E DREJTA E KOSOVËS NË NOMINIMIN E FILMIT PËR 'OSCAR'

ÇFARË DO TË MUND TË PËRFITOJMË NGA NOMINIMI PËR “OSCAR”? Lajmi më i mirë i dhënë së fundi nga mediet tona për Qendrën Kinematografike të Kosovës mbetet mundësia tash...

ÇFARË DO TË MUND TË PËRFITOJMË NGA NOMINIMI PËR “OSCAR”?

Lajmi më i mirë i dhënë së fundi nga mediet tona për Qendrën Kinematografike të Kosovës mbetet mundësia tash e tutje e ndonjë filmi kosovar, për t’u nominuar për çmimin “OSCAR”, në kategorinë e filmit më të mirë të huaj. Qysh jemi gëzuar për suksesin e xhudistes kosovare Majlinda Kelmendit, paraqitjet e futbollistëve shqiptarë në ekipin zviceran, belg e gjerman, në Kupën e Botës në Brazil, ashtu do të jetë gëzimi kolektiv për arritjen e fitores së mundshme të çmimit “OSCAR” për filmin kosovar. Cilët janë hapat që duhet t’i bëjmë ne pas këtij lajmi?


HAPI I PARË – NJOHJA E RËNDËSISË SË “OSCAR”-IT

Njohja e rëndësisë së jashtëzakonshme që ka çmimi “OSCAR” dhe përkushtimi sistematik për të rritur kualitetin e filmit për këtë prestigj global në fushën e kinematografisë. – Sa më shumë që bëhemi të vetëdijshëm se sa ka peshë marrja e një çmimi të tillë, aq më shumë jemi të kujdesshëm në të gjitha fazat e përgatitjes dhe produktit final kinematografik. Njohja e rëndësisë së këtij çmimi nënkupton: të kuptuarit se kjo është gara më e fuqishme dhe më e ndjekur në botë për filmin; ruajtja e vazhdueshme e popullaritetit dhe kredibilitetit të kësaj ngjarjeje edhe në sytë e kritikëve më të njohur të botës, pavarësisht se ka kritika se filmat “OSCAR” zakonisht u jepen temave që rrahin antikomunizmin, që nuk kritikojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, etj; mundësia e artë e promovimit të ndonjë teme të veçantë që avokon dhunimet gjatë luftës të grave, etj., si dhe në përgjithësi të përvojave tragjike kosovare; gjasat që aktorët tanë të kenë mundësi të depërtimit në produksionet e huaja filmike dhe globale, sepse nëse marrin ndonjë çmim “OSCAR”, shtohen mundësitë e kontakteve dhe ofertave për të luajtur edhe në filma të niveleve të larta artistike dhe me kosto marramendëse financiare; heqja e paragjykimeve për Kosovën si vend me korrupsion, varfëri, trafik të narkotikëve etj. etj., dhe krijimi i perceptimeve të reja se këtu bëhet edhe art, ndonëse disa filma të metrazhit të shkurtër si “Kthimi” i Blerta Zeqirit, fitoi çmimin për Filmin më të mirë Ndërkombëtar, në “Sundance Film Festival”, dhe disa depërtime të tjera përmes iniciativave private dhe të QKK-së, kanë pasur rolin e tyre të rëndësishëm në përmirësimin e këtij perceptimi kulturor; mundësia që filmi të arrinë shikueshmëri në të gjitha vendet e botës dhe të ketë po ashtu mundësi të fitimit komercial më pastaj dhe të drejtat autoriale që gëzon; nxitja e aktorëve dhe gjeneratës së re për t’u motivuar për punë dhe për të punuar sa më shumë në ngrijten e kapaciteteve të tyre profesionale në aktrim, regji, skenarë etj., sepse mundësia që edhe ata nesër të bëhen pjesë e këtij nominimi me pjesëmarrjen e tyre në ndonjë film, do të jetë shumë joshëse dhe stimuluese, ngase ndryshe është fama në karakter lokal, e ndryshe ëndërrat për të marrë pjesë në një ngjarje “OSCAR”, të organizuar nga Akademia e Filmave, Arteve dhe Shkencave në SHBA, etj;

PËRZGJEDHJA E JURISË NË NOMINIMIN E FILMIT PËR “OSCAR”

Hapi i dytë pas vetëdijesimit për rolin që ka “OSCAR” për vendin, kinematografinë dhe aktorët kosovarë, duhet të jetë procesi rigoroz i caktimit të shtatë përzgjedhësve të cilët do të caktohen nga Qendra Kinematografike e Kosovës, si juri që do ta jepte verdiktin se cili film mund të nominohet nga Kosova. Nga e drejta për nominim vetëm për një film, ne duhet të shmangim kategorikisht animet politike, lidhjet familjare dhe farefisnore (nepotizmin), ‘lidhje jaranash e quranash’ (miqësh a shokësh), xhelozitë psikopatologjike që ndonjëherë shfaqen brenda regjisorëve, aktorëve, producentëve dhe udhëheqësve të sektorëve kulturorë-artistikë. Kjo përzgjedhje e personave që do të nominojnë një film për “OSCAR”, do të duhej të ishte juri me kredibilitet të lartë në filmbërjen. Këta duhet të jenë së pari profesionistë të dëshmuar, por edhe që kanë njohje të natyrës së filmave të “OSCAR”-it dhe jo të vijnë me shije të filmave amatorë, kiç e shund. Ndonëse është mundësi e përsosur për të promovuar prodhimin kinematografik kosovar dhe aktorët tanë, nominimi i ndonjë filmi të dobët, pa nivele artistike, me koncept të varfër regjisorial, etj., vetëm do të rriste edhe më shumë përshtypjen ironike dhe satirike për kualitetin e filmit kosovar. Sa do të jetë mundësi e mirë për promovim pozitiv, po aq edhe për promovim negativ, nëse nominojmë ndonjë film pa arritje artistike bashkëkohore! Edhe nëse s’fitojmë nuk është me rëndësi, sa është me rëndësi të kemi nominim të filmit me nivele mesatare artistike, regjisoriale dhe me skenarë të duhur.

FINANCIMI

Hapi tjetër janë sigurimi i financimit kinematografik. Paratë të cilat i kemi dhënë deri më tash për lobim të Kosovës, sikur 5.7 milion euro për Saatchi&Saatchi, apo disa miliona për diplomatë të huaj nga Ministria e Punëve të Jashtme, do të ishte mirë të bëheshin si kod i veçantë vetëm për të kontribuar në filmat që do të nominoheshin për “OSCAR”. Natyrisht se do të shtohet gara e brendshme në mes produksioneve kosovare për të prodhuar filmin artistik për këtë çmim dhe kjo mundësi e konkurrencës mund të vjen edhe nga iniciativa të produksioneve private. Duke qenë se Kosova ka pasur fjalët që Kosova Film të shndërrohet në kinotekë dhe nga qendër prodhimi të bëhet qendër depozitimi muzeal, prodhimet filmike do të vijnë nga produksionet private. Sidoqoftë, Qendra Kinematografike po ashtu jep disa financa për projektet kinematografike. Prej tash e tutje, do të ishte mirë të bëhej edhe ndonjë fond nga Ministria për kulturë, rini dhe sport, por edhe në bashkëpunim me Ministrinë për Punë të Jashtme, në bashkëpunim edhe me sektorin privat, që të ndihmohej filmi kosovar, në mënyrë që të dalim me ndonjë film sa më cilësor për nominim. Natyrisht se secili duhet të ketë të drejtë e garimit për t’u nominuar deri në përzgjedhjen finale të një filmi të vetëm për nominim nga Kosova, por do të duhej të mendonim që të shtonim financat për filmin. E kuptojmë se jo domosdoshmërisht vetëm financat të sigurojnë filmin artistik dhe çmimin “OSCAR”, sepse ka pasur shumë filma në botë me aq pak mjete financiare, por që kanë arritur shkallë superiore të vlerësimit dhe të marrjes së çmimeve prestigjioze, mirëpo, pavarësisht kësaj, roli i financave për filmat e sotëm, mbetet po ashtu i rëndësisë së veçantë, qoftë për stimulimin e aktorëve, por edhe për aspektet teknike-teknologjike të përgatitjes së filmit, investimit edhe në skenografi e kostumografi, dhe në krejt ekipin e një filmi. Do të ishte shumë e frytshme që sektori privat, korporatat e mëdha që fitojnë miliona në Kosovë, të kontribuonin për filmin kosovar. Kjo do të vlente edhe për bizneset shumë të mëdha, edhe ato të mëdha, edhe ato të mesme. Biznesi do të përfitonte në përmirësimin edhe të imazhit të tyre, nëse financojnë në aktivitete të dobishme shoqërore dhe kulturore, siç është filmi.

 

KODI TEMATIK KINEMATOGRAFIK PËR “OSCAR”

Përzgjedhja e kodit tematik është hapi tjetër relevant. Kosova ka dështuar në paraqitjen para botës me ndonjë film të duhur për ngjarjet e luftës së fundit, por edhe për ngjarjet e mëhershme. Kosova është vendi ku kanë ndodhur shumë ngjarje për filmin, ka pësuar ndryshime të jashtëzakonshme shoqërore dhe kulturore dhe nuk ka arritur akoma t’i ekranizojë në filma. Deri  më tash, janë paraqitur disa tema në filmat e metrazhit të shkurtër dhe është bërë mirë, mirëpo, në filmat e nominuar nga Kosova, do të ishte shumë me rëndësi të përzgjidhet edhe tema e duhur. Ne kemi shumë ngjarje nga e kaluara jonë e afërt dhe e largët për t’i paraqitur në film. Marrim shembull për ilustrim, kinematografinë koreane, e cila është zhvilluar tejmase sidomos pas viteve të ’70-ta dhe demokratizimit të Koresë Jugore. Ngjarjet nga bashkimi i dy Koreve duke qenë kryetemë, më pas kaluan në ngjarje të ndryshimit dhe transformimit të traditës koreane, ndryshimit të mentalitetit familjar dhe për kohë të gjatë ka dominuar tema e hakmarrjes. Varësisht nga zhvillimet politike dhe kulturore, janë bërë filmat koreanë, amerikanë, etj. Edhe ne kemi shumë momente historike të transformimeve të mëdha politike, shoqërore, ekonomike dhe kulturore, dhe këto do të ishin interesante të paraqiten në film. Mirëpo, përzgjedhja e kodit tematik, nëse zhvillohet në linja patetike-nacionaliste, nuk mund të jetë fare e suksesshme. Po ashtu, kodi tematik i përzgjedhur, nëse nuk ka koncept të realizimit të mirëfilltë regjisorial, mund të jetë krejtësisht i padobishëm. Sidoqoftë, Kosova ka shumë ngjarje, që nëse përkthehen në skenarë dhe narracion të duhur, do të mund të ishin mundësi e mirë për t’i treguar botës se çfarë kemi përjetuar. “OSCAR” do të jetë po ashtu shans i volitshëm për t’iu kundërpërgjigjur deri më tash filmave të mbështetur edhe nga Serbia, në interpretimet e njëanshme mbi ngjarjet e fundit në Kosovë. Pra me “OSCAR” ka shumë mundësi, por nuk duhet të na ndodhë si Kosovë, të dalim me ndonjë nominim që vjen me kritere joartistike! Kriteret rigoroze në jurinë e përzgjedhjes nuk duhet të harrohen, por edhe në ndërtimin e strategjive adekuate për të bërë film kualitativ. Përndryshe, dhënia e mundësisë për nominim, s’ka asnjë kuptim! Ndërsa me filmat e deritashëm të Budakovës, ndonëse është aktiv, nuk ka asnjë shanc për të fituar! Duhet shije krejtësisht tjetër regjisoriale dhe kinematografike. Na duhet revolucion kinematografik apo sikur disa kualitete filmash të metrazhit të shkurtër, që do të mund të shpresonim se mund të kenë sukses për “OSCAR”.


Avni Rudaku është i lindur në Gjilan, Avniu ndryshe i njohur si Rud-Fiqiruesi, është “Bachelor i Psikologjisë” (2006), “Bachelor i Sociologjisë” (2008) dhe “Master i Sociologjisë” (drejtimi akademik, 2012) në Universitetin Publik të Prishtinës. Rudi ka botuar librat: “Poezi pa frymë” (2010) dhe “Pa frymëzime” (2011). Rudi njihet për analiza shkencore, publicistikë, poezi, analiza politike, kritika arti dhe recensione letrare. Aktualisht është kolumnist i rregullt i shtojcës javore për culture në gazetën “Kosova Sot”. Aktiviteti profesional i Rud-Fiqiruesit është i pasqyruar në ditarin e tij në http://www.fiqiruesi.wordpress.com

Avni Rudaku është i lindur në Gjilan, Avniu ndryshe i njohur si Rud-Fiqiruesi, është “Bachelor i Psikologjisë” (2006), “Bachelor i Sociologjisë” (2008) dhe “Master i Sociologjisë” (drejtimi akademik, 2012) në Universitetin Publik të Prishtinës. Rudi ka botuar librat: “Poezi pa frymë” (2010) dhe “Pa frymëzime” (2011). Rudi njihet për analiza shkencore, publicistikë, poezi, analiza politike, kritika arti dhe recensione letrare. Aktualisht është kolumnist i rregullt i shtojcës javore për culture në gazetën “Kosova Sot”. Aktiviteti profesional i Rud-Fiqiruesit është i pasqyruar në ditarin e tij në http://www.fiqiruesi.wordpress.com

Avni Rudaku, i njohur si Rud-Fiqiruesi, është analist shkencor në fusion e publicistikës, analizës politike, kritikë së artit, poezisë dhe recensioneve letrare. Aktualisht është kolumnist i rregullt i shtojcës javore për kulturë në gazetën “Kosova Sot”. Aktiviteti profesional i Rud-Fiqiruesit është i pasqyruar në ditarin e tij dhe në kontributin e tij profesional tek THEFrontliner.net Rudi, ka botuar librat: “Poezi pa frymë” (2010) dhe “Pa frymëzime” (2011).

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY