VIDEOKLIPI I ERËS DHE REVOLTA E “PUSSY RIOT” NË KATEDRALE

Me shkas reagimin e Kishës Ortodokse Serbe rreth këngëtares kosovare. Sa herë shkruaj për fenomene të caktuara të tipit të ‘estradave’, jo çdo herë fenomeni që trajtohet është me...

Me shkas reagimin e Kishës Ortodokse Serbe rreth këngëtares kosovare.

Sa herë shkruaj për fenomene të caktuara të tipit të ‘estradave’, jo çdo herë fenomeni që trajtohet është me rëndësi si shije personale, por vetëm e shprehur në dimensionin kritik shoqëror, kulturor dhe politik. Era Istrefi është këngëtare kosovare (familjarisht e lidhur me artin), e cila ka arritur rreth një milion klikime e gjysmë, me video-klipin e saj të fundit muzikor “E dehun” dhe disa reagime të pazakonta.

Refreni i tekstit të këngës është i njohur për të gjithë, ngase kënga “E dehur jam” është interpretuar nga kryeikona e këngës shqipe Nexhmije Pagarusha. Ndonëse kemi shkruar javën e shkuar se kjo këngë “E dehur jam”, e shkruar nga Fitim Domi, që është bërë në dhjetëra versione interpretimi apo përshtatjeje nga këngëtarët shqiptarë, qoftë si kompozim muzikor, qoftë si melodi, qoftë si ritëm, por edhe qoftë si tekst kënge, është shumë e diskutueshme për huazim identik pa autorizim nga këngëtari turk Dario Moreno.

Sidoqoftë, sot e kemi shtjellimin vetëm për video-spotin e Era Istrefit ft. Mixey. Po e them që në fillim se shija ime mbushet me këngë e zhanre të tjera, por mbetet respekti për secilin zhanër, me përjashtim të këngëtarëve që bëhen me zor, me para, me të njohshëm, me lidhje klienteliste, me dukje seksi dhe pa zë. Jam kundër secilës këngëtare e cila nuk preferohet nga dëgjuesit në radiostacione pasi që nuk shihet si trup dhe pëlqehet vetëm kur shikohet vizuelisht. Mirëpo, kënga “E dehun” e Era Istrefit ndonëse mund të kemi kritika varësisht prej besimeve që kemi për tipin e këngës që e preferojmë, mënyrën e paraqitjes para audiencës, etj., mbetet këngë e pëlqyer nga grupmoshat e reja, por edhe ato të mesme. Edhe zëri i Istrefit është një zë i krahasuar nga fansat e saj me të Rihanës! Kjo këngë pëlqehet edhe për shkak të përpunimit në një version tjetër të interpretimit dhe ritmit ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta dëgjojmë si këngë “E dehur jam” nga artistija legjendë e “Bareshës”, Pagarusha. Ndonjëherë disa këngë të përpunuara, e veçmas ato që bëhen për stilin e të të pëlqyerit të të rinjve për argëtim, kërcim dhe ritëm më të shpejtë, janë më të dëshiruara se shumë këngë të tjera që janë origjinale dhe burimore. Klikimet për këngën po ashtu u rritën edhe pas lajmeve të medieve se si ka reaguar Kisha Ortodokse Serbe ndaj video-klipit të këngës së Era Istrefit.

Motivet politike të Kishës Ortodokse Serbe

Reagimi në këtë rast ndonëse tingëllon si konservator dhe religjioz për blasfemi, më shumë ishte me karakter politik. Kisha Ortodokse Serbe pati reaguar edhe për deklaratën e ish ministrit për Mjedis dhe Planifikim hapësinor, i cili kishte thënë se Kisha Ortodokse Serbe në kampin e universitetit “Hasan Prishtina” është ilegal dhe duhet të rrënohet. Për Kishën Ortodokse Serbe kjo kishë është pronë e tyre dhe askush nuk ka të drejtë ta rrënojë. Kjo kishë për ta, pavarësisht se nuk ka asnjë kontekst të përmbushjes së nevojave për kryerjen e ritualeve të besimtarëve, kur dihet se ku janë të shpërndarë besimtarët ortodoksë serbë, ka karakter tërësisht politik, duke krijuar gjithmonë pretekste dhe arsyetime para ndërkombëtarëve se shqiptarët po shkatërrojnë “trashëgiminë kulturore ortodokse serbe”; e përsërisin kujtimin mbi “tragjedinë e trazirave të 16 e 17 marsit 2004”, sulmet ndaj kishave me motive kinse etnike etj.

Video-klipi muzikor “E dehun”

Video-spoti “E dehun”, me koncept dhe regji të Astrit Ismailit bëhet në katedralen katolike në Prishtinë dhe në kishën e pambaruar ortodokse si objekt jofunksional afër Bibliotekës Kombëtare. Në këtë video-spot shihen disa vajza e djem rebelë urbanë, gjysmë të zhveshurë/a apo me veshje të tejdukshme ku mund të vërehet edhe gjoksi femëror e vija të tjera të seksualitetit njerëzor dhe duke kërcyer si ‘kryengritës/e urbanë/e’. Dukja e pjesëmarrësve karakterizohet nga grimi sikur i ngjason “hallowinit”, “punk-grupeve” apo rok-bendeve “heavy metal”. Për konservatorët fetarë përveç satanistëve e disa kulteve të veçanta religjioze, ky video-klip pasqyron blasfeminë, imoralitetin, mëkatet dhe turpin. Duke e njohur punën e Astrit Ismailit si artist që kishte fituar çmimin “Artistët e së nesërmes”, nuk më duket fare kjo këngë si reaksion politik ndaj Kishës Ortodokse Serbe, por më shumë si nën frymën rebeluese urbane, siç ishte shprehur edhe vetë, ngjashëm me reaksionet e tjera feministe-artistike ndaj patriarkalizmit, konservatorizmit tradicional dhe kundër diskriminimit ndaj komunitetit të LGBT-së etj. Në fotografinë me të cilën pat marrë çmimin në konkursin “Artistët e së nesërmes’, Ismaili, që ishte ideator i këtij video-spoti të këngëtares Istrefi, e ka prezantuar veten tërësisht lakuriq dhe për shumë artistë ka qenë i vlerësuar si artist i guximshëm, që një mashkull të zhvishet tërësisht lakuriq në Galerinë e Arteve të Kosovës. Mirëpo, ka pasur edhe zëra që kanë thënë se, “vetëm pse është zhveshur e ka marrë çmimin dhe më shumë se çmim artistik, ka qenë edhe çmim politik”, pasi që ka shprehur revoltë ndaj normave tradicionale që nuk e pranojnë njeriun si dëshiron të jetë, por përpiqet ta futë domosdoshmërisht në “kutinë sociologjike ekzistuese”. Po ashtu, edhe në një shfaqje që ka marrë pjesë Astrit Ismaili si aktor teatri, e kam parë dhe është në përputhje me filozofinë e tij që mëton. Ismaili ka luajtur si aktor në bashkëproduksionin shqiptar dhe të huaj, “Love.State.Kosovo” (http://www.kasernebasel.ch/de/tanztheater/LOVE__STATE__KOSOVO/LOVE__STATE__KOSOVO_), një projekt shumë bashkëkohor teatror dhe në të cilën performancë teatrore, Ismaili zhvishet edhe lakuriq në skenë, duke u bërë edhe si kuriozitet në historikun e nudos teatrore! Ismaili u zhvesh tërësisht në atë shfaqje dhe mesazhi i krejt lojës interpretuese të tij ishte “të pranuarit e personit ashtu siç është”. Pra, edhe në video-klipin e realizuar nga ai, duket se ka konsistencë në mënyrën e pikëshikimit të tij ideor dhe artistik. Në biografinë e tij shënon se është artist multidisiplinor në fushat teatër, fotografi, video, lirikë dhe art performues. Ismaili u bë personifikim i artistit që ka guxim për shfaqur lakuriqësinë në punimet e tij. Përveç fotografisë në “Artistët e së nesërmes”, shfaqjes “Love.State.Kosovo”, ai kishte edhe një punim tjetër të titulluar “Aber ich habe keine Unterwäsche an/Oops, I have no underwear on”), ku siç thotë në CV-në e tij të paraqitur për këtë shfaqje, paraqet prapanicën e tij para ndërtesave dhe monumenteve si heroi kombëtar, etj.

Video-spoti ‘E dehun’ dhe ‘Mother of God/Putin put’ nga ‘Pussy Riot’

Për mendimin tonë, ka një ngjashmëri kontekstuale dhe të thellë në mes të kontekstit ku realizohet video-spoti i Era Istrefit “E dehun” dhe këngës rebeluese e tetëqindfish më të guximshme të punk-grupit të njohur feminist rus “Pussy Riot”.

Po ashtu, artisti Ismaili në filozofinë e tij vepruese, ka shumë ngjashmëri me disa nga sjelljet e “Pussy Riot”, ndonëse elementi më dallues i tij si performancier në hapësirën publike me këtë grup vajzash ruse, është dimensioni “më politik” i këtij grupit të fundit. Ismaili reagon ndaj shoqërisë shqiptare konservatore, patriarkalizmit, si feminist, si avokues i të drejtave të grupeve të përjashtuara sociale si komuniteti LGBT, ngjashëm me “Pussy Riot”. Mirëpo, grupi i vajzave aq të popullarizuara kudo në botë, e veçmas të dashura nga liberalët perëndimorë dhe të sulmuara nga regjimi autoritar i Putinit, është mëkat të krahasohet me një performacier dhe artisti si Ismaili, në kuptimin e popullaritetit, fuqisë ndikuese në botë dhe reagimit ndaj superstrukturave aq të rrezikshme policore dhe shtypëse të Putinit, për dallim nga rebelimi artistik i Ismailit. Në shënimet enciklopedike të wikipedisë, i gjeni të dhënat vijuese për këtë grup super të veçantë dhe super të guximshëm feminist: “Pussy Riot është një grup protestues feminist punk-rok rus me bazë në Moskë. E themeluar në gusht të vitit 2011, ajo ka një anëtarësim variabil të rreth 11 femrave, që variojnë në moshë nga mosha rreth 20 në 33.

Ato organizojnë shfaqje të paautorizuara guerile provokuese në vende të pazakonta publike, të cilat janë të botuara në video-klipet muzikore dhe të postuara në Internet. Temat e tyre lirike përfshijnë feminizmin, të drejtat e LGBT-së, kundërshtimin ndaj politikave të presidentit rus Vladimir Putin, të cilin ata e konsiderojnë si një diktator, dhe lidhjet mes Putinit dhe udhëheqjes së Kishës Ortodokse Ruse.” E këto vajza, siç do të kuptoni gjatë leximit të njëjtë enciklopedik, performuan në Katedralen e Moskës, më 21 shkurt 2012, me këngën “Mother of God/Putin put”, ku u zvarritën nga sigurimi i Kishës dhe ishte bërë me qëllim të kritikës ndaj kreut të Kishës Ortodokse për mbështetjen që i ka bërë Putinit edhe gjatë fushatës së tij elektorale. Këto anëtare të grupit janë dënuar me burgim për t’u amnistuar shumë më vonë dhe po ashtu në performancën e tyre të Lojërave të fundit Olimpike në Rusi, vetëm pse performonin në mënyrën e tyre të veçantë si punk-grup, goditeshin edhe me një lloj ‘kamxhiku’ nga autoritetet ruse. Ishte e tmerrshme t’i shihje ato pamje. Ato akuzoheshin nga grupet e mëdha tradicionale ortodokse ruse dhe autoritetet shtetërore si grup blasfemues, nxitës të urretjes fetare, huliganizmit, etj. Kënga si tekst e Istrefit dihet se është me temë dashurinë urbane. “Un pe du dikon/Dikon që shumë/po më mundo-o-o-n/Un pe du dikon/Që nuk beson/Se dashnia ekziston”, është fillimi i tekstit të këngës së Istrefit. Ka një ‘kosovarishte’ me dialektin gegë, ku edhe titulli nga “E dehur jam”, shndërrohet në “E dehun”. Teksti po ashtu përpunohet nga e njëjta super-këngë “E dehur jam”, ngase refreni dhe disa pjesëza të tekstit janë analoge, ku refreni mbetet thuajse identik, ndërsa njëri nga vargjet vetëm ndryshohet në disa kuptime si “sharap” në “shut up”, nga turqizmat në anglicizma urbanë, nga ‘vera’ në urdhër protestues mllefosës ‘mbylle’ ose ‘ofendim sllengu urban’ nga gjuha angleze…!


Avni Rudaku është i lindur në Gjilan, Avniu ndryshe i njohur si Rud-Fiqiruesi, është “Bachelor i Psikologjisë” (2006), “Bachelor i Sociologjisë” (2008) dhe “Master i Sociologjisë” (drejtimi akademik, 2012) në Universitetin Publik të Prishtinës. Rudi ka botuar librat: “Poezi pa frymë” (2010) dhe “Pa frymëzime” (2011). Rudi njihet për analiza shkencore, publicistikë, poezi, analiza politike, kritika arti dhe recensione letrare. Aktualisht është kolumnist i rregullt i shtojcës javore për culture në gazetën “Kosova Sot”. Aktiviteti profesional i Rud-Fiqiruesit është i pasqyruar në ditarin e tij në http://www.fiqiruesi.wordpress.com

Avni Rudaku është i lindur në Gjilan, Avniu ndryshe i njohur si Rud-Fiqiruesi, është “Bachelor i Psikologjisë” (2006), “Bachelor i Sociologjisë” (2008) dhe “Master i Sociologjisë” (drejtimi akademik, 2012) në Universitetin Publik të Prishtinës. Rudi ka botuar librat: “Poezi pa frymë” (2010) dhe “Pa frymëzime” (2011). Rudi njihet për analiza shkencore, publicistikë, poezi, analiza politike, kritika arti dhe recensione letrare. Aktualisht është kolumnist i rregullt i shtojcës javore për culture në gazetën “Kosova Sot”. Aktiviteti profesional i Rud-Fiqiruesit është i pasqyruar në ditarin e tij në http://www.fiqiruesi.wordpress.com

Avni Rudaku, i njohur si Rud-Fiqiruesi, është analist shkencor në fusion e publicistikës, analizës politike, kritikë së artit, poezisë dhe recensioneve letrare. Aktualisht është kolumnist i rregullt i shtojcës javore për kulturë në gazetën “Kosova Sot”. Aktiviteti profesional i Rud-Fiqiruesit është i pasqyruar në ditarin e tij dhe në kontributin e tij profesional tek THEFrontliner.net Rudi, ka botuar librat: “Poezi pa frymë” (2010) dhe “Pa frymëzime” (2011).

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY