7 Shkronja

Universiteti në Kosovë, për dekada të tëra – pos që ka shërbyer në nxjerrjen e kuadrove të reja profesionale – poashtu ka qenë foleja e lëvizjeve për çlirim kombëtar...

Universiteti në Kosovë, për dekada të tëra – pos që ka shërbyer në nxjerrjen e kuadrove të reja profesionale – poashtu ka qenë foleja e lëvizjeve për çlirim kombëtar dhe drejtësi shoqërore. Universiteti jepte siparin e të gjitha transformimeve të mëdha historike të Kosovës. Pas luftës, sistemi politik nuk rreshtë së penguari Universitetin në rrjedhën e tij akademike, duke u interferuar përmes partive politike dhe marionetave të tyre: shumicës së organizatave kuazistudentore. Studenti është tëhuajsuar dhe është futur në një letargji e amulli të pashpresë, që vetëm përmes një përqasjeje intervenuese radikale mund të zgjohet nga gjumi i thellë dhe të angazhohet në shoqëri dhe për shoqërinë. Historikisht, studenti ka qenë lokomotiva e gjithë shoqërisë dhe sot nuk ka asnjë arsye që fushëveprimi i tij të kufizohet përbrenda gardhit të Universitetit.


Autori Fitim Salihu, është kontributes i rregullt tek THE Frontliner — (Foto/Vedat Xhymshiti)

Autori Fitim Salihu, është kontributes i rregullt tek THE Frontliner — (Foto/Vedat Xhymshiti)

Aktivizmi politik është pjesëmarrje direkte në vendimmarrje; vetë forma më burimore e demokracisë së vërtetë. Ky aktivizëm mund të jetë i shkëputur prej partive politike dhe prapseprap të jetë krejtësisht politik. “Politik”, sepse politikë është çdo preokupim i një qytetari për shoqërinë. Edhe kur indinjohemi se s’ka rrymë a s’ka ujë kjo është politikë. Prandaj, nuk kemi pse ngurojmë kur të tjerët na thonë se paskemi qëllime politike. Po, sepse çdo angazhim shoqëror është njëherazi angazhim politik.

Marksizmi është teori që rendet të sqarojë shtypjen, varfërinë, pabarazinë dhe të ofrojë rrugëdaljen teorike të çlirimit për punëtorët, të varfërit dhe të gjithë të shtypurit e të anashkaluarit e tjerë të shoqërisë. Pos lëvizjeve punëtore, nga marksizmi janë frymëzuar shumica e teorive e lëvizjeve emancipuese të dy shekujve të kaluar, si: lëvizjet nacionalçlirimtare e antikolonialiste, lëvizjet feministe e antihomofobe, lëvizjet antiraciste e antifashiste, etj. Siç pohon një studiues britanik, Terri Igëllton, marksistët janë si mjekët. Mjekët (lexo: marksistët), ndonëse nuk duan që të ekzistojnë vetë ata – d.m.th., të mos ketë sëmundje (lexo: varfëri dhe shtypje) – prapseprapë, për sa kohë njerëzimi kërcënohet nga sëmundjet (lexo: sistemi që prodhon varfërinë), ekzistojnë edhe mjekët (lexo: marksistët).

Pra, vetë ata punojnë që ta zhdukin shkakun e ekzistencës së tyre. Ndonëse për shkak të së kaluarës historike, marksizmi prore e ka stigmën pas vete, studiuesit e rinj menjëherë mund ta shquajnë se teoria marksiste udhëzon njerëzimin kah liria, barazia, vëllazëria, mirëqenia dhe nuk ka të bëjë asgjë me diktaturat e Stalinit, Enverit apo koreanoveriorëve, të cilët e kanë keqpërdorur këtë teori për interesat e tyre. Kësodore, rikthimi i rinisë kah e majta dhe kah studimi i teorive ekonomike të Marksit, padyshim që do të na përforconte në shpjegimin e krizave ekonomike, papunësisë, varfërisë, shtypjes politike, tëhuajsësimit kulturor, etj.

Kultura në këtë kohë konsumerizmi nuk merret më si krijimtari që plotëson nevojat e njeriut, por si një kategori ekonomike ku aplikohen ligjet e tregut (prodhim për konsum) dhe që funksionon brenda logjikës së tregut. Pra, kemi jokulturë që po e imiton kulturën, ndonëse arti i mirëfilltë krijues kurrënjëherë s’e ka duruar tregun e logjikën e tij. P.sh., libri duhet të kthehet në piedestalin e tij dhe duhet parë si mjet emancipimi e jo si mall konsumi. Kjo vlen tejendanë dhe kësisoji kultura e mposhtë jokukulturën, kitsch-in dhe shcund-in.

Transformimet shoqërore janë ushqimi i historisë njerëzore. Bota nuk ka përparuar duke ndjekur një vijë evolutive zhvillimi, por pikërisht mbi transformimet rrënjësore, në momentet e ndërprerjes së zhvillimit gradual të historisë, kur në një javë ndodh ajo që nuk do të ndodhte për njëzet vjetë zhvillimi linear. Rrjedhimisht, rebelimi është pjesë e pandashme e shpirtit njerëzor. Ai që studion zë të mendojë në mënyrë kritike. Kur kjo të ketë ndodhur, ka filluar vetë ndryshimi. Të drejtën universale të të rebeluarit në situata shtypjeje e gjeni kudo – edhe tek skllevërit e lashtë, tek profetët e monoteizmit, tek Xhon Lloku a Rusoi, tek Deklarata amerikane e Pavarësisë apo Deklarata franceze e të drejtave të njeriut.

Feminizmi është teori e lëvizje politike që shtjellon barazinë mes gjinive. Burri e gruaja në shoqëri duhet të jenë të barabartë edhe në të drejtat edhe në përgjegjësitë e tyre. Diskriminim gjinor nuk është vetëm shtypja, por edhe mëshira e keqardhja për ndonjërën gjini. Në shoqëritë konservatore patriarkale vazhdon të mos ketë standarde të njëjta për të dy gjinitë. P.sh., për të njëjtin veprim, një burrë quhet ‘donzhuan’, kurse një grua etiketohet ‘lavire’. Kapërcimi i këtij morali arkaik dhe emancipimi i plotë gjinor janë parakusht i një emancipimi më të gjerë politik gjithëshoqëror.

Shqipëria ndërmjet melankolisë romantike dhe domosdosë praktike. E drejta e popujve për vetëvendosje dhe bashkimi kombëtar sot, më shumë sesa folklorizëm i shekullit XIX na paraqitet si domosdoshmëri ekonomike dhe politike. Natyrisht, bashkimi s’mund të bëhet nga elitat për t’ua lehtësuar shtypjen, por nga masat për ta përshpejtuar çlirimin shoqëror. Bashkimi mund të mos ndalet në kufinjtë etnik dhe mund të marrë përmasa të një bashkimi politik/emancipues rajonal.

Fitim Salihu, është përkthyes artikujsh, kapitujsh e librash shqip-anglisht dhe anglisht-shqip. Ai është studiues i spikatur i marrëdhënieve ndërkombëtare, neokolonializmit dhe filozofisë së historisë. Fitimi, shkruan editoriale dhe analiza politike. Ai një kohë të gjatë udhëhoqi organizatën studentore aktiviste "Klubi Politik i Studentëve" dhe vazhdimisht merret me qytetari aktive. Gjatë vitit 2015, ai punoi si redaktor për kulturë në të përditshmen Zëri.info në Prishtinë. Pos gjuhës amtare, flet rrjedhshëm edhe anglishten dhe mjaftueshëm spanjishten e turqishten.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY

  • »In praise of WikiLeaks« Jill Stein

    I’ve gotten a first—hand look at how the establishment attacks people who challenge the status quo. These attacks are intended to brand their targets as pariahs and stigmatize anyone...
  • Berati dhe belaja me Turqinë

    Unë ngritem për të mbrojtur lirinë e shprehjes, por nuk mund të hesht kur një imam apo i ri dënohet për nxitje të dhunës derisa gazetarët duartrokiten. Unë jam...
  • Are Black Lives Terrorist Lives?

    Well, this is what happens when the full force of the domestic state-terrorism apparatus sets itself against the innocent and frequently impoverished citizens of colour that mistakenly chose to...
  • If Other Professions Were Treated Like Photography…

    what if other professions were treated like photography? Here’s what a “part-time professional’s” Facebook posts might look like if other careers experienced the “everyone’s a photographer” phenomenon,...