KA DHE S’KA TERRORIZËM NË KOSOVË!

Për Dembelët ABSTRAKT! A ka terrorizëm në Kosovë o ti shoq? Ka apo s’ka, e mos na dërgo herë atje e herë këtu – do të mund të na...
Një luftëtar shqiptar mban armën e tij, derisa vështron territorin e tij të sigurisë gjatë një orari kujdestarie në malet e kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë [Foto: Vedat Xhymshiti[

Për Dembelët ABSTRAKT!


A ka terrorizëm në Kosovë o ti shoq? Ka apo s’ka, e mos na dërgo herë atje e herë këtu – do të mund të na thoshte lexuesi! Përgjigje lakonike nuk ka. Ka, sepse kemi potencial frymëzimi ideologjik dhe të islamit politik. Fakti që disa duan të marrin pushtet, i bie se një ditë mund të kërkojnë që Kosova të bëhet me sheriat, të ketë polici morale për të mos pirë alkohol, të mos ketë puthje publike etj.

Pra, ka edhe një grup të vogël myslimanësh që do të donin të bëhej edhe sheriati në Kosovë, në nivel dëshire dhe bindjeje fetare dhe kjo s’fshihet dot në bisedat private. Disa do të thonin se, në kuptimin demokratik, përderisa përdorin metoda jo të dhunshme dhe jo terroriste, teoritikisht do të mund të kërkonin, sepse demokracia laike perëndimore, po na shfaqet zakonisht me alternativën tjetër të saj, fundamentalizmin fetar. Prandaj, edhe në nivel global, disa myslimanë besojnë se demokracisë liberale apo edhe kapitalizmit social në disa vende të botës që përpiqet të universalizohet, mund t’i dalim me alternativën e islamit. Mirëpo, shumica e kosovarëve janë të orientuar në integrimet evropiane, votojnë më shumë partitë që kanë proklamuar veten si të djathta, demokratike, perëndimore dhe shumica e kosovarëve, ndonëse ka rritje të frekuentimit të të rinjëve në xhamia, përsëri shumica përqafojnë islamin minimal në praktikë.

Ndonëse e djathta lidhet me konservatorizmin dhe fetarizmin, për kosovarët, kjo nuk vlen, sepse nuk i votojnë këto parti me bazë religjionin. Kosovarët duan që të jetojnë në shtet laik, ku feja më shumë merret si diçka personale dhe private, pa u përzier islami në jetën shtetërore. Pra, terrorizëm islamik nuk ka, por ekziston një frikë që bazohet në përshtypjet e krijuara nga institucionet shtetërore, mediet dhe zhvillimet globale, se mund të lind edhe në truallin tonë, e sidomos kur të vijnë në Kosovë, personat që kanë luftuar në Siri dhe Irak, dhe duke u bërë bashkërisht, mund të ndjejnë vetën në përkatësi të njëjtë, janë me çrregullime postraumatike të luftës dhe shumë lehtë mund të veprojnë terroristshëm, sakaq të cënojnë sigurinë dhe rendin publik, integritetin shtetëror dhe stabilitetin e vendit, kohezionin qytetar dhe kombëtar etj. Po ashtu, frika nga mosmirënjohja e Perëndimit dhe braktisja e Kosovës nga aleanca veri-atlantike, duke qenë se po ky Perëndim gjindet në konflikt aktual me një pjesë të grupeve të vetëidentifikuara si islame, detyron shqiptarët në Kosovë e gjetiu, të menduakan me trishtim, se nëse lind ndonjë rrymë terroriste islamike në Kosovë, mund ta humbim përkrahjen perëndimore dhe veçmas amerikane, prandaj secila lindje e celulave të terrorizmit islamik në Kosovë, do të duhej abortohej akoma pa u bërë as si ngjizje embrioni.

Po ashtu, etiketa si fundametalistë islamik për periudha të gjata kohore nga Serbia, pavarësisht a bëhen nga shërbimet e saj, apo nga vetë ne, apo nga rrymat globaliste pseudoxhihadiste, përsëri është frikë tjetër e kosovarëve, të cilët menduakan me të drejtë se, po i japim shkas Serbisë, që para botës, të arsyetohet edhe për politikën e dikurshme millosheviçiane të spastrimit etnik, duke krijuar frikën e ndonjë rehabilitimi kishe paska pasur të drejtë Serbia të luftonte shqiptarët, por edhe frikën për benefitet që mund t’i krijojë Serbia aktualisht dhe në të ardhmen, në arenën diplomatike ndërkombëtare, ngase sa herë kanë dhe s’kanë të drejtë për Kosovën, do ta lidhin me terrorizmin dhe fundamentalizmin islamik, duke u thënë Perëndimit: a ju thojshim edhe dikur për terrorizmin islamik dhe s’na besonit, por pas disa viteve, e kuptuat se si lulëzon xhihadizmi islamik edhe te shqiptarët?! Pra, u bë me qëllim apo pa qëllim, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm, çdo identifikim me islamin politik, Kosova nuk përfiton, madje dëmtohet shumë edhe në raport me Serbinë.


AKTUALISHT S’KA TERRORIZËM, S’PËRJASHTOHET!

E zgjate shoq, a ka terrorizëm islamik apo jo? E zgjata, por s’ka aktualisht. Askush nuk e mohon se s’mund të ketë! Asnjë grupacion fetar islamik nuk ka dalur të thotë: ne jemi ky grup, kërkojmë që të realizohet kjo kërkesë, sepse përndryshe, do të bombardojmë urën e fshejtë teksa kalojnë qytetarët e Gjakovës, as autobusin në hyrje të Prishtinës, as ndonjë stacion të Policisë së Kosovës etj.

As nuk ka dalur ndonjë grup të kërcënojë të rinjët e të moshuarit që janë duke pirë birra në lokalet e Kosovës, duke u thënë atyre se janë në haram! Pra, nuk flitet për polici morale islamike, as për luftimin në ndonjë pjesë të territorit të Kosovës, teksa kërkojnë ndonjë shtet islamik etj. Deri më tash ka pasur disa incidente nëpër xhamitë e Kosovës, të cilat kanë ardhur qoftë nga përplasje shkollash juridike islame, konflikte menhexhesh (drejtime rrugësh), ndonjë përplasje të të ashtuquajturëve ‘grup i Ehli Sunnetit’, të cilët nuk kanë duruar tyrbet e tarikateve islame, varrezat pranë xhamive, skulpturat me portrete të krijesave të gjalla etj.

Madje, kam ngritur një hipotezë se përplasja e imamëve ndonjëherë ka ndodhur për shkaqe punësimi, sepse xhamia është bërë një vend pune, ku imami përveç që merr një pagë, ai fiton bakshishe përmes këndimit të ‘jasinëve’ për të vdekurit, për ndonjë ‘rukne’ (lloj ekzorcizmi islam), për ndonjë varrim, kohën e namazeve të teravive gjatë muajit të Ramazanit etj. Pra, imamët janë rrahur edhe fizikisht edhe për çështje socio-ekonomike në emër të petkut islam, duke konkurruar për një vend pune dhe një pagë!

Luftëtarë ISIS, fotografia është marrë nga një faqe internet e grupit militant e verifikuar nga AP.

Luftëtarë ISIS, fotografia është marrë nga një faqe internet e grupit militant e verifikuar nga AP.

KA SHENJA TË KËQIJA PËR LINDJEN E TERRORIZMIT!

Përnime tash e teprove, a ka apo s’ka terrorizëm islamik në Kosovë, do të mund të na thoshte lexuesi me të drejtë, sepse u zgjatëm pak?! Absolutisht s’ka terrorizëm islamik aktualisht në Kosovë. Gjasat e lindjes janë, prandaj duhet të kemi kujdes, sepse duke dashur të abortojmë terrorizmin islamik akoma pa lindur, ne mund të gjenerojmë atë sikur në llojin e fekondimit artificial. Pra, të prodhojmë artificialisht terrorizmin islamik.

Në asnjë mënyrë nuk duhet luftuar terrorizmin vetëm me masa ndëshkimi, arrestimi, burgosje etj. Zakonisht teoria e etiketimit ka treguar se sa e rrezikshme është etiketa e dikujt si terrorist, sepse personi i etiketuar, e luan këtë rol më pastaj, ndërsa rolin ia jep shoqëria përmes ndonjë pamjeje të jashtme apo rituali. Të burgosurit për terrorizëm përnjëherësh të disa individëve, mund të ndërtojnë në këtë grup, ndjenjën se janë të persekutuar dhe kanë fatin e përbashkët tragjik, prandaj mund të krijojnë ndjenja përkatësie të njëjtë, që do të thotë edhe formim grupi rezistues, i cili duke  e ndjerë vetën të rrezikuar, bëhet tok dhe përgatitet për reaksion dhe hakmarrje.

Ne nuk duhet lejuar që të krijojmë ndjenja antishtetërore tek ata që janë duke e parë veten ndjekës të disa linjave më të ashpra doktrinare islame, sepse mosbesimi në shtet, krijimi i armiqësisë, ndërton tipe të rrezikshme grupacionesh terroriste dhe fundamentaliste. Në anën tjetër, kemi raste edhe të disa problemeve kur burgosen disa individë, qofshin edhe narkomanë, hajna etj., të cilëve kur u flitet për islam nga disa hoxhollarë brenda në burgje, konvertohen nga besimtarë minimalë në besimtarë që e marrin në fillim fenë, me shumë eufori dhe naivitet, prandaj nga të bërit prej gangsterit laik të kthehet në mysliman praktikues shumë i rrezikshëm, sepse tipat agresiv, sado që mund të ndikohen nga feja për zbutje qëndrimesh antisociale, përsëri mund ta nxjerrin ‘ujkun e përbrendësuar’.

Asgjë nuk është më i rrezikshëm një gangster që nuk niset fare nga premisa fetare, sesa një gangster i cili mund të bie preh e rrymave më ekstreme të islamit, sepse atë sjelljen delikuente e mafioze që e ka pasur sa ishte gangster laik, tash e konverton si diçka të mirë që bëhet në emër të Zotit! Nuk po themi për të gjithë, sepse ka shumë studime dhe përvoja në botë që tregojnë se psikologjia e religjionit në disa raste të kriminelëve të rëndë, ka ndikuar krejt pozitivisht për t’i integruar në shoqëri. Ka pasur edhe raste të tjera kur dikush nga narkodiller, është burgosur, është bërë shumë fetar në burgje, ndërsa kur është liruar, iu ka kthyer fesë në mënyrë strikte, por nuk ka zgjatur shumë kohë dhe përsëri iu ka kthyer vesit të moçëm.

Prandaj, përveç masave të sigurisë, duhet angazhim i psikologëve, sociologëve, pedagogëve, etj., për projekte të integrimit të mirëfilltë të të burgosurve pas lirimit nga grilat. Po ashtu, do të ishte mirë të kishte qendër antikultiste siç ka në Perëndim, e cila do të kishte për qëllime të ndihmonte të rinjët të cilët kanë qenë pjesë e indoktrinimit të lartë në grupe të vogla fetare dhe të deindoktrinohen, të integrohen në shoqëri pas jetës në komunitete të mbyllura fetare etj. Këtu rol të duhur do të kishin ata që kanë qenë dikur shumë fetarë dhe që kanë braktisur ritualet në mënyrë shumë praktikuese dhe rigjide, sepse do të tregonin krejt përvojën e tyre fetare, e cila do të ndahej me të tjerët në fokus grupe.


TERRORIZMI NË VERI DHE AMNESTIA

Prap do të mbeteshim te pyetja: a ka terrorizëm islamik në Kosovë? Së pari, terrorizmi i vërtetë ka qenë në Veriun e Kosovës, sepse ka pasur spastrime etnike ndaj shqiptarëve pakicë dhe kurrë aktet e tilla nuk janë quajtur terroriste. Së dyti, janë hedhur aq shumë bomba, janë terrorizuar banorët e Kroit të Vitakut dhe nuk janë lejuar të ndërtojnë shtëpitë e tyre, dhe asnjëherë nuk janë quajtur terroriste, por janë emërtuar herë si huliganë, herë ekstremistë. Së treti, janë pikërisht bombat e hedhura në Veri, spastrimi etnik dhe vrasja e civilëve, të cilat janë në plotkuptimin e fjalës, si akte terroriste, sepse kanë krijuar panik dhe dhunë trysnie në popullatën civile, kanë pasur qëllime të shpërnguljes së shqiptarëve nga Veriu etj.

Pra, nëse ka terrorizëm në Kosovë, ka qenë terrorizmi nga strukturat paralele serbe në Veri, të cilat edhe kanë gjuajtur bomba, edhe kanë vrarë civilë, policë të Kosovës, pjesëtarë të KFOR-it dhe asnjëherë thuajse nuk janë emërtuar si terroriste. Po ashtu, ato janë amnistuar dhe janë bërë pjesë edhe e strukturave të sigurisë në Kosovë. Pra, atje është lejuar në fakt terrorizmi dhe është shpërblyer, ndërsa në rastin e 40 të arrestuarëve, akoma prokuroria nuk ka dhënë dëshmi, të paktën për opinionin publik, se kanë gjetur skica të lokacioneve nëpër Kosovë se ku dëshironin të sulmonin apo bombardonin; akoma s’kanë dhënë dëshmi se kanë gjetur karta që do të dëshmonin identitetin e tyre apo të qenit pjesëmarrës të ISIS-it, etj., ndonëse në ditët në vazhdim do të mund të gjejmë më shumë të dhëna se kush ishin këta 40 të arrestuar dhe sa ka prova se i takojnë grupeve terroriste, apo se a kanë planifikuar ndonjë akt terrorist në Kosovë, që do ta cënonte rendin juridik dhe publik të Kosovës, duke dëmtuar pakrahasueshëm Kosovën si shtet dhe neve si qytetarë e njerëz.

Ku është materiali për terrorizmin islamik në Kosovë?

Edhe pas këtyre fjalëve, akoma duhet shtruar pyetjen: a ka terrorizëm islamik në Kosovë? Ka shenja të këqija. Këto shenja janë: raportimet për përplasje ndërmjet vetë myslimanëve brenda xhamive, paraqitja e kundërthënieve në mes të grupeve të ndryshme edhe brenda islamit sunit, raportimet se është dëmtuar kjo apo ajo tyrbe, se janë prekur varrezat e hebrenjve në Prishtinë; se janë shumë shqiptarë që luftojnë në Siri dhe Irak me grupet e quajtura xhihadiste, por edhe me ato që identifikohen edhe si terroriste dhe sidomos ka frikë se pas kthimit të tyre në atdhe apo edhe të qenit larg, mund të jenë individë të cilët nxisin ndonjë formë terrorizmi që u hakmerret amerikanëve në Kosovë, KFOR-it, etj; se janë kërcënuar deputetë pas qëndrimeve publike rreth fesë islame, se ka pasur edhe individë me profil e fotografi dhe anonimë të cilët kanë bërë pëlqime në faqen e Lavdrim Muhaxherit; se janë fyer simbolikisht dy figura që konsiderohen përbrendësime ikonash të nacionalizmit shqiptar me bazë ekstremizmin fetar; se ka pasur kërcënime verbale edhe në debatin e autorit të këtij shkrimi me imamin me ndikim të lartë social te një pjesë e xhematit mysliman, siç ishte debati në Klan Kosova, ku njëri prej komentuesve kishte shkruar keq e më keq, sikur një formë kërcënimi për palën tjetër përballë Krasniqit: “çka e kisha rrahur shpulla…”; se ka pasur kërcënime edhe fizike ndaj komunitetit LGBT-së nga disa të identifikuar si myslimanë, ndonëse këtu kanë marrë pjesë edhe tifozë futbolli prishtinas, të cilët nuk janë nisur nga feja, por nga homofobia, konservatorizmi tradicional, nacionalizmi (mesazhi shovinist i nënkuptuar: “qysh me infektue kombin shqiptar me homoseksualizëm?!!!”) etj.

Pra, ka disa shenja të kërcënimeve dhe rreshtimeve të gabuara, të cilat kur kombinohen në një vend si Kosova, me papunësi deri në 40 përqind, me varfëri të përhapur gjithandej, me sistem të dobët arsimor, me investime minimale në shkencë dhe kualitet të dobët të zhvillimit të saj, me zhvillim tekniko-teknologjik që mundëson të bërit pjesë e shumë rrjeteve globale të dyshimta, etj.


Një shqiptar i arrestuar nga pjesëtar të Policisë së Kosovës si i dyshuar për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme. (Foto/Kushtrim Tërnava, Gazeta EXpress)

Një shqiptar i arrestuar nga pjesëtar të Policisë së Kosovës si i dyshuar për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme. (Foto/Kushtrim Tërnava, Gazeta EXpress)

AMNESTIA NDAJ ‘TERRORISTËVE AKTUALË’

Së këndejmi, në përpjekje për të ndalur dorën rreth këtij parashtrimi të problemit, mund të themi: Në Kosovë s’ka terrorizëm islamik, por atë jemi në gjendje ta krijojmë shumë lehtë dhe mund të prodhohet vetvetiu edhe nga shumësi arsyesh lokale dhe globale. Prandaj, shteti duhet mbetur syçelë gjithmonë, pa nevojën që të pritet të kapen 40 të arrestuar, jo paraqitje të aksioneve si akte, por të jenë si procese të vazhdueshme të ruajtjes së sigurisë dhe parandalimit të çfarë akti që cënon jetën e qytetarëve, rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës.

AKI, policia, prokuroria, shkollat, universitetet, mediet, BIK, burgjet, qytetarët etj., duhet të ndihmojnë dhe bashkëpunojnë në secilin hap që parandalon lindjen e ndonjë krijese të padëshiruar dhe shumë të rrezikshme si terrorizmi. Ata që janë kthyer nga Siria dhe Iraku (disa edhe të arrestuarit e sotëm), pasi që nuk përfshihen akoma me ligjin që do t’ua ndalonte, sepse në kohën e shkuarjes së tyre nuk ka pasur ligj që i ndalonte ata të përfshiheshin në ndonjë konflikt të armatosur ndërkombëtar, mund të bëhet debat edhe për amnesti ndaj tyre për të shmangur lindjen e ‘terroristëve të parë brenda vendit, edhe në mënyrë zyrtare-juridike’. Po ashtu, shteti kosovar do të duhej të mos përsëriste gabimin për veteranët e UÇK-së, që të mos bëheshin programe të shëndetit mendor, që do të merreshim me trajtimin e Çrregullimit Postraumatik, sepse zakonisht me këtë janë të prekur ish luftëtarët e çfarëdo lufte, prandaj shteti duhet t’i konsiderojë qytetarë të vet këtë ‘luftëtarë globalë’ që nuk kanë vazhduar më tej luftën me grupe terroriste dhe të kujdeset për ta me programe riintegrimi social dhe ofrimi falas të ndihmesës psikologjike. Duke mos i kuptuar traumat e luftës, ata edhe më shumë mund të bëhen pjesë e grupeve të rrezikshme.

Po ashtu, edhe nëse gjejmë se ka ndonjë element që paraqet si terrorizëm islamik në mesin e 40 të arrestuarëve, përsëri duhet të mendojmë dhe të debatojmë si shoqëri: a mund t’i amnistojmë kësaj here? Nëse i amnistuam strukturat paralele dhe terroriste serbe në Veri, pse të mos i amnistojmë edhe këta? Pse bëhet praktikë botërore që të amnistohen? Pse amnistimi mund të ndalojë hakmarrjen dhe krijimin e përshtypjes se janë duke u ndjerë të rrezikuar si komunitet më praktikues fetar? Pra, dënime të rënda nëse gjinden elemente tash e tutje pa asnjë tolerancë, dënime për ndonjë leksion nëpër xhami ose hapësirë publike, përballje me drejtësinë për secilin imam apo individ nëse nxit urrejtje dhe cënim të rendit shtetëror e qytetar, por edhe që prekin tolerancën diversive religjioze etj.

Në literaturën mbi terrorizmin dhe praktikat e botës, fakti që luftën përfundimtare me terrorizmin nuk e kanë fituar as superfuqitë, duhet të marrim mësim dhe të jemi më kreativ në qasjen shumëdimensionale ndaj këtij fenomeni lokal e global. Kurrësesi nuk thërras për dorëzim! Terrorizmi në emër të Allahut është virus që kërkon programe të forta dhe kreative softuerike, më shumë se sa ato hardureike (fizike, policore a ushtarake).

Fakti që asnjë sulm nuk e kemi parë akoma në Kosovë, nuk e kemi parë asnjë të vdekur civil, asnjë bombë në emër të Allahut, nuk e kemi parë asnjë ekzistencë të ndonjë grupi kosovar brenda vendit tonë që kërcënon me terrorizëm, do të ishte argument shtesë për amnesti. Përndryshe, po ashtu, nuk mund ta mendoj Kosovën, ku nuk do të guxoja të braktisja fenë sepse dënohesh me jetë si murted; se nuk do të guxoja të pija birrë sepse ekziston ndonjë polici morale; se do të mund të këpusja krahun e ndonjë hajni sepse ka vjedhur duke e zbatuar sheriatin… Pra, nuk mund ta tolerojmë asnjë grupacion shovinist, i cili provon të na merr liritë individuale se çfarë duam të bëjmë me jetët tona gjersa nuk pengojmë liritë e të tjerëve.

Thjesht, nuk ka asnjë konsensus me ideologji që përjashtojnë liritë e tjetrit për të besuar çfarë të don. Në këtë gjë, s’mund të ketë tolerancë ekstreme ndaj intolerancës ekstreme, por mund të ketë vetëm tolerancë stacionare si taktikë ndaj intolerancës ekstreme!

Senatori Amerikan John McCain në fotografi me pjesëtar të ISIS në Siri.

Senatori Amerikan John McCain në fotografi me pjesëtar të ISIS në Siri.

Për ata që s’pritojnë: Arrestimi ka ndodhur pasi Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar një raport, ku flet për prishje të tolerancës fetare në Kosovë, ndonëse personat e përmendur edhe me emër e mbiemër në këtë raport, nuk janë arrestuar në aksionin e parë të gushtit. Arrestimi ka ndodhur pasi ambasadorja amerikane Jacobson i bëri thirrje përfaqësuesve të shtetit për të miratuar ligjin kundër shkuarjes së luftëtarëve kosovarë në luftërat xhihadiste e terroriste në Siri dhe Irak.

Arrestimi ka ndodhur pasi u shokua opinioni publik me prerjen e kokës dhe video-ekspozimin si krenari të një xhihadisti kosovar Lavdrim Muhaxheri. Arrestimi ka ndodhur pas një mesazhi të ish kryeministrit se Kosova nuk guxon të harrojë përkrahjen e izraelitëve dhe nuk guxon të rrëshqasi në antisemitizëm, pas një përkrahjeje të gjerë të opinionit publik kosovar dhe indinjatës ndaj sulmeve izraelite në Gaza, ndaj popullatës civile atje. Arrestimi ndodhi edhe në periudhën e ngërçit politik dhe mund të lidhet me ndonjë mesazh të ish partisë në pushtet, por edhe si mjet presioni nga bashkësia ndërkombëtare, pas lajmeve të njëpasnjëshme për luftëtarë të shumtë kosovarë me ISIS-in, një grupacion paramilitar islamik, i cili edhe po bën krime lufte në Irak e Siri.

Arrestimi i 40 personave u bë tashmë, ndonëse sipas raportimeve mediatike, disa nga të arrestuarit kanë qenë në biseda informative nga shteti jonë edhe më herët dhe ka pasur bashkëpunim të mirë. Prandaj, kjo e fundit mund të na parashtrojë pyetjen se pse ka pasur nevojë të arrestohen, ndërsa kanë mundur t’i dërgohet ftesa dhe të dorëzohen vetë, pasi që herë të tjera qenkan paraqitur vetë, ndërsa kësaj radhe duhej bërë një spektakël arrestimesh me forcë dhe me kamera, me numër të lart të policëve, me numër deri në dhjetëra të të dyshuarëve, për të dërguar mesazh se ne guxojmë ta luftojmë terrorizmin, mundemi dhe ia dalim?!

Arrestimet qysh e di unë, vijnë kur të dyshuarit mendohet se mund të ikin, nuk u binden autoriteteve, ka prova se mund të largohen nga shteti, etj. Fakti që janë arrestuar pa i ftuar, rezultati do të duhej të dilte të paktën me 30 të dënuar! Mënyra e këtij aksioni do të del më e besueshme, nëse shohim gjetje provash për dënime! Përndryshe, me të vërtetë emri më i mirë i këtij aksioni do të ishte: Spektakël, se jo mahi! Ndërsa, nëse do të gjinden prova, do të duhej të kishte edhe ndonjë medalje për prokurorinë dhe policinë, sepse kjo do të ishte guxim dhe inkurajim shtesë për luftën kundër terrorizmit.

Këtë luftë që akoma nuk e fituan as superfuqitë, ndonëse ekziston edhe mendimi tjetër se, po të donin, do ta shuanin sikur Al Kaidën! Madje ISIS-in që kërkon prishjen edhe të Qabesë së shenjtë për myslimanët, disa e kanë marrë si shenjë të ardhjes së Imam Mehdiut, që konsiderohet nyja lidhëse në mes të shenjave të vogla dhe të mëdha të fundit të botës dhe disa të tjerë si grup i krijuar nga agjendat e shteteve fqinje! Sidoqoftë, lufta ndaj terrorizmit më shumë se me muskuj, bëhet me tru!


Avni Rudaku është i lindur në Gjilan, Avniu ndryshe i njohur si Rud-Fiqiruesi, është “Bachelor i Psikologjisë” (2006), “Bachelor i Sociologjisë” (2008) dhe “Master i Sociologjisë” (drejtimi akademik, 2012) në Universitetin Publik të Prishtinës. Rudi ka botuar librat: “Poezi pa frymë” (2010) dhe “Pa frymëzime” (2011). Rudi njihet për analiza shkencore, publicistikë, poezi, analiza politike, kritika arti dhe recensione letrare. Aktualisht është kolumnist i rregullt i shtojcës javore për culture në gazetën “Kosova Sot”. Aktiviteti profesional i Rud-Fiqiruesit është i pasqyruar në ditarin e tij në http://www.fiqiruesi.wordpress.com

Avni Rudaku është i lindur në Gjilan, Avniu ndryshe i njohur si Rud-Fiqiruesi, është “Bachelor i Psikologjisë” (2006), “Bachelor i Sociologjisë” (2008) dhe “Master i Sociologjisë” (drejtimi akademik, 2012) në Universitetin Publik të Prishtinës. Rudi ka botuar librat: “Poezi pa frymë” (2010) dhe “Pa frymëzime” (2011). Rudi njihet për analiza shkencore, publicistikë, poezi, analiza politike, kritika arti dhe recensione letrare. Aktualisht është kolumnist i rregullt i shtojcës javore për culture në gazetën “Kosova Sot”. Aktiviteti profesional i Rud-Fiqiruesit është i pasqyruar në ditarin e tij në http://www.fiqiruesi.wordpress.com

Avni Rudaku, i njohur si Rud-Fiqiruesi, është analist shkencor në fusion e publicistikës, analizës politike, kritikë së artit, poezisë dhe recensioneve letrare. Aktualisht është kolumnist i rregullt i shtojcës javore për kulturë në gazetën “Kosova Sot”. Aktiviteti profesional i Rud-Fiqiruesit është i pasqyruar në ditarin e tij dhe në kontributin e tij profesional tek THEFrontliner.net Rudi, ka botuar librat: “Poezi pa frymë” (2010) dhe “Pa frymëzime” (2011).

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY