GAZETARËT PA SIGURI NË PUNË

Fotoreporteri i pamvarun Vedat Xhymshiti thotë se institucionet përgjegjëse për me zbatue ligjin, nuk po e zbatojnë.

Rasti i fundit i sulmit të gazetarit Milot Hasimja në vendin e tij të punës duhet me shërby si  pikë kthese për krijimin e nji ambienti të sigurt për punë të gazetarëve.

Ky rast ka ba që në Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë me u mbledh rreth 100 gazetarë, redaktorë  të mediumeve të ndryshme kosovare, në shejë proteste kundër dhunës ndaj gazetarëve. Në këtë protestë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovë u bani thirrje pronarëve të mediave me zbatu ligjin e punës dhe ligjin për siguri në punë.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekrija Shabani tha se vetëm gjatë gjashtë muejve të këtij viti ky asociacion ka pranue dheta raste të kërcënimeve, shantazheve, dhe pengesa në punë që u janë ba gazetarëve.  Rasti i therrjes me thikë të gazetarit Milot Hasimja në vendin e tij të punës, dëshmon për  ambientin e pa sigurt  në të cilin punojnë gazetarët.

AGK kërkoj që çdo kërcënim që i bahet nji pjesëtari të medias me u hetue me urgjencë të naltë. Po ashtu, AGK ka kërkue  që urgjentisht me u forcue  garancitë ligjore për respektimin e të drejtave themelore të punësimit për gazetarët.

Fotoreporteri i pamvarun Vedat Xhymshiti thotë se institucionet përgjegjëse për me zbatue ligjin, nuk po e zbatojnë.  E rasti i fundit, thotë ai, asht rast për keqardhje. Simbas tij, siguria e gazetarit në Ballkan në përgjithësi asht shumë e ulët, apo edhe nuk ka siguri fare.

Për me kundërshtu dhunën ndaj gazetarëve dhe me u solidarizue me rastin e fundit të sulmit ndaj gazetarit Hasimja, ishin edhe disa anëtarë të shoqnisë civile, të cilët kërkuen me u rrit siguria në vendin e punës në çdo medium.

Petrit Zogaj nga Lëvizja Fol tha se nuk mundet me u injorue rasti i fundit i sulmit ndaj gazetarit Milot Hasimja.  Simbas tij ky duhet me shërby si mësim i mirë për mediat tjera, dhe ato me krijue nji lloj sigurie në punë.

Ndryshe, nji ditë me parë,  në zyrat e Klan Kosovës,  i dyshuemi Sovran Syla ishte fut tue  sulmue gazetari Milot Hasimja. Mbas tretmanit të marrë  në QKUK, gjendja e tij  shëndetësore asht stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. | © Rrokum TV — Tetor 2014 |

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY