Nesër ka me kon' dje!

Po, nesër ka për të qenë dje! Nesër, kur zhvillohet seanca e Kuvendit asgjë nuk do të ndryshojë. Avazi i vjetër ka për të vazhduar! Ky shkrim nuk i...
«»cFitim Salihu

Po, nesër ka për të qenë dje! Nesër, kur zhvillohet seanca e Kuvendit asgjë nuk do të ndryshojë. Avazi i vjetër ka për të vazhduar! Ky shkrim nuk i drejtohet asnjë partie (jo)politike në veçanti, por të tërave gjithunji dhe sistemit ku janë strehuar.


 

ilustrim

ilustrim

Avazi i njëjtë, përkundër maskaradës trumbetuese e tiradës entuziaste, që varion prej teorizimeve patetike e gjer tek masturbimet sofiste të atyreve që presin diçka të re prej njerëzve të konsumuar. Ajnshtajni thoshte se është marrëzi të presësh rezultate tjera nga mjetet e vjetra dhe të tashmëkonsumuara. Gjithsecili që beson tek qeveria e re a e vjetër, tregon naivitetin e tij dhe shpërfaq lajthitjen në të kuptuarit se sistemi i këtillë parlamentar nuk është asgjë më shumë sesa vegël për ushtrimin e pushtetit të elitave sunduese në këtë formacion shoqëror-ekonomik. Këta nuk janë përfaqësues të popullit, këta janë përfaqësues të kapitalit. Ky parlament është një nga elementet e superstrukturës, por që bazën e ka tek marrëdhëniet e prodhimit, e, të cilat siç i provojmë çdo ditë mbi kurriz, janë të bazuara në skllavërimin e punës (edhe atëherë rrallë kur gjen punë në Kosovë). Prandaj edhe ky parlament – si një nga elementet e Aparatit Ideologjik, siç do të thoshte Altuseri – nuk ka se si të jetë përfaqësues i popullit dhe nuk ka se si të dalë jashtë kësaj logjike oligarkike, këtij modus operandi, mu siç vepron tejendanë. Empirikisht, krahasoni të ardhurat mesatare mujore të qytetarëve të Kosovës dhe ato të parlamentarëve tonë – pa asnjë dallim – dhe bindeni vetë!

Grackat e ideologjisë hegjemone i vëren edhe tek ata që kritikën nuk e kanë sistemore, por individuale. “Të hiqet Thaçi, pavarësisht se vazhdon thaçizmi!” Anaprapthi, mendimtari Sllavoj Zhizhek, jep një goditje të fortë pikërisht kësaj ideje pseudoradikale, duke parafrazuar Leninin dhe duke shpjeguar se kur Lenini përcaktonte demokracinë liberale si formë të diktaturës borgjeze, ai nuk nënkuptonte me këtë një nocion të thjeshtë se si demokracia është me të vërtetë e manipuluar, thjesht një fasadë, se si një klikë e fshehtë në të vërtetë është në pushtet dhe kontrollon gjërat, dhe se, në qoftë se kërcënohet nga humbja e pushtetit me zgjedhje demokratike, ata do ta tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë dhe do ta marrin pushtetin e drejtpërdrejtë. Ajo që ai thotë është se vetë forma e vërtetë e shtetit borgjez-demokratik – sovraniteti i pushtetit të tij në presupozimet e tij ideologjiko-politike – mishëron një logjikë “borgjeze”.

E, autori i shquar i letrave shqip, Petro Markoja dikur shkruante se “ata që e gënjejnë popullin janë më tiranë se ata që e shtypin”. Kështuqë s’ka nevojë ta bëjmë hisyhedhësin dhe manipuluesin e masave. Gjërat t’i themi si janë dhe të aspirojmë drejt asaj se si duhet të jenë! Pak si shpesh, ata që zihen ngushtë dhe nuk kanë përgjigjie e argumente për gabimet e veta, rëndom ta shtrojnë pyetjen “po hë, çka po thu me bo?”… Po i rikthehem Zhizhekut, që mendoj se i jep një përgjigjie të duhur kësaj pyetje tek artikulli i tij i pakmëhershëm “Vetëm një e majtë radikale mund ta shpëtojë Evropën”, ku thotë: “Këtu qëndron mesazhi i vërtetë i protestave popullore “të paarsyeshme” rreth e qark Evropës: protestuesit e dinë mirë se çfarë nuk dinë, ata nuk pretendojnë të kenë përgjigjie të shpejta e të lehta, mirëpo ajo që u tregon instinkti është prapëseprapë e vërtetë – se as të pushtetshmit nuk ia kanë haberin. Në Evropën e sotme të verbrit po u tregojnë rrugën të verbërve.”

Në shoqërinë tonë, i vetmi lajm i mirë në këto kohë pa kohë është se tek rinia ka zënë të vdes shpresa tek ky sistem dhe mjetet shterpë që na ofron ai. E veç kur nuk ka më shpresë atëherë fillon të ketë shpresë!

Fitim Salihu, është përkthyes artikujsh, kapitujsh e librash shqip-anglisht dhe anglisht-shqip. Ai është studiues i spikatur i marrëdhënieve ndërkombëtare, neokolonializmit dhe filozofisë së historisë. Fitimi, shkruan editoriale dhe analiza politike. Ai një kohë të gjatë udhëhoqi organizatën studentore aktiviste "Klubi Politik i Studentëve" dhe vazhdimisht merret me qytetari aktive. Gjatë vitit 2015, ai punoi si redaktor për kulturë në të përditshmen Zëri.info në Prishtinë. Pos gjuhës amtare, flet rrjedhshëm edhe anglishten dhe mjaftueshëm spanjishten e turqishten.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY