'Proletarë të gjithë botës, kush po ua lan çorapet’ Për cilin vend të punës e keni fjalën?

Ditëve të fundit, përveç suksesit që pat kampanja kundër ngacimeve seksuale  ‘Take back the night’ (Nata asht e jona), asht edhe aspekti tjetër që kjo kampanjë nxorri në siperfaqe,...

Ditëve të fundit, përveç suksesit që pat kampanja kundër ngacimeve seksuale  ‘Take back the night’ (Nata asht e jona), asht edhe aspekti tjetër që kjo kampanjë nxorri në siperfaqe, e që janë reagimet dhe rezistence e shprehun në drejtime të ndryshme. Kritikat ishin të ndryshme por kryesisht në forma të cilat përpiqen me e ulë randsinë e problematikës dhe kampanjës, formës së saj të organizmit, zana që thonë që kjo formë asht radikale apo jo e mirësjellshme. E kam thanë në nji artikull që kërksa për barazi gjinore, shpesh perceptohet e kuptohet si kërkesë për dominimin. Reagimet e ditëve të fundit, e kanë ilustru këtë qëndrim. Pastaj, zana tjerë thonë që ngacimi seksual nuk asht çashtje prioritare, apo duke e pa këtë problem si derivat vetëm të sistemeve ekonomike dhe politike e jo si derivat kryekëput patriarkal.

Nga: Eli Krasniqi, Kandidate PhD – në histori dhe antropologji sociale ne Universitetin e Grazit, në Austri — E Diel, 30 Nëntor, 2014


Siç asht thanë disa herë me të drejtë, kapitalizmi i ka ekspoloatu gratë në forma të ndryshme, por në anën tjetër, përpjekja për me i minimizu përpjekjet feministe nën ombrellën e nji barazie sociale, me idenë se e fundit i ngrit të drejtat e grave automatikisht, nuk qëndron. Apo ma mirë me thanë, nuk asht kaq e thjeshtë dhe asht shumë ma komplekse. Mendoj që forma ma e mirë për me e nisë këtë argument asht më fjalinë e Latinka Perovic, ‘Proletarë të gjithë botës, kush po ua lan çorapat’?, (konferenca e feministeve, 1978, Beograd).

Kush ua lante çorapet proletarëve? Kush ua lan çorapat tani trumpetuesve të barazisë sociale? Për cilin vend të punës po bëhet fjalë? Por po nisim prej fillimi. 

takebackthenightNë valën e dytë të feminizmit, feministet si Juliet Mitchel(1966), Michel Barret (1980), etj…, spjegojnë se si qëndron çashtja e grave brenda kornizës socialiste. Mitchel thotë që Socializmi nuk e ka përmbys patriarkalizmin dhe patriarkalizmi është riprodhuar në çdo sistem. Prandaj asht komplet i pakuptueshëm kushtëzimi apo prioritizimi që po të ketë barazie konomike, ka edhe barazi midis gjinive. Kjo gjithsesi është pikënisje, por lufta nuk mbaron këtu, dhe këtu diskutimin dhe aktivizmin e çojne tutje feministet. Siç argumenton Heidi Hartman, kaptializmi është i vonshëm dhe ardhja e këtij sistemi e gjeti patriarkalizmin mirë të vendosun në shoqni, në të cilin sistem, ndarja e punës ishte me përkatsi gjinore (Hartman, 1976).

Pabarazia fillon që në familje, me ndarjen e punëve në baza gjinore. Ndarjen e punëve të shtëpisë apo diskutimin mbi të burrat e qujnë ‘me u marrë me cikërrima’, dhe kjo tregon që duke qenë se si punë tradicionalisht asht ba nga gratë, në këtë formë edhe përbëjnë ‘cikërrimën’. Sikur punë e shtëpisë të ishin ba nga burrat, ishin ba absolutisht një nga punët ma të randsishme dhe automatisht kategori analitike. Pra, ja nji punë që asht refuzu me u diskutu si e tillë sepse nuk paguhet.

Socializmi/Komunizmi, nga sistemet tjera, gjithsesi asht sistemi ma reformativ sa i përket ngritjes së të drejtave të grave apo përpjekjes për t’i eliminu format patriarkale. Në Evropë, pëgjithesisht, njihen tri momente të shkundjes së patriarkalizmit: rreth L1B, pas L2B, dhe pas vitit 1968 (Göran, 2004). Kjo ka fillu me reformat në rrafshin institucional- në krijimin e ligjeve të reja. Shembull mund të jetë Suedia me Ligjin për Martesë, në vitin 1915, dhe programin e saj për reforma në familje. Ndërsa nën sistemin kominust, në Evropën lindore, me të ashtuqujtunin feminzëm shtetor, duke draftu ligje e reforma, asht arritë me u dridh sistemi patriarkal, (ibid), por jo me e përmbys.

Siç thotë Karl Kaser, patriarkalizmi e gjeti hyrjen prej ‘derës se prapme’ (Kaser, 205). Në Kosovë, kjo konsiderohet se asht realizu (dhunshëm në shumë raste) në dy momente pas L2B: nëpërmes kampanjës së alfabetizmit të grave dhe heqjes së ferexhes. Megjithatë, duke qenë që Kosova gjithmonë ka qenë nën presione politike, dhunë sistematike nga shteti, çashtja e të drejtave të grave nuk asht trajtu asnjiherë me prioritet. Në vitet e 1990-a, kur gratë shtypeshin dyfish – nga patriarkalizmi dhe pushteti jugosllav-serb, burrat në Kosovë u kërkonin grave të heshtnin, sepse aspekti gjinor nuk ishte prioritar dhe se së pari duhej çliru. Atëherë thuhej se çlirimi kombtar, automatikisht nënkupton edhe të drejtat njerzore të grave.  Pas luftës, elementi politik i kërcënimit nga Serbia, është përdor si joker sa herë ka pasë përjpjekje për progres në rrashet tjera në shoqni.

Çashtjet që kanë të bajnë me shoqërinë dhe gratë, vazhdojnë me qenë peng e skandaleve politike të burrave që nuk arrijnë me e shu babëzinë në karierë dhe në pasuri. Por tash së fundi, është edhe ky reagim dhe përpjekje për minimizim të aktivizmit feminist me idenë që nuk qenka e nevojshme ose priortare sepse barazia sociale nën ombrellën socialiste është garantues i të drejtave të grave. Ky, asht diskutim relativisht i hershëm midis socialistëve dhe feministeve. Por në këtë shoqni, i kapim trendet ma vonë. Si ilustrim i mirë në këtë diskutim mbi atë se barazia socialiste nuk ka nënkuptu automatikisht barazinë gjinore është ajo çfarë thotë Fatos Tarifa për Shqipëri, që partia apo feminizmi shtetëror, të drejtat e grave ua paraqiste atyre si dhuratë nga partia e jo si diçka që u takon. (ed. Brunbauer, 2004).

Siç asht thanë tashmë disa herë, komunizmi arriti me i nxjerrë gratë nga sfera private në publike, por burrat nuk i bani asnjiherë pjesë të sferës private. Duke i thjeshtëzu konceptet e publikës dhe privates, këtu e kam fjalën për atë që feministet gjithmonë kanë diskutu –  ndarjen e punës mbi baza gjinore. Dhe këtu vijmë te fjalia ‘proletarë të gjithë botës, kush ua lan çorapet?’.

Po nisemi nga familja. Ndarja e punës brenda familjes, duke qenë se asht e bazueme në gjini, ban që burrat punojnë jashtë, e gratë punojnë edhe jashtë edhe në shtëpi. Në secilin shtet komunist, gratë kur ktheheshin në shtëpi, vazhdonin punë e shtëpisë me larje, gatim dhe përkujdesje të fëmijve. E njejta vazhdon edhe sot, edhe në vendet kapitaliste. Fëmijtë djem e vajza rriten dhe socializohen ndryshe. Duke qenë se në Kosovë kryesisht të rinjtë jetojnë nën të njëjtim kulm me prindërit e tyre, dyshoj që socialistët e rinj, duke besu fort në barazinë sociale, marrin nisjativën me i nda punët e shtëpisë me motrat, e nanët. Ato ua lajë çorapat, e gatuejnë, dhe atyre automatikisht u mbet kohë me u arsimu e me punu në mgritjen dhe përmbushjen e tyne, dhe në të njëjtën kohë kjo u han kohë motrave dhe nanave me e ba të njëjtën gja.

Hashtagu – #RikthejeVendinePunës, pastaj #RikthejeNatën, është i së njëjtës rezistencë, në hava diqysh. Pse ‘pastaj’? Cilin vend të punës me rikthy? Nji aspekt tjetër përveç ndarjes së punës, e që du me e  lidhë me ketë tejthjeshtëzim, të lidhun me hashtag, asht aspekti i distribuimit. Po themi që gratë po marrin vende pune, problemi nuk përfundon këtu, por vazhdohet me distribuimin e pa drejtë. Fillimisht duhet theksu se gratë e kanë një punë të përhershme të pa-pagume, dhe të pa-vlerësume, e që janë punë e shtëpisë, dhe pastaj nji vend pune jashtë shtëpisë që përsëri nuk nënkupton automatikisht barazi sociale.

Për të njëjtën punë, gratë paguhen ma pak se burrat, por edhe kur marrin rrogat, shpenzimi jo gjithmonë u takon atyre. Mundet shumë mirë të nënkuptojë edhe skllavërim. Përvoja jeme në aktivizëm dhe akademi, mundet me dëshmu për gratë që punojnë jashtë shtëpie, të cilat pso përmbushje së nevojës bazike të të ushqyemit, nuk kanë kurrfarë benefiti në zhvillimin e tyne, nga rroga që marrin. Nji burrë punonjës në komunë në nji prej komunave të Kosovës, më tregon që kartën e bankës së grues së tij, e mban ai, pra ai asht kontrollues komplet i ekonomisë familjare dhe rrogës së saj. Në nji nga strehimoret e grave në Kosovë, nji grue tregon që burri i saj i merr çdo cent nga rroga dhe ai vendos çka dhe qysh shpenzohen, bile vendos edhe kur të blihen ndrresat e brendshme  të saj.

Ajo, çdo ditë të punës, në xhep nuk ka asnji cent të vetëm. Dhe këto nuk janë raste të izolume, por raste prapa statiskave e shifrave me të cilat shërbehemi. Pjesë e viktimave të dhunës në familje, janë gra të cilat kanë pozita të nalta në sektore publike apo private. Dhe për me sqaru ma mirë, ato kanë vend pune, dhe kanë rrogë. Pra, marrja e vendeve të punës, nuk nënkupton apriori barazinë, sepse asht çashtja e distribuimit, e cila përshtatet brenda normave patriarkale se kujt i takon çka. Nuk diskutohet, që pavarsia ekonomike dukshëm ndihmon, pra të mos keqkuptohet ky argumentim. Pavarsia ekonomike është nji prej kushteve.

Çka du me e nxjerr në siperfaqe asht aspekti që pavarsia ekonomike, jo gjithmonë, asht garantues për sigurinë sociale të grave, sepse siç e thashë kjo operon brenda sistemit patriarkal, në të cilin mirëqenia e burrit asht prioritet. Tjetri aspekt që nuk muj me kuptu asht pse kampanja ‘takeback the night’, përjetohet si minimizim i çashtjetve të tjera po aq të randsishme. Pse duhet të ketë renditje dhe garë mbi çashtjet mbi të cilat punohet në këtë shoqëri. Nëse kjo kampanjë ka me vazhdu për katër vjetët e ardhshme, në asnji moment të saj, nuk thuhet se ajo i përjashton format tjera  të aktivizmit për barazi sociale. Pse duhet me pasë ndarje të tillë na dhe ju, kur në realitet, nji sistem i damshëm për njërën palë asht automatikisht i damshëm për të tjetrën. Fundja gjinia si kategori asht jo-stabile, dhe gratë dhe burrat nuk mund të shihen si grupe homogjene të ndara.

Pse duhet me pasë ‘pastaj’ e jo ‘edhe edhe’ !!!


#TakeBackTheNight © Eli Krasniqi

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY

  • »In praise of WikiLeaks« Jill Stein

    I’ve gotten a first—hand look at how the establishment attacks people who challenge the status quo. These attacks are intended to brand their targets as pariahs and stigmatize anyone...
  • Berati dhe belaja me Turqinë

    Unë ngritem për të mbrojtur lirinë e shprehjes, por nuk mund të hesht kur një imam apo i ri dënohet për nxitje të dhunës derisa gazetarët duartrokiten. Unë jam...
  • Are Black Lives Terrorist Lives?

    Well, this is what happens when the full force of the domestic state-terrorism apparatus sets itself against the innocent and frequently impoverished citizens of colour that mistakenly chose to...
  • If Other Professions Were Treated Like Photography…

    what if other professions were treated like photography? Here’s what a “part-time professional’s” Facebook posts might look like if other careers experienced the “everyone’s a photographer” phenomenon,...