RUSIA DHE EVROPA – II –

Rusia dhe Bregu Lindor Evropian Serbia vazhdimisht është duke refuzuar njohjen e të drejtës së Kosovës për vetëvendosje, duke diskutuar integritetin e saj territorial; Vazhdimisht është duke synuar dhe...

Rusia dhe Bregu Lindor Evropian


Serbia vazhdimisht është duke refuzuar njohjen e të drejtës së Kosovës për vetëvendosje, duke diskutuar integritetin e saj territorial; Vazhdimisht është duke synuar dhe duke u përpjekur për aneksimin territorial të bregut verior (mes tjerash) të Kosovës, duke mbajtur tensionet e ngritura me shqiptarët etnikë në Kosovë; Fuqizimi dhe nominimi i vazhdueshëm (nëpërmjet zgjedhjeve dhe emërimeve) i politikanëve të cilët kanë qenë pjesë e epokës së vrazhdë fqinjë-vrasëse në ‘Serbo-Sllavinë’ e Millosheviqit, si dhe miratimi i një plani i cili mirëpret një bazë ushtarake të Federatës Ruse në Nish, janë pak nga zhvillimet të cilat janë një tregues i qartë se ndikimi i Rusisë do të shkaktojë pa dyshim pengesa në zbatueshmërinë politikës së jashtme të BE-së e cila pretendon zgjerim territorial në bregun e saj lindor.

Kosova, ka marrë disa thirrje të hapura ndaj udhëheqësisë të saj nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian: Për të luftuar mosndëshkimin, korrupsionin dhe krimin e organizuar të instaluar në administratën publike; Për të mbrojtur liritë e shtypit, njerëzore dhe të drejtat profesionale etj. Ne jemi dëshmitar se ka ndodhur një refuzim i vazhdueshëm praktik i autoriteteve të vendit dhe administratës publike në përgjithësi për të përmbushur kërkesat themelore për të krijuar rrethana të denja për integrime të mëtejshme në BE. Faktet e raportuara janë të dukshme në raportet e ‘progresit’ të BE-së për Kosovën si dhe raportet vjetore të Departamentit amerikan të Shtetit.

Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës me Serbinë, Kosova nuk është duke treguar gatishmërinë e as angazhimin politik të standardit ligjor e politik evropian. Duke pasur në mend dhjetëra zhvillime të rënda të tjera politike dhe konkrete në terren, politikanët e Kosovës edhe mund të mos jenë të vetëdijshëm se duke shkaktuar apo lejuar zhvillimin e rrethanave të tilla mund të kontribuojnë në drejtim të interesit të politikës së jashtme të Rusisë, interesi i të cilëve është kundër një Evrope të Bashkuar. Veq kësaj edhe përfshirja e disa diplomatëve amerikan dhe evropian në natyrat e rrjepjes së buxhetit publik të vendit ka krijuar një gjendje fitimprurëse për ‘mafian e instaluar në administratën’ e vendit, duke përfshirë këtu edhe grupet e ndryshme politike të shqiptarëve të Kosovës të cilët kanë luajtur me kartat nacionaliste (për përfitime partiake) duke synuar një Shqipëri të Bashkuar në vend të integrimit në Bashkimin Evropian.

Instalimi sistematik i krimit të organizuar në administratën publike të vendit dhe në thuajse të gjithë mekanizmat e shërbimeve publike në Kosovë është aty për fajin e pjesërishëm edhe të vetë strukturave të BE-së, duke njohur fuqinë politike dhe juridike të misioneve evropiane në Kosovë. Nga njëra anë politikanët në pushtet të Kosovës kanë promovuar një model të tipit mafioz të qeverisjes (çfar e posedon Rusia, Serbia dhe Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, nganjëhere edhe me mbështetje të disa diplomatëve Perendimor) e cila i ka shkuar për shtat interesit të politikës së jashtme të Rusisë kundër një Evrope të Bashkuar, dhe në anën tjetër politikanë të tjerë të Kosovës me vetëdije kanë promovuar standardet dhe politikat që qëndrojnë në natyrën politike të Rusisë, gjegjësisht partia në pushtet PDK e kryeministrit Hashim Thaçi, AKR e Behgjet Pacollit, ligjvënës, ish president dhe zëvëndës kryeministër i vendit, si dhe partia ‘Vetëvendosje’ e Albin Kurtit, e cila luan me kartën nacionaliste, si dhe ‘flirton’ në lidhje të ngushta me individët dhe grupet që janë të dyshuar për përfshirje me linjen e ashpër fetare atë ‘Vahabi’ që njihet për aktivitetin e tyre në Gadishullin e Ballkanit, është një tjetër fakt serioz i kësaj natyre të zhvillimit, si dhe partia e ‘Drejtësisë’ e ministrit të Shëndetësisë në Qeverinë ‘Thaçi II’.

Kosova është një vend me të drejta fetare, por partitë me orientime fetare muslimane kërkojnë që fëmijët muslimanë të lejohen të shkojnë në shkolla publike civile me uniformë fetare të tilla si mbulesa (shamia mbi flokë), dhe hixhabit (mbulesa e flokëve dhe fytyrës), pavarësisht nga fakti se ata gjithashtu kanë shkollat ​​e tyre fetare të mesme dhe universitare, kërkesa të tilla janë mbështetur haptazi nga partia ‘Vetëvendosje!’, lideri Albin Kurti në një program televiziv të transmetimit publik në Prishtinë është deklaruar në mbështetje të kësaj kërkese, e kolaicionistët e qeverisë ‘Thaçi II’ kishin hartuar një plan operativ për të lëshuar një udhëzim administrativ i cili lejon uniformën fetare në ambiente të edukimit civil. Udhëzimi ishte lëshuar në prag të zgjedhjeve të qershorit 2014.

Fakti tjetër ka të bëjë me skandalin publik ndaj deputetes sekulariste (ish) anëtare e grupit parlamentar ‘Vetëvendosje!’, znj Alma Lama një ish gazetare e njohur, e cila ka qenë subjekt i kërcënimeve dhe frikësimeve e fyerjeve të rënda nga një grup të rinjësh të mbështetur nga ‘Lëvizja Islame BASHKOHU’ e muslimanëve të Kosovës e quajtur “Forumi Rinor Islam” të linjës së mentalitetit të mbyllur dhe të ashpër fetar të cilët ishin përpjekur mes tjerash për të ‘nxirë’ imazhin e Znj Lama, duke pretenduar ndër të tjera se “në qoftë se ajo nuk do të ishte e martuar në Kosovë, ajo do të përfundonte si një prostitutë në rrugët e Italisë”, duke kërkuar mbështetjen e grupit të saj politik “Vetëvendosje!” ajo gjeti përfshirjen e tyre në këtë skandal, Znj Lama dha dorëheqjen nga partia dhe më vonë u bashkua me partinë e dytë më të madhe në Kosovë, ‘Lidhja Demokratike e Kosovës, të ish presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova i cili vdiq në vitin 2006. Më tej, “Vetëvendosje!” është mbështetur nga një portal në gjuhën angleze i quajtur si ‘FriendsofKosovo.com‘, politika editoriale e të cilit përveq që mbështet politikën dinake të Albin Kurtit, ky portal mbështet mizoritë dhe krimet kundër njerëzimit në të cilat është e përfshirë dhe mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht qeveria siriane, një vend që është mbështetur si në natyrën e armatimit ashtu edhe të asaj politike dhe diplomatike nga Federata Ruse.

Ka fakte publike që gjithashtu se ish presidenti dhe zëvendës kryeministri aktual i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili është i martuar me një zonjë ruse, ka mbajtur lidhjet e tij me politikanë dhe biznesmen rusë, zoti Pacolli po sikur kolegu i tij Albin Kurti, është shfaqur në favor të zbatimit të një politike me standarde Ruse si ajo e Putinit, të tilla si duke përdorur fenë si një mjet për përfitime partiake.

Qeveria e Kosovës si një administratë e tërë është gjithashtu e përfshirë në standardin politik të Rusisë së Putinit (ndoshta pa vetëdije), duke i lejuar ‘operatorët e huaj’ të rekrutojnë të rinjtë e Kosovës të cilët i janë bashkuar forcave paraushtarake të linjës së ashpër fetare në Siri. Në fund të nëntorit 2013, policia e Kosovës kishte arrestuar gjashtë të rinj nën dyshimin se ata ishin përfshirë në aktivitete të dënueshme me ligj. Gjatë këtij operacioni ishin ‘gjetur armë’, por armët iu dhanë me dijeni dhe përfshirje të inteligjencës së policisë, me fjalë të tjera, armët janë pronë e MPB-së.

Gjetjet tregojnë se të arrestuarit dyshohen se i janë bashkuar forcave të linjes së ashpër fetare në Republikën Arabe të Sirisë. Por, e vërteta është që agjentët hetimor nuk kanë asnjë provë materiale pë rrugëtimin e disa të arrestuarve drejt brigjeve të thata të Sirisë, pasi në pasaportat e tyre mungojnë vulat hyrëse ose dalëse në njërin prej shteteve që territorialisht e përkufizojnë Sirinë. E nëse të dyshuarit vërtetë kanë udhëtuar drejt Sirisë duke i shpëtuar pasaportat e tyre nga vulat kufitare, atëhere është shumë e mundur që shërbimi i inteligjencës është i përfshirë në dërgimin e tyre në Siri, për çudi disa gazetarë kosovarë mezi kanë pritur të shkruajnë materialet e përgatitura nga ‘inteligjentët’ duke mos i verifikuar faktet, madje duke publikuar artikuj në kryefaqe krejtësisht të pambështetura në fakte por vetëm në burime të cilat duken qartë se janë vetëm fjalë dhe klasifikime. Etika profesionale në minus zero, dëme fatale ndaj shoqërisë njerëzore në vend.

Një gjendje e klisheve serioze në mes të shërbimit të inteligjencës së Kosovës dhe Organizatës së Policisë mbetet një histori e pafund në zhvillim e cila filloi që nga koha kur pjesëtarët e policisë nuk mundën t’i përmbushin kërkesat themelore për t’u punësuar në agjencinë e inteligjencës shtetërore, një synim ky i ministrit të brendshëm Bajram Rexhepi për të depërtuar ‘me syrin e tij’ në brendi të shërbimit të fshehtë të shtetit, ministri i brendshëm është i dyshuar edhe për konvergjencën e vijave paralele duke shkaktuar zhdukjen e më se € 1,4 milion të taksapaguesve të Kosovës.

Dihet që ndikimi fetar në hartimin e planeve politike, të paktën publikisht nuk është standard i Bashkimit Evropian e as SHBA-së edhe pse gjetjet tregojnë se shërbimi inteligjent i kësaj të fundit ishte i përfshirë në krijimin e grupeve ‘terroriste’ të linjës së ashpër islamike në Libi. Gjithsesi, kjo është arsyeja (publike) pse BE-ja dhe SHBA-të refuzojnë të bashkëpunojnë me ato grupe që publikisht përdorin fenë dhe kartën nacionaliste për të fituar përkrahje politike.

Përdorimi i fesë si mjet politik është vlerë e Rusisë së Putinit e cila pretendon rritjen e mbështetjes dhe fuqisë së grupit partiak, dhe ata që e përdorin atë, nuk ka dyshim se me ose pa dijeninë e tyre i shërbejnë strategjisë së zgjerimit të hartuar nga administrata e politikës së jashtme në Moskë.

Kushtetuta e Kosovës ndalon ndikimin e fesë në politikë duke deklaruar se Kosova është një vend laik. Prandaj, partitë politike me orientime fetare nuk mund të konkurrojnë në mënyrë të ligjshme në zgjedhjet e vendit; megjithatë, ka parti politike me orientim fetar në Kosovë të cilat garojnë në zgjedhje.

Për më tepër, votuesit e vendit kanë dëshmuar egzistencën e përplasjeve fetare në politikë, e kjo është vënë re edhe në debatet parlamentare mes ligjvënësve të ndikuar nga agjendat fetare sidomos të partive të koalicionit të Behgjet Pacollit dhe sekularistëve të Haradinajt, i cili hapur ka shpallur luftë kundër linjës së ashpër fetare. Lidhur me thyerjen e këtyre ligjeve në fuqi askush nuk është përndjekur; gjykata dhe prokuroria e administratës në Prishtinë është e ndikuar nga grupe të ndryshme politike shumica e të cilëve janë të dyshuar të jenë të përfshirë në krim të organizuar ekonomik, njerëzor dhe atë politik. Kontrolli mbi sistemin e drejtësisë në vend, u ka ofruar ‘të dyshuarve të përfshirë në krime’ një mundësi për të paguar lirinë e tyre. Fakti që asnjë politikanë nuk i është nënshtruar rendit ligjor lë shumë për të dëshiruar dhe për të kuptuar se çfar po ndodh në vend.

Maqedonia “është një vend në telashe të mëdha”, thotë një raport nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane (CEPS), i botuar në shtator 2013. Ka një klimë të mosbesimit në mes të gjitha partive politike, thuhet më tej në raport. Liria e shtypit është në një pozitë vërtetë shqetësuese, shkelja e të drejtave të njeriut dhe të drejtat për të shprehur idetë politike dhe kritikat ndaj qeverisë dhe partisë së saj në pushtet që është ulur në karrigen sunduese të vendit që nga viti 2006, kur VMRO-DPMNE fitoi zgjedhjet janë biletë njëdrejtimëshe për në botën tjetër. Kreu i shërbimit Maqedonas të kundërzbulimit Saso Mijalkov është i dyshuar për përfshirje në vrasjen e disa prej figurave publike në mesin e tyre edhe ‘aksidentin’ e kreut të gazetës Maqedonase ‘FOKUS’ e cila është angazhuar kryesisht në aktivitete të hulumtimit dhe zbulimit të përfshirjes së zyrtarëve qeveritar në krim të organizuar dhe korrupsion.

Maqedonia është një vend kandidat për anëtar i BE që nga dhjetori 2005. Por, duket se që kur në dhomën pushtetit ka hyrë VMRO-DPMNE e mbështetur nga kreu shqiptar i BDI-së Ali Ahmeti, rruga drejt Evropës u shndërrua në një safari. Më saktësisht në vitin 2009 Komisioni Evropian rekomandoi datën e pranimit të negociatave, por që atëherë përpjekjet e vendit për t’u bashkuar me BE-në dhe NATO janë bllokuar.

Duke iu rikthyer marrëveshjes së Tetorit 1944 »Churchill-Stalin« një marrëveshje që nëse do të ishte zbatuar, lufta civile midis grekëve dhe komunistëve Maqedonas nga njëra anë dhe institucioneve greke në anën tjetër të cilët dëshironin ndryshimin e sistemit në Greqinë jo-komuniste, nuk do të kishte ndodhur. Lufta mbeti një konflikt i ngrirë dhe pasojat e saj kanë mbetur gjallë deri në ditët e sotme të shekullit XXI. Situatë shumë e ngjashme u zhvillua në Korenë Jugore dhe Korenë Veriore, por përfundimi i konfliktit në gadishullin Korean ka ndodhur vetëm me një marrëveshje të armëpushimit në vend të një marrëveshje paqësore. Kjo situatë po vazhdon edhe mes Kosovës dhe Serbisë.

Disa politikanë maqedonas, përkatësisht ai aktual kryeministri Gurevski, kanë keqpërdorur të ashtuquajturin problem të ‘çështjen e emrit’ mes maqedonasve dhe grekërve. Më saktësisht në vitin 2005 Maqedonia kishte marrë statusin e vendit kandidatit për BE-në, në vitin 2006 Gruevski u bë Kryeministër, më tej ai filloi ushtrimin e veprimtarive të tilla si falsifikim të historisë duke shëndërruar Shkupin në një përrallë monumentale të betonuar, duke shpenzuar sasi të mëdha të parave të taksapaguesve maqedonas. Këto akte jo që vetëm i kanë frustruar grekët, por edhe u ka ofruar atyre të drejtën morale dhe arsyetimin për të kundërshtuar kandidaturën e Maqedonisë në NATO më pas duke bllokuar edhe shtatë mundësitë e tjera për fillim të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në BE, përndryshe krejt kjo situatë është një “tortë në pjatë” për Rusinë e Putinit që ka për qëllim ‘qëndisjen’ e kufijve të guximshëm kundër aspirimit të një Evrope të Bashkuar.


Vedat Xhymshiti, është gazetar i pavarur, ai ka specializuar në fushën e marëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë. Që nga viti 2008 Xhymshiti ka ushtruar veprimtarinë e tij si reporter lufte në territoret e përfshira në kryengritje paqësore dhe të armatosura politike. Lufta e fundit nga e cila ka raportuar, hulumtuar dhe hartuar artikuj gazetaresk, është lufta civile e Republikës Arabe të Sirisë. Punimet e tij janë botuar në Magazinën Gjermane ‘Der Spiegel’, Magazinën Franceze ‘Paris Match’, Le Monde, Amerikanen The New York Times etj. OP-EDitorialet ‘RUSIA DHE EVROPA — I & II — janë botuar në të përditshmen kosovare EXpress më 1, 2 Gusht, 2014.

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY