'Esperanza' e Pashpresë!

“Tamango” është një produksion filmik francezo-italian i vitit të largët 1958. I realizuar 56 vjetë më parë, filmi sjellë të plotë e të plotësuar pamjen e shfrytëzimit racial në...

“Tamango” është një produksion filmik francezo-italian i vitit të largët 1958. I realizuar 56 vjetë më parë, filmi sjellë të plotë e të plotësuar pamjen e shfrytëzimit racial në botë, i cili nuk kishte marrë fund de jure as në atë kohë. Nën regjinë e Xhon Berrit – një regjisori të përndjekur politikisht – “Tamango” erdhi asokohe si një goditje ndaj rendit skllavopronar që akoma nuk ishte zhdukur plotësisht në botë dhe si një rrëfim për disa skllevër që arrijnë një subjektivitet të lartë dhe që pranojnë më parë të vdesin të lirë sesa të jetojnë skllevër.

Xhon Berri u përndoq  e dëbua gjatë fundviteve ’40 dhe fillimviteve ’50 nga paranoja mekkartiane e ShBA-së, e cila në çdo skutë shihte “propagandë të kuqe” (bile edhe veprat e Shekspirit qenë cenzuruar nga FBI-ja(!)) Filmi u shfaqë në Nisë të Francës, por kjo e ndaloi të shfaqej asokohe në kolonitë e saj afrikane, për arsye lehtësisht të paramendueshme. Në Nju-Jork u shfaq vetëm më 1959, por më pas u ndalua nga qeveria amerikane, për arsye që – siç pretendonin ata – në film kishte skena të marrëdhënieve seksuale ndërmjet një burri të bardhë dhe një vajze zezake. E, kjo, që quhej “miscegenation”, për ShBA-të e asaj kohe ishte tabu e pakalueshme.

10407113_10205266745287931_2743020962248200927_n


Filmi bazohet në tregimin e Prosper Merimesë “Tamango nëpër Atlantik”, i shkruar në vitin 1829, mu në fund të restaurimit të dinastisë së Burbunëve dhe në vigjilje të ndalimit përfundimtar të tregitsë së skllevërve në Francë.

Filmi nis me vargun e skllevërve që nisen mw 1820 nga brigjet e Guinesë në drejtim të Havanës, në Kubë. Skllevërit e lidhur duarsh e këmbësh nuk shoqërohen nga asnjë i bardhë – ndonse janë “pronë” e tyre dhe po barten nën urdhërat e tyre. Skllavopronarët e bardhë i kanë vënë si roje pikërisht disa zezakë të tjerë. Për vargun e skllevërve zezakë e kanë vënë të kujdeset zezakun. Një si skllevërit. Njërin që është një nga ata. “Skllavi kujdestar i skllevërve” mban në dorë një kamxhik me të cilin ai rrah sivëllezërit e tij. Ai është ndërmjetësi mes skllevërve të zi dhe zotërinjve të bardhë. Kamxhiku i tij s’është vetëm armë për disiplinimin e skllevërve, por është edhe lavjerrësi ku luhatet fati i jetës së “skllavit kujdestar”: mes të qenit skllav në mënyrë reale dhe joskllav në mënyrë imagjinare. Është diferenciali që e largon atë nga të tijët, por e mban po aq larg nga kolonizuesi. Se skllavi kujdestar nuk pushon së qeni skllav vetëm se ka kamxhik në dorë. Ai vetëm sa bëhet edhe skllav edhe kujdestar. Anipse vetë ai nuk goditet fizikisht nga kamxhiku që po e mban në duar, kur godet shokët e tij me të, ai vetëfshikullohet politikisht. Secila goditje e tij me kamxhik ndaj shokëve të vet është goditje ndaj idesë së lirisë së skllevërve. Sa më shumë distancohet ai nga të vetët, po aq e largon ditën e çlirimit edhe të vetvetes.

1536421_10205266749208029_5712594170331883027_n“Skllavi kudestar skllevërish” është një profesion që nuk është harruar as sot. Epokat kanë rrjedhur ndërkohë, por edhe sot kemi “skllevër kujdestarë skllevërish”. Sot i kemi me uniforma, por edhe me kamxhikë modernë, me shkopinj gome e me pendrekë, me mburoja dhe helmeta, e besa edhe me armë. Ata janë skllevër që paguhen t’i shërbejnë zotërisë për t’i kontrolluar me dhunë pjesën tjetër të skllevërve të shumtë. Ata besojnë që s’janë skllevër vetëm pse kanë kamxhikun në duar, por duke rrahur ata që janë më shumë si ti sesa si zotëria – në mbrojtje të zotërisë – ti je edhe skllav edhe skllav i keq – skllav kujdestar.

Anija që pret t’i transportojë skllevërit zezakë nga Afrika drejt Kubës, ironikisht ka emrin “Esperanza” (Shpresa). Ajo është mishërim dhe objektifikim i vetë kolonializmit. Edhe kolonializmi pushtoi Afrikën nën këtë shënjues: ne po ua sjellim shpresën, qytetërimin, kulturën, demokracinë, zhvillimin. Sikurse “Esperanza” që pretendonte se “të pacivilizuarit zezakë” po i shpinte drejt shpresës, drejt civilizimit përmes punës. “Arbeit macht frei!” (“Puna ju bën të lirë!”) ishte devizë në hyrje të kampeve të përqendrimit, shumë dekada më vonë, në një regjim tjetër racist – në epokën e fashizmit hitlerian. Por, aq sa “Esperanza” ishte shpresë realisht për këta skllevër, po aq e hiç më shumë puna i çliroi të internuarit e kampeve naziste të punës dhe po aq e hiç më shumë ishte demoraci e zhvillim kolonializmi për Afrikën. Bile sot mund ta themi lirshëm: kolonializmi dhe zhvillimi – sikurse “Esperanza” dhe shpresa – janë oksimoron, janë në antagoni.

Kur shoku i tij i thotë se ne s’mund të rebelohemi në anije e t’i luftojmë të bardhët sepse jemi vetëm gjashtë ish-luftëtarë e të tjerët janë bujq e peshkatarë, Tamango – personazhi kryesor i filmit – i përgjigjet: “Po, ne mundemi! Ne do t’u tregojmë të tjerëve se si duhet të luftojnë!” Është pikërisht avangarda që flet aty. Është avangarda, pararoja që i ngrit dhe iu prin masave, ajo që nënkuptonte Tamangoja. Është pikërisht ky substrati ku lëshon farë fryti i fitores përfundimtare. Është Ideja e cila përmes organizimit i emancipon masat dhe i shpien drejt realizimit të vetvetes.

10653377_10205266755368183_7924898726247522759_nHegeli e shpjegon dialektikën e skllavit dhe të zotërisë. Ky raport, kjo përplasje nuk është thjesht përballje fizike, por politike: çështje e vullnetit. Aq sa e njoh Hegelin, po e parafrazoj pakashumë kështu: “Fryma si entitet filozofik në kuadër të “dialektikës së pranimit”, gjatë zhvillimit të “vetëdijes për veten” del në pah si ballafaqim vetëdijesh. Njëra vetëdije do të lëshojë pe. Tjetra do ta rrezikojë edhe jetën për ta fituar prestigjin dhe lirinë. Skllavi bëhet skllav në momentin që i dhimbset jeta dhe e ul kokën para tjetrit. E jep lirinë për jetën e jo anasjelltas. Tjetri kështu bëhet zotëria dhe e afirmon “vetëdijen e pastër mbi veten”. Bëhet zotëria pikërisht sepse nuk i dhimbset jeta. Skllavi e çmon jetën biologjike mbi jetën politike dhe e ul kokën vetëm që të mbes gjallë fizikisht. Por, në atë moment ai vdes politikisht dhe bëhet skllav.”

Kthehemi tek filmi. Rebelimi i skllevërve nis pikërisht me aktin e refuzimit. Ata refuzojnë të hanë. Ata bëjnë aktin më radikal e më të dhunshëm kundër dhunës së zotërisë: refuzojnë të binden; rezistojnë paqësisht. Kjo rezistencë paqësore, duke gërryer konceptet e ngrehinës raciste, bëhet shumë e dhunshme politikisht. Pikërisht tek refuzimi i sistemit. Tek mosbindja ndaj tij. Tek mosnjohja e tij. Këtu zë e çahet raporti mes skllavit e zotërisë. Përmbyset ai raport. Përmbyset dialektika e skllavit dhe zotërisë. Skllavi duke vënë jetën në rrezik për liri bëhet zotëri, e zotëria duke mos arritur t’ia mohojë lirinë skllavit bëhet skllav. Skllavëruesit skllavërohen. Dhuna emancipon!

Një personazh interesant i filmit “Tamango” është edhe Aishja – që e luan aktorja e famshme amerikane Doroti Dendrixh – robnesha personale e kapitenit Riker, udhëheqësit të ekspeditës dhe pronarit të skllevërve zezakë. Aishja inkarnon klasat e mesme të një shoqërie. Tek ajo shohim klasën e mesme të shoqërisë sonë. Ajo është e robëruar. Ka hiret e bukurinë e saj të një kohe të mëparme rinore, por sot është pronë private e zotërisë. Ajo mban një kafaz me zogj, cicërimat e të cilave ia kujtojnë se ajo dhe ata duhet të jenë të lirë dhe jo në kafaz. Cicërimat e këndshme të zogjve, sikurse edhe vetë veshja e saj (e ndryshme prej asaj të skllevërve të tjerë) të krijojnë përshtypjen sikur ajo është në gjendje më të mirë. Por, jo! Edhe ajo është e skllavëruar. Shërbëtore personale e kapitenit. I shërben zotërisë. Është iluzioni i bukurisë. Është realiteti i skllavërimit. Bëhet sikur këndon. Por, zemra i vajton. Bëhet sikur ka harruar të shtypurit skllevër. Por, ajo është vetë e tillë.

Në njërën prej skenave pasuese, kapiteni i anijes i thotë skllevërve se askush në anije nuk do të ndëshkohet pa arsye. Por në fakt këtu qëndron thelbi i problemit. Arsyeja, logjika brenda sistemit në vetvete është e kalbur, retrograde dhe e degjeneruar. Situatat kaotike lindin tjetër logjikë arsyetimi. “Ndryshon jo veç ëndrra, por edhe mënyra e të ëndërruarit!”, do të thoshte Zhizheku. Ajo që për sistemin është “arsye”, përgjatë situatave kaotike bëhet pengesë drejt arsyes së vërtetë. “Duhet të kesh kaos brenda vetes që ta lindësh një yll vallëzues” – shkruante Niçja.

Planet e Tamangos dhe shokëve të tij për kaos, për rebelim brenda anijes nuk i ndal as dorëzimi i disave prej tyre. As ndëshkimet më çnjerëzore ndaj tyre nuk i ndalojnë drejt trasimit të idesë së tyre njerëzore. Dy rezistojnë në fillim, për t’u bërë qindra. E pa qenë dy në fillim, kurrë nuk bëhen një ditë qindra, mijëra, miliona…

Regjisori na e nxjerrë si personazh karakteristik në film edhe mjekun e ekspeditës, doktor Koronë. Ai është pjesë e ekspeditës së kapitenit, por s’është që shkojnë aq mirë mes vete. Në një nga skenat doktori rrëfen se si në rininë e tij, në rrugët e Parisit luftonte për “liri, barazi, vëllazëri!” E, sot ishte pjesë e një ekspeditë që bartte skllevër zezakë (!) Ky personazh ngërthen në vete historinë e shumë shteteve e popujve evropianë që në të kaluarën mezi e arritën me shumë gjak lirinë e tyre, që pastaj të shkonin për t’ua mohuar lirinë popujve të tjerë, duke harruar se nga kanë ardhur e pa e ditur se nga po shkojnë e ç’i pret në fund. Personazh po aq ilustrues është edhe shefi i fiseve afrikane – i luajtur nga aktori algjerian Habib Benglia – që del vetëm në fillim të filmit. Ai është figura tipike që e ka secili popull i shtypur. Ai është udhëheqësi tradhëtar që bashkëpunon me pushtuesit, e shet popullin e tij si skllevër dhe bën pazare në kurriz të tyre e me fitim për xhepin e vet.

Ndërkohë, Tamangoja s’e ka ndërmend të dorëzohet. Ai e nis emancipimin e Aishes ashtu siç nis çdo emancipim politik – me provokim të status quo-së, me irritim të common sense-it. Ai ia përkujton asaj atë që ajo e di, por e ka shtrydhur në nëndije: se edhe ajo është skllave; se ajo është leckë (trash) në duart e zotërisë. Ndonëse e godet në fillim Tamangon dhe nuk e pranon assesi atë që po ia thotë ai, ajo thellë e kupton se Tamango ka të drejtë. (Bindet më vonë përgjatë filmit, kur kapiteni në një moment e ndëshkon duke e nxjerrë dhunshëm prej dhomës së tyre e duke e dërguar tek skllavet e zakonshme.) Më vonë Aishja edhe ia pranon Tamangos se ka të drejtë, por e frikësuar dhe disfatiste, ajo i thotë t’i harrojë këto ide kundër zotërisë, në të kundërt ai ka për ta varur. Aishja kalon nëpër fazat e emancipimit politik, mu siç klasa e mesme dhe masat emancipohen prej organizimit pararojë: prej mohimit në mosbesim; prej mosbesimit në dyshim; prej dyshimit në bindje; prej bindjes në veprim dhe prej veprimit në fitore.

10385485_10205266760128302_2075878859606802027_nTjetër pjesë e kastës së personazheve të filmit “Tamango” që ta tërheq vëmendjen janë punëtorët e bardhë në anije, e, që janë pasqyrimi i popullit të varfër të vendeve evropiane: ndonëse s’janë skllevër, ata shfrytëzohen po aq keq nga zotërinjtë e pasanikët e bardhë. Janë “white-collar workers” të ditëve të sotme: edhepse jo të shtypur sikurse punëtorët fizikë, janë po aq të shfrytëzuar dhe të alienuar. Punëtorë pa vetëdije klasore. Skllevër pa vetëdije politike.

Si secili organizim revolucionar, edhe rebelimi i skllevërve në anijen “Esperanza” i ka tatëpjetat dhe përpjetat e tij. Ulja e disiplinës, dyshimi në fitoren përfundimtare, dorëzimi, pesimizmi, etj. shfaqen në fillim edhe mes skllevërve të “Esperanza”-s. Por, vetëm organizimi rigoroz u garanton fitoren dhe jetën e lirë.

Pasiqë kapiten Rikeri e kthen në dhomën e saj, Aishja shfaqet e kënaqur që, në dallim prej pronarëve paraprak të saj, kapiteni Riker nuk e rrahë, nuk ia ka stampuar në trup vulën e zjarrtë që t’i lë shenjë pronësinë mbi të dhe e trajton si grua(!). Por ajo lajthitet kur harron se vazhdon të jetë skllavja e dikujt. Ajo është nën pushtetin e tij. Pakashumë sikurse ajo që Pierr Bordjo e quan pushtet simbolik, pushtet “ku konstruktohet realiteti”, dmth “pushtet i padukshëm që ushtrohet vetëm me bashkëpjesëmarrjen e atyre që nuk duan ta pranojnë se janë subjekt i atij pushteti, apo që e ushtrojnë vetë atë pushtet. Pushtet që është gjithkund dhe askund, e që duhet zbuluar aty ku shihet e njihet më së paku.” Ndonësi pronari i ri i saj, kapiteni Riker nuk ushtron dhunë fizike mbi të, ai prapseprapë e skllavëron atë përditë. Pra, dhuna objektive i zë vendin asaj subjektives. Ama prapseprapë dhunë mbetet.

Hapi i parë i madh drejt kryengritjes brenda në anije bëhet vetëm kur skllevërit e vënë veten në situatë kufitare. Tamangoja vjedh një thikë gjatë ditës. Në mbrëmje, teksa anijen e godet stuhia, Bibi, një nga njerëzit e kapitenit futet në dhomën e skllevërve për t’i detyruar që të ngriten për punë. Papritmas ia sheh thikën Tamangos dhe fillon ta fshikullojë. Tamangoja tashmë është në situatë kufitare. Ai e din se do të vdesë ose ai, ose Bibi, ushtari i kapitenit. Dhe me zinxhirët e vet, Tamangoja e vret Bibin duke ia lidhur fytin dhe e ngulfatë. S’ka më kthim prapa! Skllevërit vihen në situatë kufitare dhe rebelimi ka nisur. Ose, thënë më mirë: rebelimi ka nisur pikërisht pse skllevërit e krijojnë situatën kufitare, nuk i ikin asaj. Revolta ka filluar në “Esperanza”! Vetëm tash ka shpresë në “Esperanza”!

Episod interesant i filmit është pjesa kur kapiteni Riker e gënjen Aishen se gjoja do t’ia jap lirinë e plotë. Tani që mendon se është e lirë dhe mund të thotë çfarë të dojë, ajo ia thotë në sy se e urren, se e ka urryer gjithnjë, se urrente duart e tij teksa e preknin trupin e saj, se urrente shtratin e “dashurisë” së tyre. Aty, Rikeri xhindoset dhe fillon ta godasi Aishen. Kjo shpërfaq thelbin e “liberalizmave”. Ato të bëjnë të ndiesh i lirë derisa nuk kalon limitet që ata të vendosin. Fukoja pyeste veten dhe neve: “A nuk është befasuese se si burgjet i përngjajnë fabrikave, shkollave, kazermave, spitaleve, e, të gjitha këto i përngjajnë burgjeve?” Pra, a mos po jetojmë të gjithë në një burg të madh, qelitë e të cilit nganjëherë s’i shquajmë. Teoricienja marksiste Roza Luksemburg shkruante se pa lëvizur nuk e vëren që ke pranga. A jemi edhe ne sot kështu? E drejta e fjalës vlen për aq kohë sa nuk e thua të vërtetën, thelbin.

Ky episod i Aishes me kapitenin Riker na mësone dhe diçka: zotëria kurrë nuk ia falë lirinë skllavit. Skllavi e fiton lirinë! E fiton me shumë sakrifica. Jo nga mëshira e zotërisë, por nga subjektivizimi e vetëmohimi i lartë. Reformat janë të rreme. Liria fitohet vetëm me përmbysje të rrënjësishme. Siç thotë vetë kapiteni në film: “Unë nuk pretendova të të gënjej ty, por ta gënjej vetveten.” Sistemi duke na gënjyer neve se jemi të lirë, para së gjithash gënjen vetveten se po na e jep lirinë dhe demokracinë. Poashtu, Rikeri (lexo: sistemi) e pranon se skllevërit gjithmonë komplotojnë dhe tentojnë të rebelohen. Por, – shton ai me arrogancë – ata gjithmonë dështojnë. Gjithmonë?

Rikeri nuk rreshtë së munduari që ta bindë Aishen – sikurse sistemi shtresat e mesme – se ajo është ndryshe. Edhepse zezake, ajo dallon prej skllevërve të thjeshtë. Se ajo dallon prej të shtypurve. Se ajo – sikurse edhe ai – ka egoizëm dhe mendon vetëm për vete. Prandaj, më shumë qenka si ai sesa sikur si ata.

Më në fund fillon rebelimi i vërtetë i skllevërve në anije. Pasi kalojnë në përparësi në fillim, pamundësia për ta shpërthyer depon e municioneve dhe për t’i kapur pushkët, bën që ata shpejt të kalojnë në mbrojtje dhe të struken në dhomën-bunker të tyre. Duke u tërhequr, Tamangoja rrëmben Aishen dhe e merr peng. Pasi provon me mjete piroteknike, me pushkë, me shantazhim përmes etjes e urisë, më në fund Rikeri i kërcënon skllevërit se do t’i godas me top dhe do t’i vras që të gjithë brenda. Tamango e mban një fjalim inspirues dhe të zjarrtë. Paskëtaj, i ofron Aishes mundësinë që të dalë dhe të shpëtojë. Ajo niset kah dera për të ikur nga skllevërit e për t’u kthyer tek kapiten Rikeri. Por, në çastin e fundit ndalet! Kthehet tek shokë e saj skllevër. Pranon të vdes bashkë me ta me pushkë në dorë e me buçimën e këngës zëlartë, se vetëm ashtu ka për të jetuar përjetësisht. Vetë lufta e vdekja për liri i bën ata të lirë. Nën kumbimin e një këngeje impozante, trimat zezakë përgaditen për mbrojtje. Topi i kapitenit Riker godet! Asnjë nuk mbeti gjallë dhe kënga në fyt u ngeli. Por, ata fituan! Fituan në çastin që vendosën të rebelohen, të luftojnë e të flijohen për lirinë e vet. Dikund e kam lexuar një thenie që s’me shlyhet nga koka: “Nuk do të thotë që je gjallë vetëm nëse nuk ke vdekur!” Ata zgjodhën vdekjen për liri më parë sesa jetën pa liri. Ata kthyen përmbys dialektikën e skllavit dhe pushuan së qeni të atillë.

Kësisoj, “Esperanza” (anija “Shpresa”) shkatërrohet, por shpresa lind pikërisht me sakrificën e tyre! Rruga kah po i çonte anija “Esperanza” ishte e pashpresë. Andaj, ata vendosën të shpresojnë për liri me çdo kusht. “Shpirti është burgu i trupit” thoshte Fukoja. Por shkllevërit e “Esperanza”-s thyen këtë burg dhe e fituan lirinë, mu atëherë kur ndjenë neveri për trupin e robëruar dhe jetën biologjike pa jetë politike. Fitorja më e madhe e tyre dhe e të gjithë popujve të kolonizuar është pikërisht kur ata mposhtin brenda vetes së tyre të kolonizuarin. Kështu pakashumë e thotë edhe Franc Fanoni, teoricieni dhe luftëtari i madh i antikolonializmit. I kolonizuari dekolonizimin e fillon brenda shpirtit të vet. Kur ta ketë dekolonizuar mendjen e vet, do ta dekolonizojë edhe trupin. Ashtu edhe bënë Tamangoja me shokë.

Fatkeqësisht, lirinë e plotë skllevërit zezakë do ta fitonin vetëm më vonë nëpër botë. ShBA-ja – vendi më demokratik në botë – deri në fund të viteve ’60 – 150 vite më pas – do të ushtronte politika segreguese e raciste kundër zezakëve amerikanë. Në Afrikë të Jugut, edhe 170 vite pas historisë së Tamangos do të ekzistonte aparteidi racial. Edhe sot, bota nuk po çlirohet nga urrejtja raciste dhe fashiste. Vetëm një emancipimin i mirëfilltë politik e arrin atë. Lufta antifashiste vazhdon edhe sot!

Fitim Salihu, është përkthyes artikujsh, kapitujsh e librash shqip-anglisht dhe anglisht-shqip. Ai është studiues i spikatur i marrëdhënieve ndërkombëtare, neokolonializmit dhe filozofisë së historisë. Fitimi, shkruan editoriale dhe analiza politike. Ai një kohë të gjatë udhëhoqi organizatën studentore aktiviste "Klubi Politik i Studentëve" dhe vazhdimisht merret me qytetari aktive. Gjatë vitit 2015, ai punoi si redaktor për kulturë në të përditshmen Zëri.info në Prishtinë. Pos gjuhës amtare, flet rrjedhshëm edhe anglishten dhe mjaftueshëm spanjishten e turqishten.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY

  • »In praise of WikiLeaks« Jill Stein

    I’ve gotten a first—hand look at how the establishment attacks people who challenge the status quo. These attacks are intended to brand their targets as pariahs and stigmatize anyone...
  • Berati dhe belaja me Turqinë

    Unë ngritem për të mbrojtur lirinë e shprehjes, por nuk mund të hesht kur një imam apo i ri dënohet për nxitje të dhunës derisa gazetarët duartrokiten. Unë jam...
  • Are Black Lives Terrorist Lives?

    Well, this is what happens when the full force of the domestic state-terrorism apparatus sets itself against the innocent and frequently impoverished citizens of colour that mistakenly chose to...
  • If Other Professions Were Treated Like Photography…

    what if other professions were treated like photography? Here’s what a “part-time professional’s” Facebook posts might look like if other careers experienced the “everyone’s a photographer” phenomenon,...