Kosova, Kalifati dhe Sfidat e Sigurisë Kombëtare

Kohëve të fundit jemi dëshmitar të kërcënimeve ndaj sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare në shumë rajone të botës. Duke filluar nga Revolucionet në Afrikën e Veriut, duke vazhduar ne Siri,...
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës teksa po e dërgojnë para gjykatës njërin prej 40 të arrestuarve si të dyshuar për terrorizëm ose lidhje me grupet e linjës së ashpër Islamike, grupi ushtarak i njohur ISIS, të cilët janë të përfshirë në krime lute kundër njerëzimit në Lindje të Mesme. (Foto/Kushtrim Tërnava, për Gazetën EXpress)

Kohëve të fundit jemi dëshmitar të kërcënimeve ndaj sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare në shumë rajone të botës. Duke filluar nga Revolucionet në Afrikën e Veriut, duke vazhduar ne Siri, konflikt i cili përveç që ndërroi trajtën e tij, tejkaloi kufinjtë e Sirisë duke u bërë kërcënim për sigurinë ndërkombëtare, e madje edhe indikator që mund të vijoj me ndërrimin e gjeopolitikave në lindjen e mesme, e deri tek apetitet e Rusisë për të përmirësuar pozicionin strategjik në Detin e Zi dhe sipas shembullit të Serbisë, duke krijuar zona jo stabile gjithandej në Kaukaz, me një status quo të manipulueshme, me qellim te faktorizimit dhe rritjes se rëndësisë së pozicionit të saj në marrëdhëniet ndërkombëtare, e kështu edhe parandalimin e shtrirjes së ndikimit perëndimorë në Europën lindore.

Luftëtarë ISIS, fotografia është marrë nga një faqe internet e grupit militant e verifikuar nga AP.

Luftëtarë ISIS, fotografia është marrë nga një faqe internet e grupit militant e verifikuar nga AP.

Gjithë këto po dërgojnë në një ngërç të komunitetit ndërkombëtar dhe në paaftësi veprimi të Këshillit të Sigurimit, herë si pasojë e mos vullnetit të shteteve, e herë si pasojë e ndeshjeve të interesave të tyre, përderisa kërcënimet po rriten hera herës dhe akterët pjesë e këtyre situatave po fuqizohen duke shfrytëzuar këtë ngërç politik.

Në mesin e kësaj vorbulle, krijojmë përshtypjen se Kosova nuk është askund, dhe nuk ka kurrfarë rëndësie.

Mirëpo, sidoqoftë edhe ne jemi pjesë e saj, dhe nëse nuk arrijmë të veprojmë si shtet dhe të kontrollojmë situatën, lehtë mund të shkaktojmë një dëm të pariparueshëm dhe një gjendje pa kthim për shtetin dhe shoqërinë tonë, që edhe ashtu është fragjile. Kështu, një sektor funksional dhe i qëndrueshëm i sigurisë, është krucial për vazhdimësinë e ekzistencës së Republikës së Kosovës.

Së fundmi, pamë arrestimin e 40 personave nga institucionet e sigurisë me dyshime për lidhje me organizata terrorise dhe mbase edhe planifikim të sulmeve terroriste në Kosovë, disa prej të cilëve ish pjesmarrës në konfliktin që po zhvillohet në Siri dhe Irak. Megjithëse kjo e dyta lidhur me planifikimin e sulmeve terroriste duket disi absurde, dhe më shumë pjellë e mediave, të cilat janë mësuar të mos mbajnë përgjegjësi para opinionit publik për ato që i thonë, e para është relevante me situatën prezente dhe zhvillimet e fundit, përderisa rrënjët e saj shkojnë më larg, qysh nga pas lufta kur Kosova u bë zonë e përshtatshme për veprimin e organizatave “humanitare” me origjinë nga bota arabe.

Për të iu qasur problemit, le të kthehemi shkurtimisht tek organizatat me te cilat dyshohet se këta persona kanë lidhje, apo tek ajo më e rëndësishmja, ISIS. Për dallim nga Al-Kaeda, e cila kishte një sistem të decentralizuar, dhe luftën e shpinte në territorin e armikut të saj, por kurr nuk krijonte terren identifikues për veten sado që mund të ketë shfrytëzuar infrastrukturën e të tjerëve, ISIS është një orgnizatë e cila po prodhon terror të pakontrolluar në lindjen e mesme, dhe po shtrinë kontrollin efektiv në territore me sipërfaqe të konsiderueshme në Siri dhe Irak.

Al-Kaeda, e cila edhe përfaqësonte terrorizmin në nivel global, ishte një armik i pagjurmueshëm, përderisa ISIS, përveç që ia ka marrur “stafetën” për terrorizëm Al-Kaedës, është bërë edhe absorbuese e resurseve humane që Al-Kaeda dikur i ka shfrytëzuar, apo kanë qenë material i përshtatshëm për tu rekrutuar.

Kenan Tora, e ka trajtuar shumë mirë këtë çështje në opinione të tij, dhe ka ardhur në konkludim që ISIS është një organizatë që terrorizmin nga një armik i padukshëm, e ka kthyer në një armik të dukshëm.

Pavarsisht kush fshihet pas “Operacionit ISIS”, duke mbledhur të gjithë terroristët potencial brenda një kupole organizative të dukshme dhe të gjurmueshme, me një strukturë ekzistuese dhe kontroll efektiv në një territor të caktuar, ISIS e ka bërë të luftueshëm terrorizmin, edhe pse për momentin ndërmarrje serioze në drejtim të luftimit të këtij fenomeni nuk ka, është e paevitueshme një ndërhyrje serioze në këtë aspekt.

Në rastin e arrestimeve të fundit, më e ndjeshme bëhet situata post-arrestimeve, sesa që ka qenë para arrestimeve.

Duhet pasur shumë kujdes që kjo situatë të mos kthehet në një energji inspiruese që mund ta bëj Kosovën një objektiv të mundshëm te sulmeve terroriste. Kështu, retorika që përdoret nga institucionet duhet të jetë e zgjedhur, dhe në vend se të krijohet një problem aktualisht inekzistent në Kosovë, si ai i terrorizmit, duhet të fokusohemi në parandalimin e paraqitjes së një fenomeni të tillë.

Thënë me fjalë të tjera, Kosova nuk po e lufton terrorizmin, për arsye se nuk ka terrorizëm në Kosovë, por po e parandalon paraqitjen e tij si fenomen. Tash e tutje, është në dorë të institucioneve të sigurisë që të kujdesen për ambientin e sigurisë dhe të parandalojnë paraqitjen e një terreni të përshtatshëm për terroristët potencial. Arrestimet e fundit kanë dy anë të medaljes, atë pozitiven, ku institucionet tona dëshmojnë që nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë krijimin e një terreni të përshtatshëm ku bëhet i mundur ushtrimi i aktiviteteve terroriste, dhe anën tjetër që e bënë Kosovën objektiv të sulmeve terroriste edhe si pasojë e veprimeve të saj, edhe për shkak të prezences ndërkombëtare në Kosovë.

Rrjedhimisht, krijimi i një infrastrukture të sigurisë të përshtatshme për parandalimin e paraqitjes së terrorizmit, dhe identifikimi i kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme, si dhe përzgjedhja e mjeteve për mënjanimin e situatave që rrjedhin nga këto kërcënime, është i një rëndesie të veçantë.


Shkolla e Kopenhagës – Teoria e Sigurizimit

Në formimin e politikave të sigurisë, rëndësi të madhe ka analiza e sigurisë, prej së cilës rrjedhin përfundimet lidhur me kërcënimet ndaj ambientit të sigurisë. Institucionet e ngarkuara me këtë detyrë, si Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës, duhet seriozisht të bëjnë një vlerësim të tillë, në mënyrë profesionale e jo vetëm sa për ta pasur si dokument.

Me identifikimin e kërcënimeve potenciale për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës, vlerësohen masat e nevojshme që duhen marrë për trajtimin e problemit potencial. Me rastet si ky i fundit, duhet të kemi kujdesë që mos ta politizojmë si çështje, që më pasë do të ishte therrë në këmbë për qytetarët e Kosovës, dhe barrë për Republikën e Kosovës, por problemin nga axhenda politike ta zhvendosim drejt axhendës së sigurisë.

Me këtë problem, në nivelin teorik është marrur e ashtuquajtura Shkolla e Kopenhagës, ku edhe ka ofruar modelin e sigurizimit, e cila e zgjeruar përkufizimin e sigurisë edhe në sfera të tjera përveç asaj ushtarake si dhe kërcënimeve të jashtme, dhe ka përfshirë edhe aktorët jo shtetërorë si dhe fenomene të tjera të brendshme dhe të jashtme.

Kështu, me zhvendosje të çështjes drejt agjendës së sigurisë e jo asaj politike, duke e ngritur çështjen në një nivel suprapolitik, pra as duke mos e depolitizuar përderisa është çështje me të cilën duhet të merren organet shtetërore e në të njëjtën kohë as duke mos e mbajtur brenda axhendës politike, krijojmë rrethanat që çështja të zgjidhet me mjete jo politike, pavarsisht se a i quajmë ato më ekstreme se mjetet politike apo jo (Lidhur me këtë teori shih: Barry Buzan; Ole Waever; Jaap de Wilde – Security: A new framework for Analysis, 1998).

Meqë siguria është një çështje mbijetese, pavarësisht sa absurd mund të na duket përdorimi i këtij përkufizimi përkitazi me rastin tonë, sigurizimi duhet të bëhet me një kujdes të tillë që të mos ketë impakt negativ në shoqëri, si dhe udhëheqësit shtetërorë duhet ta kenë parasysh se kalimi i kufinjëve të këtij modeli, mund të shkaktoj një ‘Tet Effect’ për ta siç kanë shkaktuar veprimet e Inteligjencës Amerikane në Vietnam dhe proaganda lidhur me Vietnamin efekt me pasoja negative për Presidentin Nikson.

Kësisoj, Republika e Kosovës duhet të krijoj politikat e mirëfillta të sigurisë, duke zgjedhur jo vetëm modelin më të mirë për të si shtet, pra çasjen egocentrike të sigurisë apo tradicionale, por edhe modelin më të mirë për qytetarët e saj duke marrë parasysh rekursin nga siguria tradicionale tek ajo njerëzore e shoqërore.


Rekursi nga operacionet ‘alla-Hollywood’ në Veprime të Heshtura

Barrën më të madhe tash e tutje në garantimin e sigurisë kombëtare, duhet ta bartë Agjencia Kosovare e Inteligjencës. Si rrjedhojë, kjo Agjenci, përmes metodave të mbledhjes, përpunimit dhe analizimit të informacionit duhet të identifikoj dhe të izoloj kërcënimet e brendshme ndaj sigurisë kombëtare. Pa gjykuar performancën e këtij institucioni, bashkëpunimi më i mirë me organet e tjera të sigurisë, dhe paraqitja sa më e paktë nëpër media siç ishin ato të fundit të cilat nuk i dhanë aspak imazh të mirë këtij institucioni, na krijon një përshtypje që ky institucion është në rrugë të mbarë.

Duke e mbajtur tërë barrën lidhur me sigurinë kombëtare, Agjencia Kosovare e Inteligjencës duhet me të gjitha metodat të identifikoj çdo rrezik potencial, përfshirë edhe ato që lidhen me fundamentalizmin fetar. Një pjesë e personave të arrestuar, janë thjeshtë pre e propagandës që është bërë me vite të tëra në Kosovë nga persona apo organizata të caktuara. E rëdësishme është që prapavijat e këtyre personave të identifikohen, poashtu të identifikohen edhe burimet e tyre financiare dhe lidhjet me botën e jashtme.

Lidhur me çështjen e fundamentalizmit fetar, përveç operacioneve të anti-terrorizmit, AKI njëkohësisht duhet të lansoj edhe operacione të kundërzbulimit që identifikojnë implikimin e shërbimeve të huaja të inteligjencës në këtë aspekt, që kanë qëllim minimin e ekzistencës së Republikës së Kosovës si shtet si dhe krijimin e një ambienti të pasigurtë. Në anën tjetër, veprimet e institucioneve të sigurisë, duhet të jenë të tilla që të mos bëjnë shumë bujë, por edhe konform zbatimit të ligjit dhe të së drejtës pa kaluar në metoda që do të çonin drejt një shteti policor.

Kjo Agjenci si dhe organet tjera kompetente, duhet të bllokojnë çdo veprimtari të financuar nga jashtë që mund të nxitë qytetarët e Kosovës drejt veprimeve ekstreme, apo drejt qasjes jo tolerante. Edhe pse Kosova si shtet i ri ka nevojë të shfaqet dhe të tregoj fuqinë e saj, sado e vogël që është ajo, aplikimi i metodave ku sigurohet konsilidimi i aparatit shtetëror dhe parandalimi i fenomeneve negative, ka një rezultat më të frytshëm në aspektin afatgjatë, pa pasur nevojë të bëhet top lajm botëror.

Pa e gjykuar aksionin blitz të policisë ku arrestoi 40 të dyshuar për terrorizëm, një rekurs në metoda më të ndryshme nga ato të përdorura deri më sot është mëse i nevojshëm, si dhe më frytëdhënës në parandalimin e fenomeneve të tilla si paraqitja e ekstremizmit.

Me Qëllimet Më Të Mira Është Krijuar Edhe Ferri

Në rrugëtimin e Kosovës drejt shtetëndërtimit, dhe sidomos sektorit të sigurisë, neglizhenca dhe gabimet eventuale mund të shkaktojnë dëm të pariparueshëm për Republikën e Kosovës. Përveç krijimit të një sektori të fuqishëm të sigurisë, krahas duhet që të krijohet infrastruktura e nevojshme që këto institucione të mbahen përgjegjëse për shkeljet e mundshme, të kontrollohen dhe të krijohet një mekanizëm efektiv i llogaridhënjes.

Kësisoj, ne përveç që krijojmë një aparaturë të denjë shtetërore, krijojmë edhe një shtet ligjor dhe shtet të së drejtës, ku vlerat universale si demokracia, drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit respektohen, si dhe mekanizmat shtetëror nuk keqpërdoren dhe as nuk kthehen në instrumente të elitave.

Me krijimin e institutcioneve efikase, monopolizimin e dhunës dhe konsensusin mbi idenë e shtetit, ne ikim nga definimi siç do ta quante Jackson i ‘Quasi Shtet’, si dhe largohemi nga dilema e pasigurisë që i shoqëron shtetet e dobëta, duke përfituar në dy baza, zbusim kontraditën mes fuqisë shoqërore dhe shtetërore, si dhe parandalojmë transformimin e sigurisë shtetërore në siguri të regjimit.

Për të arritur këtë së pari duhet të identifikojmë interesat strategjik të Republikës së Kosovës, si ato të brendshmë si ato të jashtme, përderisa ato aktualet fatkeqësisht janë të nivelit të një adoleshenti pasi dëgjon dy a tre diplomatë Europian në televizion. Kosova nuk duhet të sillet më si fëmijë, por duhet të filloj të rritet, dhe të identifikoj interesat e saj primare me qëllim të krijimit të politikave shtetërore si në aspektin e sigurisë si në aspektin e politikave të jashtme.

Një tjetër shqetësim është përdorimi i ngjarjeve si kjo e arrestimit të djeshëm për qëllime politike. Kushdo që e përdor luftën preventive ndaj terrorizmit për qëllime politike, përveç që e kthen problemin në agjendën politike, agjendë e cila nuk mund të ofroj mjete për zgjidhjen e tij, gjithashtu rrezikon shoqërine nga ngritja e një Islom Karimovi, President i Uzbekistanit qysh nga viti 1991, i cili pas vitit 2001 ka përdorur “Luftën Globale” kundër terrorizmit për të siguruar pozicionin e tij.

Gjithashtu Republika e Kosovës duhet të ndaloj fjalimet që nxisin urrejtje dhe manipulojnë opinionin me ligjërata që i bëjnë në emër të besimit. Në këtë aspekt, mjafton të zbatohet ligji aktual dhe të ndiqet penalisht çdo akt që dërgon drejt urrejtjes si dhe krijon efekt që mund të rezultoj me shkaktim të veprës penale nga një pjesë e caktuar e audicionit. Në anën tjetër, asnjë masë nuk duhet të kalojë në një ‘gjueti shtrigash’ e cila shkel drejtat fundamentale të njeriut, si e drejta e besimit fetar, fjalës së lirë, lirisë personale, etj. të drejta që garantohen me konventa ndërkombëtare si dhe gëzojnë aplikim direkt, e poashtu përbëjnë bërthamën e të drejtave të pakundërshtueshme të së drejtës ndërkombëtare.

Krahas masave të sigurisë, parandalimi është i pamundur në rast se sistemi i edukimit nuk reformohet rrënjësisht, dhe përderisa të rinjtë nuk shohin kurrëfar perspektive në Kosovë. Deri sa ne të bëjmë hapa konkret në zhvillimin e arsimit dhe zhvillimin ekonomik, pasiguria shoqërore do të jetë një problem me të cilin organet e Republikës së Kosovës do të duhet të merren për një kohë shumë të gjatë, çdo herë e më shumë.


Arber_ahmetiArbër Ahmeti është njohës i studimeve të sigurisë dhe i së drejtës ndërkombëtare. Aktualisht ai është në përfundim të studimeve post-diplomike në të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Vjenës në Austri. Arbëri shkruan analiza të natyrës së sigurisë për THE Frontliner.

Arbër Ahmeti është jurist, aktualisht duke ndjekur studimet post-diplomike në të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Vjenës. Ai është kontribues për Raportet e Oksfordit për të Drejtën Ndërkombëtare në Gjykatat Vendore, punë të cilën e kryen nga Departamenti për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Europiane të Universitetit të Vjenës. Arbëri është zëvendëskryesues i Komitetit Hulumtues për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Qeverisje të Asociacionit Ndërkombëtar të Studentëve të Shkencave Politike (IAPSS), si dhe autor për blogun e tyre "A different View". Interesat e tij hulumtuese fokusohen në të Drejtat e Njeriut dhe të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare, Politikat e Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bashkimit Europian, përdorimin e forcës dhe të drejtën e vetëmbrojtjes në të drejtën ndërkombëtare, aplikimin e teorisë së lojës në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe raportin mes të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY

  • »In praise of WikiLeaks« Jill Stein

    I’ve gotten a first—hand look at how the establishment attacks people who challenge the status quo. These attacks are intended to brand their targets as pariahs and stigmatize anyone...
  • Berati dhe belaja me Turqinë

    Unë ngritem për të mbrojtur lirinë e shprehjes, por nuk mund të hesht kur një imam apo i ri dënohet për nxitje të dhunës derisa gazetarët duartrokiten. Unë jam...
  • Are Black Lives Terrorist Lives?

    Well, this is what happens when the full force of the domestic state-terrorism apparatus sets itself against the innocent and frequently impoverished citizens of colour that mistakenly chose to...
  • If Other Professions Were Treated Like Photography…

    what if other professions were treated like photography? Here’s what a “part-time professional’s” Facebook posts might look like if other careers experienced the “everyone’s a photographer” phenomenon,...