A KA TERRORIZËM ISLAMIK NË KOSOVË PA THONJËZA?

Për dembelët – ABSTRAKT! Aktualisht s’ka terrorizëm islamik, por ka shenja shumë të këqija! Duhet të debatojmë: edhe nëse gjindet ndonjëri i arrestuar si terrorist potencial, të amnestohen, pasi...
Luftëtarë ISIS, fotografia është marrë nga një faqe internet e grupit militant e verifikuar nga AP.

Për dembelët – ABSTRAKT!

Aktualisht s’ka terrorizëm islamik, por ka shenja shumë të këqija! Duhet të debatojmë: edhe nëse gjindet ndonjëri i arrestuar si terrorist potencial, të amnestohen, pasi që asnjë viktimë civile, as policore e as ushtarake; as ndonjë objekt fizik apo paraqitje të grupit vendor kosovar që synon ndonjë shtet islamik si alternativë e shtetit laik, nuk është paraqitur. Pasi që kemi falur terroristët serbë në Veri dhe kurrë nuk i kemi quajtur të tillë, ndonëse kanë gjuajtur bomba te civilët, kanë vrarë dhe kanë bërë spastrime etnike, a mund të debatojmë edhe për amnesti nëse shpallen fajtorë ky grup?!

Për luftëtarët globalë që janë kthyer në Kosovë pasi e kanë parë se po ka luftë grupesh fetare e terroriste e jo vetëm kundër Asadit, duhet riintegruar, duhet pako shërbimesh të trajtimit psikologjik të traumave të tyre të luftës, sidomos ndaj ÇSPT-së, sepse janë potencial rekrutimi i lehtë dhe i sërishëm në këtë gjendje mendore e shpirtërore. Qasja gjithëpërfshirëse ndaj terrorizmit, e jo vetëm me masa policore. Terrorizmi nuk është vetëm lokal, por edhe global. Ka terrorizëm islamik, nëse dalin terroristët me Kur’an në duar, bërtasin Allahu Ekber dhe thirren në emër të islamit! Disa gangsterë që bëhen myslimanë në burgje, posa të dalin, radikalizohen dhe mund të jenë të rrezikshëm nëse preken nga rryma të linjës së ashpër islame. Elitat politike e krijojnë terrorizmin edhe si mjet të kontrollit të pushtetit të tyre politik.

Në fillim kosovarët dhe në përgjithësi Perëndimi mbronin grupet antiqeveriare në Siri, madje ishte pritur edhe opozita siriane në Kosovë. Në atë kohë, rusët dhe serbët kishin thënë se Kosova është bërë territor i ushtrimeve të rebelëve antiqeveritarë sirianë, ndonëse kanë mundur ta lidhin edhe me vizitën e opozitës siriane. Ka qenë rasti kur grupet rebele islamike përkraheshin edhe nga Perëndimi. “Qeveria e Republikës së Kosovës edhe më shumë do ta mbështes opozitën në Siri. Ne jemi të shqetësuar për gjendjen në Siri për shkeljen masive të të drejtave të njeriut dhe po ashtu jemi të interesuar që në të ardhmen në një mënyrë të mbështesim edhe financiarisht opozitën në Siri dhe jemi të interesuar që çdo kërkesë që ka opozita siriane, brenda mundësive tona, realisht t’i mbështesim aspiratat e tyre edhe agjendën e tyre që Siria të jetë vend demokratik”, pati deklaruar ministri Enver Hoxhaj gjatë takimit me opozitën siriane (http://www.mfa-ks.net/?page=1,4,1216&offset=1). Shihne këtë paragraf, ku thuhet edhe ‘financiarisht’ dhe prokuroria mund ta thërras edhe Hoxhajn të shpjegojë se sa janë financuar sirianët, kujt i kanë shkuar paratë, cilave grupe opozitare (Al-Nusra, ISIS, Ushtria e Lirë Siriane me orientim nacionalist sirian, kurdët) etj., sepse nga kjo mund të duket absurde, por të rezultohet në konstatimin se, “ne paskemi kontribuar vetë në luftën antiqeveritare në Siri, pjesë e së cilës ishin edhe qytetarët tanë nga Kosova, ndërsa sot po i arrestojmë edhe produktet tona”.

Kjo ka qenë edhe kohë e motivimit shtesë dhe pa u trembur nga shteti kosovar, për luftëtarët kosovarë që të shkonin në Siri, sepse llogariteshin edhe properëndimorë e proamerikanë, duke mos përjashtuar edhe motivimin me para, për plaçkë sikur templlarët mesjetarë, përmes fesë, rekrutimeve të shteteve të caktuara etj. Në anën tjetër, rrjedha e konfliktit ndryshoi dhe ISIS u bë edhe cak i sulmeve amerikane. Madje, po të shkon një kosovar e të luftojë me këtë grupacion shovinist, i bie se është edhe antikosovar, antiamerikan dhe antishqiptar, sepse interesi i nacionalizmit aktual shqiptar definohet në aleancë me amerikanët, e jo në luftë kundër avokuesit më të madh për njohjen e shtetit të Kosovës. Bile ekziston një frikë e nënvetëdijshme kolektive te kosovarët, se po të dobësohen amerikanët në rrafshin global, Serbia përsëri do të dëshironte ta okuponte Kosovën, aq më pak për evropianët të cilët merrem më me rezervë në vendosmërinë e politikave të jashtme!

Ka edhe ushtarë që i kanë rënë pishman pse kanë shkuar në Siri, por kanë mbetur atje dhe po ashtu kanë frikë nga vrasja për dezertim! Nuk duhet hyrë në armiqësi as me ata që janë atje, duke mos i faktorizuar sikur të ishin yje filmash! Madje, shteti është dashur para miratimit të ligjit kundër shkuarjes, të thërriste me një deklaratë të gjithë ata nga Siria e Iraku dhe të njoftoheshin për ligjin që dënon më pas shkuarjen! Edhe nuk ka pasur ligj kundër luftimit global, edhe dënohen pse ishin dikur dhe janë aktualisht akoma! Pra, shteti duhet të jetë serioz dhe i përkushtuar. Si ndodh që një luftëtar kosovar teksa po luftonte në Siri, të mendojë se posa zbret në aeroport do të arrestohet dhe asnjë mundësi nuk i jepet të pendohet dhe të braktisë rrugën e luftës jashtë vendit?

Në këtë mënyrë, ky luftëtar kosovar në Siri e Irak, duke humbur shpresat se guxon të kthehet më në atdhe, pra në Kosovë, atëherë ai mund të kalojë edhe në hidhërime aq të mëdha, sakaq duke u mbushur atje dell thanatosi, edhe të na hakmerret apo të organizojë ndonjë sulm vetëm si mllef! Pra, shteti para miratimit të ligjit, do të duhej t’i bënte apel se tash e tutje do të dënohen luftëtarët globalë në luftëra të huaja jashtë vendit, t’i amnestonte dhe më pas, ata që do të provonin të ktheheshin pas afateve të hyrjes në fuqi të ligjit dhe amnestisë, t’i lejonte të ktheheshin në Kosovë në mënyrë legale. Në anën tjetër, këta që kanë kryer krime lufte dhe në një të ardhme dënohen nga Gjykata Ndërkombëtare apo Gjykatat Speciale Siriane dhe Irakiane, shteti kosovar do të duhej të bashkëpunonte me to, duke ekstraduar për gjykime jashtë vendit, me marrëveshje bilaterale, dhe duke u thënë atyre: ne si shtet nuk e dimë se çfarë kanë bërë atje gjatë luftës, prandaj nëse gjinden prova të drejtësisë kundër tyre, ju merrni vendime dhe ne ndihmojmë në suaza të mundësive për zbatim të drejtësisë vendore e ndërkombëtare, kundër krimeve të luftës, pavarësisht a janë shtetas të Kosovës apo jo?!


Një shqiptar i arrestuar nga pjesëtar të Policisë së Kosovës si i dyshuar për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme. (Foto/Kushtrim Tërnava, Gazeta EXpress)

Një shqiptar i arrestuar nga pjesëtar të Policisë së Kosovës si i dyshuar për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme. (Foto/Kushtrim Tërnava, Gazeta EXpress)

A flasim pak se çfarë është realisht terrorizmi?

Terroristët janë kërcënuesit e rendit juridik të një shteti, që zakonisht konsiderohen si aktorë jashtështetërorë, ndërsa kur shteti qeveris nëpërmjet frikësimit të popullatës duke shtypur shprehjen e lirë të mendimit, të drejtat njerëzore, mediet, opozitën etj., quhet edhe terror shtetëror. Terrorizmi nga shumë autorë njihet si arma e të dobëtit, por nganjëherë kjo armë bëhet shumë më e ‘fortë’ sesa armët super të forta të të fortit.

Zakonisht grupet e përjashtuara shoqërore, politike, etnike dhe fetare, përzgjedhin frikësimin e popullatës civile të një shteti, në mënyrë që të bëhet presioni nga popullata në elitat drejtuese shtetërore, për të ndërruar qasje ndaj grupit që e identifikon vetën të shtypur, apo që ka qëllime pushteti politik, kontroll e qeverisje. Grupet terroriste mund të jenë me qëllime separatiste, duke dashur të ndahen nga një shtet amë apo t’i bashkëngjiten një shtetit tjetër; të synojnë krijimin e një rendi të ri global, politik dhe sistemi të ri të vlerave; të promovojnë ideologji të caktuara etnike, nacionaliste, internacionaliste, fetare, fashiste, naziste, globaliste etj.

Terrorizmi rrjedh prej fjalës terror, frikë, trishtim, panik. Pra, shkurt e shqip, terrorizmi është metoda e frikësimit dhe sulmit të popullatës civile, për t’i bërë presion qeverisjes së shtetit në të cilën gjindet kjo popullatë. Terrorizmi mund t’i drejtohet me mesazh një shteti të caktuar, superfuqie apo organizate ndërkombëtare dhe globale si OKB-ja, apo superstrukture politike si BE-ja etj. Serbia edhe pse e quante Adem Jasharin terrorist shqiptar, me asnjë kriter shkencor dhe as politik, nuk ka qenë terrorist, pasi që Jasharajt ishin brenda shtëpisë së tyre, nuk kanë shkuar ta gjuanin ndonjë bombë në autobusin me civilë në linjën Nish-Beograd, apo të hedhnin ndonjë bombë në ndonjë fshat apo lagje kosovare ku banonin civilët serbë. Pra, terrorizmi ndonëse është edhe subjektiv, sepse për një shtet apo grupacion, ajo çfarë është terrorizëm, për tjetrin është heroizëm, në rastin e Adem Jasharit, nuk ka as argumente subjektive për një etiketë të tillë! Etiketat për terrorizëm islamik, për një pjesë të botës islame, konsiderohen etiketa jo të drejta, ngase këta terroristë, konsiderohen luftëtarë e çlirimtarë ndaj dominimit perëndimor në vendet me shumicë islame.

Pavarësisht kauzës së drejtë apo të padrejtë, sulmet ndaj popullatës civile, hedhja e bombave për të vrarë civilët si mjete politike dhe krijimit të panikut kolektiv në popullatë, quhen akte terroriste. Problemi në përkufizim të terrorizmit na paraqitet kur shteti izraelit gjuan bomba si në Gaza dhe dihet disa herë radhazi se po mbyten me shumicë civilët, por thotë se janë ‘dëme kolaterale’ dhe se nuk ka qenë qëllimi i gjuajtjes së civilëve. Ky fjalor përdoret edhe nga terroristët, duke thënë se ndonëse mbysim civilët, qëllimi jonë final nuk është mbytja e civilëve, por realizimi i synimeve tona ideologjike, politike, fetare, ekonomike etj.

Pra, nuk duket kollajshëm shtjellimi teorik i nocionit të terrorizmit, ndonëse shumica e autorëve mbi terrorizmin, nuk e quan terroriste aktin e mbytjes së civilëve nga bombat e NATO’s në Kosovë, sepse më shumë shihen si incidente apo aksidente, por në asnjë mënyrë terrorizëm. Në kontekstin e Izraelit, për mendimin tonë, mbytja e civilëve në Gaza paraqet terrorizëm dhe terror në të njëjtën kohë, sepse ushtrohet nga shteti, por edhe mbyten civilët radhazi! Njëherë mund të ndodh gabimi gjatë sulmeve, por jo edhe dhjetëra herë, madje edhe ata të shenjuar nga OKB-ja si civilë! Sidoqoftë, terrorizmi varet nga kush përdoret, në cilat kontekste dhe zakonisht në literaturën e kriminologjisë thuhet se terrorizmi në shumicën e rasteve ushtrohet nga aktorët jashtështetërorë, ndërsa terrori nga shtetet, ndonëse edhe këto nuk janë lehtësisht të dallueshme.

Shpesh shtetet e caktuara janë donatorët dhe mbështetësit për grupet terroriste. Madje, disa shtete krijojnë qëllimshëm grupe terroriste brenda territorit të tyre, për të mbajtur pushtetin elitat e caktuara politike, si mjet kontrolli të rezistencës dhe revolucionit popullor, duke i bërë apel popullatës: mos protestoni kundër nesh, as kundër varfërisë, as kundër papunësisë, etj., a po e shihni se jemi duke u ballafaquar kundër terroristëve dhe duhet të jemi të gjithë të bashkuar në këtë luftë?!! Po ashtu, elitat politike të korruptuara apo edhe diktaturat si Mubaraku në Egjipt, kërcënonin Bashkësinë Ndërkombëtare se, nëse ne nuk qeverisim, vijnë në pushtet ‘Vëllezëria Myslimane terroriste’?!

VAZHDON…!


Avni Rudaku është i lindur në Gjilan, Avniu ndryshe i njohur si Rud-Fiqiruesi, është “Bachelor i Psikologjisë” (2006), “Bachelor i Sociologjisë” (2008) dhe “Master i Sociologjisë” (drejtimi akademik, 2012) në Universitetin Publik të Prishtinës. Rudi ka botuar librat: “Poezi pa frymë” (2010) dhe “Pa frymëzime” (2011). Rudi njihet për analiza shkencore, publicistikë, poezi, analiza politike, kritika arti dhe recensione letrare. Aktualisht është kolumnist i rregullt i shtojcës javore për culture në gazetën “Kosova Sot”. Aktiviteti profesional i Rud-Fiqiruesit është i pasqyruar në ditarin e tij në http://www.fiqiruesi.wordpress.com

Avni Rudaku është i lindur në Gjilan, Avniu ndryshe i njohur si Rud-Fiqiruesi, është “Bachelor i Psikologjisë” (2006), “Bachelor i Sociologjisë” (2008) dhe “Master i Sociologjisë” (drejtimi akademik, 2012) në Universitetin Publik të Prishtinës. Rudi ka botuar librat: “Poezi pa frymë” (2010) dhe “Pa frymëzime” (2011). Rudi njihet për analiza shkencore, publicistikë, poezi, analiza politike, kritika arti dhe recensione letrare. Aktualisht është kolumnist i rregullt i shtojcës javore për culture në gazetën “Kosova Sot”. Aktiviteti profesional i Rud-Fiqiruesit është i pasqyruar në ditarin e tij në http://www.fiqiruesi.wordpress.com

Avni Rudaku, i njohur si Rud-Fiqiruesi, është analist shkencor në fusion e publicistikës, analizës politike, kritikë së artit, poezisë dhe recensioneve letrare. Aktualisht është kolumnist i rregullt i shtojcës javore për kulturë në gazetën “Kosova Sot”. Aktiviteti profesional i Rud-Fiqiruesit është i pasqyruar në ditarin e tij dhe në kontributin e tij profesional tek THEFrontliner.net Rudi, ka botuar librat: “Poezi pa frymë” (2010) dhe “Pa frymëzime” (2011).

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY