Ja pse nuk shkova sot në Gjykatë

Të nderuar lexues, kolegë gazetarë dhe pjesëmarrës të tjerë dëshmitarë të séancës së sotme gjyqësore, të nderuarë qytetarë të Kosovës të drejtat e të cilëve përdhunohen sistematikisht nga sistemi...

Të nderuar lexues, kolegë gazetarë dhe pjesëmarrës të tjerë dëshmitarë të séancës së sotme gjyqësore, të nderuarë qytetarë të Kosovës të drejtat e të cilëve përdhunohen sistematikisht nga sistemi i administratës publike të vendit në të cilin sistem është instaluar sistematikisht krimi i organizuar tash e 15 vjet në vend.

—    Në seancën gjyqësore të 19 shkurtit, 2014, e dyta për nga numri dhe e para për nga natyra e zhvillimit, të kryesuar nga gjyqtari zt. Zijadin Spahiu dhe prokurori i shtetit zt. Ismet Ukshini, unë si dëshmitar dhe viktimë i sulmit të qëllimshëm fizik të 14 Janarit, 2012, u morra në pyetje për të dhënë dëshminë time. Unë konfirmoj se në këtë seancë më është cënuar e drejta e dhënies së dëshmisë autentike dhe fakteve të tjera që kanë logjikë dhe ndërlidhje kronologjike të krejt zhvillimit.

Në foto, gazetari i pavarur Vedat Xhymshiti. (Foto: Steven Gordon)

Në foto, gazetari i pavarur Vedat Xhymshiti. (Foto: Steven Gordon)

Gjyqtari dhe prokurori në vazhdimësi kanë refuzuar që të regjistrohet dëshmia ime autentike për zhvillimet e ngjarjes së 14 Janarit, 2012 ku unë sulmohem qëllimshëm nga një zyrtar policor, i cili ishte shofer i komandantit të Stacionit Regjional të Komunës së Gjilanit. Më 19 Shkurt 2014, nga prokurori dhe gjyqtari mua më është cënuar në mënyrë arbitrare e drejta e ankesës sime drejtuar dy përfaqësuesve të shtetit të Kosovës të thirrur për kujdestarinë e ligjit. Ndryshe, polici i cili siç edhe i rrëfehet inspektorëve të IPK-së, tregon qartë se ai ka ardhur aty me qëllim të realizimit të misionit të tij, pra finalizimin e sulmit ndaj meje me qëllim të qartë fatalitetin. Falë mbështetjes nga gjykata dhe prokuroria ai rrezikon të shpëtojë nga dhënia e përgjegjësisë së shkeljes së më se 11 neneve ligjore si të drejta të cilat më garantohen me kushtetutë të Republikës së Kosovës, por që më janë shkelur me aktin e policit Faruk Ibrahimi më 14 Janar, 2012. Këto nene ligjore vendosshmërisht gjyqtari Spahiu dhe prokurori Ukshini refuzuan që t’i përfshinin në akt-akuzë.


Unë në letrën time në vazhdim, do të shkruaj atë që unë kam dashur ta paraqes si fjali para gjyqit, prokurorisë dhe publikut të gjerë të Kosovës.


 

—Me vetëdije të plotë deklarohem se nuk do t’i përgjigjem seancave të ardhshme të paracaktuar nga gjyqtari zt. Zijadin Spahiu siç bëra edhe me këtë të sotmen (2 Prill, 2014, me fillim në orën 9.00, në Gjykatën Themelore në Kamenicë) për shkak që ndjej se ky trup gjykues është i njëanshëm dhe rrjedhimisht si të tillë nuk kanë besueshmëri nga ana ime për t’i zgjidhur dhe trajtuar ligjërisht një mori të drejtash elementare që më janë shkelur mua me rastin e sulmit të 14 Janarit 2012, të ekzekutuar nga polici Faruk Ibrahimi dhe urdhëruar nga padronët e tij që kanë qenë subjekt i aktivitetit tim profesional gazetaresk, i cili sulm kishte për qëllim fatalitetin.

Fjalët e gjyqtarit “..ooo ti shoq, shka don le t’thonë kushdo, unë këtë punë e zgjedhi vetë qysh t’um thotë kryt e tem, apo nin a jooo…” janë tmerruese, antiligjore, antikushtetuese, joprofesionale dhe pa kodin etik të punës së secilit gjyqtar e prokuror. Kjo gjuhë e gjyqtarit më kujton momentet trishtuese, kur klinika emergjente në Gjilan kishte refuzuar trajtim mjekësor ndaj meje në kohën e një krize serioze të dhimbjeve që po ndjeja kur në mbrëmjen e 14 janarit, rreth ores 22.00 isha paraqitur në Spitalin Regjional të Gjilanit.

Aq më rëndë është fakti kur mendimin mjeko-ligjor për pasojat e sulmit fizik, e ka dhënë bashkëshorti i komandantes së stacionit policor të Gjilanit, shoferi i të cilës është dorasi që tentoi të më merrte jetën në mbrëmjen e 14 Janarit. Gjykata sigurisht edhe prokurori, nuk janë shqetësuar aspak me këtë fakt, duke e pranuar si fakt të mirëqenë mendimin mjeko-ligjor të mjekut në fjalë, pavarësisht edhe kodit etik të konfliktit të interesit.

Është edhe më e tmerrshme kur dorasi im polici Faruk Ibrahimi, është ende punonjës i institucionit policor të Kosovës i cili institucion mendohet të jetë i dedikuar për zbatueshmërinë e ligjit dhe për t’i ofruar siguri qytetarëve në vend. Kulmi i krejt kësaj është që përkundër se është e kundërligjshme, polici Faruk Ibrahimi, dërgon në vazhdimësi ‘msitët’ për të bërë presion ndaj meje dhe familjes sime, duke kërkuar që të tërhiqem nga kjo lëndë gjyqësore. Rrjeti i dyshuar për aktivitet ‘kriminal’ operojnë lirshëm e madje aq të lirë saqë dërgojnë edhe individë të cilët pa kurrfarë morali njerëzor edhe urdhërojnë e kërcënojnë se nëse nuk tërhiqem nga ky proces gjyqësor, ‘do të më ndodh e keqja më e madhe’ nga e cila paskam shpëtuar më 14 Janar 2012.

Unë nuk po tërhiqem, përkundrazi, jam me vetëdije të plotë në kërkim të drejtësisë, mirëpo me një trup të tillë gjyqësor i cili arbitrarisht më cënon të drejtën time elementare të shprehjes së lirë në seancë, dhe i cili arbitrarisht favorizon dorasin tim dhe që premton se nuk do të vendos në bazë të fakteve por në bazë të kokës së tij, kjo çështje nuk mund të zgjidhet drejtë. Po ashtu, procesmbajtësja gjatë seancës së fundit, në vend se të shkruante fjalët e mia në mënyrë origjinale dhe pikë-për-pikë, ajo diktonte dhe regjistronte interpretimin e fjalëve të mia nga gjyqtari.

Ku ka të drejtë të bëhet ajo se çfarë deklaroj unë si viktimë, të interpretohet nga gjyqtari, kur dihet se interpretimi është ajo çfarë shtojmë nga vetvetja, por jo edhe realiteti faktik i të drejtës dhe të vërtetës?! Unë doja që ato që thoja të regjistroheshin në mënyrë të besueshme në procesverbal, e jo të regjistroheshin siç u bë, komentimet dhe interpretimet e njëanshme që i bënte deklaratave të mia gjyqtari i seancës. Kjo bie në kundërshtim me praktikat e drejtësisë dhe sundimin e ligjit.

Kjo është e njëanshme dhe është njëkohësisht ofenduese për njohuritë e mia. Si ka mundësi që unë kam gjetur më shumë se dhjetë nene ligjore të cilat më garantojnë të drejtat e shkelura dhe prokurori ka vetëm një nen ligjor mbi të cilin e trajton rastin dhe bazon akuzën e tij. Për mua po aq sa ka qenë jeta në rrezik nga grupi i dyshuar i cili ka qenë subjekt i aktivitetit tim profesional gazetaresk, e ndjej veten po aq të rrezikuar edhe nga prokurori dhe gjyqtari i lëndës dhe jo vetëm unë, madje konsideroj se edhe të gjithë qytetarët e tjerë që mund të kenë kaluar nëpër duart e këtyre dy zyrtarëve ligjor do t’a kenë pësuar dhe rrezikohen edhe të tjerët në vazhdim që të pësojnë nga ajo që ata e quajnë drejtësi e që qartë duket e kundërta.

Prandaj duke qenë dëshmitar i krejt kësaj situate, duke pasur njohuri se lidhjet e individëve që janë pjesë e rrjetit që ka qenë subjekt i aktivitetit tim gazetaresk dhe në këtë proces ka konflikt të thellë interesi, unë ndjehem i rrezikuar dhe si rrjedhojë jam detyruar të braktis vendin për shkaqe sigurie, duke mos u kthyer deri në momentin kur shoh një akt konkret të një autoriteti të paanshëm ligjor, i cili i sjellë para drejtësisë të gjithë individët e përfshirë në rastin tim dhe jo vetëm kaq!


©THE_FrontlinerVedat Xhymshiti është gazetar i pavarur dhe fotograf dokumentar. Ai përballet me një persekutim të vazhdueshëm nga akterët politikë vendor e ndërkombëtar në Kosovë, që nga koha kur ai kishte filluar të hulumtonte grupet e dyshuara për aktivitete jo-ligjore në institucionin policor të Kosovës dhe institucione tjera në vend. Qasja e tij kritike ndaj faktorëve politikë ndërkombëtar me fuqi ekzekutive në vend, ka shkaktuar humbjen e mbështetjes ligjore, politike e morale nga faktorët e huaj politikë. Pas artikullit gazetaresk për përfshirjen e diplomacisë së huaj në krimin e organizuar në Kosovë, ambasada gjermane në Prishtinë i kishte refuzuar aplikacionin për vizë duke u arsyetuar mes tjerash se pasaporta e tij ishte një dokument i falsifikuar. Pavarësisht insistimit të Xhymshitit për t’u thirrur para drejtësisë për qëndrimin e shkruar të ambasadës gjermane në Prishtinë, policia kishin refuzuar t’a arrestonin Xhymshitin, duke e trajtuar si diçka qesharake një pretendim të tillë, i cili në fakt ishte shënuar nga zyrtarët e ambasadës. Përveq tri tentimvrasjeve të mëhershme që Xhymshiti ka përjetuar, ai më 14 Janar, 2012 arrin t’i shpëtoj sulmit fizik me qëllim fatalitetin dhe ishte fatlum që ky akt ishte dokumentuar nga operatori i TV KLAN Kosova. Me ç’rast ai deponon një padi gjyqësore duke kërkuar përgjegjësi nga kryeministri dhe ministry i brendshëm i vendit. Kërcënimet për pasoja dhe urdhëresat për t’a tërhequr padinë nuk kishin bërë punë, por gjithsesi Xhymshiti, më 16 Maj, 2012 braktis Kosovën për të raportuar për mediat prestigjioze ndërkombëtare nga lufta civile e Republikës Arabe të Sirisë.

Zgjedhja e Edona Llukës në krye të AGPK-së në Prishtinë, e kishte motivuar Xhymshitin të shkruante një kritikë etike (http://gazetajnk.com/index.php?cid=1,984,5448) për simpatinë e saj ndaj krerëve politikë të vendit. Ky shkrim ka bërë që Xhymshiti t’a humb krejtësisht mbështetjen profesionale të asociacionit të gazetarëve të Kosovës. Megjithatë Xhymshiti, vazhdon të mbështetet nga organizatat ndërkombëtare siç janë: Fondacioni britanik për gazetarë të luftës ‘Rory Peck Trust’, Organizata Mediatike për Evropë Juglindore —SEEMO me seli në Vjenë, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit —IPI, Federata Ndërkombëtare dhe ajo Evropiane e Gazetarisë —I/EFJ, Unioni Kombëtar i Gazetarëve Holandez si dhe Amnesty International. Përpjekjet profesionale për gazetari të pavarur të Vedat Xhymshitit, janë të dokumentuara në ditarin e tij: http://vedatxhymshiti.wordpress.com — THE Frontliner

 

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY