirana zyrtare ka arrestuar 7 persona pas hetimeve nga shërbimet sekrete dhe prokuroria e krimeve të rënda, të cilat zbuluan një rrjet që vepronte për rekrutimin e besimtarëve muslimanë.


KUSH I BËRI KËTO STRUKTURA? — (lexo më shumë…!)


Janë pikërisht autoritetet turke, të cilat në bashkëpunim me vullnetin politik të Prishtinës, Tiranës, Shkupit dhe Beogradit, kanë toleruar qëllimshëm operimin e këtyre agjentëve. Ata janë marrë me procedurat operative të indoktrinimit, politizimit fetar, dhe me rekrutimin e të rinjëve për t’i inkuadruar si luftëtarë në grupet e huaja të armatosura. Këto grupe i shkaktuan një dëm të pakthyeshëm Ushtrisë Çlirimtare të Sirisë, misioni i të cilës për çlirimin e vendit nga tirania qeveritare u dëmtua rëndë. Këto grupe të huaja luftëtare janë krijuar jashtë Sirisë, respektivisht në territoret e Republikës së Turqisë, nga korporatat e fuqishme perendimore, duke i importuar më pas ato (grupet paraushtarake) në territoret e Republikës Arabe të Sirisë.

Madje është raportuar se kryekomandanti i ‘Muxhahidëve Shqiptar’ në Siri është Lavdrim Muhaxheri, që ndryshe është ish-punonjës i kontraktuar i forcave amerikane që shërbejnë në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë. Dhe jo vetëm kaq, ai është edhe ish punonjës i misionit të NATO-s në Afganistan. E këtë fakt e ka publikuar edhe gazeta prishtinase Express në botimin e datës  28 Janar, 2014.

Pra, Ankaraja, Tirana, Prishtina, Shkupi dhe Beogradi, i janë bashkuar këtij misioni, sepse këtu bëhet fjalë për një udhë e tri punë. E udha e Sirisë:

  1. Mbështetë aktin e puçit ushtarak që korporatat perendimore ia bënë çlirimtarëve sirian;
  2. Mbështetë luftën e Turqisë kundër kurdëve në Siri;
  3. Mbështet dhe njëkohësisht e djallëzon fenë islame në emër të cilës janë bërë rekrutimet, që më pas duke ngrehur në top temë mediatike ‘radikalizmin islamik’ të shtojnë dhe ngrejnë frikë terrorizuese tek popullata në mënyrë që ta shpërqëndrojnë vëmendjen e saj për djallëzitë, hajnitë dhe krimet politike, ekonomike e njerëzore që i bënë politika në Ankara, Tiranë,  Prishtinë, Shkup e Beograd. Këta dy të fundit janë dëshmuar se janë shumë të interesuar që t’i paraqesin shqiptarët si terroristë islamikë, por duke harruar se megjithatë të dy kryeqendrat e ish-Jugosllavisë janë përgjegjëse për stimulimin dhe mbështetjen e grupeve të tyre para-ushtarake, që ndryshe njihen si çetnikë.

Pra të gjitha këto fakte tregojnë se përgjegjësia duhet të kërkohet në Qeverinë turke, shqiptare, kosovare, maqedonase dhe atë serbe.

Autoritetet nuk mund t’a ngjyrosin me ngjyrën e terrorizmit një komb të tërë, duke qenë se janë pikërisht vetë autoritetet qeveritare turke ato të cilat qëllimshëm kanë toleruar dhe mbështetur ngritjen dhe krijimin e celulave të tilla para-ushtarake.

Siria nuk është kërcënimi. Kërcënimi janë qeveritarët në Turqi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Serbi, duke mos përjashtuar as politikën evropiane.

Njëkohësisht kjo përgjegjësi bie edhe mbi shoqëritë njerëzore të cilat po e tolerojnë një grup politikanësh të manipulojnë me taksën e tyre publike, lirshëm të shkelin mbi ligjin, lirshëm të shtypin të drejtën e qytetarëve për t’u informuar drejtë dhe pa-anshëm. Qeveritë e të gjitha vendeve të përmendura më lartë, kërcënojnë, korruptojnë, shantazhojnë, izolojnë, depërtojnë, vrasin e burgosin gazetarë të cilët i binden vetëm parimeve të tyre profesionale.

E këta politikanë, që ndryshe do t’i quaja banditë të marrë me qera nga korporatat e huaja, kanë toleruar agjensitë e huaja të ‘zbulimit’ të operojnë në territoret e tyre, të cilët duket tanimë qartë se nuk kanë bërë gjë tjetër pos korruptuar klasën politike në Tiranë, Prishtinë, Shkup e Beograd. Ata më pas i kanë shantazhuar, kanë instaluar krimin në mënyrë sistematike në çdo pore të shoqërisë në vend dhe rrjedhimisht kanë rrezikuar të ardhmen politike, ekonomike e ligjore. Kështu ata kanë shkaktuar dhe mbështetur shkatërrimin sistematik të sistemit edukativ, arsimor, kulturor, ekonomik, politik, shëndetësor etj.

Autoritetet politike Turke në Ankara nuk mund t’i ikin përgjegjësisë që iu takon për nxitjen, mbështetjen dhe ngritjen e krijimin e këtyre grupeve terroriste për interesat e tyre të luftës kundër rebelëve kurdë.

Nëse dikush është terrorist këtu, janë pikërisht qeveritë bashkë—pjesëmarrëse në krimin e përbashkët të krijimit të këtyre celulave. Këtu nuk bëjnë përjashtim as autoritetet shqiptare, kosovare, maqedonase dhe ato serbe.  Pra, terroristët janë në Ankara, Tiranë, Prishtinë, Shkup e Beograd dhe ata duhet arrestuar.


— Përvoja pesë vjeçare e gazetarit të pavarur Vedat Xhymshiti në rajonin e Lindjes së Mesme, Afrikës, Kaukazit, Evropës Juglindore dhe Ballkanit, i dha atij mundësinë të njihet për së afërmi me zhvillimet shoqërore politike dhe prapaskenat ndikuese të industrisë korporative në fushën e hartimit të politikës afatgjate. Përpjekjet e tij profesionale për gazetari të pavarur janë të dokumentuara në ditarin e tij THE Frontliner.

Ky editorial është botuar më 21 Mars, 2014, në të përditshmen prishtinase, Zëri

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY