Kosova, NATO dhe Kryengritja e Armatosur!

Sot u bënë 15 vite që kur NATO, me një vendim të njëanshëm kishte vendosur që të bombardonte caçet e forcave jugosllave për t’i detyruar ata që të tërhiqeshin...
A US F-15C Eagle flies a mission over Yugoslavia 08 April 1999. (AFP Photo / US Air Force)

©THE_FrontlinerSot u bënë 15 vite që kur NATO, me një vendim të njëanshëm kishte vendosur që të bombardonte caçet e forcave jugosllave për t’i detyruar ata që të tërhiqeshin nga territori i Kosovës për shkak të krimeve që forcat e rendit të Jugosllavisë kishin bërë mbi popullsinë civile shqiptare. Ka 15 vite të plota që NATO ka dështuar të ushtrojë tërësisht mandatin e saj për shtrirje në tërë territorin e Kosovës, për siguri të plotë të lirisë së lëvizjes dhe fjalës së lirë, për sigurinë për të gjithë, duke përfshirë kështu edhe reklamat sa qesharake, po aq edhe me tejkalime në racizëm, me fjalinë drejtuar qytetarëve: “Kur kafshët munden, po ju?!”. Demek për tolerancën multietnike! Kjo pat nxitur edhe ca reagime në hapësirën publike me të drejtë, për shkak të sloganeve ofenduese në reklama e produksionit filmik të KFOR-it.

— Mandati për sigurinë në tërë vendin, i garantohet dhe i delegohet ekskluzivisht trupave të NATO-s në Kosovë nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e cila ishte aprovuar në Nju Jork, një ditë pas arritjes së marrëveshjës së armëpushimit mes forcave serbe të Jugosllavisë (10.6.1999) dhe trupave të NATO-s në Kumanovë.

cropped-1454613_10151777981332219_1019799838_n.jpgForcat policore, ushtarake dhe paraushtarake jugosllave ishin përgjegjëse për krime kundër njerëzimit në Kosovë, por këto autoritete përgjegjëse e as shteti që e kishte urdhëruar ekzekutimin dhe zbatimin e këtyre urdhërave, nuk janë thirrur asnjëherë para përgjegjësisë për krimet e bëra dhe me synimet finale për spastrimin etnik të vendit. Organizatat Ndërkombëtare të thirrura në emër të drejtësisë, kanë gjykuar, burgosur e persekutuar viktimën për të cilën ata kishin vendosur një akt të njëanshëm për të ndaluar gjakderdhjen, por jo edhe për ta rehabilituar viktimën e një aparati terrorizues i cili sistematikisht kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike, kishte bërë ekzekutime, deportime, vrasje masive dhe masakra ndaj një popullsie civile të paarmatosur dhe të pambrojtur.

Përkundrazi, të gjithë mekanizmat e fuqishëm ndërkombëtar të drejtësisë dhe qendrat ndërkombëtare të fuqisë politike dhe ekonomike kanë rehabilituar në vazhdimësi krerët serbë të cilët janë bashkëpërgjegjës për krimet e bëra kundër njerëzimit në Kosovë. Tutje, këta krerë trajtohen si partnerë për realizimin e interesave të përbashkëta politike në rajon, pra bëhet fjalë për politikanë serbë që janë të përfshirë në krime lufte kundër njerëzimit, dhe për politikanë shqiptarë të Prishtinës administrative që janë të përfshirë në krime serioze ekonomike, politike deri tek krime të cilat cënojnë të drejtën civile dhe atë politike të një shoqërie njerëzore.

Popullata civile në Kosovë, përgjatë 15 viteve rrugëtim, kanë përjetuar një rënie sistematike të dinjitetit njerëzor, kombëtar, tradicional e kulturor. Popullsia civile në Kosovë, përkundër fuqisë ekzekutive ndërkombëtare, është përballur me një administratë në thelbin e të cilës në mënyrë sistematike është instaluar krimi i organizuar dhe korrupsioni. Një administratë e cila në vend se të krijonte vende të reja pune, po i mbyllte ato, duke i shkatërruar kështu të gjitha industritë prodhuese të cilat ishin në një gjendje të mundshme operative dhe funksionale, përmes një procesi të privatizimit i cili ishte tërësisht i çrregullt, korruptues dhe si i tillë ishte kriminal, në të cilin ishin të përfshirë edhe organizatat ndërkombëtare politike e jo-politike.

Nisur nga ky fakt, figurat ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e këtyre organizatave, nuk kanë ngritur zërin për të kundërshtuar një proces të dëmshëm i cili po shkatërronte themelet e mundshme të mbijetesës së një shoqërie të tërë njerëzore.

Në Kosovë, në 15 vjetët e pas luftës, akoma cenohet e drejta e informimit të drejtë dhe të paanshëm, na është cënuar në vazhdimësi edhe e drejta për të pasur një mirëqenie njerëzore, duke abuzuar me taksat tona të cilat në fakt janë të dedikuara për atë qëllim. Në mënyrë sistematike Kosovës i është shkatërruar kualiteti edukativo-arsimor, kualiteti i shërbimeve publike, i shërbimit administrativ, atij shëndetësor deri tek kualiteti i sigurisë publike, pa përfshirë këtu Pejën, që e kanë shndërruar në qytet të vrasjeve dhe panikut të drejtë qytetar, thua se aq e madhe është kjo komunë, saqë nuk po gjinden shkaktarët e vërtetë të vrasjeve dhe krimeve!

Rrjete të ndryshme kriminale të lidhur me kartelet e drogës, prostitucionit e trafikimit të qenieve njerëzore, kontrabandës së vajrave motorike, duhanit e deri tek industritë farmaceutike, kanë pushtuar të gjitha institucionet publike, duke përfshirë këtu edhe doganat, gjykatat, prokuroritë, policinë, pronar dhe kreator të këtyre rrjeteve janë vetë politikanët në Prishtinë. Pra, kriminelët dhe krimi fshihen në strofullat e partive politike pa përjashtim në Kosovë. E këta janë partnerët strategjikë si të Dragodanit ashtu edhe të Brukselit dhe Washingtonit zyrtar.

Rrjedhimisht shoqëria jonë po përballet me një gjeneratë rinore e cila ka degraduar në vazhdimësi deri në përmasat shqetësuese të natyrës së therrjeve me thika, rrahjes së mësimëdhënësve, rrahjes së policëve të trafikut nga fëmijë të deputetëve, vrasjes—deportimit dhe brutalizimit të gazetarëve, vjedhjes së dhomës së dëshmive në qendrën kryesore të stacionit policor, nxitjes sistematike të një natyre të vjetër të vëlla-vrasjes, duke marrë për bazë referenca të ideologjive të ndryshme, partiake, fetare e deri tek ato fisnore etj.

Të gjitha organizatat ndërkombëtare që operojnë në Kosovë në vazhdimësi kanë njohuri për këto zhvillime në vend, mirëpo nuk kanë treguar asnjëherë vullnet serioz vendimtar për t’i luftuar këto trende. E rol jetësisht të rëndësishëm në vend për politikat e brendshme shoqërore dhe ato të jashtme luajnë dhe kanë luajtur përfaqësitë e huaja diplomatike, të cilat fuqinë e tyre e kanë ngritur në një nivel të ekzekutivit. Ambasadat, nuk i zbatojnë detyrimet e tyre që iu dalin nga Konventa e Vjenës për Diplomaci, e cila i detyron të luftojnë trendet negative në një shoqëri të vendit ku ata ushtrojnë misionin e tyre diplomatik. Këto zhvillime përfaqësuesit e huaj diplomatik në Kosovë i trajtojnë si mundësi për t’i shantazhuar politikanët vendor me qëllim të ushtrimit të ndikimit të tyre të drejtëpërdrejtë në vendimmarrjen e zhvillimeve të mundshme politike dhe ekonomike në vend, me qëllim të përfitimeve personale dhe agjendës së tyre të politikës së jashtme, duke krijuar kështu një pengesë serioze të zhvillimit të shoqërisë sonë. Ambasadat e huaja në Kosovë, kanë inkurajuar zhvillimin e një shoqërie të natyrës së mafias politike, rrjetëzimit dhe përparimit të grupeve kriminale në vend, të cilat rrjete kanë marrë edhe përmasa rajonale.

Kosova u çlirua nga tirania fizike e vrasjes sistematike të regjimit serb të Jugosllavisë, por është pushtuar nga tirania fizike e psikike e cila rrezikon të dërgojë një shoqëri të tërë njerëzore në një vetëvrasje kolektive siç po ndodh me krijimin e gjeneratave të tëra si kuadro me diploma të kartonit por jo me diploma të zhvillimit profesional e shkencor, të cilat zhvillime do duhej t’i shërbenin njerëzisht interesit të shoqërisë. Kjo situatë ka ardhur si pasojë e përfshirjes së politikës së huaj dhe zhytjes së tyre në krim të organizuar në vend, duke i mbështetur dhe trajtuar si partnerë strategjikë politikanët banditë të Prishtinës, të cilët ndryshe shërbejnë në një mënyrë të dhënies me qera të trurit të tyre për qëllime të përfitimeve personale të dyanshme, si atyre ndërkombëtare ashtu edhe atyre vendore.

E për krejt këtë, përgjegjës të drejtpërdrejtë janë përfaqësitë e huaja diplomatike në Prishtinë që ndryshe njihen si “Republika e Dragodanit”. Jo rastësisht janë edhe gjeografikisht të vendosura, për ta soditur qytetin nga lart-poshtë, prej Dragodanit!

Pra, për t’u çliruar nga kjo tirani anti-njerëzore dhe prej një ekipi të rafinuar banditësh të huaj e vendor, janë dy mundësi:

  1. Ndërhyrje serioze politike që vjen nga “Qendrat e Vendosjes”, siç është Parisi, Londra e Washingtoni;
  2. Një kryengritje shqiptare e armatosur për t’u çliruar nga tirania sistematike vendore e ndërkombëtare e cila ndryshe ka bërë një krim të rafinuar sistematik kundër shoqërisë sonë.

 

Këto dy mundësi duhej të rezultonin me:

  • Shkëputjen e menjëhershme të Kosovës nga Serbia;
  • Mbajtjen e një referendumi nëse shqiptarët do donin t’i bashkoheshin Shqipërisë ose të qëndronin shtet më vete;
  • Pranimin e ambasadorëve të huaj në përputhje me Konventën e Vjenës së Diplomacisë;
  • Nacionalizimin e ndërmarrjeve të privatizuara të cilat dalin nga vendimi i një Komisioni të Pavarur Hetimor, i cili e identifikon procesin e privatizimit të secilës ndërmarrje që nga paslufta, e shpalon listën e krejt krimeve që janë bërë në këtë proces dhe punëtorët bëhen përsëri zotërinjtë e vërtetë të këtyre ndërmarrjeve;
  • Ngritjen sistematike të kualitetit të studimeve në shkollat publike dhe ngritjen e ashpërsimin e shërbimit kualitativ për shkollat private etj;
  • Hetimin dhe thirrjen para përgjegjësisë të të gjithë politikanëve të huaj dhe vendorë për krimet ekonomike dhe dëmet politike që i kanë shkaktuar shoqërisë në Kosovë;
  • Konfiskimin e 90% të pasurisë së të gjithë politikanëve të cilët e kanë përfituar si rezultat i abuzimeve me pozitën e tyre publike…

E për më shumë i dashur lexues, propozo e shkruaj, sepse mendimi juaj është gjithnjë i vlefshëm. Sidomos në këtë përvjetor të sulmeve të NATO-s, kemi nevojë të reflektojmë mbi rrugëtimin e rëndë që pat Kosova dhe vazhdon për theqafje! Vërtetë, a e kishim menduar Kosovën dhe lirinë e saj për një që do të iknim prej saj për në parkingjet e Evropës?!

logo_frontliner

Përvoja pesë vjeçare e gazetarit të pavarur Vedat Xhymshiti në rajonin e Lindjes së Mesme, Afrikës, Kaukazit, Evropës Juglindore dhe Ballkanit, i dha atij mundësinë të njihet për së afërmi me zhvillimet shoqërore politike dhe prapaskenat ndikuese të industrisë korporative në fushën e hartimit të politikës afatgjate. Përpjekjet e tij profesionale për gazetari të pavarur janë të dokumentuara në ditarin e tij www.THEfrontliner.me

 

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY