(II) TRONDITJET E TJERA TRANSFORMUESE

TRONDITJET E NDIKUARA DIREKT NGA LIDERSHIPI TRONDITJET E RASTIT – Sjelljet e Kurtit Ka pasur edhe tronditje të tjera të rastit. Albin Kurti krejt rastësisht sipas interpretimit të tij...

TRONDITJET E NDIKUARA DIREKT NGA LIDERSHIPI

TRONDITJET E RASTIT – Sjelljet e Kurtit


Ka pasur edhe tronditje të tjera të rastit. Albin Kurti krejt rastësisht sipas interpretimit të tij ishte takuar me Sali Berishën! Mjaft kritika dhe kundërshtime për këtë takim dhe drekim me Berishën kishte marrë Kurti, nga delegatët e Këshillit të Përgjithshëm të LV-së, duke i bërë edhe shumë pyetje rreth këtij takimi! Kjo tronditje ishte për faktin se LV-ja besonte se ishte e vetmja Lëvizje Politike në hapësirën shqiptare, që ishte distancuar me krejt elitat politike udhëheqëse të shqiptarëve! Madje, edhe kur u themelua Aleanca Kuq e Zi, në fillimet e saj, perceptohej si model i LV-së së Kosovës, e cila kishte celula edhe jashtë saj dhe në diasporë! Pra, tronditje ishte për aktivistët se si LV-ja kishte kritikuar të gjithë udhëheqësit politik të shqiptarëve, qoftë partitë politike shqiptare në Maqedoni, qoftë ata në Luginën e Preshevës, qoftë në Tiranë dhe domosdoshmërisht edhe këta në Prishtinë, ndërsa lideri i tyre kishte pasur takim të afërt me Sali Berishën! Edhe pse Kurti e kishte arsyetuar takimin me koincidencën e asaj konferencës në Shqipëri, disa aktivistë nuk u pajtuan me këtë takim! Edhe kjo kaloi!

Tronditje tjetër e rastit ishte kur Albin Kurti kishte vënë kravatën në SHBA, pasi që kishte deklaruar kohë më parë se kravata është simbol i shtypjes! Përnjëherësh, ai edhe vetë u kravatos dhe mori pamjen e ‘shtypësit’ teksa qarkulluan fotografitë e tij në takimet në SHBA! Kurti nuk e kishte kuptuar edhe aq, ndonëse me përvojë dhe shkathtësi të jashtëzakonshme intelektuale e filozofike, se një ndryshim i fjalëve dhe veprimeve të tij, moskonsekuenca e tij, mund të trondiste aktivistët! Ai kur ballafaqohej me kritika, disi fillonte me njëfarë humori dhe duke i vlerësuar si ‘gjëra krejt të parëndësishme’ reagimet për ndonjë ndryshim të tij në paraqitje, duke ‘rrotulluar buzët në shenjë habie të tronditjes’ dhe sikur i anashkalonte kritikat pa reflektuar se si ndiheshin të tjerët, përkatësisht aktivistët!

Tronditje tjetër e rastit ishte edhe kur erdhën në Lëvizjen Vetëvendosje!, një grup i madh i atyre që kishin kritikuar LV-në, por edhe që ishin me qëndrime krejtësisht neo-liberale, sikur ish anëtarët dhe ish udhëheqësit e FRYMËS SË RE, si: Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu, Fisnik Ismajli, e të tjerë. Kjo ishte vala e parë pas shkrirjes së FER-it në VV! Unë për vete u pata gëzuar si ish nënkryetar i dytë i Qendrës në Gjilan! Arsyetimi im ishte se FER kishte disa profesionistë të mirë dhe njerëz mjaft të arsimuar, të cilët do të ishin kuadër relevant për të plotësuar LV-në me profesionistë, sepse thënë hapur, kogjo shumë i mungonin dhe kjo ishte problematike në raport me debatet që duhej përfaqësuar, në medie, për lista kandidatësh etj. Bile shpesh disa aktivistë të rinj nuk e kuptonin që të shkohej në debate nuk mund të ishte e ngjashme sikur të dilje në protestë dhe në aksione! Aty duhej lexuar ligjet, duhej shtuar argumentet politike dhe të gjitha informatat e zhvillimeve aktuale, prandaj duhej të ishe mjaft i përgatitur! Ne ballafaqoheshim me probleme të shumta se kush të na përfaqësonte qoftë në nivelin lokal, qoftë në atë qendror! Nuk ndihesha shpesh mirë që shkoja në shumë debate, por më jepnin të gjithë përkrahje dhe nuk e mohoj absolutisht se më kanë dhënë hapësirë mjaft shumë, ndonëse unë nuk isha aq i pozicionuar si politikan, sakaq e kisha gjithmonë në mendje se kisha hyrë gabimisht në politikë dhe unë duhej të isha vetëm në shkencë, art e letërsi! Nuk mund të flisja me rrotulla! Nuk isha tip që do të mund të arsyetoja ndonjë veprim të pamatur dhe shpesh zhvilloja shumë debate brenda, me kritika dhe kërkesa për ndryshime në pika të caktuara të LV-së! Sidoqoftë, ardhja e disa figurave të FER-it dhe shkrirja në VV, për mua ishte gjë e mirë, ndonëse kishte edhe kundërshtime me të drejtë, sidomos për shkak të mosparimësisë, të futjes së individëve që vinin me qëndrime të njohura të asaj kohe, qëndrime neo-liberale, ndërsa LV-ja ishte nga një e majtë radikale, që u shndërrua në një subjekt-social-demokrat!

Tronditja tjetër ishte edhe kur hynë deputetet e PDK-së në fund te mandatit për zgjedhjet e fundit parlamentare në LV, por jo e përmasave aq tronditëse sikur të tjerat që përmendëm.

Tronditje tjetër po në këtë fazë ishte edhe hyrja e Ilir Dedës në LV. Deda si figurë e ish FER-it dhe me kundërshtime të fillimit për hapin e FER-it drejt shkrirjes në LV, por edhe i njohur për disa kritika që i kishte thënë për LV-në asokohe, bëri që aktivistët sërish të tronditeshin dhe të mos pajtoheshin me këtë prurje, ndonëse kishte edhe zëra për pro-ardhjen e tij, duke e njohur si kritik të qeverisë paraprake, me disa deklarata të nënkuptueshme në vijën e LV-së dhe me aktin e tij të fundit të ‘spastrimit shpirtëror dhe ideologjik’, duke u (vetë)arrestuar me Ylli Hoxhën, në protestën studentore, të OJQ-ve dhe medieve kundër ish rektorit Ibrahim Gashi! Ai dukej se u arrestua pikërisht për t’u paraqitur edhe më ‘i vetëvendosur’, nga disa kundërshtime që po vinin prej strukturave të brendshme të LV-së kundër ardhjes së tij! Arrestimi i tij u bë edhe mjet i rehabilitimit final të figurës së tij, ndonëse Deda njihej edhe nga ata që e kundërshtonin ardhjen e tij se ishte personalitet mjaft me prurje elektorale, me qëndrime dhe deklarata mjaft të artikuluara mirë dhe fytyrë e pranueshme për audiencat e gjera! Dhe kaloi edhe kjo tronditje e shkrirjes së neo-liberalëve, komunistëve, enveristëve, leninistëve, social-demokratëve, ish-pdk-istëve, ish-shikistëve, socialistëve dhe anarko-sindikalistëve në një grup të përbashkët si LV, duke fituar krahu i të moderuarve dhe liberalëve, duke thënë më saktësisht, krahu i atyre që synonin vetëm pushtetin dhe vepronin në bazë të inercionit të situatave/reagimeve të publikut të gjerë! LV u bë kazan i shkrirjes së shumë ideologjive dhe profileve, për të dominuar social-demokracia!

IV — QASJA PSIKOANALITIKE E TRONDITJES SË SHKËPUTJES TË GJENERATAVE TË NDRYSHME HERETIKËSH

Arsyet e largimit të anëtarëve dhe aktivistëve janë të ndryshme, të natyrës subjektive dhe objektive! Disa janë larguar nga vendimet e strukturave drejtuese të LV-së, qoftë duke i konsideruar të dëmshëm dhe për ‘agjitacion të huaj’, qoftë për ndonjë prejardhje apo trashëgimtar të ndonjë prindi të aktivistit, që mund t’i lakohej emri në të kaluarën si ish spiun i UDB-së, e kështu me radhë. Në fillimet e saj, LV-ja, kërkimin e ‘pastërtisë së origjinës gjenealogjike’, e kishte mjaft të theksuar. Ndonjëherë kjo krijonte përshtypje shumë paragjykuese, etiketuese, përjashtuese dhe demonizuese. Me kalimin e kohës, e sidomos me vendimin për të marrë pjesë në Zgjedhjet Parlamentare, u bë sikur shumë subjekte të tjera politike, duke ofruar secilin individ! Asnjëra nuk ishte e mirë: as rigoriziteti dhe pa fakte të mbështetura, të etiketoheshin kritikuesit e brendshëm, si ish spiunë, ndërsa në anën tjetër, as pranimi aq i kollajshëm i individëve të cilët kishin kaluar deri në fund të mandatit me PDK-në, nuk dukej se ishte vendim i duhur! Madje, disa gabime që bëheshin edhe në Zgjedhjet e Fundit, ishin disa koalicione me parti dhe individë, që nuk njiheshin me aq kredibilitet! Bile për njërin thuhej se ishte një prej individëve më të fuqishëm të SHIK-ut në Prizren! Partia Socialiste u bë pjesë e listës së LV-së dhe u bë simbiozë me të! Bile, kalimi i deputetëve të PDK-së në radhët e LV-së në fund të mandatit të tyre, nuk ishte ndonjë potez i duhur strategjik dhe vizionar, por sidoqoftë, ajo u bë dhe siç mund ta themi, nuk solli asnjë fuqizim të Listës së deputetëve nga radhët e LV-së.

Njerëzit që u tronditën nga sjelljet e disa prej strukturave drejtuese të LV-së, dallonin për shkak të dy kategorive kryesore me gjeneratën e të tronditurëve të vitit 2010 e këndej:

  • aspekti psikoanalitik i formimit të aktivistëve dhe,
  • mosha si kategori sociologjike e stratifikimit shoqëror.

Disa nga aktivistët e njohur si Vedat Xhymshiti-Vudi, Agron Quni (radio-emision dhe përgatitës nga sektori i medieve), Arbër Ahmeti, Salih Mehmeti (shkrues dhe lexues jashtëzakonshëm), etj. u larguan nga LV-ja! Një letër përjashtuese që kemi parë të gjithë për Arbër Ahmetin, dukej paksa neveritës, sepse të kujtonte njëfarë udhëheqje të rreptë diktatoriale dhe terminologjia e LV-së me këtë rast përjashtimi nuk ishte fare e duhur! Po ashtu, edhe terminologjinë që kishin përdorur për ‘komitete’ dhe ‘sekretariati’, nuk pëlqehej nga Qendra në Gjilan! Mbaj në mend se një aktiviste shumë e arsimuar dhe aktive, e kishte pyetur liderin Kurti, se a mund të ndërrohej emri nga “Komitet” në “Komision”, sepse po tingëllonte paksa si ish socialiste, komuniste a si diçka e tejkaluar, lideri i LV-së iu përgjigj: “Komitet është emër që përdoret edhe në Shtëpinë e Bardhë të SHBA-së!” Unë e kuptoja aktivisten, se fjalët nuk ishin të parëndësishme për veshin e njerëzve! Komitetet, sekretariatet, etj., nuk i kapte veshi mirë, por nuk ishte edhe aq relevante kjo, ani që vinte si ndikim nga e kaluara e sistemit represiv ndaj shqiptarëve!

Përderisa njerëz si Terziu, Xhymshiti, Mehmeti, Gashi, Ahmeti, Quni, e të tjerë, të cilët kishin njohur më për së afërmi Albinin dhe shokët e tjerë përreth, e kishin një raport më pak asimetrik me lidershipin e LV-së. Siç thotë me të drejtë edhe një njohës i këtij raporti të heretikëve të parë të pjekur dhe atyre që nuk guxonin të braktisnin LV-në, si në vijim: “Këta ndarjen nga LV-ja nuk e shihnin si traumë edipale prej të atit (kulti i atit, kulti i heroit, kulti i liderit, ku të tjerët të gjithë besojnë sikur të ishte imam te shiitët, i pagabueshëm dhe ndërmjetësues në mes të Perëndive dhe besimtarëve), por vetëm ndarje prej shokësh, ndarje nga i barabarti në mesin e të barabartëve, qoftë nga fuqia politike, intelektuale, profesionale dhe vetëbesimi i tyre, ndërsa grupi tjetër i aktivistëve të rinj, duke qenë se kishin krijuar raport asimetrik me liderin dhe të tjerët që dilnin më shpesh në televizione dhe mediet e Kosovës e më gjerë, krijonin që në start komplekse inferioriteti, sepse edhe ishin të rinj në moshë, edhe kontaktin e parë me figurat primare të LV-së, e kishin krijuar përmes medieve televizive. Kjo ishte për ta asimetri e pakapërcyeshme dhe inferioritet i skajshëm. Por edhe kjo gjeneratë e re, kishin një frikë të papërmbajtshme për ta braktisur ‘Edipin’ (lexo: atin – si figurë e adhuruar dhe e urryer në të njëjtën kohë në psikanalizën e Frojdit) dhe tronditeshin nëse do të arratiseshin nga ‘heroi i tyre i sendërtuar’! Ikja ishte më shumë se tronditje, ankth i ‘vrasjes së heroit, Edipit, atit, kultit, shpëtimtarit, Jezuit, Budës, imamit të 12-të…’! Të braktisje LV-në, më shumë se të braktisje shokët e tjerë, ishte braktisje edhe e heroit shpëtimtar, ‘vrasje e të atit’!” (përfundon citati). Me gjithë këtë shpjegim, mund të vazhdojmë më tutje për komplekset e inferioritetit dhe të superioritetit, për të cilat flet edhe Alfred Adleri, të cilat na ndihmojmë të kuptojmë raportin Prishtinë dhe qendrat e LV-së nëpër Kosovë! Gjersa deri në vitin 2010, drejtuesit kryesorë të LV-së në Prishtinë, sa ishte deri atëherë Lëvizje e jo Iniciativë Qytetare e regjistruar dhe certifikuar në KQZ për të marrë pjesë në Zgjedhjet Parlamentare të Kosovës, raporti Prishtinë-qendra, ishte tepër asimetrik, i paekuilibruar dhe i pabarabartë. Kjo ishte për arsye se kur vinin drejtuesit e Prishtinës nëpër qendrat e ndryshme komunale (deri në vitin 2010 nuk ishin shtrirë në të gjitha vendet dhe nuk ishin formuar pikat e Qendrave komunale, sikur në vitin 2010 e këtej, pra shtrirjen në terren e ka pasur shumë të vogël, por që ka pasur në shumë qytete dhe fshatra, aktivistë të caktuar), ishin më të përgatitur në gjuhën e tyre filozofike dhe politike, dhe kur takoheshin me aktivistët shumë të rinj në moshë dhe me ndërtim të brishtë filozofik, politik dhe arsimor, atëherë Prishtina ishte superiore, ndërsa aktivistët nëpër komuna ishin inferiorë. Ky raport vazhdon edhe kësaj dite, ndonëse me ardhjen edhe të gjeneratës më të pjekur dhe më të moshuar në vitin 2010 e këtej, me ardhjen e intelektualëve të tjerë në kohën e hyrjes së LV-së edhe në institucione, arriti të ndryshonte sadopak. Unë shpesh e kam pasur këtë telashe, sepse nuk mundja të shkëpusja këtë raport asimetrik në mes të Prishtinës dhe Qendrës tonë lokale në Gjilan, sepse aktivistët e mëhershëm, i besonin skajshmërisht secilit vendim/këshillë/urdhër/propozim nga Prishtina dhe e tyre ishte më shumë ekzekutimi, sesa kritika/kundërshtimi/modifikimi/verifikimi se sa është i arsyeshëm apo që përshtatej! Pavarësisht se ishte Këshilli i Përgjithshëm, ndikimet e individëve të caktuar që nga themelimi i LV-së dhe raportet e tyre të dikurshme vazhdonin të ishin stabile dhe të pathyeshme, bile konsideroheshin shumë më të besueshme këto raporte, sesa ‘njerëzit e rinj që kishin ardhur në vitin 2010’.

Pra, këtu kishim dy raporte: raporte formale të strukturave të zgjedhura në mënyrë demokratike me zgjedhjet e brendshme dhe raportet e mëhershme miqësore dhe si bashkëveprimtarë në aktivitetet e tyre disavjeçare në mes të aktivistëve të Qendrave Lokale Komunale dhe Prishtinës zyrtare të LV-së. “E ka thënë Prishtina!” dhe vështirë se kundërshtohej veprimi nga atje! Mirëpo, ne që ndjenim veten se kishim ardhur për të dhënë ide, propozime dhe për të pasur më shumë decentralizim veprimesh, nuk e pranonim këtë ‘centralizim të tepruar’. Ne nuk e ndjenim fare inferiorë veten në raport me Prishtinën! Madje, në shumë vendime/statut/propozime/strategji, kishim edhe vërejtjet dhe mospajtimet tona. Pra, viti 2010 shënon një tronditje psikologjike të aktivistëve të mëhershëm me ardhjen e aktivistëve të rinj, e që këta të fundit ishin më profesionalë, më të arsimuar, më të moshuar dhe më ‘institucionalistë’! Ndonëse, disa nga këta ‘institucionalistët’ u bënë edhe më të përzemërt në protesta, ndonëse në fillim hezitonin dhe ngurronin! Ishte krijuar në Kosovë një prototip intelektuali i viteve të ’90-ta e të mëhershme, se intelektuali nuk duhej të dilte në rrugë, të ngjiste posterët, të shpërndante fletushka, të përplasej me policinë, etj. Ishte thjesht edhe një paragjykim, por e vërteta ishte se kishte shumë njerëz të arsimuar që theksonin se, ‘do të donim të vinim në LV, por s’duam të vijmë sepse po dilni e përplaseni me policinë, prandaj ne nuk duam që të na shohin nxënësit të cilëve u japim leksione, se arsimtari është arrestuar, apo ka gjuajtur me vezë’! Besoni se ishte e vërtetë pikëpamja, qoftë e gabueshme apo jo, se njerëzit e arsimuar, më ‘institucionalistë’, më të vetëdijshëm, nuk mundeshin të ‘zhagiteshin’ në rrugë nga policët. Po ashtu, edhe shumë vajza e gra, për shkak të frikës së poshtërimit nga policët përmes tërheqjes zvarrë nëpër rrugë, qoftë edhe nga mentaliteti patriarkal dhe etiketimeve sociale e keqkuptimeve të dosidoshme, i frikësoheshin bashkëngjitjes, sepse dallonte pjesëmarrja e tyre në subjektet e tjera politike që kishin të bënin me ndonjë tryezë apo takim formal në debate, por jo sikur aktivistet e LV-së që zvarriteshin nëpër rrugë e merreshin me protesta e aksione.

Pra, tri kategori shoqërore, të cilat kogjo shumë hezitonin të afroheshin me LV-në ishin:

  • vajzat apo gratë, ndonëse me kalimin e kohës dhe të viteve ato u shtuan tejmase, qoftë nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale dhe qendrore, kuotat gjinore, e kështu me radhë;
  • njerëzit që e identifikonin veten më të arsimuar dhe me diploma universitare e pasuniversitare;
  • të punësuarit;
  • të rinjët e familjeve super të pasura.

Pas vitit 2010, duke qenë se u mbajtën Zgjedhjet Parlamentare, krahu i ‘institucionalistëve’ ishte shumicë, por nuk mungonin as krahu i aktivistëve rebelë, që ishin të gatshëm të protestonin, të kryenin aksione dhe të mos tronditeshin nga ballafaqimi edhe me policinë. Të them të drejtën, në fillim edhe unë kisha disa hezitime, por me kalimin e kohës, dukej sikur një lojë; nga kontakti me policinë gjatë protestave dhe nëse ndodhte ndonjë përplasje apo përjetim i gazit lotsjellës, fillonte njëfarë revolte dhe dalngadalë kaliteshe, dhe dukej shumë sportive; në anën tjetër, si strukturë drejtuese, ju keni përgjegjësinë që kur aktivistët e rinj, vinin me ne me dy a tre autobusë, atëherë ishte përgjegjësi që ata të ktheheshin shëndosh e mirë në shtëpi! E mbaj në mend, pati ardhur një djal shumë i ri dhe dëshironte të vinte në protestat kundër hyrjes së mallrave prej Serbinë në Kosovë, në pikën e Dheut të Bardhë, dhe e pata pyetur:

– Sa vjeçar je? Ai ma ktheu: 18 vjeçar! Ia ktheva atëherë unë: A ke ndonjë vlla më të madh? Ma ktheu përsëri: Jo, jam hasret! Besoni ka dëshmitarë, unë nuk pranova të vinte, duke ia shpjeguar se nuk kishte vend në autobusë, se nuk mund të vinte për shumë shkaqe, që vetëm sa kishim shënuar emrat në listë, ndërsa këtu e vëreja se nuk kisha lidhje me ‘politikë’! Duhej sa më shumë njerëz, sa më masive protestat dhe prej atij momenti, pata menduar edhe më shumë se nuk isha për politikë! Nuk duhej të kisha menduar aq larg dhe aq ndjeshëm, por thellë në palcën time, kisha njëfarë frike, se aq shumë dhunë kishte ushtruar policia në këtë bllokim te doganat, sakaq frikësohesha se po i ndodhte diçka ‘më e keqja’ dhe po bëhesha shkas unë dhe Qendra në Gjilan! Disi mendja më fluturonte tek prindërit e atij çunit! Edhe e pata bërë shprehi, herë pas herë i pyesja në këtë mënyrë, me dëshirën e ndërdijshme që të mos ndodhte bile më e keqja, ndonëse edhe për të gjithë të tjerët më shqetësonte fakti i ndonjë lëndimi sado të vockël, e lëre më fatal, sikur shkurti 2007, me dy të vrarë dhe shumë të plagosur e të lënduar! Desha të them se duhej njëfarë përgjegjësie shtesë e drejtuesve, ishim apo s’ishim fajtorë në protestë; ishte apo nuk ishte policia duke shkelur Kushtetutën dhe rregulloret e policisë, e ndjeja frikën më shumë si ish nënkryetar i Qendrës! Dhe këtë përgjegjësi ndonjëherë nuk e vëreja tek udhëheqja e LV-së dhe as nuk e ndjej edhe sot! Është përgjegjësi edhe e strukturave drejtuese lokale dhe qendrore të përkujdeseshin për fatin e bashkëveprimtarëve! Në këtë përgjegjësi nuk po flas vetëm për ‘kudestarimin fizik’ (se kjo ishte deri diku në rregull) siç mund ta mendon dikush, por më shumë për përgjegjësinë morale, politike dhe psikologjike, sepse udhëheqja ka ndikim të lartë në anëtarët dhe aktivistët, qoftë për nga besimi në autoritete, qoftë nga mënyrat e formimit të aktivistëve në LV, qoftë për nga papjekuria e tyre intelektuale, politike dhe profesionale, etj.

Për shembull: Nëse një aktivist 17 vjeçar është përplasur edhe me familjen e tij apo të saj, për shkak të një a dhjetëra protestave, apo është përplasur për të mbrojtur konceptin dhe liderin edhe me mysafirët në shtëpi, është përgjegjësi publike e udhëheqësisë që të kenë kujdes për fjalët që thonë dhe që t’u përmbahen atyre gjer në fund, sepse nuk dalin vetëm udhëheqja në gënjeshtër për ato që deklaronin në tubime e televizione apo gazeta, por dalin shumë keq apo ndihen shumë tmerrshëm, edhe vetë soji i këtij 17-vjeçari, i cili ‘përlahet’ në tryezë me të gjithë, për të fituar koncepti i LV-së apo të binden se LV-ja është subjekt serioz dhe nuk është sikur subjektet e tjera politike! Unë e kam marrë shembullin e trishtimit të një personazhi, se si duke ardhur nga qendra e qytetit të Gjilanit, teksa po afrohej, i thotë një kalimtar:

  • A ka bërë LV-ja koalicion me LDK-në, AAK-në dhe Nismën a?
  • Ky ia kthen: – Në asnjë mënyrë, a je n’veti ti?
  • Pastaj miku kalimtar apo i njohuri ia kthen përsëri: – A po lidhemi?
  • Ky në shenjë besimi të palëkundur, i thotë: – Po more, me kah sa t’dush?!

Dhe kur vjen në shtëpi, tronditet apo shokohet! Jo pse e humbi ‘jadecin’, sepse tek e fundit është ‘lidhur’ me një makiato, por është raporti tash që ka ky aktivist i ri me të tjerët që ka njohur dhe u ka folur për LV-në, si subjekt premtues në të ardhmen dhe si subjekt që nuk i thyen parimet! E mora një shembull krejt të thjeshtë, për të apeluar drejt strukturave drejtuese të LV-së dhe secilës udhëheqje pavarësisht grupacionit politik, kulturor apo fetar, se duhet të kenë shumë kujdes për fjalën publike dhe rreth asaj se çfarë deklarojnë para antarëve apo aktivistëve të tyre, si dhe publikut të gjerë, të cilit i drejtohen. E kam vërejtur një gjë: duke qenë se LV-ja ka pasur disa tronditje që përmendëm mësipërm, është bërë imune dhe drejtuesit e saj, i marrin jo aq afër zemrës ato, por aktivistët dhe anëtarët e saj, të cilët janë të sinqertë dhe besojnë thellësisht në LV-në, i marrin këto ‘ndryshime të deklaratave’, si mjaft tronditëse! Ata ndjehen shumë të tronditur emocionalisht dhe në aspektin social, pësojnë dëme të pabesueshme në raportin që ndërtojnë me të tjerët edhe përgjatë gjithë jetës së tyre individuale! Shpesh zhgënjimi nga subjekti i tyre i preferuar, mund t’ia ndryshon edhe pikëpamjet që kanë për botën, shoqërinë, natyrën e njeriut, drejtësinë, e tjerë e tjerë.

 

 

 

V — KUSH ËSHTË PËRGJEGJËS PËR TRONDITJET E RËNDA TË AKTIVISTËVE?

 

 

Për tronditjet e lehta tash nuk është koha! Po flasim vetëm për tronditjet e thella psikologjike, që janë karakterizuar në ndryshime të humorit, qëndrimit, sjelljes dhe reagimit emocional e bihejvioral të aktivistëve, pas ndonjë vendimi/ngjarjeje/marrëveshjeje të LV-së dhe ndërrimit të kursit të tyre politik! Këto reagime ndaj ndryshimeve të kursit të LV-së përcilleshin me: dëshpërim, zhgënjim, irritim, zemërim dhe emocione/ndjenja të tjera të pakënaqësisë! Intensiteti maksimal i pakënaqësisë shoqërohej edhe me largimin total nga LV-ja, duke bërë që edhe të mos angazhoheshin disa prej tyre, në asnjë subjekt tjetër politik, e që paradoksalisht, këta mbesin trashëgimia e vërtetë e koncepit fillestar të LV-së, por jo edhe me angazhime aktuale publike! Disi e ndjejnë vetën të mashtruar, të tradhëtuar, sikur të ishin fëmijë naivë dhe u sillen lloj-lloj mendimesh të tjera brenda vetvetes edhe sot! Ka pasur edhe tronditje individuale që silleshin nga pakënaqësitë individuale të konkurrencës, dëshpërimit elektoral dhe postelektoral, e kështu me radhë dhe kjo është po ashtu krejt e pritshme në gara! Disa edhe largoheshin me disa etiketime që për mua ishin jo aq të qëndrueshme, sepse mjaftonte etiketa: “Ka qenë SHIK!” dhe ia jepnin udhën e mbarë! Bile më shumë se kudo, fjalën SHIK e kam dëgjuar në LV! Më ka penguar gjithmonë ajo që bëhej edhe paranojë, dhe për vitet e para të LV-së, mund edhe ta kuptoja, sepse ishin shumë më të persektuar dhe secila lëvizje, secili individ që ka hyrë në zyre, iu ka duk sikur SHIK, apo agjent! Bile në fillim nuk e kuptoja që kush hynte brenda, duhej shënuar emrin dhe mbiemrin në një listë! Në anën tjetër, LV-ja aq shumë duke e përmendur SHIK-un, sakaq është më meritorja për largimin e frikës ndaj këtij shërbimi herë real e fantom, herë kriminal e herë misterioz! Sidomos, ato deklarimet e Florin Krasniqit i patën trimëruar njerëzit dhe më vonë edhe kureshtja për deklarimet e tij, ra në mënyrë drastike! Dukej në fillim sikur një ‘karamurat’ që do t’ia hiqte frikën popullit dhe kishte ardhur sikur një ‘hero shpëtimtar’! Por le të kthehemi prap në gjetjen e fajtorëve kryesorë të tronditjes aq të rëndë të aktivistëve pas ndryshimeve që ndodhnin në LV.

 

 

 

DO T’I NUMËROJMË DISA PREJ TYRE:

  1. Të qenit i LV-së si një Lëvizje parimore, me kritika të rrepta opozitare, me qindra aktivitete dhe aksione, të cilat përpiqeshin të dëshmonin sinqeritetin, vullnetin, guximin dhe dëshirën për të vënë drejtësi, barazi dhe vetëvendosje për popullin e Kosovës. Krejt ky perceptim, sa herë që mund të shembej, kalohej në tronditje të thellë për aktivistët; ishin kritikë ndaj të gjithëve, vendorëve e ndërkombëtarëve; kundërshtarë të secilit proces, me përjashtim të ndonjë pranimi parcial të proceseve që ndodhnin, por rrallëherë ndodhte të pajtohej me ndonjë gjë;
  2. Mospërputhja e qëndrimeve të udhëheqësisë me aktivistët. Gjersa udhëheqësit e LV-së i mësonin se si duhej të ishin aktivistët të përkushtuar, idealistë, radikalë, të vendosur, vetmohues, e tjerë e tjerë, aktivistët edhe kogjo bindeshin! Mirëpo, udhëheqësia ndryshonte, aktivistët jo! Kur udhëheqësia po ndryshonte disa nga qëndrimet, aktivistët mbetnin besnik në qëndrimet e mësuara po nga këta udhëheqës! Kjo ishte tronditje për aktivistët, sidomos kur po kritikoheshin qysh s’po kuptonin se këto ndryshime ishin për të mirën e LV-së dhe të Kosovës dhe se nuk ‘ishin zbutur si Lëvizje!’. Për mua kjo ka qenë problematike sidomos kur mësonin aktivistët të jenë revolucionarë të vërtetë, ndërsa udhëheqësia ndryshonte dhe habitej se si po zemëroheshin aktivistët me ndryshimin e qëndrimeve të tyre nëpër kohë! Ka pasur pra diskrepancë në mes të udhëheqësisë dhe aktivistëve në pozita më të ulta hierarkike të udhëheqjes, sepse të parët ndryshonin shumë më lehtë dhe shumë më shpejtë, ndërsa këta të dytët, vazhdonin atë që e ‘kishin mësuar’ po nga këta udhëheqës!; mësuesit i kishin edhe më të keq nganjëherë se kur thuhet për hoxhollarët: “Bëni çka t’ju them, e jo çfarë bëj!”, ndërsa për LV-në, vlente kjo: secilën gjë që ju themi, bëjeni, ndërsa nëse ndërrojmë fjalët, edhe ju duhet ndërruar, sepse ajo është për të mirën e Kosovës dhe LV-së;
  3. Formësimi i aktivistëve. Formimi i qëndrimeve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! bëhej qoftë nëpërmjet ligjëratave, qoftë nëpërmjet shkollës politike-ideologjike, qoftë nëpërmjet përvojës në terren dhe fletushkave/broshurave/librave/filmave ideologjik që ua ofronin aktivistëve. Këta aktivistë duke marrë ligjërata për konceptin e LV-së, e formësonin përkatësinë dhe njohjen e programit të LV-së! Formësimi i bindjeve dhe qëndrimeve të aktivistëve ka qenë në përputhje me doktrinën ideologjike që promovonte LV-ja dhe ky formësim i tyre kalitej edhe nëpërmjet arrestimeve, pjesëmarrjes në protesta, aksione, konferenca e debate. Sidoqoftë, këta formësoheshin në stilin: gjithçka ose asgjë! U krijohej bindja për IDE TË MËDHA TË NDRYSHIME QË DO TË SJELLNIN SI LËVIZJE! U mësonin aktivistëve se si duhet sakrifikuar dhe nuk duhet ndryshuar! U mësonin qëndrime antithaçiste, antirugoviste, anti-isaiste, anti-ramushiste, anti-ahtisaariane, anti-kosovarizmit, anti-17 shkurtit, anti-banderollave serbe të produkteve me 860, anti-disa figurave politike-historike të ish Jugosllavisë! Pra, formësonin aktivistët në pikëpamje ideologjike, në përceptimet ndaj partive të tjera politike, duke i kritikuar deri në maksimum! Kalohej edhe në teprime! Nuk u mësohej se sistemi demokratik është sistem koalicionesh e negociatash! Se nuk mund të vendosësh gjithçka pa bisedime të vazhdueshme edhe me agjendat vendore, rajonale, ndërkomëbëtare dhe globale! Nuk u mësohej se partitë politike ndonëse janë përgjegjëse për situatën, do të mund të ndodhte të hyhej në koalicione me to! Duke kundërshtuar secilin koalicion para dhe paszgjedhor në shumicën e viteve si LV, natyrisht se tronditja do të vinte kur ndërrohej qëndrimi! E, sa i përket keqqeverisjes së paluftës, s’kam asnjë dyshim, por edhe demonizimi i të gjithave, doli si e pasaktë, sepse vetë kjo udhëheqje e LV-së, po i hante fjalët e veta! Po ashtu, ishte bizare ta shihje njeriun e konferencës për haraç, në afërsi të Haradinajt. S’rrinte kurqysh, bash kurqysh!
  4. Kulti i liderit. Në secilin subjekt politik, lideri bëhet kult për anëtarët dhe aktivistët e saj. Ka pasur aktivistë që janë tronditur kur kam dhënë kritika për udhëheqësinë në Prishtinë dhe raportin që ndërtonin me Qendrat si inferiore! Ka pasur aktivistë që Albinin e shihnin të pagabueshëm, gjenial, të pathyeshëm, kokëfortë, etj. Kurrë nuk mund të paramendonin se Albini do të ndryshonte në qëndrimet e tij rreth partive politike, koalicioneve me to, e shumë gjërash të tjera! E shihnin ndonjëherë tipik reinkarnim i Ukshin Hotit, që për mua në disa veprime ishte vërtetë ndjekje e filozofisë së Hotit, por sakrificat e tij ishin të pakrahasueshme me Albinin! Në LV ishte ndërtuar kulti i liderit, qoftë nga zhdërvjelltësia dhe leximi si pasion i Kurtit, qoftë nga investimet që ishin bërë edhe më herët për të, qoftë nga vetë roli i tij si lider, si patriot dhe ish i burgosur politik! Përmendej sidomos ajo deklarata e guximshme e tij ku qëndronte i burgosur! Po ashtu, ishte ndër ikonat e protestave të 1 tetorit 1997 në krye të Unionit të Studentëve e kështu me radhë! Aktivistët nëse në të gjithë do të dyshonin, në Kurtin, nuk do të kishte shanca ta mendonin atë me njolla! Prandaj, secili ndryshim i deklaratave të tanishme të tij me deklaratat e mëhershme, do ta trondisnin aktivistin e LV-së dhe do të shkaktojnë habi edhe tek të tjerët jashtë LV-së, por edhe kjo habi nuk do të zgjas me vite! Madje që në këtë fazë, shumë zëra thonë se Albini është bërë sikur liderët e tjerë, ndonëse askush nuk mund të thotë se ka përgjegjësinë sa të krejt liderëve të tjerë, sepse nuk ka qenë në pozita të larta ekzekutive dhe është më i varfëri prej tyre! Ndoshta edhe nuk mund të ketë kurrë pozita më të larta, varësisht nga zhvillimet politike dhe e ardhmja e tij, apo ndoshta mund ta ketë zenitin me këtë koalicion paszgjedhor, apo edhe të dështojë sikur Rexhep Qosja në politikë, ndonëse ky i fundit kishte dështuar ekstremisht më shumë sesa Albini! Nuk i dihet kurrë politikës! Sidoqoftë, kulti i Kurtit dalngadalë po bie me disa deklarata dhe sjellje të tij, por edhe rezultatet zgjedhore po ashtu kanë rolin e tyre dhe ardhja e shumë figurave me ndikim në LV, ka pasur efektin në uljen paksa të popullaritetit të tij! Ndonjëherë edhe disa përsëritje qëndrimesh dhe disa gjetje jo të duhura të metaforave për t’i përshkruar proceset politike, kanë bërë që t’i bie paksa kulti i personalitetit, por ai vazhdon të jetë kult në mesin e shumë aktivistëve! Pa të në krye, nuk mund ta paramendojnë LV-në, ngjashëm siç ka ndodhur me shumë subjekte politike në Kosovë e gjetiu! Prandaj, shkencërisht mund të thuhet si në vazhdim: sa më i lartë të jetë kulti i paprekshëm i Kurtit si udhëheqës i pagabueshëm, aq më e thellë do të jetë tronditja e aktivistëve, teksa ky ndryshon qëndrimet e tij, por edhe anasjelltas: sa më i fuqishëm kulti i tij si personalitet dhe lider, aq më shumë do të mund të bind aktivistët se po ndryshon për të mirën e LV-së dhe për të mirën e Kosovës.
  5. Filmat. LV-ja ka shfrytëzuar filmat dokumentarë dhe artistik për të formësuar aktivistët dhe anëtarët e saj. Këta filma janë lëshuar për çdo javë, ndonëse edhe me ndërprerje muajsh, dhe më pas, janë diskutuar në zyre të LV-së. Dy të këqija të këtyre filmave kanë qenë: lansimi i filmave vetëm me përmbajtje supra-ideologjike (neo-kolonializmi, privatizimi i dështuar në Argjentinë, fajet e korporatave në krizën greke, dhuna ndaj protestuesve të LV-së, e shumë e shumë filma që kanë bërë fjalë për vetëvendosjen si koncept, protestat, luftën kundër neokolonializmit, revolucionet, Irlandën e Veriut etj.) dhe gabimi tjetër ka qenë, intepretimi tërësisht subjektiv i këtyre filmave, duke u përpjekur që gjithmonë të ishte dikush nga LV-ja, që përfundon debatin në mënyrën e përputhshme me idetë e LV-së! Kjo ishte e dëmshme për këto arsye: nuk nxiste të menduarit kritik, por njedimensionalitetin ideologjik; nuk nxiste frymën kritike shumëdimensionale (nga perspektiva polivalente) dhe shpesh formësonte bindje të shtrembëruara lidhur me disa procese, sepse vetë filmat e caktuar po bazoheshin kryesisht në filozofitë majtiste! Këta filma kanë ndikuar që formësimi i tyre shumë i ngushtë ideologjik të shoqërohej me tronditje të thellë nëse do të dilej nga këto parimësi! Vlerësimi dhe komentimi i disa nga proceset politike të ngushtohej vetëm në perspektiva të ideologjizuara, në kuptimin e shtrembërimit të të vërtetave të plota! Nuk ishin aq të thjeshta zhvillimet globale dhe historike në vendet e ndryshme të botës. Bile mua shpesh më pengonte që duhej të vinte dikush nga Prishtina sapo të shfaqej ndonjë film në zyrën e LV-së në Gjilan, thua se dikush duhej ‘kujdestaruar interpretimin rigoroz ideologjik’, sepse kjo vinte edhe nga superioriteti që tregonte Prishtina ndaj qendrave inferiore! Flisnin kundër supremacisë, racizmit, neo-kolonializmit, etj., ndërsa në anën tjetër, ky trajtim në raport superior-inferior, Prishtinë-qendrat e LV-së, ishte në fakt simptomë e joparimësisë në fjalë dhe vepra! Ne mund të shihnim filma pa nevojën që dikush të ishte domosdoshmërisht nga Prishtina! Unë në secilin film kam dalur nga perspektiva të tjera, përveç asaj që besonim si organizim dhe organizatë, sepse besoja që edhe sikur të kishim qëndrim majtist mbi disa zhvillime dhe komentimin e filmave nga kjo perspektivë, aktivistët e rinj, duhej mësuar të menduarit universal kritik, por jo edhe ‘dhënien e mendimeve të gatshme’, nga fuqia e autoritetit lokal apo qendror! Kam pasur shumë polemika lidhur me këto zhvillime që nga fillimi dhe njihesha si kritik, duke hidhëruar ndonjëherë edhe aktivistët e Qendrës në Gjilan dhe në Prishtinë, si ‘prishës i autoritetit të Qendrës’, ngase isha njohur me një thënie: “Askujt mos ia jepni trurin me qera”! Po ashtu, habitesha me disa vendime që merreshin rrap-tap në Prishtinë, apo që nuk e dinim paraprakisht se çfarë do të bënim në protestat dhe aksionet e organizuara! Ka ndodhur të shkonim, pa e ditur fare skenarin dhe të hyja vetëm se kishte aktivistë të rinj, dhe kishim përgjegjësi për ndonjë lëndim! Më dukej e tmerrshme kjo dhe disa herë i kam kritikuar! Doja ta dija se nëse është aksioni i paarsyeshëm, edhe mund ta refuzoja! Isha qenie që mendoja dhe refuzoja! Nuk doja të isha shndërruar në numër, por vazhdimisht si qenie krijuese dhe menduese, duke gjykuar veprimet e grupit varësisht nga racionaliteti i tyre sipas këndvështrimit tim! Tipik jokonformist, por jo edhe devijator, ta kundërshtoja një vendim vetëm pse kënaqesha gjatë kundërshtimit! Absolutisht jo!Natyrisht se kjo tronditje vjen në struktura politike ku aktivistët formësohen të respektojnë aq shumë autoritetet dhe duke besuar në moralin super të lartë të udhëheqësisë, duke mos vënë në dyshim edhe keqpërdorimin e autoritetit të tillë, nga secili prej nesh! S’më pëlqente fryma e tejshquarjes së organizatës dhe narcizmit të grupit si të tillë! Shihja edhe te vetja, edhe te grupi, shumë të meta e gabime!
  6. LV-ja ka luajtur me ide të mëdha, parime të larta e kështu me radhë dhe tronditja vjen sidomos nga ata që prêt shumë, e jo nga ata që edhe vetë e pohojnë se, ‘nuk janë aq të drejtë dhe kanë hyrë për të bërë politikë’! Askush nuk zhgënjehet aq me të tjerët, të cilët nuk kanë shfaqur pritshmëri ekstreme, prandaj tronditja më e madhe është tek aktivistët, sepse pritja nga LV-ja ka qenë tepër e lartë!
  7. Inati nga të tjerët. Shumë aktivistë ndihen keq kur shohin që LV-ja po ndryshon radikalisht dhe si tua thonë të tjerëve, familjarëve e kështu me radhë, këtë ndryshim kursi politik! U ka ndodhur të përplasen me të njohur e të panjohur, madje edhe fryma e reagimit ndaj kritikës së LV-së, ka qenë shpesh emocionale, fanatike dhe ‘gjuheshin’ fort keq nëpër rrjete sociale! Mua kurrë s’më ka pëlqyer ajo formë e reagimit kolektiv impulsiv, duke i quajtur të gjithë kritikët, si ‘SHIK-ista, spiunë, tradhëtarë, të shitur, servilë ndaj pushtetit, proserbë, pro-thaçistë, e tjerë e tjerë’. Natyrisht se shumë prej tyre tani u vjen keq që kur të tjerët kanë thënë se ‘edhe Albini është sikur të tjerët’, këta ‘sytë ua kanë nxjerrën njerëzve’ nëpër debate, duke e mbrojtur dhe duke mos e dyshuar asnjëherë sinqeritetin e Kurtit, e sidomos qëndrueshmërinë e tij të pathyer! Ky inati ndaj të tjerëve për ndryshimet e Kurtit dhe LV-së, i bënë të ndjehen të sikletshëm, të dëshpëruar dhe të tallur nga të tjerët, me të cilët dikur kanë shkuar ‘fyt-za’! Prandaj tronditen shumë se si të dalin në qytet dhe të paraqiten online në rrjete sociale!
  8. Albini si fajtor për tronditjen e aktivistëve! Duke qenë lider i kahmotshëm i LV-së, Kurti ka gabuar që ka përdorur përgjithësime për partitë e tjera politike; që ka përjashtuar secilën mundësi për koalicione në të ardhmen me këto parti; ka përdorur shpesh në fjalorin dhe kolumnet e tij: “kurrë”, “asnjëherë”, “s’ka shanca”, “në asnjë mënyrë”, “në asnjë rrethanë”, “jemi të pandryeshueshëm”, “jemi të pathyer”, “jemi të qëndrueshëm”, “nuk i hamë fjalët”! Ka përdorur shumë batuta me vend e pavend për liderët e subjekteve të tjera politike, duke mohuar secilin bashkëpunim të mundshëm me ta! Ka proklamuar parime të larta, pagabueshmëri, përsosmëri, pandryeshueshmëri, qëndrueshmëri! Ka deklaruar fjali të cilat janë problematike në politikë ku sendërtohet përmes konsensusit, dialogut dhe marrëveshjeve! Ka hëngër fjalët e veta dhe në vend të pranimit të këtij ndryshimi, qoftë vetëm si lojë politike për të gjetur metoda të reja të realizimit të progamit të LV-së, tek e fundit, ai akoma po mendon se të tjerët gabojnë nëse menduakan se ai dhe LV-ja ka ndryshuar! Jo domosdoshmërisht ndryshimet janë të këqija, por më i keq se çdo gjë është edhe mospranimi i gabimit dhe lakueshmërisë së qëndrimeve!
  9. Fajtor për tronditjen e aktivistëve janë vetë këto ndryshime të LV-së nëpër kohë; edhe vetë kapërcimi i madh nga Lëvizje në gjysmë-parti dhe gjysmë-Lëvizje; nga anti-koalicione në pro-koalicione; nga jo-negociata-vetëvendosje në udhëheqje të negociatave… dhe të gjitha këto sjellin tronditje për aktivistët; ndryshimet befasuese janë sikur ‘lajmet e këqija papritur’, të cilat kur ia transmetojmë të afërmive e miqve, mundohemi t’ia themi më butë, më qetë dhe me rrotulla, sepse nuk duam t’i trondisim. Tronditja lidhet me befasi, zhgënjim, shqetësim, panik, depresion dhe humbje të vetëbesimit, vetëvlerësimit dhe vetërespektit!
  10. Humbja e kontaktit më të shpeshtë të strukturave lokale dhe qendrore të LV-së me aktivistët. Duke qenë se aktivistët marrin vesh për shumë zhvillime nëpër lajme, kjo ka ndodhur saktësisht ajo çfarë LV-ja kritikonte subjektet e tjera politike për vendime arbitrare, pa demokraci të brendshme dhe pa i pyetur anëtarësinë, duke u bazuar në vullnetin e udhëheqësisë. Ndonëse është përmendur edhe nga Albini në konferencën e 10 shtatorit 2014, se do të ketë referendum të brendshëm për hyrjen apo jo në Qeveri, me marrëveshjen e tillë, në fakt kanë bërë hapa vendimmarës pa u konsultuar gjerësisht me strukturat e LV-së, qysh e përcakton Statuti i LV-së. Bile edhe nëse bëhet referendumi nën këtë presion të situatës dhe krijimit të përshtypjes nga lartë-poshtë, në fakt ky verdikt internal demokratik mund të jetë sa për sy e faqe! Kanë harruar udhëheqësit e LV-së se sa kanë kritikuar partitë e tjera politike se si liderët po vendosnin për të gjitha çështjet, ndërsa lidhur me shumë marrëveshje, aktivistët më shumë se për shumë arsye të tjera, janë tronditur thellë edhe për faktin se janë zënë ngushtë, të befasuar, të painformuar si dhe sa duhet me kohë dhe në mënyrë transparente. A ka më ironike dhe paradoksale se sa shumë aktivistë të mësonin për marrëveshje e koalicione nga mediet, ngjashëm siç kritikonte Albini ish kryeministrin Thaçi, se për marrëveshjet me ish kryeministrin serb Daçiq, deputetët e Kosovës po informoheshin nëpërmjet medieve, e jo nëpërmjet dokumenteve që do të duhej të ishin në duart e tyre, ngjashëm siç do të duhej të ishte edhe në duart e aktivistëve, secila marrëveshje për koalicionin paszgjedhor?!
  11. Aktivistët po tronditen edhe për faktin e gjithëpranuar se kur ndryshon grupi i tyre dhe duan ta ruajnë vazhdimësinë apo konsistencën e qëndrimeve të subjektit të tyre, gjithmonë do të ketë individë që i përjetojnë thellë ndryshimet dhe kjo është krejt e arsyeshme. Ka tipa individësh, pavarësisht strukturës dhe mënyrës së organizimit të një grupi (politik, fetar, kulturor, etj.), sado perfekte të jenë ndryshimet, nuk i pranojnë lehtë. Njerëzit dhe shoqëritë në përgjithësi, janë mjaft rezistente ndaj ndryshimeve. Në mesin e tyre ka edhe aktivistë, të cilët refuzojnë ndryshimet, qofshin këto ndryshime edhe të nevojshme për kohën.
  12. Aktivistët kur shohin se po ndryshon lideri i tyre, udhëheqësia dhe pamja e LV-së, kanë edhe ndjenja reale të zhgënjimit, pesimizmit, irritimit dhe ndjenjës se mund të jenë mashtruar, qoftë nga lideri, qoftë nga strukturat e përgjithshme udhëheqëse, por qoftë edhe nga imazhi i gabuar utopik që kanë ndërtuar me kokat e tyre ndaj LV-së! Duhej marrë gjërat më shtruar, sepse sikur revolucionarët, sikur pasrevolucionarët, së pari mbushin barkun e tyre dhe ngushtojnë oreksin e të tjerëve për interesat e tyre personale!

 

PËRPJEKJE PËR REZYME

Së fundi, secili ndryshim, sado i vogël, te një pjesë e individëve, të secilit organizim shoqëror, do të shkaktojë tronditje, por tronditjet e mëdha sidomos vijnë sa më të mëdha të jenë pritjet! Dhe kështu ka ndodhur me tronditjet e aktivistëve, të cilët me të drejtë kërkojnë llogaridhënie, përgjegjësi dhe transparencë! Kjo duhet t’u thuhet aktivistëve nëpër strukturat lokale dhe të nivelit qendror, por edhe publikut të gjerë, duhet t’i thuhet e vërteta e plotë e këtyre ndryshimeve në 180-shkallë! Përndryshe, këto ndryshime, nga disa që njohin politikën në vend, e dinë se janë të natyrshme, por nga aktivistët që janë formësuar të kenë pritje aq të larta, janë jo të panatyrshme, por edhe shumë zhgënjyese dhe tronditëse! Prandaj, lideri i duhur merr pjesë aktive në pranimin e fajit dhe ndarjen e dështimit e të suksesit bashkë me bashkëveprimtarët e tij, pavarësisht pozitës hierarkike! Aktivistët më shumë se kushdo tjetër, meritojnë të vërtetën e plotë të këtyre kapërcimeve të mëdha të LV-së, sepse ata me të cilët më ka ra të punoja e të bisedoja, kanë qenë mjaft të sinqertë, të devotshëm, vetëmohues, idealistë dhe kanë qenë në gjendje të arrestoheshin edhe në moshën 16-vjeçare (përjashtim gjithmonë ka për të mirë e për të keq, por në përgjithësi kam pasur një përvojë të jashtëzakonshme në LV)! Unë e ndjeva këtë nevojë për t’u solidarizuar me ta, si njëri prej ish nënkryetarëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan! Përndryshe, prej fillimit kam qenë i vetëdijshëm se diçka utopike ishte ndërtuar brenda LV-së dhe përpiqesha t’ia thoja secilit aktivist dhe anëtar, ndonëse më shihnin ‘më pak vetëvendosje’ dhe herë-herë me rezerva! Më shihnin se gjykoja sikur të mos isha fare i rreshtuar dhe me pritshmëri më reale! Sot e dij se me siguri ata kujtojnë shumë fjalë që kisha thënë brenda strukturave të LV-së dhe se ‘trurin me qera nuk duhet dhënë askujt’! Ata këtë fjali edhe e kanë pritur me indinjatë, por sot mund t’u shërbej edhe për të mirë, se nuk e kisha për ndonjë qëllim të keq! Ndonëse e pranoj: këto ndryshime edhe i kam pritur, bash jo kaq të shpejta dhe jo me këtë retorikë të udhëheqësisë së saj! Prandaj, më së shumti më shqetëson: kush do të marrë përgjegjësi për shumë aktivistë që janë tronditur me plotë të drejtë prej se është themeluar LV-ja e gjer më 10 shtator 2014, me firmosjen e marrëveshjes më të re dhe askush nuk ka guximin publik për të marrë edhe përgjegjësi, apo për të kërkuar ndonjë falje për pritjet joreale dhe paqëndrueshmërinë në fjalë e vepra, sidomos nga nivelet më të larta të udhëheqjes së LV-së?!  Përndryshe, gabimi më radikal sesa vetë këto ndryshime që kanë ndodhur në qëndrimet e Kurtit dhe vetë LV-së, është të bërit sikur asgjë s’ka ndodhur dhe habia e tyre me këto tronditje dhe reagime! Përndryshe, asgjë nuk është tronditëse, përveç faktit që po bëhet sikur s’ka ndodhur asgjë dhe nuk po kanë kurajo vetë udhëheqësit e LV-së, për t’u ofruar me aktivistët dhe t’ua shpjegojnë gabimet gjatë krejt procesit të tyre! Plus që nuk ishim të pagabueshëm dhe më nuk do të sillemi sikur të ishim sekt fetar! Edhe një gjë që duhet ta kenë parasysh LV-ja është fakti se shumë nga ata që kanë dalur nga ky subjekt politik dhe të cilët i njohim direkt dhe indirekt, e ndjejnë njëfarë afërsie, tamam sikur një komunitet me prefiksin e së shkuarës, ‘ish vetëvendosje’! Mirëpo, LV-ja duke qenë se e ka kuptuar se në secilin moment radikal të ndryshimit të saj, ka pasur disa ikje të radhëve të saj, është mësuar me ikjet e njerëzve dhe shumica e këtyre largimeve, janë arsyetuar, banalizuar, etiketuar dhe gjykuar në mënyra shpesh jo të drejta dhe jo parimore, duke thënë arsye nga më të ndryshmet për arsyet e largimeve! Po ashtu, LV-ja e ka kuptuar se që largohen një grup aktivistësh, gjithmonë dalin të rinj e të reja, të cilët i rekrutojnë brenda subjektit të tyre politik dhe shpesh relativizojnë peshën edhe të njerëzve me kualitete dhe të dëshmuar në punë e angazhime profesionale, aktivizëm dhe devotshmëri! Tek e fundit, LV-ja duhet ta rris shqetësimin e saj dhe të bëjë analiza më të hollësishme, pse shumë njerëz me aftësi të verifikuara intelektuale dhe profesionale, tashmë nuk i ka në radhët e saj dhe i janë larguar?! S’po flasim për ikjet e ndonjë deputeti që s’ka duruar që të jap gjysmën e parave për konton e përgjithshme të LV-së, ose që nuk është pajtuar rreth temave të caktuara të religjionit, apo nuk ka fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare, por po flasim për një kontigjent shumë të lart të atyre që kanë braktisur Lëvizjen VETËVENDOSJE!, ku në mesin e arsyeve të përbashkëta ka qenë edhe ‘devijimi nga parimësia e deklaruar brenda dhe jashtë LV-së’! Perfundimisht, LV-ja duhet të brengoset seriozisht edhe për ikjet paimore nga radhët e saj, edhe për tronditjet e aktivistëve të tyre, por edhe për lëndimet e tjera dhe ngjarjet tragjike të aktivistëve të tyre! Madje të jap llogari për ta dhe para tyre!

Avni Rudaku – ish nënkryetar i dytë i Qendrës së LV-së në Gjilan (2011-2014) dhe ishte dorëhequr para shumë muajve nga secila pozitë dhe përkatësi partiake, qoftë edhe si anëtar i thjeshtë

VËMENDJE: nuk lejohet shpërndarja/botimi pa lejen paraprake të autocrat, THE Frontliner tanimë e ka autorizimin për botimin e këtij materiali.

Avni Rudaku, i njohur si Rud-Fiqiruesi, është analist shkencor në fusion e publicistikës, analizës politike, kritikë së artit, poezisë dhe recensioneve letrare. Aktualisht është kolumnist i rregullt i shtojcës javore për kulturë në gazetën “Kosova Sot”. Aktiviteti profesional i Rud-Fiqiruesit është i pasqyruar në ditarin e tij dhe në kontributin e tij profesional tek THEFrontliner.net Rudi, ka botuar librat: “Poezi pa frymë” (2010) dhe “Pa frymëzime” (2011).

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY