Akulli i Pranverës siriane

Gjithçka nisi si një rebelim i popujve arab. Media e quajti një pranverë arabe, sepse nisi në stinën e pranverës së vitit 2011. Dhe ishte mu si pranvera, pas...

Gjithçka nisi si një rebelim i popujve arab. Media e quajti një pranverë arabe, sepse nisi në stinën e pranverës së vitit 2011. Dhe ishte mu si pranvera, pas përgjumjes së gjatë dimërore të arabëve. Me çeljen pranverës së atij viti, po çilnin edhe frytet e para të zgjimit nga përgjumja e gjatë historike. Dhe tanimë nuk ishte pranvera, por ishte Pranvera. Ishte shndërruar në ngjarje, nëse përdorim gjuhën badiuiane, dhe shënohej me “P” të madhe. Po sulmoheshin themelet e aristokracisë e korrupsionit të sistemeve politike të shumicës së shteteve arabe. Bota po habitej e zënë në befasi, gjersa arabët po ngriteshin në këmbë për të kërkuar të drejta politike, liri njerëzore dhe barazi sociale.

Në foto kryengritësit opozitar Sirian, gjatë një misioni patrullues në veriun e qytetit industrial të provincës së trazuar Siriane Aleppo. (Foto: Vedat Xhymshiti, për Corbis Images)

Në foto kryengritësit opozitar Sirian, gjatë një misioni patrullues në veriun e qytetit industrial të provincës së trazuar Siriane Aleppo – 20 Dhjetor 2012. (Foto: Vedat Xhymshiti, për Corbis Images)

Taman në pranverë “po çelnin lulet” edhe në Siri, një djep të kulturës, etnosociologjisë dhe historisë së pasur arabe, myslimane por edhe të popujve e dinastive të lashta, asirianëve, sumerëve, selçukëve, umajadëve, ajubidëve e mamlukëve, dëshmitë e të cilëve akoma qëndronin gjer atëherë, si artefakte të gjalla të së kaluarës së lavdishme dhe komplementare.

Nisi si kryengritje popullore kundër regjimit të Presidentit Bashar al-Asad, morri përmasa të luftës guerrile gjatë verës 2011, gëzoi shtrirjen e gjerë në terren dhe në përkrahje popullore, kaloi disa herë edhe në duele frontale me forcat qeveritare, përfshiu brenda vetes edhe rrymat islamike radikale dhe së fundi, fitoi simpatinë ndërkombëtare, për t’u lënë më pas në baltë nga ata, mu atëherë kur kishte nevojë që, së bashku me ata të arrinin fitoren ndaj despotizmit bathist të Asadit. Pra, Pranvera siriane u nxe gjatë verës, tërhiqej taktikisht gjatë dimrave për t’u ringjallur në pranverat e dy viteve pasuese, 2012 e 2013. Por si duket, dimri që më 2013 na erdhi më herët e më ftohtë nga më parë, do ta ngrijë konfliktin sirian si një akull kryeneç, që vështirë thyhet. Ngrirjes padyshim që ia ndihmuan edhe “frigoriferët” e lojërave gjeostrategjike të të dy superfuqive, Rusisë e ShBA-së. Pas marrëveshjes ruso-amerikane, lufta civile siriane po kalon tanimë prej një konflikti të nxehtë në një luftë të ftohtë.

Por si nisi e tërë kjo?

“Lulet e para” në Siri “çelën” në fillim të marsit në qytetet e Darës e Kamishlit dhe sidomos me demonstratat popullore të 15 marsit në Damask dhe Alepo. Por, gjithçka si shkëndijë qe ndezur në Al-Hasakë që më 28 janar të po atij viti, kur në shenjë proteste u flijua duke u vetëdjegur me benzinë, kurdi Hasan Ali Akleh.

Por kundër kujt po luftonin këta sirianë dhe pse populli reagoi aq ashpër ndaj shtetit të tyre?

Presidenti i vendit, Bashar Asadi, ndonëse në pamje të jashtme mundohej të paraqitej si djaloshi shik e modern, me pikëpamje e shkollim perëndimor, jo aq autokratik e despotik, ai në fakt ishte pasuesi dhe vijuesi i një dinastie partiake-familjare-sektare që kishte zënë fill që me grusht-shtetin e vitit 1963 dhe me ardhjen në pushtet të babait të tij, Hafezit në vitin 1970.

Siria ka qenë pjesë e Perandorisë së madhe Osmane, për t’u pavarësuar në fund të Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1922 u shpall Mbretëria Arabe e Sirisë nën protektoratin e mandatin francez, gjersa më 1938 ndryshoi rregullimin shtetëror në republikë, për ta shpallur mëvetësinë vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, më 1946. Gjatë vitit 1946, CIA amerikane sponsorizoi disa grusht-shtete që shprishën një brum shpresues demokratik në qeverisjen e vendit. Vitet ’50 e ’60 u karakterizuan nga një mosangazhim aktiv në politikën rajonale e ndërkombëtare, në dallim prej pjesëmarrjes së mëhershme në luftën arabo-izraelite të 1948-s, porse në politikën e brendshme, jeta politike po ziente nga ndryshime të shpeshta. Kështu, nën trysninë e revoltave popullore të vitit 1954, Ushtria transferoi pushtetin tek qeverisja civile. Pas unionit jetëshkurtër me Egjiptin e Naserit në vitet 1958-1961, Siria vazhdoi në të qenurit territorialisht e mëvetshme, kurse së brendshmi, në vitet 1963-64 u realizua grusht-shteti i prirë nga dega siriane e partisë socialiste arabe “Ba’ath”. Më 1966 një grup i po kësaj partie rrëzoi me një tjetër grusht-shteti Këshillin Revolucionar e liderin Mishel Afllak dhe vendosi sundimin absolut të partisë. Në vitin 1967, Izraeli pushtoi lartësitë e Golanit, por që me ç’rast u shqua një oficer sirian me aftësitë e tij strategjike e ushtarake, Hafez al-Asadi, që do bëhej më pas ministër i Mbrojtjes. Në nëntorin e vitit 1970, Hafez Asadi i priu një grusht-shteti paqësor që e quajti “Revolucioni korrektues”, duke larguar udhëheqjen e vjetër teknokratike civile dhe duke u shpallur president në mars 1971, post që do ta mbante gjersa vdiç në moshën 70 vjeçare më 2000.

Në foto, të rinjët sirian gjatë një proteste anti-qeveritare në provincën e trazuar veriore të Republikës Arabe të Sirisë, Aleppo - 3 Gusht, 2012. )Foto: Vedat Xhymshiti, për Der Spiegel)

Në foto, të rinjët sirian gjatë një proteste anti-qeveritare në provincën e trazuar veriore të Republikës Arabe të Sirisë, Aleppo – 3 Gusht, 2012. (Foto: Vedat Xhymshiti, për Der Spiegel)

Në vazhdim, në tetorin 1973 Siria së bashku me Egjiptin morri pjesë në luftën e pasuksesshme antiizraelite të Jom Kipurit, kurse më 1976 intervenoi në luftën civile të Libanit, në të cilën vend vazhduan së qëndruari trupat siriane gjer në vitin 2005. Në vitet 1976-1982 Vëllazëria Myslimane zhvilloi një luftë guerrile kundër trupave qeveritare, por që u shua dhunshëm, për t’u përmbyllur me masakrën e Hamas, ku trupat qeveritare gjatë 27 ditëve të shkurtit 1982 vranë 15.000-40.000 qytetarë të Hamas, shifra që variojnë varësisht nga burimet.

Komanduesi i masakrës së përgjakshme të Hamas, vëllau i vogël i Hafezit, Rifat al-Asadi më 1984 tentoi një grusht-shteti kundër vëllaut të tij president, e që pas dështimit u detyrua të jetonte në ekzil në Bashkimin Sovjetik, Francë, Spanjë e Britani të Madhe. Ai u dyshua se nxiti edhe rebelimin antiqeveritar të vitit 1999 në qytetin e Latakias.

Vdekja e Hafezit në qershor 2000 ngriti dilemën e liderit që do të pasonte presidentin tanimë të ndjerë të 30 viteve të fundit. Njeriu që ishte përgaditur në dekadat e fundit për të pasuar presidentin Hafez Asad, biri i tij i madh, Baseli, kishte ndërruar jetë në një aksident automobilistik në vitin 1994. Në dallim prej fëmijëve të tjerë të Hafezit, djemve, Baselit e Maherit dhe të bijës Bushra, djali i dytë, Bashari nuk shprehte aspak interesim për politikën dhe jetën publike. Madje, më pas ai do të pretendonte se me të atin as që flisnin ndonjëherë për politikë, për më tepë vetëm një herë e kishte vizituar në zyren e presidencës. Ai kishte vajtur në Londër për të studiuar oftalmologjinë, por pas aksidentit të vëllaut kandidat për të trashëguar dinastinë partiake të Asadëve alevitë, Bashari papritmas duhej të përgaditej për të ardhur në pushtet menjëherë pas vdekjes së të atit.

Presidenca e Bashar al-Asadit, asokohe 35 vjeçar, filloi me shumë shpresa tek politikat e tij liberale dhe zbutja e atmosferës politike në vend, si dhe reformat e shumta që ndërmorri gjatë të famshmes “Pranverë të Damaskut” të vitit 2001. Por përkundër akuzave ndërkombëtare për shtypje të të drejtave të njeriut, për arrestime politike dhe për deformim të vullnetit qytetar, Siria vazhdoi me stabilitet nën sundimin e Basharit gjer në shpërthimin e janarit 2011, për të mos u qetësuar as sot e asaj dite.

Protestat që vazhduan përballë egërsisë së forcave qeveritare gjer në verë, morrën karakter të luftës civile pas korrikut kur zuri fill Ushtria e Lirë Siriane, forca opozitare guerrile. Më 23 gusht u formua Këshilli Nacional Sirian, fronti i bashkuar politik kombëtar i figurave dhe organizatave politike opozitare kundër Basharit. Nga tetori, opozita politike dhe ushtarake siriane fitoi mbështetjen e Turqisë e më pas edhe të ShBA-së, Arabisë Saudite dhe shumë shteteve të botës. Bashkë me furnizimet me armë, ushqime e vëshëmbathje dhe rritjen e vullnetarëve në radhët e FSA-së, shumë qytete të vendit filluan të çliroheshin nga trupat opozitare. Në prill 2012, kryenegociatori i OKB-së Kofi Anan uli dy palët ndërluftuese në tryezën e bisedimeve që nënshkruan armëpushim, por që nuk zgjati më shumë se tek fillimi i qershorit.

Vera e vitit 2012 padyshim që ishte më e vështira për qeverinë siriane gjatë tërë Luftës Civile në vend. Incidentit ajror me Turqinë dhe kërcënimeve të kësaj të fundit, iu shtua ofensiva e guerrilasve në rrethimin e dy qyteteve më të mëdha, Damaskut dhe Alepos gjatë korrikut e gushtit. Derisa po përparonin thellë në Alepo, trupat rebele tanimë ishin shfaqur edhe rrethinave të kryeqytetit duke ndjellur panik në mesin e taborit qeveritar. Më 18 korrik, gjatë një sulmi në qendër të Damaskut, mbetën të vrarë zyrtarë të lartë shtetëror, mes të cilëve ministri i mbrojtjes, ish-ministri i mbrojtjes dhe vëllau e dhëndrri i Basharit.

Pas pozicionimit mbrojtës, nga prilli 2013 gjer në qershor 2013 trupat qeveritare sulmuan guerilët dhe rikthyen shumicën e pozicioneve të humbura më parë. Kurse, gjer në tetor vëmendja u përqendrua tek luftimet e vazhdueshme në veri të vendit mes rebelëve kurdë dhe islamistëve radikalë. Së fundi, lufta në veri po merr karakter kryesisht të pastër ekonomik, veçanërisht për zonat e pasura me naftë rreth qytetit kurd të Hasakas, kontrollimin e të cilave e synojnë kurdët, FSA-ja dhe islamistët.

Kurdët, duke qenë minoriteti më i madh etnik në Siri, historikisht kanë kërkuar autonomi e të drejta politike, por që janë shtypur nga qeveritë e ndryshme arabe. Në fillim të Luftës Civile, kryengritësit kurdë morrën anën e opozitës, por pasiqë në radhët opozitare filloi dominimi i islamistëve të al-Nusras dhe organizatave tjera ekstremiste, ata morrën pozicion herë neutral e herë proqeveritar, duke kërkuar si kundërshpërblim garantimin e autonomisë së rajoneve kurde në veri dhe verilindje të Sirisë. Për shumëkënd, rrjedhimisht kurdët janë fituesit më të mëdhenj të “Pranverës Arabe”, bile mund të themi se tek rasti i Sirisë, mund ta quajmë edhe “Pranvera Kurde”, ku arabët po luftojnë mes vete e kurdët po fitojnë! E kjo më së paku i konvenon Turqisë, e cila ka probleme për shumë dekada me minoritetin e saj 20 milionësh kurd.

Në fakt, pas vitit 2003 kufijtë administrativ mes Republikës Turke dhe rajoneve kurde janë shndërruar në rrezik si strehë potenciale e irredentistëve të PKK-së kurde në Turqinë lindore. Pas formimit të “Rajonit Autonom Kurd” në Irak më 2003, vija kufitare administrative mes Turqisë dhe kurdëve shkoi në 400 km, e në rast se kurdët edhe në Siri do të fitonin autonomi territoriale, kjo do të arrinte në 1200 km, që paraqitet si një rrezik i madh për sovranitetin turk. Madje Rusia, pas tërheqjes taktike me rastin e arrestimit të liderit kurd Abdullah Oxhalan më 1999, po tenton të rikthehet në skenën e teatrit të lojërave gjeoekonomike e gjeopolitike të Lindjes së Mesme, pikërisht duke shfrytëzuar si kartë ngritjen e çështjes kurde. Së fundi, në dallim nga Turqia, ShBA dhe qeveria autonome kurde e Barzanit në Irak, Kremlini po mbështet fuqishëm idenë që edhe kurdët e Sirisë të përfaqësohen në bisedimet e janarit 2014 në Konferencën “Gjeneva II”.

Pas tetorit, forcat qeveritare të ndihmuara edhe nga organizata shiite libaneze “Hezbollah” nisën ofensivën e gjerë ndaj opozitës, duke i ndjekur gjer në kufijtë verior me Turqinë. Bashkë me shtrirjen e trupave qeveritare, në radhët e opozitës, në krahasim me laikët dhe dezertorët e radhëve bathiste, po fitonte terren dhe potencë krahu i islamistëve radikal, që në të shumtën e radhës as nuk ishin sirianë, por myslimanë që nga e tërë bota kishin ardhur në xhihadin ndaj diktatorit Bashar Asad. Madje vetë gjeneral Selim Idrizi, komandanti i FSA-së ka thënë në fund të nëntorit, se më parë do preferonte bashkimin e forcave me Asadin për të luftuar xhihadistët, sesa fitoren e këtyreve të fundit.

Reagimi i trupave qeveritare ishte jashtëzakonisht disproporcional, i egër dhe shtypës në demonstratat popullore që shoqëruan tërë muajt e pranverës së atij viti. Me një siguri dhe vetëbesim në paprekshmërinë ndërkombëtare dhe përkrahjen e brendshme, Asadi përmes forcave të tij të sigurisë ushtroi terror mbi çdonjërin që dyshohej si pjesëmarrës apo simpatizues i demonstratave opozitare. Si pasojë, gjatë muajve qershor e korrik të po atij viti, shumë nga demonstruesit dhe prijësit e tyre u organizuan për të bërë rezistencë të armatosur ndaj egërsisë së Ushtrisë qeveritare. Shumë shpejt, radhëve të rebelëve guerril iu bashkuan edhe shumë ushtarë e oficerë që dezertonin nga radhët e trupave të rregullta qeveritare, aq sa në dhjetor 2011 numri i rebelëve llogaritej tek 20.000-shi, për t’u dyfishuar ne qershorin 2012. Dhe kështu, më 29 korrik 2011 lindi “Ushtria e Lirë Siriane”, FSA-ja.

Por nuk duhet harruar edhe një fakt i rëndësishëm nga terreni i luftës: opozita anti-Asad jo që është e ndarë në kurdë, laikë e islamistë, por edhe brenda këtyre tri grupeve të mëdha opozitare ka dallime, fraksione e rivalitete të brendshme. Kurdët janë të ndarë më shumë se në dy grupe, secila duke pretenduar se përfaqëson më së miri interesat etnike kurde. Poashtu, radikalët islamistë nuk janë të fokusuar vetëm tek fronti Xhabat al-Nusra, por edhe në organizata të tjera që thirren në xhihad ose që kanë lidhje të ndryshme me al-Kaidën. Edhe këto fraksione islamike, secila pretendon që mbron më shumë se tjerat çështjen e Islamit. Këto organizata islamike, jo rrallë herë edhe ia kanë kthyer pushkën njëra-tjetrës, pa dallim: al-Nusra, Fronti Islamik, Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit, etj., madje, po aq ashpër sa edhe opozitës laike, trupave qeveritare apo rebelëve kurdë. Rrjedhimisht, situata në terren është aq e paqartë dhe e koklavitur, saqë po luftojnë secili kundër secilit, dhe të gjithë bashkë kundër të gjithëve. Po luftojnë shumë kundër askujt dhe askush kundër të shumtëve. Vetë armiku vështirë të përcaktohet qartë, ndoshta sepse të gjithë janë armiq të njëri-tjetrit.

1606942_10202956702618308_1609494172_nSkandali i sulmeve kimike nga ana e qeverisë në disa vendbanime, rrezikoi avancimin në terren të trupave qeveritare. Më 14 shtator, Rusia dhe ShBA-të në Gjenevë u morrën vesh për çarmatimin kimik të Asadit. Kështu, edhe një herë, Asadi ia doli pa u lagur, kryesisht falë mbështetjes tek aleatët rusë, kinezë e iranianë por dhe falë dyshimeve amerikane tek opozita siriane, sidomos tek krahu i saj islamist. Një hulumtin i këtyre ditëve i OKB-së pranon se në pesë raste ka pasur sulme kimike, si p.sh. në tragjedinë e qytetit Guta, mirëpo pa drejtuar gishtin e akuzës nga asnjëra palë ndërluftuese. Ndërkohë që muaji janar 2014 pritet të ul në tryezën e bisedimeve dy palët ndërluftuese të kësaj lufte që po hyn në dimrin e saj të tretë, më të akulltin prej të gjithëve, si në aspektin meteorologjik por edhe në aspektin e ngrirjes politike dhe rrezikut të shndërrimit në një Luftë të Ftohtë me ‘status quo’ të gjatë.

Përkundër përmasave çnjerëzore të sulmeve kimike, minimizimi i një lufte të tërë civile vetëm në sulme kimike e banalizoi çështjen në fjalë duke e reduktuar në nivel teknik një konflikt politik që po zgjat tani e 3 vite. Media dhe opinioni postmodernist reagoi ndaj armëve kimike, por duke harruar se 99% e viktimave civile të kësaj lufte janë pasojë e armëve konvencionale. Kjo luftë duhet zgjidhet politikisht, duke ndalur luftën si të tillë, duke reaguar ndaj secilës armë, e jo duke e reduktuar në ndalimin e përdorimit të armëve kimike. Bota duhet të ndërhyjë që ta shpëtojë popullin sirian. Dhe me zgjidhje, nuk nënkuptojmë lojëra diplomatike të realpolitikës.

Ndërmjet 120.000 dhe 130.000 njerëz kanë humbur jetën gjatë luftës trevjeçare civile. Fajet për këtë i ka terrori genocidial i qeverisë por edhe dhuna çnjerëzore e opozitës në shumë raste, sidomos e organizatave të lidhura me al-Kaidën që ushtrojnë terror po aq të egër ndaj popullsisë civile që përkrahin regjimin dhe ndaj minoriteteve alevite, kurde dhe turkmene. Ky dimër i akullt, 7 milionë sirianë, apo 1/3 e popullisisë së gjithëmbarshme do t’i gjenë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, 2 milionë nga të cilët jashtë vendit. Shumë nga refugjatët sirianë përjetojnë jo për të parën herë ndjenjën e të qenurit të tillë. Gjysmë milionë janë palestinezë, të cilët kishin ardhur si refugjatë në Siri pas krijimit të shtetit të Izraelit më 1948. Të tjerët janë ish-refugjatë kurdë, sudanezë apo irakianë.

11.000 fëmijë kanë humbur jetën, ndërkohë që bota vazhdon e shurdhër të mos reagojë fare, për më tepër që, fuqitë e mëdha botërore përdorin Sirinë si letër në lojërat e tyre gjeostrategjike. 11.000 është shifra edhe e qytetarëve të zhdukur. Vetë OKB-ja së fundi ka lëshuar alarmin se 250.000 sirianë gjenden nën rrethim absolut dhe 2.5 milionë të tjerë në gjendje të gjysëm-rrethimit, gjë që e bën të pamundshme dërgimin e ndihmave humanitare në këto zona.

Fuqitë e mëdha po bëjnë kalkulimet e tyre dhe po e përdorin Sirinë për të lëshuar pe, ashtuqë të përfitojnë në ndonjë rajon tjetër. Loja e tillë cinike vetëm sa po e zgjat ankthin e popullit të pambrojtur sirian. Ndërkohe që Asadi qëndron më mirë në raportet e tij me aleatët të jashtëm: rusët dhe iranianët, ShBA-ja ka filluar të dyshoj në pastërtinë politike të opozitës, sidomos të asaj pjese radikale xhihadiste me ideologji afër al-Kaidës. Filozofi Sllavoj Zhizhek e përdor një shprehje të mrekullueshme persiane “War Nam Nihadan”, që do të thotë “ta vrasësh dikënd, ta varrosësh trupin e tij dhe pastaj të mbjellësh lule mbi varrin e tij për t’i zhdukur gjurmët e krimit”. Fuqitë e Mëdha po i shkaktojnë situatës në Siri, edhe ashtu të rënduar, po të njëjtën “War Nam Nihadan”. Në një anë po zvarrisin shansin për paqë, në anën tjetër po derdhin lotë krokodili dhe po e keqpërdorin konfliktin e ngrirë sirian për interesa të tyre.

Për më tepër, sikurse çdo rast, as konflikti sirian nuk mund të merret si fragmentar dhe i izoluar, jashtë një konteksti më të gjerë historik, gjeografik dhe entosociologjik. Nuk duhet nënvlerësuar pozitën gjeografike të Sirisë, e vendosur në mes të një bazeni gjeostrategjik shumë të rëndësishëm, por njëherazi edhe krejtësisht komplementar, ku çdo ngjarje e vogël mund të pasohet nga një efekt domino i pandalshëm, që si zinxhirë do të përfshinte të gjithë shtete e rajonit.

1010781_10202956706658409_1094524885_nPrania e një shumice sunite, e cila përbën shumicën e rebelëve arab në Siri, padyshim që shton interesimin e Turqisë dhe Arabisë Saudite për konfliktin. Në anën tjetër, prania e minoritetit alevit, që shihet si i afërt dhe si strumbullar i strukturës shtetërore të partisë “Ba’ath” dhe presidentit Asad, zgjon interesimin e Iranit për të marrë anë gjatë këtij konflikti. E në anën tjetër, një komunitet kurd mbi 2 milionësh nuk mund të nxjerret jashtë kontekstit të pranisë etnike kurde edhe në vendet fqinje të Sirisë, në Turqi, Irak e Iran. Derisa Rusia e ShBA-ja, pos që mundohet të rehatojnë aleatët e tyre të vegjël brenda konfliktit, nuk lënë anash as interesat e veta ekonomike, marrë parasysh burimet e naftës, por sidomos pozitën tranzitore që ka Siria për qarkullimin e naftësjellësve dhe gazsjellësve prej Gjirit Persik drejt Detit Mesdhe. Njëjtë, Izraeli ka shumë interesa për të përcjellur situatën në Siri, duke mos harruar ndikimin e mëparshëm sirian në Liban e Palestinë, rrafshnaltën e Golanit por sidomos qasjen sa më afër lumenjve Tigër e Eufrat, konkretisht projektit gjigant turk “GAP”. Në shekullin XXI, që për shumë teoricienë gjeostrategjik, si p.sh. për Davutollun, do jetë shekulli i luftës për ujë, padyshim që ka shumë logjikë interesimi i Izraelit të varfër me burime ujore për zonën ku dikur shtrihej Mesopotamia e lashtë, e pasur me lumenj të vrullshëm.

Noam Çomski për revistën “Ceasefire” thotë se kjo që po ndodh në Siri, lufta e vazhdueshme dhe ngrirja e konfliktit më së shumti u konvenon ShBA-së e Izraelit. Madje edhe vetë partizimi i vendit në tri pjesë, siç po ndodh realisht: zona kurde, zona qeveritare dhe zona opozitare.

Profesori i studimeve islamike bashkëkohore, Tarik Ramadani vlerëson se nuk duhet braktisur opozita siriane në luftë ndaj diktatorit Asad, ndonëse vlerëson se ndarjet mes myslimanëve sekularë dhe islamistë po dëmtojnë luftën anti-Asad dhe në përgjithësi vetë unitetin e botës arabe. Por, ai pretendon që, ndonëse ndihma duhet të vijë nga shtetet e fuqishme, grupet individuale janë krejtësisht të panevojshme në ndihmë të opozitës siriane, duke specifikuar shumë shqiptarë që kanë shkuar në Siri për të përkrahur grupet xhihadiste. Ndërkohë që, një raport i agjencisë iraniane të lajmeve “FARS” thotë se gjer në nëntor 2013 në Siri kanë shkuar për luftën xhihadiste mbi 450 shqiptarë të Kosovës.

Në fakt, nëse mund të tërheqim paralele historike ndërmjet luftës civile në Spanjën e viteve 1936-1939 dhe Luftës Civile që po vazhdon në Siri prej pranverës 2011, ekziston rreziku që individët që kanë vajtur atje, të kthehen në Kosovë bashkë me ideologjinë e tyre, siç ndodhi me vullnetarët shqiptarë të Luftës Civile Spanjolle. Kur përfundoi kjo luftë, ata me t’u kthyer në Shqipëri e Kosovë, asokohe, u bënë përhapësit më të mëdhenj të ideve republikane dhe majtiste. Ndonëse analogjia mund të tingëllojë si e pavend, për sa kohë që dihen dallimet fundamentale ideologjike në mes të anarkizmit e komunizmit të viteve ’30 dhe xhihadizmit islamist të ditëve të sotme, në dy rastet kemi të bëjmë me vullnetarë shqiptarë, që shkojnë e luftojnë në një vend të huaj dhe kthehen me synimin për ta përhapur ideologjinë e tyre. Shqiptarët e viteve ’40 patën sukses, të ndihmuar dhe nga rrethanat objektive të kohës në luftën antifashiste, por sa do të përhapen rrymat xhihadiste në Kosovë në rast se kthehen vullnetarët shqiptarë nga Siria, kjo do të shihet, dhe prap edhe këtu, suksesi apo mossuksesi i tyre do varet edhe nga rrethana dhe indikatorë të tjerë.

Por, a do të shkrihet akulli i luftës së ngrirë siriane? A do e shkrijë këtë akull pranvera që po vjen, njëjtë siç e pati shkrirë para tri vitesh akullin e durimit dhe përgjumjes popullore? Apo Siria po hyn në një dimërim shumë të gjatë ku akulli dhe ngrirja e konfliktit do vazhdojë të shkaktojë edhe shumë viktima?

Gjer më tani, Bashar Asadi po fiton terren diplomatik, politik por edhe ushtarak në terren. Natyrisht, edhe falë dështimit të akterëve të tjerë: opozitës së përçarë dhe bashkësisë ndërkombëtare të çorientuar. Por, edhe kjo do të ishte fitore e Pirros: numri i lartë i viktimave; dëmet materiale; lëkundja e monopolit partiak e ushtarak nga sa e morri në vitin 2000; tani e tutje regjimi do jetë nën survejim të vazhdueshëm ndërkombëtar; edhe nëse fiton, xhihadistët mund ta kthejnë Sirinë në një Irak tjetër me sulmet guerrile; dhe kryesorja, ka humbur kohezionin social e kulturor që gëzonte vendi dikur.

Ndërkohë, presim prurjet që do t’i sjellin negociatat e “Gjenevës II” dhe “çelja e pranverës së tretë siriane”. (Artikulli është botuar në dhjetor 2013)

*Kjo analizë është hartuar për nevojat e brendshme të një instituti holandez të analizave politike-ekonomike. Analiza mund të ketë humbur nga diçka nga aktualiteti, pasiqë është shkruar një muaj më parë. Por, në vija të përgjithshme qendron akoma relevant.

Fitim Salihu, është përkthyes artikujsh, kapitujsh e librash shqip-anglisht dhe anglisht-shqip. Ai është studiues i spikatur i marrëdhënieve ndërkombëtare, neokolonializmit dhe filozofisë së historisë. Fitimi, shkruan editoriale dhe analiza politike. Ai një kohë të gjatë udhëhoqi organizatën studentore aktiviste "Klubi Politik i Studentëve" dhe vazhdimisht merret me qytetari aktive. Gjatë vitit 2015, ai punoi si redaktor për kulturë në të përditshmen Zëri.info në Prishtinë. Pos gjuhës amtare, flet rrjedhshëm edhe anglishten dhe mjaftueshëm spanjishten e turqishten.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY