‪Riktheje Vendin E Punës‬! pastaj ‪‎Riktheje Natën‬!

Suedia ishte vendi me pabarazinë më të ulët ekonomike në botë gjatë shekullit të kaluar, kurse fakti që arritjet në barazinë gjinore ishin më të mëdhatë në botë, nuk...

Suedia ishte vendi me pabarazinë më të ulët ekonomike në botë gjatë shekullit të kaluar, kurse fakti që arritjet në barazinë gjinore ishin më të mëdhatë në botë, nuk është i rastësishëm. Përveç nivelit të lartë arsimor, ky sukses ishte bërë i mundur edhe për shkak të politikave sociale që garantonin vende pune për shumicën dërrmuese të popullatës.

‎Riktheje Vendin E Punës‬, pastaj ‪‎Riktheje Natën‬ — Shkodran Ramadani | ©THE Frontliner

‎Riktheje Vendin E Punës‬, pastaj ‪‎Riktheje Natën‬ — Shkodran Ramadani | ©THE Frontliner

Në vitin 1980, vend të punës kishin 75% e grave, përqindje kjo më e larta në vendet e OCED-së, ku mesatarja ishte rreth 50% — (Michael Newman). Aktiviteti politik i lëvizjeve feministe në Suedi atë botë ishte i kanalizuar në zgjerimin e të drejtave politike dhe ekonomike, dhe jo rastësisht ishin grupet e grave ato të cilat refuzuan më së zëshmi implementimin e politikave neoliberale në fillim të viteve ’90. Një prej arsyeve se pse presionet neoliberale patën impakt më të vogël në sistemin e mirëqenies në Suedi në fillim të shekullit XXI ishte vendosmëria e sindikatave të punëtorëve dhe lëvizjeve të grave për të parandaluar një gjë të tillë.

Sot, kur jetojmë në rendin e tregut të lirë, ku gjthçka i nënshtrohet logjikës së profitit, fenomeni i komodifikimit është bërë pjesë e pandarë e shoqërisë. Komodifikimi bazohet në ekzistencën e të drejtave të pronës mbi proceset, gjërat dhe marrëdhëniet shoqërore, duke vendosur çmim mbi to. Logjika e tregut pohohet të jetë etikë për gjithë aktivitetin njerëzor. Bashkë me globalizimin dhe konsumerizmin ka ardhur edhe komodifikimi masiv i grave, në një shkallë të paparë deri më tani. Kjo, e shoqëruar me varfërinë e masave, ka detyruar miliona gra të marrin rrugën e prostitucionit, siç është duke ndodhur në Evropën Lindore, Azinë Lindore, Amerikën Latine, etj — (Anuradha Ghandy).

Humbja e mbrojtjes sociale në shoqëritë e avancuara kapitaliste ka pasur efekte negative, posaçërisht në gratë e klasës së ulët, kurse në vendet ish-komuniste humbja e të drejtave të grave përmes neoliberalizmit ka qenë jo më pak se katastrofale — (David Harvey). Këtyre efekte nuk ka mundur t’u bëjë ballë as Kosova. Sipas Agjencisë Kosovare të Statistikave, konkretisht sipas të dhënave mbi regjistrimin e popullsisë, vetëm 8.4% të grave posedojnë pronë — (Eli Krasniqi).

Përderisa gratë mbesin pa prona, fati i strehimit të tyre do të jetë në duart e burrave që zotërojnë shtëpi. Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë, vetëm 11.5% të femrave të moshës 15-64 vjet e kanë një vend pune. Kjo i bie që vetëm 65 mijë nga 566 mijë gra të moshës së punës, janë të punësuara — (Agon Maliqi). Logjikisht vijmë në përfundim se përderisa gratë mbeten të papuna, mbulimi i shpenzimeve të tyre mbetet (barrë) në vullnetin e burrave të tyre. Arsyet e papunësisë së lartë të grave mund të gjurmohen tek procesi i privatizimit që ka shpunësuar 76 mijë punëtorë. Në fabrikat si ajo e miellit në Fushë Kosovë, fabrika e bukës në Gjilan, Tjerrtorja në Gjakovë, etj., kanë qenë punëtoret ato që kanë përbërë shumicën e stafit punues.

Mbyllja e fabrikave është reflektuar me mbylljen e gruas në shtëpi (T. Rrusta, A. Tahiri, A. Manxhuka). Në një shoqëri ku gratë (dhe jo vetëm ato) janë të pavarura politikisht dhe ekonomikisht, shfrytëzimi i tyre vështirësohet shumë. Pjesëmarrja në prodhim pasohet me fuqi politike dhe me fuqizim në gjithë sektorin publik, kështuqë unë propozoj që së bashku, burra e gra, të rinj e të reja, TË KTHEJMË PRAPA VENDET TONA TË PUNËS!, sepse çlirimi politiko-ekonomik hap rrugën për çlirim kulturor.


#‎RikthejeVendinEPunës‬! pastaj ‪#‎RikthejeNatën‬!

Shkodran Ramadani, është autor i rregullt tek 'THE Frontliner'. Ai është student i Universitetit Publik 'Hasan Prishtina' në Prishtinë, në fushën e Sociologjisë në nivelin MA. Shkodrani është i interesuar në interpretimin dhe anilizën filozofike të zhvillimeve politike në shoqërinë shqiptare dhe atë të huaj.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY