LIDERSHQIPI NUK TRONDITET, POR ANËTARËT DHE AKTIVISTËT E THJESHTË!

Doracak socio-psikologjik mbi reagimet e aktivistëve ndaj transformimit të LV-së  Në këtë doracak do të gjeni: Pse po tronditen shpirtërisht aktivistët dhe anëtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE? Cilat ishin katër...

Doracak socio-psikologjik mbi reagimet e aktivistëve ndaj transformimit të LV-së 


Në këtë doracak do të gjeni:

  • Pse po tronditen shpirtërisht aktivistët dhe anëtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE? Cilat ishin katër thyerjet e mëdha të LV-së?
  • Pse gjenerata e parë e aktivistëve, të cilët ikën nga LV-ja dhe u shpallën heretikë dhe agjentë, nuk e përjetuan aq traumën dhe u ndanë shumë më lehtë nga ‘sekti politik’ i LV-së?
  • Kush janë përgjegjësit kryesorë që po tronditen aktivistët nga transformimet e vazhdueshme të LV-së?
  • Si ka ndikuar fryma e brendshme e LV-së, shkolla e saj politike për formimin e aktivistëve dhe anëtarëve, duke riprodhuar besimin pa asnjë dyshim në udhëheqësinë e saj dhe sot s’kemi fare zëra nga brenda, që shfaqin mendime alternative dhe të gjithë heshtin?
  • Si përdoret filmi, librat e përzgjedhur dhe disiplina brenda LV-së, që aktivistët në fillim të bëhen të devotshëm dhe pse aktivistët e thjeshtë nuk ndryshojnë aq shpejtë, ndërsa ndryshon udhëheqësia?
  • Si po përjetohet kompleksi i inferioritetit nga aktivistët e rinj në moshë në raport me aktivistët e vjetër në moshë të Prishtinës dhe përvojën e LV-së?
  • Si mund të shpjegohet me psikoanalizë tronditja që pëson aktivisti i ri, nëse e ‘vret heroin e vet’, apo braktisë ‘të atin’?!

Këto dhe çështje të tjera të natyrës së organizimit, ideologjizimit dhe se si formësohet mendimi brenda LV-së, duke ndikuar dukshëm në tronditjen e thellë të aktivistëve, teksa njoftohen prej televizionit për ndryshimin e kursit politik të LV-së, do të jenë pjesë e këtij doracaku! Ndërsa si parim nga tema, mund të rezultojë kjo: për udhëheqësinë më të lartë të LV-së, nuk ka asnjë tronditje, pavarësisht ndryshimit të tyre kontrovers, ndërsa për aktivistët, anëtarët, simpatizantët dhe publiku i gjerë, tronditja përjetohet shpeshherë edhe rëndë! Thjeshtë, ata mësohen t’u besojnë udhëheqësve të tyre dhe jo rrallëherë lartësojnë gabueshëm kultin e liderit të papërsëritshëm dhe ndryshimet ia lënë jo bazës, por vijnë nga maja e kokës së organizatës e deri në anëtarin më të thjeshtë! Transformimi radikal i vetë LV-së është edhe projektim i dështimit të revolucionit nga shoqëria e gjerë dhe shteti kosovar, në transferin e këtij dështimi duke e sublimuar në veten e saj si subjekt politik! Mesazhi konciz psikologjik nga LV-ja: nëse nuk e ndryshuam shoqërinë radikalisht siç e synuam që nga fillimi, po e ndryshojmë tani më lehtë bile vetveten! Pra, LV-ja nga LËVIZJE REVOLUCIONARE, u shndërrua në LËVIZJE E REVOLUCIONARIZUAR NË DHE PËR VETVETEN E SAJ!


I — KATËR TË VËRTETAT E TRONDITJES – ‘VUAJTJA BUDISTE’ E LËVIZJES VETËVENDOSJE!

E vërteta e parë e tronditjes së aktivistëve është se, Lëvizja VETËVENDOSJE! duke premtuar ndryshime radikale për shoqërinë, ekonominë, qeverisjen dhe shtetin e Kosovës, u bë vetë ndryshimi radikal. Nga lajmi për ndryshime radikale, u bë ndryshimi për vetveten! Tronditja e aktivistëve është se pas marrëveshjes së Albinit me treshen potenciale për formimin e Qeverisë së ardhshme, si bashkim paselektoral të forcave kundër koalicionit të PDK-së, më 10 shtator 2014, në vend të përjetimit të ndryshimeve rrënjësore të shoqërisë dhe shtetit kosovar, e panë ndryshimin e liderit të tyre, Albin Kurtit, dhe në përgjithësi të ecejakave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

E vërteta e dytë e tronditjes së aktivistëve me Lëvizjen Vetëvendosje ndërlidhet sidomos me katër momente të rëndësishme kronologjike dhe politike për këtë subjekt politik:

  1. Protestat anti-Ahtisaarit, më 10 shkurt 2007 dhe mosvazhdimi i tyre në kohën e masivizimit të masës së gjerë, të indinjuar me dhunën brutale të policisë së UNMIK-ut, vrasjen e dy qytetarëve dhe dhjetërave të plagosurve;
  2. Vendimi për të marrë pjesë në Zgjedhjet Parlamentare, më 12 qershor 2010 dhe,
  3. Konferenca e famshme më 10 qershor 2014, me titull: “Nuk ka qeveri Thaçi 3 – Urime të gjithëve!”;
  4. Nënshkrimi i marrëveshjes së LAN-it me LV-në për disa parime të ardhshme të formimit potencial të Qeverisë së ardhshme, më 10 shtator 2014, dhe paraqitja e liderit Kurti bashkë me Isa Mustafën dhe Ramush Haradinajn.

E vërteta e tretë e tronditjes së aktivistëve ndërlidhet ngushtë vetëm me disa sjellje të papritura të vetë liderit Albin Kurti në marrëdhënie me publikun, shfaqjen e tij me kravatë dhe deklaratat e tij kundërthënëse në disa paraqitje të tij, dhe me ndonjë ngjarje, si ato akuzat bombastike të Kamishit, i cili po e akuzonte rëndë Kurtin, për një raport të policisë së UNMIK-ut në rrugën për në Klinë që lidhej direkt me liderin e LV-së; rreth dyshimeve për një batanije, suxhuk dhe lidhjen misterioze me serben, vajzën e ish ministrit të drejtësisë së Serbisë millosheviçiane! Kjo akuza e fundit, ndonëse e krijoi njëfarë tronditjeje tek aktivistët në përgjithësi dhe publiku i gjerë që ndonëse nuk ishte në LV, e simpatizonte Kurtin, nuk arriti edhe të depërtote aq shumë në besueshmëri tek aktivistët dhe opinioni publik (por jo edhe pa ndikim), duke qenë se akuzat po vinin nga një person jo i besueshëm, pa ndonjë gjuhë profesionale dhe shihej si akuzë e SHIK-ut, si hakmarrje për denoncimin e saj si organizatë kriminale nga LV-ja! Por nuk ishte edhe pa tronditje, sepse po përbaltosnin dhe po vënin në dyshim ‘pastërtinë morale dhe kombëtare’ të liderit të LV-së! Sidoqoftë, me kalimin e kohës, këto akuza më shumë u shndërruarn në argëtim publik, sidomos lidhur me ‘suxhukin dhe qebaptoret’, sesa në ndonjë besueshmëri të opinionit! Apo, aq ishte i fuqizuar ‘kulti i Kurtit’, sakaq nuk ishte lehtë të demitizohej ai, por kjo ndërlidhej më shumë edhe për mënyrën e akuzës, vetë folësin pa kredibilitet, ultimatumin e parealizuar nga Kamishi për qitje të fakteve në dritë dhe mbylljes me kaq!

E vërteta e katërt, e cila nuk është valide në kuptimin objektiv, është pakënaqësia subjektive e aktivistëve të caktuar, të cilët janë tronditur vetëm për shkak të pritshmërive të tyre individuale joreale apo egoiste dhe për këtë tronditje, fare s’do të na intereson dhe fare hiç nuk do të merremi me këtë tip të tronditjes që ka për bazë interesat partikulare dhe joparimore, të cilat mund të gjinden tek individët anëtarë që përfshihen në secilin grup shoqëror! Këta individë të cilët tronditen edhe pa arsye objektive por me pakënaqësi subjektive, mund të tronditen individualisht, por jo edhe në përgjithësi të kenë ndikim tek aktivistët. Kjo i ndodh secilit grupim shoqëror, politik, fetar, letrar apo biznesor, ku individë të caktuar, të cilët për shkak se nuk përmbushin apetitet e tyre individuale, tronditen se si grupi nuk i përmbushi dëshirat dhe teket e tyre egoiste, thua se grupi është bërë për individin, e jo balancim interesash reciproke dhe raporte demokratike individ-grup, dhe anasjelltas. Ndonëse parimi i LV-së se “nuk ekzistonte individi në LV”, po ashtu ka qenë zbehje e individualitetit krijues, dhe shndërrim të individit në turmë, apo përngjasim të shumë aktivistëve me sjelljet, gjestet dhe formulimet, sikur të Kurtit! Shpesh njerëzit edhe kanë thënë: i njoh që janë të LV-së, se janë më të ashpër në gjuhë, më shumë lëvizin edhe me gjestikulacione, janë shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin dhe shpesh kur të flasin të tjerët, thua se po flasin ‘albinët e vegjël’! Kjo ka ndodhur nga një filozofi e gabueshme e përzierjes së egoizmit me personalizmin dhe individualizmin, duke e përkthyer secilin individualitet apo mendim më ndryshe, si egoizëm dhe prishje të interesit të përgjithshëm! Kjo e mbyste kreativitetin, origjinalitetin dhe mendimin kritik brenda organizatës! Ndonjëherë edhe përdorej qëllimshëm si demagogji, për të nxitur bindjen, konformizmin dhe përshtatjen absolute në grup, por edhe duke u mbrojtur nga ndjeshmëria e kritikës dhe duke qenë paksa cinikë ndaj autokritikës brenda subjektit! Nuk po themi se në subjektet e tjera partiake ka pasur më shumë demokraci të brendshme dhe shprehje më origjinale të individualitetit, sepse kjo duhej të ishte në korniza të disa besimeve të përafërta posa përfshiheni në secilin grupim, por LV-ja duke i qitur standarde të larta vetvetes, duhet gjykuar dhe qortuar më shumë në mosrealizimin e premtimeve të saj, sesa subjekteve të tjera që nuk e kanë parë vetveten me ‘terma të cilësisë më të lartë, më superiore dhe më absolutiste’! Sidoqoftë, edhe subjektet e tjera politike kanë qenë shumë më autoritariste dhe liderët apo grupe të vogla kanë përcaktuar të gjitha rrjedhojat brenda subjekteve të tyre politike, por për LV-në është pritur shumë më shumë të ndërtonte një kulturë të forcimit të debatit kritik brenda saj, sesa në të tjerat subjekte. Bile, kjo mbytje e kritikës, jo rastësisht ka bërë që pak apo aspak zëra brenda LV-së, të mund t’i dëgjoni rreth mospajtimeve të tyre, duke heshtur dhe duke e përjetuar tronditjen vetëm në mënyrë individuale dhe personale për procese të caktuara politike! Madje, për të qenë gjithmonë në tendencat për të vërtetën, në subjektet e tjera politike, sado autoritariste të jenë, kanë lejuar të shfaqeshin individë të së njëjtit subjekt politik, me qëndrime të ndryshme, qoftë në raport me njëri-tjetrin, qoftë në raport me partinë e tyre. Bie fjala, Lutfi Haziri kishte krejt qëndrim tjetër lidhur me shamitë e nxënëseve në krahasim me LDK-në si subjekt politik apo në raport me kreun e saj, Isa Mustafën! Unë e di që kjo ka ndodhur edhe për qëllime elektorale dhe propagandë, por po flasim për disa të mira që i kanë shfaqur partitë e tjera politike, të cilat janë demonizuar nga LV-ja si më autoritariste, ndërsa në praktikë ka treguar se ka gabuar me mënyrën e ndërtimit të debatit të brendshëm!

Pra, janë këto katër të vërteta që ndërlidhen figurativisht dhe filozofikisht edhe me katër të vërtetat që pati shpallur Buda rreth jetës dhe njeriut, duke i lidhur të gjitha vuajtjet me lakminë e njeriut dhe për ndryshimet e VV-së, po lidhej me lakminë për pushtet, e që do të ishte krejt normale kjo lakmi sapo të shfaqej një subjekt politik, por ja që e keqja këtu mbetej papranueshmëria e politikës si dëshirë për pushtet nga LV-ja, por si dëshirë për të ruajtur parimet e drejtësisë, sinqeritetit, barazisë dhe vetëvendosjes së popullit! Në fakt, LV-ja luante rolin edhe të Budës, për ta ‘përndritur’ popullin në rrugën e heqjes së vuajtjeve (varfërisë, papunësisë, varësisë nga ndërkombëtarët, bashkimin e Veriut me Jugun, zhdukjn e korrupsionit, vetëdijesimi për decentralizim, etj.) dhe të Jezu Krishtit, si shpëtimtar i vetëm për popullin! LV-ja në fakt pretendonte se ishte bërë si vetflijim për mëkatet e popullit (por edhe kombit në të gjithë hapësirën shqipfolëse apo edhe njerëzimit!), sesa për ekzistencën e vetvetes dhe vetë vullnetit të saj për pushtet! Me kalimin e kohës, vetëm se ‘Krishti’ nga Perëndi po shndërrohej në njeri me dobësi, dëshira dhe lakmi, siç po thoshte edhe Buda, i zgjuari! Edhe vetë liderët udhëheqës të LV-së (dhjetshja e famshme) ndonjëherë shfaqeshin me tipare të theksuara të mesianizmit, të njohura si fenomene në teoritë politike dhe psikologjike të liderëve e grupeve të ndryshme politike, fetare, apo edhe revolucionare! LV-ja, e kam thënë disa herë, i ngjasonte një sektit, me tejtheksim të moralit, sakrificës, sinqeritetit, mantrave të mësuara përmendësh (instrumentet që do të ndihmonin në gjendjen e thellë të meditimit) dhe shpëtimit të kombit, sakaq edhe disa rituale të saj dhe besime u bënë dogma, sikur po jetonim në një botë të Robinson Kruzos, ku edhe botës apo ishullit, LV-ja do t’ia jepte formën siç do të dëshironte vetë, pa marrë parasysh historinë mijëravjeçare të ndikimeve të superfuqive, rendeve globale dhe raportit të forcave përreth!


II — TRONDITJET

TRONDITJA E PARË E MADHE – 10 SHKURT 2007

Proteste e LVetevendosje kinder ardhjes se kryenegociatorit Serb ne Prishtine. (THE Frontliner Foto/Vedat Xhymshiti)

Proteste e LVetevendosje kinder ardhjes se kryenegociatorit Serb ne Prishtine. (THE Frontliner Foto/Vedat Xhymshiti)

Më 10 shkurt, para 7 vitesh, Lëvizja Vetëvendosje! duke protestuar kundër pakos së Ahtisaarit dhe me parullën: “Jo Negociata, VETËVENDOSJE!”, bënë që disa aktivistë revolucionarë dhe që besonin se gjërat duhet çuar deri në fund, pra deri në revolucion të plotë, u larguan nga LV-ja. Ata u tronditën me sjelljet e udhëheqësisë së saj që nuk i vazhduan më tej protestat dhe konsideruan se Lëvizja VETËVENDOSJE! po rrëshqiste dalngadalë në parti politike dhe nga lëvizje revolucionare në parti social-demokrate! Ata menduan se LV-ja nuk ishte radikale sa dukej, i mungonte guximi për të shkuar gjer në fund akti revolucionar dhe këtë moment, e quajtën ‘abortim revolucioni’! Duke mos u vazhduar protestat pas vrasjes së dy qytetarëve Mon Balaj dhe Arben Xheladini dhe me plagosjen e dhjetëra personave, dhe masivizimit të qytetarëve të zemëruar kundër dhunës së tepruar policore dhe vrasjen e tmerrshme të protestuesve nga policia rumune e UNMIK-ut, këta aktivistë të kësaj periudhe të veprimtarisë së tyre në kuadër të LV-së, e kuptuan se ‘në synimin e kësaj Lëvizjeje nuk ishte revolucioni i vërtetë, sepse protestat u ndalën dhe nuk u vazhduan’! Ky ishte një prej tronditjeve të disa aktivistëve dhe në mesin e tyre, pati të akuzuar edhe për infiltrim nga ana e SHIK-ut dhe shërbimeve të tjera sekrete! Disa ikën vetvetiu pa ardhur urdhëri për t’u larguar për ‘agjitacion’, por edhe pati të tjerë që u etiketuan dhe u stigmatizuan, sakaq u larguan përgjithmonë! Këta aktivistë, në mesin e tyre, ka pasur edhe të tillë që ishin shumë të informuar, me vetëdije të fuqizuar politike, me njohuri dhe aftësi të të filozofuarit, disa prej të cilëve, vazhdojnë ende të shkruajnë për moskonsistencën e LV-së dhe tjetërsimin e saj! Me të thënë të drejtën, këtu kishte një paradoks: u larguan një grup individësh shumë më radikalë në pikëpamje, ndërsa opinioni publik po mendonte se pikërisht LV-ja ishte vetë subjekti radikal nacionalist dhe i majtë! Herë quheshin komunistë, herë majtistë, herë fashistë, herë djelmosha të rrezikshëm! Këto etiketa natyrisht lansoheshin sidomos prej pushtetit për etiketim dhe distancim të masave të gjera me LV-në, por edhe nga opinioni publik në përgjithësi LV-ja dukej si ‘e rrezikshme dhe e sinqertë’! LV-së më së shumti pushteti ia ka pasur frikën deri më 12 qershor 2010, por edhe më vonë, herë pas herë! Pushteti nuk i frikësohej LV-së, në konkurrencë me matjen e forcave në zgjedhjet elektorale!

Disa nga shkrimet që kam lexuar të këtyre ish të larguarëve të kësaj periudhe, LV-në e akuzonin për ‘mashtrim të popullit’, për ‘dështim të revolucionit’, ‘për kontroll të pakënaqësive të qytetarëve’, për ‘kanalizim të trazirave pas përvojës më 17 mars 2004 (një prej këtyre pikëpamjeve ishte ajo e ish aktivistit të hershëm Vedat Xhymshiti-Vudit, fotoreporter i njohur për terrene lufte dhe medie të njohura ndërkombëtare)! Pra, këta tronditeshin që LV-ja nuk po shkonte deri në fund, po kontrollonte protestat dhe ishte në funksion të stabilitetit politik, ruajtjes së rendit ekzistues dhe parandalimin e trazirave si pa krye, si ato të vitit 2004! Ndonëse kjo mbetej edhe në nivel konspiracioni, por ndryshimet e herëpasherëshme të LV-së dhe ato të sotmet, gjithnjë e më shumë po i japin të drejtë kësaj klase të larguarish nga LV-ja, apo këtij grupi të indinjuarish dhe të tronditurish nga zhvillimet e asaj kohe dhe atyre aktuale brenda LV-së! Në një pikëpamje, ky grup i kësaj periudhe ishin qoftë të rinj që ikën në emigrim, sapo mbushën 18 vjeç ngase iu rritën përgjegjësitë (disa prej tyre u bënë pjesë e qendrave të LV-së në diasporë më vonë), apo u larguan me kalimin e kohës duke u socializuar në grupe të ndryshme shoqërore, siç ishte rasti me t’u regjistruar në Universitetet Publike dhe Private të Kosovës (disa aktivistë pasi janë regjistruar në vitin e parë të studimeve prap kanë vazhduar të jenë aktivistë besnikë dhe të angazhuar të LV-së, por një pjesë e tyre edhe janë larguar nga rrjedhojat e natyrshme të ligjësive të jetës dhe socializimit të tyre të ri me kalimin e moshës), por edhe disa u larguan nga bindjet e tyre reale majtiste radikale dhe në mesin e tyre, ka pasur edhe ‘leninistë të pasionuar’ dhe ‘marksistë të zjarrtë’, të cilët kanë besuar se edhe ‘pa dhunë, nuk mund të hiqeshin elitat e korruptuara politike dhe të arrihej vetëvendosja e brendshme dhe e jashtme’! Unë kam njohur edhe të tillë, që ndonëse karakterin e tyre revolucionar në praktikë, është disi edhe jo e lehtë ta bëje të matshme, por nga qëndrimet e tyre në bazë të leximit të shkrimeve të tyre dhe komunikimit me ta, mund të arrije në përfundime të tilla se ata nuk ishin socialdemokratë, por majtistë radikalë! Tronditja e parë e madhe pra po vinte nga aktivistët të cilët ishin më ‘radikalë të vërtetë’ dhe se po konsideronin se LV-ja ishte më shumë një Lëvizje në funksion të aparatit të strukturave të pushtetit të kohës, sesa ndonjë lëvizje revolucionare që do ta shembte sistemin e vlerësuar si të korruptuar dhe neo-kolonialist nga ndërkomëbtarët! Ata konsideronin se, ‘LV-ja na radikalizonte apo vetë ishim radikalë, ndërsa kur ne bëheshim të tillë apo ishim të tillë, ose na etiketonin për agjitacion, ose për dyshime të caktuara, ose vetë ajo nuk ishte për revolucion, por si sistem kontrolli të frustracionit të përgjithshëm qytetar’!

TRONDITJA E 12 QERSHORIT 2010

Kur Lëvizja Vetëvendosje! kishte vendosur të bënte edhe një ndryshim të madh në filozofinë e saj politike dhe në mënyrën e veprimit, ajo më 12 qershor 2010, në datën e përvjetorit të themelimit të saj (i pesti përvjetor), po shpallte edhe zyrtarisht MARRJEN PJESË NË ZGJEDHJET PARLAMENTARE! Ky moment për një grup aktivistësh të lidhur emocionalisht dhe moralisht me LV-në, ishte moment tjetër tronditës. Ata kurrë nuk kishin besuar se LV-ja do të hynte në zgjedhjet lokale, sepse pak kohë më parë, vetë dora e tyre kishte shkruar me ironi dhe cinizëm, këtë lakim vetash: “Unë votoj/ti voton/ai/ajo voton/ne votojmë/ju votoni/ata përfitojnë”. Akoma në disa shtëpi apo objekte të vjetra e të reja të lokaliteteve të ndryshme kosovare, gjinden gjurmët e këtyre mbishkrimeve kundër zgjedhjeve të atëhershme lokale, të mbajtura para vitit 2010. Ata u tronditën nga ky vendim i LV-së për t’u shndërruar në ‘parti politike’ (ndonëse këtë emër kurrë nuk e përdorën LV-ja, duke vazhduar ta quante vetveten Lëvizje, pavarësisht pjesëmarrjes në zgjedhjet elektorale dhe certifikimit si “Iniciativë Qytetare”) dhe ndonëse shumica qëndruan brenda LV-së, disa u larguan përgjithmonë. Unë pata hyrë në Lëvizje në nëntor-dhjetor të vitit 2010. Atëbotë isha kandidat për deputet në Lëvizjen Vetëvendosje! Atë kohë, disa aktivistë që ishin më të devotshëm, më militantë dhe më të përkushtuar sakaq për të dhënë gjithçka nga vetja e tyre për LV-në, neve anëtarëve të rinj që iu kishim bashkëngjitur LV-së, na shihnin me dyshime dhe jo aq të dëshiruar. Kjo ishte krejtësisht normale, pasi që ndryshe ishte të ishe aktivist brenda grupeve aq të vogla, ku lidhjet emocionale dhe sociale ishin më të ngushta, më emotive, më miqësore dhe me njohje shumë më të thellë interpersonale, por edhe me interaksion social shumë më të shpeshtë, e krejt ndryshe kur strukturat lokale dhe qendrore të LV-së u rritën tejmase pas vendimit të merrnin pjesë në zgjedhjet nacionale të dhjetorit 2010. Kështu që, LV-ja u rritë, por edhe u rritën divergjencat në kuptimin sociologjik, sepse dihet shkencërisht dhe emipirikisht se ka dallime të mëdha në marrëdhëniet shoqërore brenda grupeve më të vogla, me ato më të mëdha!

TRONDITJA E AKTIVISTËVE NGA ARDHACAKËT E VITIT 2010

LV-së iu shtuan individët apo anëtarët e rinj, por që gjetën një grup që gjithmonë do të thirrej se “janë që prej fillimit në LV” dhe kjo presupozonte edhe njëfarë statusi social në rendin e vlerësimit brenda subjektit, ndonëse sa i përket përvojës sime personale, mund të them se jam pritur shumë mirë ndërkohë dhe pavarësisht kohës, menjëherë më propozuan kandidat për deputet, po ashtu, në zgjedhjet e brendshme me kundërkandidat, pata marrë besimin për nënkryetar të dytë të Qendrës në Gjilan dhe kemi vazhduar për tri vite e gjysmë të jemi aktivistë të LV-së! Shumë aktivistë në të gjitha Qendrat e LV-së, kishin pësuar njëfarë ‘traume’ në këtë vit, ku disa ishin tronditur nga figurat që ishin sjellur dhe ka pasur largime aktivistësh nga LV-ja në fazën e parë të listave të kandidatëve për deputetë dhe formimit paraprak të Këshilleve të Përkohshme të Qendrave Lokale, e të tjerë ndonëse kanë qëndruar, gjithmonë kanë shfaqur njëfarë ‘babaxhanllëku’ për shkak të kohëszgjatjes së tyre si aktivistë prej vitit 2005, por edhe të tjerë, të cilët pavarësisht kohës së aktivizmit të tyre, janë sjellur më modestë sesa vetë disa anëtarë të rinj të ardhur! Çështje edhe tipe personalitetesh, apo jo?!

Tronditja e aktivistëve ishte tronditje e ardhjes së ‘anëtarëve të rinj’, sakaq emrin ‘aktivist’ e ruanin më shumë për vetveten, ndërsa të rinjve të anëtarësuar, i shihnin si të ‘ardhurit e vonuar’. Dhe kishin të drejtë, në njëfarë pikëpamje të tyre, kur krahasonin vetveten që kishin ardhur në moshën 15-16 vjeçare dhe në faza edhe më të vështira të protestave, ngase ishin grupim shumë më i vogël dhe shumë i sulmuar e i përndjekur nga strukturat e UNMIK-ut, ‘Njësisë Speciale të Ukrainës’ dhe Qeverisë së Kosovës; ishin shumë më herët në LV, ishin bërë miq me njëri-tjetrin duke u arrestuar (një aktivist i Gjilanit e nderonte më shumë një aktivist të Suharekës, sesa një të sapoardhur të Gjilanit!) dhe kjo gjithmonë ndikon në secilin subjekt politik, ku ‘veteranët ndihen të lënë anash ose duhet të jenë vendimarrësit kryesorë’ dhe ‘të rinjët i shohin si konkurrues jo të drejtë’! Sidoqoftë, tronditja vërehej tek aktivistët, kur roli dhe fuqia e tyre, me ardhjen e anëtarëve të rinj, po zbehej dhe po zgjeroheshin strukturat lokale dhe qendrore me rreth shumë më të gjerë të anëtarëve dhe aktivistëve. Ishte tronditje e ‘aktivistëve të vjetër’ në aspektin e viteve të angazhimit pas ardhjes së anëtarëve të rinj në vitin 2010 dhe ata nuk ishin mësuar me aq shumë hyrje-dalje të anëtarëve në zyre dhe me kalimin e kohës, edhe natyrshëm shfaqeshin mirëkuptimet dhe mirëbesimi reciprok, por gjithmonë aktivistët më të hershëm, ruanin njëfarë bërthame sociologjike me njëri-tjetrin, duke krijuar grupin e nënkuptuar: aktivistët e moçëm, ose aktivistët prej fillimit! Unë e kuptoja krejtësisht këtë tronditje dhe ua pata thënë në sy disa syresh prej tyre, duke bërë mahi se i takonte psikologut të paktën të kuptonte këto ndjesi dhe të gjithë qeshnin, por kishte edhe të tillë që fillonin ironinë e tyre si kundërvënie! E kuptueshme edhe kjo! Tekembramja, mosha e aktivistëve të LV-së deri në vitin 2010 ishte shumë më e re dhe që nga ky vit i pjesëmarrjes në Zgjedhjet Parlamentare, u rritën gjeneratat e anëtarëve dhe aktivistëve në moshë të mesme dhe të vonuar! Po ashtu, u rrit numri i vajzave dhe grave aktiviste, sepse LV-ja për shkaqe të natyrës së saj të veprimit dhe përplasjes edhe me policinë, ndonëse kishte vajza, më shumë dominohej nga djemtë dhe shpesh më parë quheshin, “djelmoshat e Vetëvendosjes!” Po ashtu, aktivistët e Prishtinës, ruanin me një grup aktivistësh të mëhershëm të komunave të ndryshme, këto lidhjet më të thella miqësore, saqë më shumë informoheshin këta individë, sesa ne strukturat që ishim zgjedhur me vota demokratike në zgjedhjet e brendshme. Ishte prap për mua e kuptueshme pse ndodhte kjo gjë, por jo edhe e arsyeshme dhe fer, madje këtë gjë ua pata thënë po ashtu drejt e në sy strukturave lokale e qendrore, sepse legjitimiteti i autoritetit dhe vendimmarrjes vinte më shumë nga lidhjet e mëhershme të strukturave drejtuese me aktivistët e moçëm sesa nga legjimiteti i votës dhe zgjedhjet e brendshme. Me të thënë të drejtën, me kalimin e kohës, e shihje se këta aktivistë ishin të mbushur plot me vullnet të mirë dhe dashamirësi, dhe po që se afrohej mirëbesimi, kënaqeshe me ta! Vazhdoj të kem disa prej tyre edhe miq shumë të mirë dhe sinqerisht habitesha edhe vetë, se si rrinin orë të tëra dhe sakrifikonin aq shumë, vetëm për të realizuar një aksion, protestë apo edhe të kujdestaronin zyren, ndonëse këto ishin shumë sakrifikuese para vitit 2010, sepse pas këtij viti, qarkullonte më shumë paraja, ku dy kujdestarë gjithmonë paguheshin të qëndronin në zyre dhe kishte financa që buronin edhe nga Ligji për financimin e partive politike, meqë LV-ja kishte hyrë në parlament me disa deputetë nga zgjedhjet e dhjetorit 2010! Aktivistët e rinj vërtetë prej vitit 2005-2010, ishin në rrethana shumë më të vështira! Arrestoheshin pa frikë, qëndronin orë të tëra në zyre duke përgatitur aksionet, duke shkruar mbishkrimet, parullat e shumë gjërash të tjera. Mund të përplaseshin edhe me familjet e tyre që vetëm kur shihnin bijtë e bijat e tyre se janë arrestuar dhe kjo ishte sakrificë e jashtëzakonshme në rrezikimin edhe të jetës, por edhe të merakosjes së vazhdueshme të prindërve të tyre! Shpesh bënim ca para së bashku, ose edhe nga xhepi i Lëvizjes, blenim ndonjë lëng portokalli, vishnje dhe ndonjë keks! Ishte kënaqësi që s’mund ta përshkruaj tani me pak tekst! Kishte shumë humor, komentime të zhvillimeve politike dhe bindeshit se aktivisti i LV-së ndonëse i indoktrinuar në disa fusha, në fakt ishte shumë më i vetëdijshëm politikisht, se shumë anëtarë të partive të tjera politike, ngase kishin aktivitete jo vetëm në periudha elektorale! Neve na binte të takoheshim nëpër ndonjë debat dhe pjekuria politike e aktivistëve të rinj të LV-së, ishte shumë në nivel, më filozofik dhe më politik!

Pra, tronditja e madhe për aktivistët në fazat e para erdhi në këtë moment: nga vendimi për të marrë pjesë në Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2010 dhe raporti që po sendërtonin me anëtarët e rinj (kandidatët për deputetë, anëtarët dhe simpatizantët e rinj të regjistruar pas këtij viti, etj.). Ishin të pakënaqur që Lëvizja u shndërrua në “Iniciativë qytetare”, e që rivalët dhe të tjerët, i thonin me mahi, e herë me ironi të qëllimshme: “U bëtë parti edhe ju, njohit si këto tjerat!” Me i thënë një aktivistit se LV-ja nuk ishte Lëvizje, për ta ishte tronditëse! Madje, me këtë terminologji, shpesh edhe ‘manipulonin’ disa nga aktivistët e hierarkisë më të lartë, ngase mundoheshin me gjysmë të vërteta shkencore nga shkencat politike e sociale, t’ua shpjegonin pse ishin akoma Lëvizje, e jo subjekt politik partiak’, që ishte regjistruar në zgjedhje për të marrë pushtetin, ndonëse në disa çështje edhe kishin të drejtë, rreth nocionit Lëvizje Qytetare, sepse Lëvizja para së gjithash nënkuptonte jo vetëm operimin brenda sistemit, por edhe për ta ribërë që nga fillimi këtë sistem! Pra, e lidhnin me një ‘këmbë në parlament, një në rrugë’, duke thënë se vetëm i kanë shtuar mjetet dhe qëllimi final ishte ta rrëzonin pushtetin nga brenda dhe nga jashtë! Me kalimin e kohës, por edhe atëherë, u vërejtë se kjo ishte demagogji dhe hyrja brenda sistemit (lexo: parlamentit), vetëm ia humbi legjitimitetin jashtë! Por edhe u teprua me protesta për çdo gjë dhe me fjalinë e famshme: “Shihemi në protestat e ardhshme!” dhe ato kurrë nuk vazhdoheshin për të njëjtën çështje, për kohën kur thuhej kjo fjali nga udhëheqja e saj! ‘Institucionalistët’ dukej se po fitonin dhe se rruga e ‘zbutjes radikale të ish radikalëve’ ishte duke ndodhur. Institucionet vërtetë filluan ta zbusnin LV-në dhe rezultatet zgjedhore të mëvonshme e dëshmuan edhe më shumë këtë fakt!

TRONDITJA E TRETË E 10 QERSHORIT 2014

Tronditja e tretë e madhe ishte e lidhur edhe me datën 10 qershor 2014, me konferencën: “S’ka Thaçi 3 – Urime të gjithëve!” (për aktivistët lexohej kështu: “S’ka Thaçi 3 – Tronditje të gjithëve!). Kjo tronditje po vinte pas deklarimit të Albin Kurtit se nuk do të ketë Qeveri Thaçi III dhe ishte paralajmëruar edhe koalicion me LDK-në, AAK-në dhe Nismën për Kosovën në rrëzimin e Qeverisë së Thaçit për mandatin e tretë (dëgjoje konferencën e plotë në linkun: http://www.youtube.com/watch?v=BQm0LufmNgw). Unë disa muaj më herët kisha dhënë dorëheqje nga Lëvizja VETËVENDOSJE për dhjetëra arsye që i kisha vënë në letrën drejtuar Qendrës në Gjilan. Mirëpo, miqësia me krejt aktivistët, nuk u prish, ndonëse me disa u prishë sidomos pas largimit tim, sepse nuk mendonin se duhej larguar! Besonin se ndonëse arsyet e mia në letër për dorëheqje ishin të vërteta, nuk ishin arsye prap për t’u larguar! E vërteta është se kur ndahesh nga një grup, duket sikur po i ‘tradhëton dhe po i braktisë’! Dukesh menjëherë më ndryshe! Disa të shpallin edhe heretik, herë egoist, herë dezertor! Ishte sidomos një akuzë qesharake: “LV-ja nuk është sprint, por maratonë”!, demek duhej vazhduar pa asnjë lodhje dhe mospajtim, pafundësisht, dhe kritika e brendshme duhej pushuar sa më shumë! Ndërsa ana komike e saj ishte se si studiues, e dije saktë se revolucioni ishte pikërisht për ta shndërruar këtë ‘maratonë’ në ‘sprint’, në mënyrë që ndryshimi të ndodhte menjëhershëm, e jo ngadalshëm! Pra, binte në kundërshtim me vetë proklamimin  dhe ushqyeshmërinë e ëndrrave të aktivistëve, se LV-ja ishte lëvizje revolucionare! Në fakt, ajo nga viti 2010 gjer më 10 qershor 2014, mund të quhej lëvizje ndërmjet revolucionit dhe reformacionit, ndërsa pas 10 qershorit, përfundimisht, subjekt politik thuajse i ngjashëm me subjektet e tjera politike, por me një dallim të konsiderueshëm: është më pak mëkatarja sa i përket përgjegjësisë në ekzekutiv dhe akoma nuk iu ka shuar krejt karta morale! Akoma nuk mund të themi se ia kemi dhënë mundësinë për ta provuar bash-bash, por ndërrimet e saj radikale, mjaftojnë më në fund, sidomos më 10 shtator 2014, për të guxuar pa frikë ndërgjegjeje se, “po i rrafshon të gjithë njësoj, padrejtësisht”! Natyrisht se vetë lidhja kolegiale e miqësore me aktivistët ishte angazhimi në LV dhe largimi po ashtu nënkuptonte edhe shkëputje dhe distancë më të madhe me ta, por disa edhe u zemëruan me aktin tim, gjë që e kam kuptuar! Sidoqoftë, nga informatat që kisha dhe hallet që qanin disa me të cilët kisha kontaktet edhe pas largimit tim nga LV-ja, dalja e Kurtit për të paralajmëruar një bllok kundër PDK-së, duke u bërë bashkë në koalicion me partitë të cilat i kishte kritikuar ashpër LV-ja, ishte tronditje për ta. Krejt i pashë të shokuar, saqë dy prej tyre, të cilët ishin aq të sinqertë dhe aq të lidhur shpirtërisht me LV-në, më thanë se, nëse kjo është e vërtetë, do t’ia dorëzojmë ‘kartelat e aktivistit’! Pra, ishte më shumë se shok shpirtëror: zhgënjim, dëshpërim, zemërim, mllef, befasi! Mirëpo, duke e parë këtë tronditje të thellë shpirtërore të strukturave të brendshme, liderët e saj, e kuptuan menjëhershëm dhe filluan të nesërmen të paraqiten me deklarata më diplomatike dhe më të kujdesshme! Ndonëse të thyer nga ky moment, disa aktivistë të devotshëm vazhduan përsëri të qëndronin besnik ndaj LV-së, dhe disa të tjerë, vetëm po prisnin në heshtje, paksa të habitur dhe duke mos besuar se çfarë kishte ndodhur!

LVetevendosje_Negociatat_SerbiaTRONDITJA E KATËRT – 10 shtator 2014

Tronditjes së tretë po i shtohej edhe donlloadimi i tronditjes së katërt në formën më të plotë. Më 10 shtator 2014, në orën 13:00, ishte paralajmëruar nënshkrimi i Marrëveshjes së LAN-it me LV-në, dy ditë para seancës së vazhdimit të asaj konstituitive, pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, e cila po i jepte të drejtë PDK-së, si grupimi më i madh parlamentar! Vendimi i GJK-së, vetëm sa e forcoi kohezionin e LVAN-it! Pasi anëtarët dhe aktivistët e LV-së panë edhe me sytë e tyre firmosjen e kësaj marrëveshjeje të re për koalicion dhe se VV-ja do të ishte ndër udhëheqësit e negociatave, përsëri u shfaqën në rrjetet sociale dhe portale, tronditjet e aktivistëve dhe simpatizantëve të LV-së. Një letër e shkruar drejt disa prej udhëheqësve të LV-së nga një aktivist, të botuar edhe në portale, e lexova edhe unë. Lajmi ishte bombastik: “Aktivisti i VV-së përfundoi në spital…” (http://www.indeksonline.net/?FaqeID=2&LajmID=115314)!” Pra, aq e kishte prekur kjo marrëveshje për koalicionin me partitë që LV-ja i ofendonte rëndë gjatë gjithë kohës, saqë frikësohej se do të mund të kishte edhe probleme mjekësore e kardiovaskulare, apo njëfarë goditje shpirtërore! Për mua që e njoh LV-në prej se ekziston – sepse gjithmonë m’u ka duk interesante edhe për studim të modelit të Lëvizjeve Shoqërore në aspektin profesional si sociolog – ishte e kuptueshme edhe kjo! Madje, patën qarkulluar zëra në biseda private, natyrisht krejt të hamendësuar dhe pa ndonjë bazë, përveç dimensioneve psikologjike të përjetimit të ndryshimeve nga aktivistët, se edhe një aktivist që kishte bërë vetëmbytje, mund të ishte zhgënjyer nga 10 qershori 2014 (!), kur Albini paralajmëroi se s’ka Qeveri Thaçi III, në bashkëkordinim me partitë e tjera si LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma për Kosovën! Është ndoshta krejt e ndjeshme kjo çështje, krejt jokorrelative dhe e qortueshme, por gjuha më shkon krejt kah sinqeriteti i perceptimeve të ndryshimeve të LV-së dhe tronditjeve të aktivistëve nga ndryshimet e saj dramatike! Ndoshta gjendja shpirtërore e ish aktivistit të ndjerë ishte krejtësisht e lidhur me natyrën e tij psikologjike dhe rrethanat që asnjëri nga ne nuk i dimë, por ngjarja e ndodhur suicidiale pas këtij paralajmërimit të Albinit për koalicion paszgjedhor kundër PDK-së me partitë e tjera në koalicionin që kishte dalur i pari në zgjedhje, ishte njëfarë tronditje tek të gjithë aktivistët dhe vetëmbytja e një prej aktivistëve të lartë të Prishtinës, kishte të ndodhur të nesërmen, më 11 qershor 2014, gjatë paradites! Pra, kishte një ndërlidhje për kohën dhe ngjarjen e këtij paralajmërimi, qoftë krejt të rastësishëm! Prandaj, këtë po e hedhi në këtë shkrim, vetëm për të thënë se sa larg shkonin perceptimet e tronditjes së aktivistëve, gjatë ndryshimeve që po ndodhnin në Lëvizjen Vetëvendosje!, si rezultat i rrethanave të reja politike dhe nga transformimet e strukturave të saj, por edhe liderit Kurti që konsiderohej i pathyeshëm! Në asnjë mënyrë edhe njëherë po themi se, nuk mund ta konfirmojmë këtë gjë, sepse organet e hetuesisë, analizat e thella, do të mund të na sqaronin edhe më shumë rreth vetëmbytjes së tij tragjike dhe nuk kemi parë ndonjë raport të publikuar më për këtë rast! Shumë, shumë rëndë e patëm përjetuar edhe vetë vetëvrasjen e tij dhe krejt forcave kozmike i luteshim që të prehej në paqe dhe parajsë! Është e kuptueshme që ky rast merret vetëm për të treguar se sa dëshpëruese, tronditëse dhe shokuese ishte për shumë aktivistë të LV-së, ndryshimi radikal i kursit politik të kësaj lëvizjeje politike dhe, përafria e datave 10 dhe 11 qershor 2014, dashur e pa dashur, e ndërlidhej aty-këtu nga ndokush, ku në biseda private thuhej pëshpëritshëm: ka mundur të jetë edhe nga ndonjë efekt psikologjik zhgënjimi i papritur me LV-në pas konferencës së 10 qershorit 2014, që mund të jetë supozim krejtësisht i pavërtetë dhe i paverifikuar! Por këto tregojnë se lidershipi i LV-së duhet të kupton shumë më shumë aspektin emocional të reagimeve dhe të përjetimeve të aktivistëve, duke mos i trajtuar vetëm si raste të izoluara dhe pa u brengosur aq se sa kanë ndikim sjelljet e tyre jokonsistente!

– nesër botohet pjesa II ©THE Frontliner

Avni Rudaku, i njohur si Rud-Fiqiruesi, është analist shkencor në fusion e publicistikës, analizës politike, kritikë së artit, poezisë dhe recensioneve letrare. Aktualisht është kolumnist i rregullt i shtojcës javore për kulturë në gazetën “Kosova Sot”. Aktiviteti profesional i Rud-Fiqiruesit është i pasqyruar në ditarin e tij dhe në kontributin e tij profesional tek THEFrontliner.net Rudi, ka botuar librat: “Poezi pa frymë” (2010) dhe “Pa frymëzime” (2011).

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY