Drejtësia në Kosovë dhe Dëshmia e Mohuar!

I nderuari zt. Gjyqtar; I nderuar zt. Prokuror; Të nderuar anëtarë të tjerë të Gjykatës; Të nderuar kolegë gazetarë dhe pjesëmarrës të tjerë dëshmitarë të kësaj seance gjyqësore, të...
  • I nderuari zt. Gjyqtar;
  • I nderuar zt. Prokuror;
  • Të nderuar anëtarë të tjerë të Gjykatës;
  • Të nderuar kolegë gazetarë dhe pjesëmarrës të tjerë dëshmitarë të kësaj seance gjyqësore, të nderuarë qytetarë të Kosovës të drejtat e të cilëve përdhunohen sistematikisht nga administrate partiake e vendit në të cilën është instaluar sistematikisht krimi i organizuar tash e 15 vjet.

Court Hearing— Në seancën gjyqësore të 19 shkurtit, 2014, e dyta për nga numri dhe e para për nga natyra e zhvillimit, të kryesuar nga gjyqtari zt. Zijadin Spahiu dhe prokurori i shtetit zt. Ismet Ukshini, unë si dëshmitar dhe viktimë e ngjarjes së sulmit fizik të 14 Janarit, 2012 kur jam marrë në pyetje për të dhënë dëshminë time, më është cënuar e drejta e dhënies së dëshmisë autentike. Gjyqtari dhe prokurori kanë refuzuar që të rejistrohet dëshmia ime autentike për zhvillimet e ngjarjes së 14 Janarit, 2012 ku unë isha sulmuar qëllimshëm nga një zyrtar policor, i cili ishte shofer i komandantes të Stacionit Regjional të Komunës së Gjilanit. Më 19 Shkurt 2014, nga prokurori dhe gjyqtari mua më është cënuar në mënyrë arbitrare e drejta e ankesës sime drejtuar dy përfaqësuesve të shtetit të Kosovës të thirrur për kujdestarinë e ligjit. Polici i cili qëllimshëm më pati sulmuar më 14 Janar 2012, i cili siç edhe i rrëfehet inspektorëve të IPK-së, tregon qartë se ai ka ardhur aty me qëllim të realizimit të misionit të tij, pra finalizimin e sulmit ndaj meje me qëllim të qartë fatalitetin. Falë mbështetjes nga gjykata dhe prokuroria ai rrezikon të shpëtojë nga dhënia e përgjegjësisë së përdhunimit të më se 11 neneve ligjore si të drejta të cilat më janë shkelur mua dhe të cilat garantohen me kushtetutë të Republikës së Kosovës.

Prandaj, unë kam vendosur që të mos i përgjigjem asnjë prej seancave të ardhshme të paracaktuara nga gjyqtari zt. Zijadin Spahiu, për shkak që ndjej se ky trup gjykues është i njëanshëm dhe rrjedhimisht si të tillë nuk kanë besueshmëri nga ana ime për t’i zgjidhur dhe trajtuar ligjërisht një mori të drejtash elementare që më janë shkelur mua me rastin e sulmit të 14 Janarit 2012, të ekzekutuar nga polici Faruk Ibrahimi dhe urdhëruar nga padronët e tij që kanë qenë subjekt i aktivitetit tim profesional gazetaresk, i cili sulm kishte për qëllim fatalitetin.


Fjalët e gjyqtarit “..ooo ti shoq, shka don le t’thonë kushdo, unë këtë punë e zgjedhi vetë qysh t’um thotë kryt e tem, apo nin a jooo…” janë tmerruese, antiligjore, antikushtetuese, joprofesionale dhe pa kodin etik të punës së secilit gjyqtar e prokuror. Kjo gjuhë e gjyqtarit më kujton momentet trishtuese, kur klinika emergjente në Gjilan kishte refuzuar trajtimin mjekësor ndaj meje në kohën e një krize serioze të dhimbjeve që po ndjeja në momentet që isha paraqitur në Spitalin Regjional të Gjilanit.


Aq më rëndë është fakti kur mendimin mjeko-ligjor për lëndimet e mia (të cilat nuk ishin trajtuar—ashtu siç edhe ishte organizuar skenari) në spital, e ka dhënë burri i komandantes së stacionit policor të Gjilanit, shoferi i të cilës është dorasi i mbrëmjes së 14 Janarit 2012, dhe prokuroria nuk ishte shqetësuar aspak me këtë fakt, duke e pranuar si fakt të mirëqenë mendimin mjeko-ligjor të mjekut në fjalë. Madje më kujtohet ende pa e ditur unë këtë informacion, gjyqtari më pati thënë »nëse e refuzon mendimin mejko-ligjor veq ki me e zgat procedure se sen sun bon«. Kur unë kërkova me të drejtë ligjore t’a shoh të gjithë dosjen, e kuptova pse më kishte alarmuar gjyqtari, pra edhe ky kishte pasur njohuri për këtë fakt, por duke qenë se është pjesë e lojës nga jashtë nuk e ka penguar ai fakt.


Është edhe më e tmerrshme kur dorasi im polici Faruk Ibrahimi, është ende punonjës i institucionit policor të Kosovës i cili institucion mendohet të jetë i dedikuar për zbatueshmërinë e ligjit dhe për t’i ofruar siguri qytetarëve në vend. Kulmi i krejt kësaj është që përkundër se është e kundërligjshme, polici Faruk Ibrahimi, ka dërguar në vazhdimësi ‘msitët’ për të ushtruar presion dhe kërcënime ndaj meje dhe familjes sime, duke kërkuar e urdhëruar që të tërhiqem nga kjo lëndë gjyqësore. Maja e krejt këtij rrjeti të dyshuar për aktivitet ‘kriminal’ është fakti se ata ende janë të lirë e madje aq të lirë saqë dërgojnë edhe individë të cilët pa kurrfarë morali njerëzor edhe urdhërojnë e kërcënojnë se nëse nuk tërhiqem nga ky proces gjyqësor, ‘do të më ndodh e keqja më e madhe’ nga e cila paskam shpëtuar më 14 Janar 2012.

Unë nuk po tërhiqem, përkundrazi, jam me vetëdije të plotë në kërkim të drejtësisë, mirëpo me një trup të tillë gjyqësor i cili arbitrarisht më cënon të drejtën time elementare në seancë dhe i cili arbitrarisht favorizon dorasin tim madje duke premtuar se nuk do të vendos në bazë të fakteve por në bazë të kokës së tij (Gjyqtari Spahiu) kjo çështje nuk mund të zgjidhet drejtë.

Po ashtu, procesmbajtësja gjatë seancës së fundit, në vend se të diktonte fjalët e mia në mënyrë origjinale dhe pikë-për-pikë, ajo diktonte dhe regjistronte interpretimin e fjalëve të mia nga gjyqtari. Interpretimi është ajo çfarë shtojmë nga vetvetja, por jo edhe realiteti faktik i të drejtës dhe të vërtetës?! Kjo është në kundërshtim me praktikat e drejtësisë dhe sundimin e ligjit. Kjo ngjarje në gjykatë për çudi nuk i kishte rënë në sy kolegut nga rrjeti ballkanik për gazetari hulumtuese në raportin e tij të publikuar në Gazetën JNK.

Akti i njëanshëm në seancën e 19 shkurtit, është ofenduese për njohuritë e mia, pastaj, si ka mundësi që unë kam gjetur më shumë se dhjetë nene ligjore të cilat më garantojnë të drejtat e shkelura dhe prokurori ka vetëm një nen ligjor mbi të cilin e trajton rastin dhe bazon akuzën e tij, kështu konsideroj se jeta ime nuk ishte rrezikuar vetëm më 14 Janar 2012, por edhe më 19 Shkurt 2014 nga prokurori dhe gjyqtari i lëndës.

Prandaj duke qenë dëshmitar i krejt kësaj situate, duke pasur njohuri se lidhjet e individëve që janë pjesë e rrjetit që ka qenë subjekt i aktivitetit tim gazetaresk dhe në këtë proces ka konflikt të thellë interesi, unë ndjehem i rrezikuar dhe si rrjedhojë jam i detyruar të braktis vendin për shkaqe sigurie, duke mos u kthyer deri në momentin kur shoh një akt konkret të një autoriteti të paanshëm ligjor, i cili i sjellë para drejtësisë të gjithë individët e përfshirë në rastin tim dhe jo vetëm kaq!


 

Të nderuar zyrtarë ligjorë,

Unë konsideroj se refuzimi i trajtimit mjekësor në spitalin regjional të Gjilanit ka qenë i orkestruar, me ç’rast kërkoj nga prokuroria në pajtim me nenin 217 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës të hetojë situatën, lidhshmërinë e të pandehurit me eprorët e tij dhe lidhshmëritë e mundshme të eprorëve të të pandehurit me zyrtarë të caktuar shëndetësor në spitalin regjional të Gjilanit. Unë njëkohësisht në pajtim me nenin ligjor 221-228, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kërkoj nga gjykata nxjerrjen e masave mbrojtëse apo të anonimitetit, të pikësynimeve të mia dyshuese lidhur me lidhshmërinë e sulmit të qëllimshëm e të orkestruar deri në refuzim të trajtimit tim shëndetësor, për shkak që konsideroj se zbulimin e mëtutjeshëm të informacionit nga ana ime, përveç që rrezikon jetët e dëshmitarëve të cilët janë subjekt i tregimeve hulumtuese gazetareske, kjo rrezikon seriozisht edhe jetën time dhe të familjes sime e cila jo pak here ka qenë subjekt i të dyshuarve, pasi që grupet të cilat kanë qenë subjekt i hulumtimit tim gazetaresk i cili nuk ka përfunduar si pasojë e kërcënimeve ndaj dëshmitarëve dhe ndaj meje, janë të lidhur me krerë të lartë politik të Republikës së Kosovës, të cilët e kanë përdorur fuqinë politike dhe zyrtare për të tentuar të më asgjësojnë fizikisht mua, me qëllim të parandalimit të zbardhjes së zhvillimeve të caktuara për të cilat unë kam shprehur vullnetin tim profesional dhe njerëzor për të vërifikuar raportimet e dëshmitarëve të cilët dyshohet se janë viktimë e keqpërdoruesve të pozitave zyrtare, të cilët zyrtarë kanë përgjegjësi të larta institucionale.

Long Term Persecution of Kosovo's Independent JournalistNë pajtim me nenin 217 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës unë kërkoj nga ana e prokurorisë që të hetoj të pandehurin për misionin e tij të datës së 14 Janarit 2012, pasi që unë kam arsye serioze për të besuar se ardhja e tij (të pandehurit) në vendin e ngjarjes ka qenë e qëllimshme për të zbatuar sulmin, i cili siç duket edhe në video material ka qenë i orkestruar që sipas mendimit tim ka qenë një tentimvrasje e sinkronizuar ku pjesëmarrës fizik janë më shumë se një person i vetëm, e kjo mund të vërtetohet nëse shikohet me vëmendje vide-evidenca ku dukshëm pjesëmarrës në sulm edhe individ me uniformë civile.

Në pajtim me këtë nen ligjor kërkoj nga prokurori që të insistojë në hulumtimin e komunikimeve telefonike të sulmuesit me eprorët e tij dhe raportin zyrtar i cili duhet të saktësojë se cili ka qenë përcaktimi zyrtar nga ana e stacionit policor të Gjilanit që i pandehuri të merr pjesë në një ngjarje çfarë ishte ajo e 14 Janarit 2012 dhe, se a ka shkelur i pandehuri rregulloret e brendshme policore duke marr parasysh detyrën e tij zyrtare sipas neneve ligjore që ia përcakton rregullorja kontraktuese e policisë së Kosovës, deri tek detaji i përgjegjësisë së tij territoriale si dhe autoritetit e kapacitetit profesional e ligjor të tij në raport me natyrën e ngjarjes e cila po zhvillohej atë ditë.

Rasti i 14 Janarit 2012, nuk është i pari kur unë sulmohem fizikisht nga zyrtarë të policisë së Kosovës, mirëpo është rasti në të cilin unë kam pasë fatin që t’i mbijetoj sulmit, për të jetuar dhe rrëfyer tregimin, e veq kësaj kam pasur edhe fatin që sulmi të regjistrohet nga video-operatori në detyrë i televizionit KLAN Kosova.

Në rastet e tjera kur unë kam qenë cak i sulmit të zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrave të mia zyrtare, drejtësia dhe autoriteti hetues policor ka dështuar në vazhdimësi që të dëshmojë se është në mbrojtje të zyrtarëve të medieve dhe të fjalës së lirë, e për faktin se i pandehuri ende është në shërbim zyrtar të institucionit policor, pavarësisht që provat janë të pakontestueshme, kjo argumenton mungesën e gatishmërisë së institucioneve të drejtësisë në vend për zbatim të ligjit, për më tepër argumenton dyshimet se grupet e dyshuara kriminale janë infiltruar në policinë e Kosovës dhe rrjedhimisht kemi rezultate të kësaj natyre. Ky argument i pakontestueshëm njëkohësisht është shembulli më i keq për t’ia dëshmuar qytetarëve të vendit se këtu bëhet fjalë për drejtësinë.

Të gjitha sulmet me të cilat jam përballur nga ana e policisë së Kosovës gjatë kryerjes së detyrave të mia zyrtare e sidomos edhe rasti i fundit, kanë shkaktuar një tmerr psikologjik në gjendjen time të besueshmërisë ndaj institucionit të policisë. Rrjedhimisht kjo ka shkaktuar edhe humbjen e plotë të besimit dhe shpresës sime se institucioni policor për të cilin ligji precizon se është aty për të zbatuar ligjin, ka dështuar të garantojë të drejtat e mia njerëzore dhe profesionale dhe kolegëve të tjerë të cilët jo pak herë janë përballur me sulme fizike, dhe drejtësia asnjëherë nuk e ka thënë fjalën e saj, por politika dhe grupet kriminale të interesit që dyshohet se janë të përfshirë në aktivitete të paligjshme në vend, po ndikojnë në organet e drejtësisë e të sigurisë, dhe këtë e dëshmojnë edhe shumë raporte ndërkombëtare për ndikimin e politikës në këto organe.

Unë njëkohësisht dua të shpreh shqetësimin tim serioz për sigurinë time fizike dhe kërkoj nga gjykata që të ofrojë sigurinë time fizike, duke qenë se i pandehuri ose mbështetësit e tij kanë dërguar kërkesa që të tërhiqem nga kjo aktakuzë, që për mua ndryshe është kërcënim serioz dhe njëkohësisht ka shkaktuar shqetësim dhe terror psikologjik për faktin se dikush që më ka sulmuar për qëllim fatalitetin, ka komoditetin që të vazhdojë të punojë në një institucion ligjor, madje edhe të dërgojë kërcënime në forma të ndryshme, pikërisht disa ditë para se të fillojë seanca për shqyrtimin e rastit tonë.

Me këtët rast dua të ju konfirmoj se për mua është e pa-pranushme ‘Ekspertiza Mjeko-Ligjore’ Lënda: MENDIM: me numër PN.nr. 622/2012, për shkakun që i emëruari ‘Eksperti mjeko-ligjor’, është burri i ish-komandantes së stacionit policor, shoferi i së cilës më ka sulmuar me qëllim të tentim-vrasjes.

 

Të nderuar gjyqtarë,

Unë thjesht nuk po ndihem i sigurtë dhe mund t’ua konfirmoj se përkundër kurajos për të kërkuar të drejtën time njerëzore dhe profesionale, jam tmerrësisht i terrorizuar nga krejt kjo çfar është zhvilluar në vazhdimësi pas ditës së sulmit.

Për krejt këtë situatë unë kam njoftuar redaksitë e ndryshme editoriale me seli në Londër, Paris e Hamburg, kam njoftuar organizatat vendore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve, kam njoftuar poashtu edhe organizatën ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë njerëzore Amnesty International. Njëkohësisht në nivel vendi unë kam njoftuar Asociacionin e Gazetarëve Profesionist të Kosovës si dhe Unionin e Gazetarëve të Kosovës, ndërsa në nivel ndërkombëtar kam njoftuar Komitetin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Gazetarëve, Reporterët pa Kufij, Federatën Ndërkombëtare të Gazetarisë si dhe Organizatën e Evropës Juglindore për Lirinë e Medias SEEMO, mes tjerash është njoftuar edhe fondacioni Britanik për mbështetjen e fotoreporterëve të pavarur Rory Peck Trust, me seli në Londër.

Për krejt këto zhvillime është i njoftuar edhe departamenti shtetëror amerikan për liritë njerëzore dhe lirinë e shprehjes, të cilët përmes një deklarate publike kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me rastin në fjalë.

Reagimet e të gjitha këtyre organizatave mund të gjenden në web faqet e tyre zyrtare. Por, një kopje të këtyre reagimeve i kam sjellur unë sot për t’jua paraqitur si fakte mbështetëse të deklaratës sime.

  • TË DREJTAT QË GARANTOHEN ME KUSHTETUTË, E TË CILAT MË JANË SHKELUR NGA POLICIA E KOSOVËS
  •  —Nenet ligjore nga kapitulli i Kushtetutës së Republikës së Kosovës për të Drejtat dhe Liritë Themelore, ngaLigji për Policinë numër 04/L-076 (tash e tutje ligji për Policinë).

 

Nenet Ligjore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës saktësojnë se çfar të drejtash më janë shkelur me rastin e sulmit fizik nga ana e të pandehurit, të cilit tash e tutje do t’i referohem si Polici Faruk Ibrahimi:

Me aktin e sulmit fizik i cili edhe është transmetuar gjithandej medieve të Kosovës, mua më është shkelur dinjiteti njerëzor i cili dënohet sipas nenit 23 të kapitullit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për të Drejtat dhe Liritë Themelore, i cili nen mes tjerash thotë: “Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është baza e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.”

Poashtu mes tjerash mua më është shkelur edhe e Drejta e Integritetit Personal gjë që dënohet sipas Nenit 26 (par 2), i cili thotë: “Secili person gëzon të drejtën e respektimit fizik, dhe psikik të tij/saj, që përfshin: (2) Të drejtën që të ketë kontroll mbi trupin e tij në pajtim me ligjin.”

Neni 27 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës (Ndalimi i Torturës, Trajtimit Mizor, Çnjerëzor ose Poshtërues) thotë: “Askush nuk i nënshtrohet torturës, ndëshkimit a trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.”

Mënyra e sjelljes së policit Faruk Ibrahimi, i cili pa asnjë arsye të ligjshme ose legjitime më ka goditur mua dhe alivanosur, e bënë përgjegjës atë si shkelës të nenit 26 dhe 27 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Neni 40 (paragrafi 1) Liria e Shprehjes thotë: “Liria e shprehjes është e garantuar, liria e shprehjes përfshinë të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, përkatësisht fotografi dhe për t’i shpërndar më pastaj ato nëpërmes mediumeve për të cilat punon një zyrtar i medias.”

Me pengimin e punës sime në mënyrë brutale, polici Faruk Ibrahimi ka bërë shkeljen e nenit 40, paragrafit 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili flet për lirinë e shprehjes që në asnjë mënyrë nuk guxon të jetë objekt i dhunës, rebelimit apo përgjegjësisë penale.

 

Neni 42 (par 1 dhe 2) Liria e Medieve, thotë:

  1.  Garantohet liria dhe pluralizmi i mediave.
  2. Censura është e ndaluar. Askush nuk mund të pengojë shpërndarjen e informacionit ose të ideve nëpërmjet medieve…”

Polici Faruk Ibrahimi me veprimet e tij antikushtetuese dhe antiligjore ka bërë shkelje të nenit 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke më penguar mua në kryerjen e detyrave të mia zyrtare që kanë pasë për qëllim publikimin dhe informimin e drejtë të publikut të gjerë për ngjarjet e asaj dite që kanë pasur mbulesë mediatike vendore dhe ndërkombëtare.

Neni 49 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, paragrafi 1, E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit, thotë:

  1. E Drejta e Punës, garantohet.
  2. Secili person është i lirë të zgjedh profesionin dhe vendin e punës.

Polici Faruk Ibrahimi, përveç neneve të lartëpërmendura, bënë shkeljen e rradhës respektivisht të nenit 49 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke më penguar në ushtrimin e natyrës së profesionit tim, si dhe vendit të punës që në këtë rast vendi ku jam sulmuar fizikisht ka qenë vendngjarja e protestës.

 

Më tutje, do t’i referohem Ligjit për Policinë, #04/L-076

Veprimet e policit Faruk Ibrahimi zyrtar i policisë së Republikës së Kosovës, janë të kundërligjshme, sepse ai i ka tejkaluar autorizimet dhe kopetencat e tij. Polici Faruk Ibrahimi me veprimet e tij, ka shkelur detyrat dhe autorizimet ligjore që i kishte në kryerjen e funksionit si polic i Republikës së Kosovës.

Neni 10 i Ligjit për Policinë, thotë se detyrat e përgjithshme të policisë janë ndër të tjera:

  1. Të mbrojë jetën, sigurinë dhe pronën e të gjithë personave;
  2. T’i mbrojë të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë personave;
  3. Të parandalojë rrezikun ndaj qytetarëve dhe të mbaj rendin dhe sigurinë publike;
  4. T’i parandalojë dhe zbuloj veprat penale;
  5. T’i hetojë veprat penale;

Në raport me mua, polici Faruk Ibrahimi, në fakt ka bërë të kundërtën e detyrave që i ka si polic. Ai ka cënuar jetën, sigurinë dhe pronën time. Ka shkelur një mori të drejtash kushtetuese, si dhe në fakt ka krijuar rrezik serioz për jetën time si dhe ka shkaktuar dëme shëndetësore dhe pronësore.

Neni 12 i Ligjit për policinë nuk autorizon sjelljen brutale dhe nokautimin dhe rrezikimin e jetës së gazetarëve. Në fakt ligji për policinë, obligon policinë që edhe në rast se i duhet të përdorë forcën që në këtë rast nuk është njëri nga rastet e parapara me ligj, kërkohet nga polici që ta bëjë atë në mënyrë proporcionale dhe të përshtatshme. Polici në fjalë, duke mos vepruar konform nenit 12ligjit për policinë që e detyron policin të zbatojë parimin e përshtatshmërisë dhe proporcionalitetit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ka bërë edhe këtu shkelje. Poashtu veprimet e Policit Faruk Ibrahimi, ndër të tjera janë në kundërshtim edhe me Nenin 19 të Ligjit për Policinë, përkatësisht paragrafët 1, 2 dhe 3 të Nenit 19 dhe 14, (prezantimi i Zyrtarit Policor).

Kundërligjshmëria e veprimeve të policit Faruk Ibrahimi, bëhet edhe më serioze edhe tek shkelja e Nenit 25 të Ligjit për Policinë, gjegjësisht katër paragrafëve të parë të këtij neni. Të cilët përshkruajnë në nënyrë të precizuar përdorimin e forcës nga ana e policisë.

 »Ky nen parasheh:

  • 25.1: Zyrtari Policor është i autorizuar ta përdor forcën vetëm atëhere kur është e domosdoshme dhe vetëm deri në nivel që kërkohet për t’i arritur objektivat legjitime të policisë.
  • 25.2: Zyrtari Policor mund të përdorë forcën për ta mbrojtur jetën e personit, për ta parandaluar sulmin, kryerjen e veprës penale etj.
  • 25.3: Zyrtari Policor vepron me maturinë e tij/saj për të përcaktuar llojin e forcës, për ta parandaluar sulmin apo kryerjen e veprës penale etj.
  • 25.4: Në rastet e përdorimit të forcës, zyrtari policor duhet të përpiqet të minimizoj ndërhyrjen, në të drejtat dhe liritë e personit, dhe të minimizojë çfarëdo pasoje të dëmshme.

Asnjë nga kriteret e përcaktuara nga Ligji për policinë, nuk është përmbushur nga veprimet e policit Faruk Ibrahimi, nga çka lehtësisht konkludohet se ka ndodhur tejkalimi i kompetencave të cilat i jepen zyrtarëve të policisë me Ligjin për policinë.

Asnjë nga veprimet e policit Faruk Ibrahimi nuk kanë qenë të përputhshme me nenet ligjore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.


Të gjitha veprimet e policit Faruk Ibrahimi, janë të dënueshme sipas neneve ligjore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe Ligjit për policinë e Kosovës me numër 04/L-076, prandaj kërkoj nga Gjykata dhe juria e këtij paneli gjyqësor që të trajtojë situatën në raport me shqetësimet e ngritura nga baza ligjore e Kushtetutës së republikës së Kosovës, dhe të marr një vendim i cili do të ishte në përputhje me ligjet në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me qëllim që të ndahet drejtësi ligjore për palën dëmtuese që në këtë rast jam unë, dhe atë përgjegjëse për shkaktimin dhe shkeljet ligjore që në këtë rast është polici Faruk Ibrahimi, duke mos e përjashtuar zinxhirin komandues i cili ka urdhëruar policin Ibrahimi të përfshihet në misionin e tentim-vrasjes ndaj meje.

Vendimi i gjykatës duhet të shërbej si shembull i cili do të dëshmonte zbatueshmërinë e ligjeve në fuqi, do të kthente besueshmërinë dhe shpresën e qytetarëve të Kosovës se të drejtat e tyre njerëzore do të respektohen dhe se ligji do të jetë si prioritet para interesave të grupeve të interesit qofshin ato ligjore ose jo-ligjore që veprojnë në Kosovë.

Zbatimi i ligjit dhe ndarja e drejtësisë në këtë rast, janë test i mirë edhe për raportet e ardhshme ndërkombëtare që do të bëhen për sundimin e drejtësisë në Kosovë, prandaj rasti im është edhe rast për ta vënë në sprovë gjyqësorin dhe Kosovën, se si zbatohet drejtësia te ne.

Duke besuar se në këtë vend akoma ka drejtësi, po iu drejtohem me shpresën se drejtësia do të vihet në vend. Kosova është vend i lirë me një sistem demokratik të qeverisjes dhe ligjit, shansin për ta dëshmuar këtë e ka në këtë proces gjyqësor. Sfidat që po përballemi si qytetar për çdo ditë për shprehjen e fjalës së lirë, më bëjnë që të luftoj çdo ditë kundër çdo të keqeje dhe pengese të shprehjes së kësaj të drejteje elementare njerëzore.

Unë e di se drejtësia në këtë vend nuk do të vonoj. Herdokurë, sikurse kudo, edhe këtu do kuptohet e vërteta. Por, unë besoj në drejtësinë dhe pavarësinë profesionale të tanishme të gjykatës së nderuar për të sjellur vendimin e drejtë për çështjen në fjalë. Çështja ime përfshin secilin gazetar që pengohet në kryerjen e punës së tij, secilin individ që ka frikë ta denoncoj të keqen, secilin qytetar që rrezikohet gjatë paraqitjes së asaj që po ndodh.

Ky nuk është vetëm rasti a procesi gjyqësor i Vedat Xhymshitit. Ky është proces gjyqësor në mbrojtje të gazetarisë, fjalës së lirë dhe garancioneve kushtetuese të secilit gazetar të Kosovës. Ky është procesi gjyqësor në mbrojtje të profesionit të të treguarit të realitetit. Sot po përballen Tregimi i realitetit dhe Kërcënimi i tij, dhe jo vetëm Vedat Xhymshiti me Faruk Ibrahimin dhe padronët e tij.

 

  • Ju faleminderit!
  • E Mërkure, 19 Shkurt, 2014
  • Kamenicë, Republika e Kosovës

 Kjo që e lexuat, nuk u lejua të lexohet e as regjistrohet në seancën e 19 Shkurtit 2014 në degën e Gjykatës Themelore të Gjilanit, në Kamenicë. Prandaj, unë nuk shpresoj dhe aq më pak besoj në ‘drejtësinë’ e Kosovës.

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY