Revolucioni i Dështuar Social i 1997-99

Revolucioni i viteve 1997-99 ka qenë nacional dhe social. Nacional sepse kërkonte të drejtën për vetëvendosje të popullit në Kosovë; social sepse kërkonte që publikut t’i kthehej e drejta e pronësisë mbi sektore të caktuara të shoqërisë
©Vedat Xhymshiti

Teoricieni anglez Terry Eagleton ka një tezë interesante mbi revolucionet, sukseset dhe dështimet e tyre. Ai thotë se revolucionet e suksesshme zhdukin gjurmët e veta.

Duke bërë kështu, ata bëjnë që situata për të cilën luftuan të duket krejt natyrale. Në këtë pikë, revolucionet ngjajnë me lindjen e foshnjes. Që të operojmë si “normalë”, ne njerëzit duhet të harrojmë ankthin dhe terrorin e ardhjes tonë në jetë. Origjinat, qofshin të individëve, qofshin të shteteve, zakonisht janë traumatike.

Për ta ilustruar këtë teori me shembull praktik ai merr rastin e Revolucionit Industrial në Britani të Madhe. “Britania e sotme, argumenton Eagleton, “është produkt i një revolucioni të gjatë, dhe shenja kryesore e suksesit të tij është se ne britanikët jemi tërësisht të pavetëdijshëm për këtë fakt.” Çka mund të thuhet për luftën e viteve 1997-99 në Kosovë? Ishte apo nuk ishte e suksesshme? Përmbushi apo nuk përmbushi synimet e veta? Para se të japim përgjigje në këto pyetje, do të ishte mirë që të rikthehemi në mesin e viteve ’90 dhe të derdhim dritë mbi shkaqet e luftës, mënyrën e saj të organizimit dhe, krejt në fund, dy tri fjalë mbi rezultatet e saj.

Shkodran Ramadani — © THE Frontliner

Shkodran Ramadani

Pse ndodhi lufta?

Kulturologët thonë se ky konflikt ishte vetëm një garë arkaike identitare midis nacionalizmit serb dhe nacionalizmit shqiptar. Ata thonë se Kosova i ngjanë tavolinës ku këta nacionalizma nxorën fallusët e tyre për tu shtyer se kush e ka më të madh. Por që të kuptojmë saktë ngjarjet e viteve 1997-1999, kulturorja duhet të zëvëndësohet me politiken. Duhet që këto zhvillime të zhvishen nga vellot kulturore dhe identitare, sepse ngjarjet në fjalë, sikur asnjë konflikt tjetër, nuk  mund të reduktohen në thjesht kacafytje mes kulturave. Të gjitha interpretimet që i nxjerrin shqiptarët dhe serbët si thjesht dy armiq imagjinarë identitarë që orvaten të hanë kokën e njëri-tjetrit, duhet të zbrapsen përmes afirmimit të politikës. Tensionet midis serbëve dhe shqiptarëve nuk buronin nga dallimet e tyre në identitetare. Lufta ishte shpërthim i tensioneve që derivonin nga marrëdhëniet e dominimit. Para se të bëhej luftë në mes të shqiptarëve dhe serbëve, ajo bëhej në mes të kolonizuesit dhe të kolonizuarit. Kolonizuesi dhe i kolonizuari kishin flamujt e tyre, por flamujt janë simbolet e tyre, e jo interesat e tyre.

Si të gjitha marrëdhëniet tjera të dominimit, edhe kjo marrëdhënie përmbante kontradiktat e brendshme. Kontradiktat detyrimisht prodhojnë agjentët socialë, të cilët pasi të vetëdijësohen për pozicionin e tyre në shoqëri, angazhohen në rrënimin e kontradiktave që rëndojnë mbi supet e tyre. I shtypuri rëndom ishte shqiptar, kurse shtypësi serb. Lidhja e flamurit serb me këtë shtypje është kontingjente, e jo ahistorike. E njejta vlen edhe për lidhjen e flamurit shqiptar me vuajtjet e të shtypurve. Flamuri mund të ishte çfarëdo. Universale në këtë mes ishte marrëdhënia në mes të shtypësit dhe të shtypurit, e jo simbolet e tyre. Në vazhdën e kësaj shtypje shqiptarët u përjashtuan nga puna, mbetën pa televizion dhe pa universitet. Çdo përpjekje për të ndryshuar këtë marrëdhënie sanksionohej me ndëshkime të rënda,  por me kalimin e kohës përpjekjet për çlirim morën përmasa më të mëdha.

Si u organizua rezistenca? 

Përveç dallimeve në mënyrën e rezistencës, krahu i luftës dhe ai i paqes dallonin edhe në botëkuptimet e tyre mbi mënyrën e organizimit të shoqërisë. Përderisa krahu i paqes kërkonte nga kosovarët që “të ruanin pragun e shtëpisë”, krahu i luftës kërkonte nga ata të mbrohej lagja, fshati, qyteti dhe vendi. Krahu i paqes ishte edhe liberal, edhe konservator. Liberal sepse predikonte rezistencën që mbron pronën private, sepse kështu do të mbrohej më mirë publikja; konservator për shkak që duke mbrojtur familjen, do të mbrohej e gjithë shoqëria. Në anën tjetër, krahu i luftës i përkiste botëkuptimit të majtë. Krahu i luftës shpëtimin e shihte në organizimin e gjithë shoqërisë. Krahu i luftës kërkonte që rezistenca të organizohej jashtë pragut të shtëpisë dhe oborrit, që ajo të transferohej në sferën publike. Përderisa krahu i paqes, ta zëmë, sistemin publik të arsimit e organizonte në bodrumet e pronave private, krahu i luftës kërkonte që institucionet publike të viheshin sërish nën pronësinë e publikut: kërkonin që të shpunësuarit të ktheheshin në vendet e tyre të punës; kërkonin televizionin e tyre publik prapa; kërkonin që universiteti të ishte prap në shërbim të së mirës së përgjithshme.

Krahu i paqes ishte pasiv, ose thënë më mirë angazhohej në organizimin e “shtetit paralel”, duke e shmangur kështu përballjen betejën për shtetin e vërtetë: për fabrikat, për universitetin, për televizionin. Fondet e shtetit paralel mbusheshin nga jashtë, prandaj rritja e buxhetit ishte e lidhur me braktisjen e vendit nga ana e shqiptarëve. Mobilizimi i brendshëm lindi edhe si nevojë për të ndërprerë emigrimin që merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha. Për dallim nga krahu i paqes, krahu i luftës kërkonte organizim publik. Regjimi i Millosheviçit i vetëdijshëm për rrezikun që përbënte organizimi i përbashkët, fuqizoi një ligj që do t’u ndalonte shqiptarëve të ecnin në më shumë se katër veta së bashku sepse konsiderohej kërcënim i rregullit publik, si një grupim separatist që do të ndante Kosovën nga Serbia. Shihet qartë se kolonizuesi rrezikun e shihte tek organizimi publik, e jo tek krahu liberal i rezistencës.

Shtypja ishte publike, prandaj rezistenca nuk mund të kufizohej brenda kufijve të pronës private. Organizimi privat e aborton rezistencën publike sepse e atomizon atë. Prona private fragmentarizon mobilizimin publik, duke e bërë këtë lehtë të parashikueshëm dhe lehtë të menaxhueshëm. Ata që mbetën në shtëpitë e tyre u torturuan, u dhunuan, u vranë dhe u dëbuan pa ndonjë pengesë serioze. Izolimi në shtëpitë e tyre sikur i bëri gati për diçka të tillë. Protesta studentore e vitit 1997 është shembulli më i mirë i frymës që kërkonte që rezistenca të vërshonte hapësirën publike: studentët duhet të dalin nga bodrumet e shtëpive private dhe të rikthehen në objektin publik të Universitetit, aty ku prodhohet dija për të mirën e përgjithshme. Dhe ishin këto protesta ato që shpartalluan lëvozhgën e logjikës private dhe që ia mësynë hapësirës publike, duke lëkundur themelet e sistemit seriozisht.

A ishte e sukseshme rezistenca?

Thonë: “E shporrëm serbin. Tani jemi të lirë. Kemi shtetin tonë.” Meritat nuk mbesin kurrë të vetmuara. Të gjithë vrapojnë pas tyre. Të gjithë thirren në to. Të gjithë kërkojnë hise në luftë. Kush më pak e kush më shumë. Mjaftohen me largimin e aparatit shtetëror serb. Kështu, arsyeja kryesore e luftës, shtypja sistematike: vuajtjet e përbashkëta të shpunësimit, dëbimit nga universiteti dhe privimit nga e drejta për të pasur televizion publik, reduktohet në një arritje të vetme: dëbimin e regjimit serb. Normalisht, çlirimi nga kolonizatori është pjesë e pakos të së drejtës së popujve për vetëvendosje, por lufta për emancipim tejkalon këtë synim. Lufta për emancipim nuk ndërron shtypësin, por e zhbën atë. Sot papunësia ka përmasat që ka pasur në shtetin paralel të Rugovës. Fabrikat vazhdojnë të mos jenë të publikut, tani edhe ligjërisht. Falë atyre që “mbrojnë” interesat tona të përbashkëta, tani edhe zyrtarisht jemi të shpronësuar nga ndërmarrjet publike. Zhvillimi ekonomik është barazuar me privatizimin e gjithë sektorit publik, universiteti vazhdon të mos mbrojë interesin publik, kurse Radio Televizioni “Publik” i Kosovës vazhdon të na dezinformojë aq “mirë”, sa që bën që mediat e kontrolluara nga regjimi serb të duken amatore në këtë sport.

Çindustrializimi i vendit e ka shndërruar shoqërinë kosovare në një shoqëri tregtare dhe konsumeriste. Ky rikonfigurim i ekonomisë në Kosovë ka shkatërruar në tërësi fuqinë sindikale dhe ka rritur apetitet e hegjemonisë serbe. Kësisoj ekonomia e privatizuar dhe e ndarë nga prodhimi vazhdon të jetë e varur nga ekonomia prodhuese serbe (ja fakti që tregon se nuk jemi çliruar nga imperializmi serb). Remitencat vazhdojnë të kenë të njejtën rëndësi që kishin në kohën e shtetit paralel. Politikisht, populli vazhdon të mbahet larg vendimmarrjes, “lidershipi” kosovar vazhdon t’i qëndrojë besnik projekteve të BE-së dhe SHBA-ve dhe serviliteti na shitet si partneritet. Parlamenti është bërë objekt i vazhdueshëm i ndërhyrjeve ndërkombëtare dhe është shndërruar në nyjen e aparatusit ideologjik përmes të cilit ushqehet iluzioni se qytetarët qeverisin me vetveten. Në krye të vendit është grupacioni politik i krahut të luftës që, si pasojë e revolucionit të lënë në gjysmë, është shndërruar në dorë të hajnisë.

Revolucioni i viteve 1997-99 ka qenë nacional dhe social. Nacional sepse kërkonte të drejtën për vetëvendosje të popullit në Kosovë; social sepse kërkonte që publikut t’i kthehej e drejta e pronësisë mbi sektore të caktuara të shoqërisë. Synimi i parë u realizua vetëm pjesërisht, sepse Kosova është ende larg nga të qenit e pavarur, kurse synimi i dytë dështoi në tërësi, sepse gjithë sektori publik është shkatërruar ose pritet të shkatërrohet. E përbashkëta e shkatërruar është plaga që ende kullon gjak në trupin e shoqërisë. Revolucioni është i dështuar sepse nuk arriti të zhdukë gjurmët e tij. Traumat e tij vazhdojnë ende të trazojnë kujtesën tonë. E si mund t’i harrojmë vuajtjet kur plagët janë ende të hapura? Treguese për këtë dështim është edhe thirrja që grupacione të caktuara bëjnë në sakrificat e tyre. Gjuha shkon aty ku dhemb dhëmbi. Kërkojnë privilegje të panumërta në emër të kësaj sakrifice. Këta kërkues privilegjesh janë shndërruar në ushunjëza që pijnë gjakun që kullon në këto plagë. “Revolucioni i papërfunduar” do të ishte emër i përshtatshëm për luftën e viteve 1997-99. Historia vazhdon të jetë e çarë dhe në pritje të një organizimi që do të përmbyllte me sukses kërkesat publike të shoqërisë në Kosovë.

Shkodran Ramadani, është autor i rregullt tek 'THE Frontliner'. Ai është student i Universitetit Publik 'Hasan Prishtina' në Prishtinë, në fushën e Sociologjisë në nivelin MA. Shkodrani është i interesuar në interpretimin dhe anilizën filozofike të zhvillimeve politike në shoqërinë shqiptare dhe atë të huaj.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY