Të Jetosh Artistikisht

Shpeshherë kur flasim për të bukurën në përgjithësi, mendja na asocion me vende të caktuara për t’i shijuar ato (në ekspozita, në shfaqje teatrore, në kino, në muzeume, etj.),...
Pamje nga Jugu i Holandës, në Provincën 'Nord Brabant'. Foto: Vedat Xhymshiti, për THE Frontliner

Pamje nga Jugu i Holandës, në Provincën ‘Nord Brabant’. Foto: Vedat Xhymshiti, për THE Frontliner

Shpeshherë kur flasim për të bukurën në përgjithësi, mendja na asocion me vende të caktuara për t’i shijuar ato (në ekspozita, në shfaqje teatrore, në kino, në muzeume, etj.), ose në persona të caktuar (p.sh., misterët e miset e botës, fotografi të personave atraktiv etj.), por jo edhe si mënyrë jetese.

Me shkas vizitën në Holandë


Të jetosh në mënyrë artistike është arritja më e madhe që mund ta ketë shoqëria në tërësi. Ne shpesh ndodh në Kosovë të mos shohim as ekspozita artistike në disa komuna që organizohen për ndonjë ngjarje, por kjo është shumë më pak e dëmshme për sytë e shpirtin tonë, në krahasim me hapësirat e shëmtuara publike në lokalitetet ku jetojmë dhe veprojmë për secilën ditë. Në vizitën që i bëmë Holandës, domosdoshmërisht lindte fjalia: Ja si jetohet artistikisht! Të jetosh artistikisht do të thotë të kesh hapësira të bukura publike, të kesh hapësira për të ecur të vetëm, me familje apo me fëmijët tanë ‘përdore’; të jetosh artistikisht do të thotë të të kënaqet syri teksa sheh rrugët me tulla të kuqe dhe kombinimet e ndryshme të ngjyrave; të kënaqesh gjersa sheh se si çdo lagje ka miniparqe, lodra e lojra për fëmijë, pushimore për të moshuar apo këdo që don ta shfrytëzon falas hapësirën e përbashkët; të shohësh se si janë vendosur ndërtesat me planifikim të duhur urbanistik, se si janë të ndërtuara shtëpitë në lagje të ndryshme, se si janë të rregulluar kopshtet e tyre, e tjerë e tjerë. Të jetosh artistikisht do të duhej të nënkuptonte të jetuarit e përditshëm pranë të bukurës, i rrethuar me të ngado, sa herë të dalësh në rrugë, në dritare (në frëngji), në trotuare, në rrugë kryesore e periferike, në qendër të qytetit, në male etj.

Sneek, Holandë — ©Vedat Xhymshiti, për THE Frontliner

Sneek, Holandë — ©Vedat Xhymshiti, për THE Frontliner

Shtëpitë holandeze

Ka disa dallime të konsiderueshme të shtëpive gjermane dhe atyre holandeze sa i përket hapësirës për njësi banuese. Holanda si vend i dendësive të mëdha demografike, duke u tkurrur në ambientet personale, kishte dhënë maksimumin për hapësirat e gjera publike! Duke u njohur si vend me prodhime të hatashme bujqësore, ka racionalitet në maksimum për të mos zënë hapësira rreth banimit! Nuk është e habitshme të shohësh aq shumë mrekulli artistike në vendet si Holanda, sepse nuk mund të kesh hapësira publike pa e lënë pak anash interesin personal për ta dominuar hapësirën publike. Shtëpitë holandeze në disa vende që vizituam, thuajse ishin të gjitha me tulla, ku dominonin ngjyra e kuqe, e hirtë, e verdhë etj. Shtëpitë janë mjaft karakteristike, ku tullat dominojnë tërë infrastrukturën e shtëpive private, objekteve private dhe tërë infrastrukturës fizike. Kështu dukej edhe me shtëpitë gjermane në disa qyteza e qytete më të vogla, ku tulla përbënte të zakonshmen si material ndërtimor i shtëpive. Ka edhe materiale ndërtimore vetëm me beton, siç e pamë kishën në Brunssum, e cila ishte e ndërtuar me material betoni dhe kishte hijeshi sa të doni, por gjëja më e veçantë që pashë në materialin ndërtimor në Holandë ishte ndërtimi i supermarketeve, shtëpive, kishave, muret e pompave të benzinit, e tjerë e tjerë, të gjitha me tulla. Kishte stilizime ngjyrash të ndryshme, por emëruesi i përbashkët ishte se gjithçka ishte e përbërë nga tullat! Dhomat ishin të vogla në dimensione banimi, por dukja e jashtme, shtëpitë pa asnjë rrethojë, qoftë hekura, beton, etj., ngjitja e shtëpive ndërmjet vete, janë karakteristika të veçanta holandeze të banimit. Në disa lokalitete thuajse shumë pak mund të shihje ndërtime të larta. Secili fshat, qytezë apo qytet, ka kisha. Kishat janë me objekte të madhësive të ndryshme, por edhe shumë monumente në qendra të fshatrave a qyteteve janë me simbolet e kryqit, Jezu Krishtit etj. Është veçori edhe e disa familjeve që të vendosin kryqin pranë ose në murin e jashtëm të shtëpisë. Vendbanimet janë shumë të qeta, nuk mund të shohësh aq shumë njerëz siç jemi mësuar në vendin tonë. Ndonjëherë thua: ah bre t’i kishim këto hapësira publike në Kosovë dhe do të kënaqeshim sepse do të mund t’i shfrytëzonim shumë më shumë, nga koha e lirë e papunësia?! Një veçanti tjetër e ndërprerësit të rrymës elektrike në banjot holandeze, por ndonjëherë edhe të koridorit apo dhomave është fakti i ndërprerësit me tojë të gjatë, ku ka ndërprerje pak centimetra më poshtë ndërprerësit të dritës, me pak plastikë, në mënyrë që duart e lagura të mos ju lëndojnë gjatë kontaktit me elektricitetin. Kjo hetohet shumë lehtë nga secili vrojtues i këtyre detajeve teknike. Duket e thjeshtë, por mbetet ide e mirë e heqjes së frikës për kapje nga elektriciteti gjatë kontaktit me duart e lagura përmes tojës si tërheqje poshtë-lartë!

TË JETOSH NË MËNYRË ARTISTIKE DHE SPORTIVE

Të shohësh se si nxënësit e shkollave të mesme duke përfunduar orarin mësimor gjatë ditës dhe të shohësh pamjen e vërshimit të të gjithëve me biçikleta, nuk mund të mos të thuash se këtu bëhet jetë artistike e sportive! Në brendi të vendbanimeve ka shumë pak vetura në qarkullim, me përjashtim të kohës kur dalin apo shkojnë në punë. Holanda duket vend ideal për biçiklistët. Prindërit me biçikletë mund t’i shohësh duke ngasur me fëmijët e tyre po ashtu me biçikletë; të moshuarit e shtyrë në moshë nuk ecin të kërrusur, por mirëmbajnë veten e tyre, kanë kujdes shëndetësor (mund të shohësh edhe pritje të gjata të atyre pas moshës së mesme duke marrë vaksina kundër gripit vjeshtor e dimëror, si parapërgatitje imunitare e organizmit të tyre). Gjatë natës, biçiklistët pajisen me drita. Ka shumë biçiklistë që kanë edhe helmetat e tyre mbrojtëse në kokë dhe ka shumë parkingje për biçikleta. Nuk ka vend që s’ka vendlidhje dryri për biçikleta. Përveç biçiklistëve me drita gjatë natës, gjeni shumë vrapues të moshuar e të rinj, të cilët janë të veshur në mënyrë sportive, vrapojnë në shtegun përreth rrugës dhe mbajnë drita në trupat e tyre për t’u mos u lënduar nga ndonjë biçiklist apo ndonjë gjë tjetër. Biçiklistët kanë të gjitha favoret e tyre karshi automjeteve, madje ndonjëherë të krijohet përshtypja se janë më të shenjtë edhe se vetë këmbësorët! Përveç kësaj, kemi shumë rrugë speciale vetëm për biçikleta, ku përsëri tulla mbizotëron materialin ndërtimor të shesheve e rrugëve. Gjithçka është tulla! Tullat janë kudo në infrastrukturën e holandezëve, por edhe në Gjermani duket mjaft i shprehur, sidomos në vendet afër zonave kufitare, ku ndikimet reciproke janë më të fuqishme. Kudo mund të shohësh jetë artistike dhe sportive, të të gjitha kategorive shoqërore! Plakat dalin e shëtisin me qen, ngasin biçikletën, ngjyrosin flokët. Nuk duken pleq të plogështuar, të mbyllur nëpër shtëpi, me aq shumë ankesa fizike siç ndodh te ne. Këtu një e keqe e vetme mbetet vetmia e thellë, por edhe kjo kalohet me shumë mekanizma institucionalë të shtetit dhe kishave. Kisha ka përreth banesa ku përkujdeset për pleqtë dhe ofron shërbime sociale në mënyrë të jashtëzakonshme. Ajo i jep ndihmë të madhe shtetit për personat e moshuar, personat në nevojë, fëmijët jetimë, etj. Kisha duke qenë në të kaluarën me aq shumë prona, pasuri dhe kapital social e kulturor, ajo është e pranishme simbolikisht mjaft shumë në Holandë, me përjashtim të ndikimit klasik. Ajo pas rënies së madhe në Mesjetë, ka gjetur veten në rolin e ri, nga ai politik në atë social. Kisha duke qenë se ka pasur shumë prona, ka ndarë ato edhe për pronën publike e komunat, e disa i jep edhe me qera falas apo me ndonjë shumë të vockël, prandaj roli i saj mbetet në dimensione të tjera dhe shteti respekton e bashkëpunon për lehtësim të jetës së qytetarëve. Ka shumë kisha që mund t’i gjeni pa çelës, të luteni e të pushoni në to dhe askush të mos ju pengojë! Të moshuarit e vetmuar mund të gjejnë ngushllime këtu!

Referencat mbi Holandën

Van Gogh mbetet ndër më të famshmit holandezë, sall pa menduar më gjatë. Ndër prioritetet e vizitës ishte edhe vizita e muzeut të këtij piktori post-impresionist që revolucionarizoi artin botëror dhe u bë emër mësimi për shumë breza kudo në shkolla. Holanda njihet për Philips-in, për biçikletat, për tokën krejt të rrafshtë, për Van Gogh-un, për tulipanët, për lidhjen shpirtërore nacionale me ngjyrën e portokalltë, për liberalizim dhe legalizim të marihuanës ku secili të pyet sapo i tregon për këtë vend: “A ngrehe mariahuanë bre?!

Diçka për Kosovën

Ambienti publik në Kosovë mbetet shumë i dhunshëm, shumë i zhurmshëm, shumë i papërshtatshëm për fëmijët tanë. Fëmijët kosovarë po ta kishin një sistem dhe ambient më të mirë si i sojit holandez, do të ndiheshin shumë më mirë dhe shumë më pak të frustruar! Kur krahason Kosovën për ambientet publike që ka, qoftë për fëmijët, për të rriturit e të moshuarit, të vjen shumë zor të mendosh se bëhet jetë normale! Fëmijët tanë shpesh s’kanë ku të ecin, s’kanë ku të luajnë, s’kanë ku të dalin me prindërit e tyre dhe hapësirën publike ia kemi dhunuar atyre, e lëre më vetes sonë si të rritur! Pamja e lokaliteteve tona është larg secilit standard të synuar për të bërë jetë artistike dhe sportive! Vendosja e monumenteve, renditja e njësive banuese është kaotike! E kishte pas thënë një i huaj se Kosova është kaos i organizuar! Kishte të drejtë në ironinë e tij paradoksale! Vërtetë na duhet shembje e këtij rendi të shëmtuar arkitektonik të hapësirave publike. Na duhet vërtetë rritje e kujdesit për të jetuar më artistikisht në përditshmëritë tona! Me iu afrue bile pak Holandës!

Avni Rudaku, i njohur si Rud-Fiqiruesi, është analist shkencor në fusion e publicistikës, analizës politike, kritikë së artit, poezisë dhe recensioneve letrare. Aktualisht është kolumnist i rregullt i shtojcës javore për kulturë në gazetën “Kosova Sot”. Aktiviteti profesional i Rud-Fiqiruesit është i pasqyruar në ditarin e tij dhe në kontributin e tij profesional tek THEFrontliner.net Rudi, ka botuar librat: “Poezi pa frymë” (2010) dhe “Pa frymëzime” (2011).

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY