Racizmi dhe Kompleksi i Inferioritetit tek Popujt si Pasojë e Pabarazisë

Racizmi ka qenë dhe mbetet një prej problemeve më të mëdha që shoqëria njerëzore është përballur dhe me të cilën vështirësi vazhdon të përballet edhe sot. Megjithë fushatën komerciale...

Racizmi ka qenë dhe mbetet një prej problemeve më të mëdha që shoqëria njerëzore është përballur dhe me të cilën vështirësi vazhdon të përballet edhe sot. Megjithë fushatën komerciale kundër racizmit, ai vazhdon të paraqes kërcënim serioz për njerëzimin. Dhe nga ajo që kam vërejtur unë prej se kam filluar të mendoj, mund të them se edhe tek shqiptarët, sikur tek të gjithë popujt tjerë, racizmi është i pranishëm. Shqiptarët duke vuajtur nga kompleksi i inferioritetit në raport, pikësëpari me popujt fqinj sllavë dhe grek, e pastaj me popujt e perëndimit, kanë krijuar raporte të superioritetit në raport me komunitetin rom. Prandaj mund të konsiderojmë se një nga shkaqet kryesore të racizmit është pabarazia e popujve të ndryshëm të botës dhe kjo mund të zhbëhet vetëm nëse e pranojmë tjetrin si të barabartë me neve.

Racizmi dhe kompleksi i inferioritetit tek popujt si pasojë e pabarazisë.

Racizmi dhe kompleksi i inferioritetit tek popujt si pasojë e pabarazisë.

Si duket ne nuk kemi mësuar aspak nga përvojat tona si popull gjithmonë i diskriminuar e i nëpërkëmbur historikisht nga të tjerët. Shumë shqiptarë nuk e dijnë se ne trajtojmë romët po ashtu si na trajtojnë neve popujt e sipërpërmendur, e ndoshta edhe më keq. Neve të tjerët na nënçmojnë duke na thënë se ne kurrë nuk do të jemi të aftë që të mbajmë shtet dhe duket se shumë prej nesh e kanë pranuar këtë “fakt” të paqenë. Ngjashëm me nënçmimin që të tjerët na bëjnë neve, ne i nënçmojmë romët, me po aq racizëm, duke i përqeshur se nuk dijnë të mbajnë shtëpi e pastërti dhe se ky fakt është i pakontestueshëm dhe i pandryshueshëm. Për mendimin tim, dikush që konsideron dhe i beson gjykimeve të të tjerëve për veten e tij se nuk di që të mbajë shtet, i cili është shtëpia e rehatia e një populli, nuk mund të konsiderojë veten si qenie më të lartë se sa dikush që e konsideron si të padenjë dhe duke e ofenduar se nuk është, dhe kurrë nuk do të jetë në gjendje që të mbajë shtëpinë e tij.

Në shumë familje shqiptare racizmi është i pranishëm. Në karakterin e individit racizmi lëshon shtat që në fëmijërinë e hershme. Që në fazat e para të edukimit. Sepse racizmi është edhe edukatë. Edukatë e poshtër që prodhon gjenerata dhe armata raciste të së ardhmes. Kur fëmija pështyn në rrugë, prindi racist nuk e mëson fëmijën e tij që të mos pështyjë për shkak që nuk bën të pështyjë në rrugë, por i thotë: “Mos pështyj me mamin, se vetëm maxhupi pështyn!” – Thua ti se romët e shpikën të pështyerit dhe se ata janë të vetmit praktikues të pështymjes në rruzull. Kur fëmija kërkon ndonjë cent për akullore nga prindi, prindi racist i përgjigjet: “Mos lyp para me babin, se vetëm maxhupi lyp!” – Thua ti se kërkesa e lemoshës është karakteristikë e veçantë kulturore e një populli të caktuar, e jo karakteristikë e njerëzve të shtypur për periudha të gjata, e të cilët në mungesë të kushteve për edukim, punësim e strehim, rrugën e vetme të shpëtimit e shohin tek dora dhe xhepi i atyre që janë në gjendje më të mirë se ata, që në këtë rast këta njerëz, megjithëse jo në gjendje shumë më të mirë se ata, janë shqiptarët. Dikush që, bazuar në fatin e tyre historik do të duhej t’i kuptonte romët më mirë se çdokush tjetër, për shkak që edhe neve, po ashtu si romët, shpeshherë na ka shkelur rrota e pamëshirshme e historisë. Por, për çudi, po ndodhë krejt e kundërta.

Ne vazhdojmë të përbuzim gjithçka që ka lidhje me romët. Ose thënë më mirë: gjërat që ne ua kemi asocuar romëve. Dhe eksluzivisht, prapë e përsëris, vetëm romëve. Gjithçka që ne konsiderojmë “të pavlerë” është rome. Psh shpesh më ka rastisur që të dëgjoj se muzika tallava është muzikë “e pavlerë” sepse është muzikë që këndohet nga, siç i quajnë ata njerëz me gjuhë raciste e me një ton perbuzës: “maxhupët”. Të njejtët persona thonin se “muzika tallava nuk është e jona, por e maxhupëve, prandaj si e tillë ne nuk duhet ta kultivojmë atë” – thua ti se muzika rock, rap, r&b, blues etj. janë muzika ekskluzivisht tonat dhe se këto zhanre duhet të vazhdojmë t’i kultivojmë, për shkak se janë muzika “me vlerë”.

Por unë dyshoj se ky kategorizim i ndarjes së gjërave në “të pavlera” dhe “me vlera” bëhet sipas ndonjë kriteri artistik. Po e them troç: kjo ndodhë për shkak se ne vuajmë nga kompleksi i inferioritetit në raport me popujt e perëndimit dhe nga kompleksi i superioritetit në raport me romët, i cili vjen si kompensim i denigrimit të karakterit që dëmtohet nga kompleksi i inferioritetit. Si rrjedhojë ne duhet të adaptojmë gjithçka nga ata që ne i konsiderojmë superiorë dhe se duhet të divorcohemi nga gjithçka që na lidh me ata që ne i konsiderojmë inferiorë. Sepse popujt “inferiorë” mendojnë se vlerat mund të vijnë vetëm nga popujt “superiorë”. Popujt që ndihen inferiorë mendojnë se nuk janë në gjendje që të prodhojnë vlera “të mirëfillta” dhe si rrjedhojë emancipimi mund të arrihet vetëm nëse nënshtrohen ndaj popujve “superiorë”. “Inferiorët” importojnë gjithçka që vlerësojnë superiore. Nuk paguajnë me para kesh, por çmimi që ata paguajnë është shumë i lartë. Ata e paguajnë me nënshtrim. Në këmbim të vlerave të tjetrit shet subjektin e vet. “Inferiorët” janë konsumatorë e importues produktesh “superiore”, por jo prodhues e shitës të tyre. Ata janë të bindur se nuk kanë çka të shesin, prandaj sytë i kanë të drejtuar vetëm në blerje.Pra kompleksi i inferioritetit dhe ai i inferioritetit ecin bashkë. Dorë për dore. Ata kanë korrelacion të drejtë në raport me njëri-tjetrin. Sa më i fuqishëm që është njëri, aq më i fuqishëm është tjetri. Sa më shumë që dobësohet njëri, aq më shumë dobësohet tjetri. Ndërkohë që korrelacion i zhdrejtë qëndron në raportin e kompleksit të inferioritetit me subjektivizmin. Sa më të dobët këta komplekse, aq më i fortë dhe më i pavarur është subjekti. Dhe sa ma të fuqishëm që ke kompleksin, aq më tepër rrezikon të shndërrohesh në objekt të interesave të të tjerëve. E sa më pak që ke fatin tënd në dorën tënde, aq më tepër të tjerët të marrin nëpërkëmbë.“Inferiorët” heqin dorë nga subjektiviteti i vet dhe vendimet që ata do të duhej t’i merrnin vet ua delegojnë përfaqësuesve të popujve “superiorë”. Në këtë rast jemi ne “inferiorët”, kurse “superiorët” janë evropianët. Në të njejtën kohë “superiorët” jemi ne, kurse “inferiorët” janë romët. Ne sot kemi krijuar bindjen se nuk mund të jetojmë pa evropianët “superiorë” dhe kjo është krejt si pasojë e kompleksit të inferioritetit. Kurse romët kanë krijuar bindjen se shqiptarët, njejt sikur edhe popujt tjerë të Evropës, po bëhen pengesë që ata të jetojnë një jetë më të dinjitetshme. Dhe unë them: me të drejtë. Pra ne nuk jemi të vetmit të këqinj. Ne jemi vetëm një nga hallkat e zinxhirit të racizmit, zinxhir i cili ka prangosur duart e humanizmit. Nga hallkat më të vogla. Sepse hallkat kryesore janë “superiorët”. Hallkat të cilat vazhdojnë t’i ngulfasin “inferiorët”.

Nëse “inferiorët” mundohen që me çdo kusht t’i afrohen “superiorëve”, “superiorët” praktikojnë politika qe të largojnë “inferiorët” nga hapësirat e tyre. Si shembull mund të marrim politikat e partive të djathta që sot janë fuqia kryesore në shtetet e Evropës. Këto politika kanë për qëllim vështirësimin e qëndrimit në Evropë për emigrantët që tentojnë të dalin diku në Evropë për të kërkuar shpëtimin, pasi që shtetet e tyre udhëhiqen nga mafiozë të përkrahur direkt, ose indirekt nga politikat e vendeve evropiane. “Superiorët” kujdesen që “inferiorët” të mos mund të dalin nga territori i kompleksit të inferioritetit, sepse pastaj nuk ka kush të importojë vlera prej tyre. Sepse në momentin që inferiori del nga ky kompleks, ai bëhet fuqi prodhuese e vlerave që pastaj do të nënkuptonte lindjen e konkurencës me “superiorët” në tregun e vlerave. Merrni shembull fushatën e shtetit francez për të “pastruar” Francën prej “mbeturinave” rome. Kjo ndodhi gjatë mandatit të Sarkozit, i cili ishte një nga më të zëshmit në mbrojtjen e komunitetit hebre në Francë. Arsyeja ishte pak a shumë e njejtë: për shkak se hebrenjt janë viktima të historisë. Dhe si të tillë duhet të mbrohen nga shteti.

Por a nuk janë edhe romët viktima të historisë, zoti Sarkozi? – Si mendoni të luftoni racizmin, nëse fati i një komuniteti (hebre) të nëpërkëmbur historikisht është më i vlefshëm se fati i një tjetër komuniteti (rom), po aq të nëpërkëmbur, në mos më keq, e të cilët në një sistem ku paraja është gjithçka, nuk kanë arritur të ngrisin zërin për fatin e tyre të zi. Dmth këtu nuk u bëka fjalë për humanizëm, por për fuqi financiare. Diçka që hebrenjtë e kanë, por romët jo.

Tmerrin që po përjetojnë romët tash e sa kohë, po e përjetojnë edhe shqiptarët tani nëpër kampe të ndryshme të tmerrshme të përqendrimit në Hungari e gjetiu nëpër Evropë. Shqiptarët edhe vdesin nëpër lumenj gjatë rrugës për të kërkuar shpëtim, e sot shumica e vendeve evropiane aplikojnë politika anti-emigracion për shkak të, siç thonë ata, rrezikut që emigrantët përbëjnë për shoqërinë “superiore” evropiane. E mua më brengos fakti se shumë njerëz nuk janë në gjendje që të jenë empatikë me njerëzit e tjerë që vuajnë nga të njejtat vështirësi, nëse jo më të vështira se problemet tyre. Prandaj kërkoj nga secili që të mundohet të depërtojë në lekurën e tjetrit e mos t’u shkaktojë vuajtje të tjerëve, të cilat i përjeton në palcën e vet çdo ditë tash e sa shekuj nga fqinjët e vet si dhe në vendet e perëndimit, ku tash e sa vite ne jemi sinonim i të gjitha të këqijave.


©THE_FrontlinerTeksti dhe Fotografitë janë e drejtë autoriale ©THE Frontliner — 2014. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ky material është i hartuar vetëm për përdorim personal. Çdo riprodhim tjetër, publikimi ose rishpërndarje e këtij materiali pa pëlqimin me shkrim të redaksisë është rreptësisht e ndaluar dhe çdo shkelje e të drejtave të autorit do të konsiderohet veprim i kundërligjshëm.

Shkodran Ramadani, është autor i rregullt tek 'THE Frontliner'. Ai është student i Universitetit Publik 'Hasan Prishtina' në Prishtinë, në fushën e Sociologjisë në nivelin MA. Shkodrani është i interesuar në interpretimin dhe anilizën filozofike të zhvillimeve politike në shoqërinë shqiptare dhe atë të huaj.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY

  • »In praise of WikiLeaks« Jill Stein

    I’ve gotten a first—hand look at how the establishment attacks people who challenge the status quo. These attacks are intended to brand their targets as pariahs and stigmatize anyone...
  • Berati dhe belaja me Turqinë

    Unë ngritem për të mbrojtur lirinë e shprehjes, por nuk mund të hesht kur një imam apo i ri dënohet për nxitje të dhunës derisa gazetarët duartrokiten. Unë jam...
  • Are Black Lives Terrorist Lives?

    Well, this is what happens when the full force of the domestic state-terrorism apparatus sets itself against the innocent and frequently impoverished citizens of colour that mistakenly chose to...
  • If Other Professions Were Treated Like Photography…

    what if other professions were treated like photography? Here’s what a “part-time professional’s” Facebook posts might look like if other careers experienced the “everyone’s a photographer” phenomenon,...