KOSOVA NËN SFIDAT E KRIMIT TË ORGANIZUAR

Të gjitha raportet ndërkombetare për Kosovën, përfshirë këtu edhe Raportin e fundit të progresit, ballafaqimin me krimin e organizuar si dhe korrupsionin e identifikojnë si një prej sfidave aktuale...

Të gjitha raportet ndërkombetare për Kosovën, përfshirë këtu edhe Raportin e fundit të progresit, ballafaqimin me krimin e organizuar si dhe korrupsionin e identifikojnë si një prej sfidave aktuale të Kosovës. Krimi i organizuar, si një dukuri dhe aktivitet kriminal, është një ndër llojet më të shpeshta të krimit në shoqëritë bashkëkohore, përfshirë Kosovën. Vitet e fundit mbetet shqetësim për shumë shtete të botës, e në veçanti për shtetet e pazhvilluara dhe ato në tranzicion, siç është rasti i Kosovës.

Avokati, Musa Dragusha — ©THE Frontliner

Avokati, Musa Dragusha — ©THE Frontliner

Vështirësitë shfaqen tek zbulimi, luftimi dhe parandalimi i këtij lloji të krimit. Si rezultat i krimit të organizuar, si një ndër aktivitetet më të rrezikshme kriminale, janë paraparë vepra penale të veçanta në kodet penale nacionale të shteteve të ndryshme, janë hartuar konventa ndrkombëtare si dhe në aspektin e sigurisë në shume shtete janë formuar njësite të veçanta policore, task-forca të ndryshme, agjencione të veçanta për luftimin dhe parandalimin e krimit të organizuar.

Krimi i organizuar sipas përkufizimit përfshinë në vete dy nocione : a) furnizmin me të mira dhe shërbime ilegale dhe; b) organizatën kriminale e cila është e përfshirë në aktivitetet ilegale dhe e cila është një strukturë mjaft mirë e organizuar. Prej këtu, te krimi i organizuar vërejmë dy komponenta të rëndësishme brenda tij, e të cilat janë: tërësia e aktiviteteve dhe personat e përfshirë në këtë krim. Krimi i organizuar quhet i tillë për shkak se delikuentët profesionistë gjatë ndërmarrjes së aktiviteteve të tyre kriminale i koordinojnë dhe i planifikojnë ato në mënyrë të veçantë.

Kodi kosovar penal, krimin e organizuar e përkufizon si “një grup personash të organizuar të cilët mblidhen për ta kryer një veprimtari të caktuar kriminale”. Nga ana tjetër, sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar”, Grupi Kriminal i Organizuar nënkupton një grup të strukturuar, i përbërë nga më shumë persona, të cilët veprojnë në harmoni me njëri-tjetrin, me qëllim që të kryejnë një ose më shumë krime, ose vepra penale serioze…, me qëllim që të sigurojnë në mënyrë direkte ose indirekte përfitime financiare ose materiale“.

Në diskurset e autorëve të ndryshëm, e në veçanti të disa autorëve amerikanë, gupet e krimit të organizuar janë joideologjike (nuk kanë qëllime politike); janë hierarkike; kanë anëtarësi të kufizuar apo të veçantë; janë të vet-përhershme; përdorin dhunën ilegale dhe ryshfetin (miton); kanë ndarje specifike të punës; janë monopolistike; dhe janë të udhëhequra nga normat dhe rregullat e veçanta. Këto grupe kanë një hierarki strikte e cila duhet të respektohet nga të gjithë anëtarët e grupit, dhe se urdhërat përcillen që nga shefi i grupit kriminal, e duke shkuar në shkallë të ndryshme deri të individët të cilët mirren më operacionalizimin e detyrave.

Anëtarësia e grupeve kriminale është e kufizuar apo e veçantë për faktin se brenda tyre shquhen lidhjet farefisnore, etnia, miqësia e gjatë, dhe në bazë të këtij parimi nuk lejohen persona ”të huaj” që të jenë pjesë e grupit kriminal, për arsye se vendimi, si dhe puna kriminale do të pengohej dhe rrezikohej dekonspirimi i tyre. Qëllimet e grupit kriminal gjithashtu realizohen edhe përmes përdorimit të dhunës dhe dhënies së mitos. Si të tilla këto grupe janë monopolistike duke shëbyer në një pjesë të territorit dhe në atë pjesë duke ushtruar kontroll të plotë në atë territor, dhe jo vetëm aq. Këto grupe ndajnë në mënyrë specifike punët e tyre, veprimatarinë e tyre si dhe fushëveprimin e tyre, përkitazi me rregullat dhe normat të cilat vet i miratojnë këto grupe kriminale të krimit të organizuar.

Komiteti Evropian për Problemet e Krimit, pranë Këshillit të Evropës, ka percaktuar se grupet e organizuara të krimit përbëhen nga anëtarë me role ose detyra të caktuara, përdorin një disiplinë të brendshme, dhunën, ndikimin në politikë, media, në administratë publike, vendosjen e “drejtësisë” nëpërmjet korruptimit të punonjësve, angazhimin në pastrimin e parave që rrjedhin nga aktivitete të paligjshme; dhe strukturat tregtare të biznesit për aktivitete jo të ligjshme si dhe veprojnë në nivel ndërkombëtar.

Karakteristikat e veprimit të krimit të organizuar

Edhe në Kosovë krimi i organizuar si lloj i veçantë i krimit ngërthen në vete shumë karaktersitika të veçanta të cilat e dallojnë atë nga llojet e tjera të kriminalitetit dhe në përgjithësi nga krimi i organizuar ne vendet e tjera. Kështu, tani ai karakterizohet me disa tipare të veçanta si: lidhshmëria e përhershme në aktivitetet kriminale, ekzistimi i një strukture hierarkike dhe pushteti i fuqishëm të udhëheqësit, dominimi i rregullit, rendit, disiplinës, solidariteti i imponuar, ruajtja e fshehtësisë së veprimit dhe moszbulimi i organizatës, mostradhtia ndaj udhëheqësit, etj. Faktet tregojnë se ndëshkimet për mosrespektimin e këtyre parimeve janë të vrazhda duke filluar nga turturat, vrasjet, vrasjet e anëtarëve të familjes, zhdukja etj.

Si rezultat i evoluimit të aktiviteteve të grupeve kriminale që e ushtrojnë këtë lloj të krimit në Kosovë, kohët e fundit, paraqiten elemente të reja, si dëshira për pushtet, korrupsioni, ndikimi në media, lidhja me grupe politike, kontrollimi mbi administratën publike etj. Të gjitha këto elemente të shfaqura si rezultat i aktivitetit kriminal, prodhojnë efekte negative në shoqëri, si dhe në vet shtetin, ngase lidhja e fortë e grupeve të organizuara kriminale me organet e shtetit, siç edhe reflektohet në Raportet, e pengon edhe më shumë rrugën e zbulimit, ndjekjes dhe parandalimit të krimit të organizuar. Nderkaq, në perpjekjet për lidhjen e tyre me shtetin, veprimet dhë aktivitetet ilegale të grupeve të organizuara kriminale zakonisht ndërmirren me anë të dhënies së mitos, korrupsionit, shfrytëzimit të lidhjes me policinë, gjykatat dhe administratën.

Kategoritë e sjelljeve (aktiviteteve) të krimit të organizuar

Krimi i organizuar në Kosovë veçohet me disa forma të cilat e dallojnë atë nga llojet e krimeve të tjera. Kategori tipike për këtë lloj të krimit janë: furnizimi me shërbime të paligjshme, furnizimi i paligjshëm i mallrave, depërtimi në afarizëm legjitim, detyrimi dhe korrupsioni. Të dalluara jane aktivitetet e bixhozit, reketit – ofrimi i ”mbrojtjes” për pronarët e bizneseve, fajdjeja, prostitucioni, ofrimi i mallrave të paligjshme, furnizmi me narkotikë dhe armë. Grupet e krimit të organizuar janë shumë aktive ne synimet për depërtim apo involvim në biznese legjitime, ku përmes tyre tentojnë t’i fshehin të gjitha aktivitetet e jashtëligjshme.

Kështu, përfshirja e organizatave kriminale dhe anëtarëve të tyre në bizneset legale u jep mundësi të mirë këtyre grupeve që t’i fshehin përfitimet e tyre të mëdha në kuadër të këtyre bizneseve. Gjithashtu, përfshirja në këto biznese u siguron atyre një imazh më të mirë në shoqëri dhe shmangien nga organet ndjekëse të shtetit. Si shkaktar kyç në atë se pse krimi i organizuar ka arritur në përmasa të mëdha, padyshim se është korrupsioni gjithpërfshirës në shoqëri dhe institucione. Tanimë është e ditur se bashkëpunimi me figura të cilat në të vërtetë do të duhej ta luftonin krimin e organizuar në shumë vende të botës, sidomos psh. në Amerikën Latine, te shtetet e pazhvilluara dhe ato në tranzicion, sjellë deri të pamundësia e luftimit. Korruptimi i gjyqtarëve, figurave të mëdha politike, prokurorëve, bankierëve, udhëheqësve të komunave e deri te zyrtarët më të lartë shtetërorë, ndikon në një përhapje të madhe të tij.

Ndër format më të përhapura të krimit të organizuar konsiderohen të jenë: trafiku i drogës, trafikimi i vajzave, trafikimi i armëve dhe i municionit, kontrabanda me mallra të ligjshme, trafiku klandestin i persoonave. Psh. për të gjitha shtetet e botës, e në veçanti për SHBA-të dhe Evropën, trafikimi i drogave dehëse, përbën njërën ndër format më të rrezikshme të krimit të organizuar. Kosova po shërben si urë kalimtare midis vendeve ku ato prodhohen, posaqërisht në mes të Turqisë dhe vendeve të Evropës perëndimore, si vende të destinacionit. Statistikat tregojnë se shumica e përdoruesve të drogave janë nga vendet e zhvilluara dhe Evropa konsiderohet të jetë tregu më fitimprurës.

Ajo çka e karakterizon trafikimin e drogave ne Kosovë është fakti se kjo veprimtari kryhet me një bashkëpunim tejet të ngushtë nga regjione të ndryshme, dhe se kjo veprimtari siguron të ardhura të mëdha për organizatat kriminale, me ç’rast ndikon edhe zhvillimin dhe zgjerimin më të madh të kësaj veprimtarie. Duke u nisur nga ndërlidhja dhe bashkepunimi ndërkombëtar, lufta ndaj këtij fenomeni është shtuar në shumicën e shteteve. Kështu, shumë shtete kanë nxjerrë ligje të veçanta për të normuar veprat penale që hyjnë në këtë veprimtari, kanë formuar forca speciale anti-drogë, kanë themeluar agjenci të ndryshme të pavaruara etj.

Trafikimi i vajzave bëhet për qëllime të ndryshme, por kryesisht qëllimi kryesor për të cilin bëhet kjo veprimtari kriminale është prostitucioni. Në Kosovë, trafikimi i vajzave për prostitucion bëhet kryesisht nëpërmjet të trafikut klandestin nga Bullgaria e Moldavia, si vende që përballen me ndërrime të sistemeve ekonomike, politike dhe sociale. Këto gjendje i shfrytëzojnë mirë grupet e krimit të organizuar.

Njëra prej formave të cilat sjellin përfitime të mëdha për organizatat kriminale të krimit të organizuar është edhe trafikimi me armë dhe municion. Objekt trafikimi dhe kontrabande janë kryesisht armët dhe municionet e llojeve të ndryshme, duke u nisur prej atyre për të cilat mund të jepet leja për përdorim e deri të ato armë të rënda, armë dhe municion luftarak. Është e njohur se faktorë të cilët ndikojnë në trafikimin dhe kontrabandimin e armëve janë gjendjet e luftës, konfilktet e armatosura, aksionet terroriste, krizat ekonomike politike etj. Kosova është një prej vendeve të këtilla.

Kontrabanda me mallra të cilat janë të ligjshme në ekzistimin e tyre, por bartja nga një vend në një vend tjetër nga këto grupe bëhet në forma të paligjshme. Në Kosovë këto mallra kontrabandohen kryesisht më arsyetim te shmangies nga akcizat e larta. Në këto mallra bëjnë pjesë: cigaret, alkooli, derivatet e naftës, automjetet e përjashtimit edhe armët. Kontrabanda me këto mallra është e pranishme ne veçanti tek shtetet të cilat nuk kanë një kontroll efikas mbi kufijtë e tyre. Vendet e Ballkanit konsiderohen të jenë vendet ku është më së shumti e pranishme kjo formë e kriminalitetit.

Deri te trafiku kalndestin i personave sjellin faktorët e shumtë, si konfliktet politike, etnike, religjioze, kulturore, luftërat lokale e civile dhe varfëria. Trafikimi nga Kosova bëhet zakonisht kah vendet dhe regjionet të cilat cilësohen si më të sigurta. Gjendjen e rëndë sociale dhe ekonomike më së “miri” e shfrytëzojnë grupet kriminale, të cilat për qëllimet e tyre të përfitimit organizojnë trafikimin e personave azilkërkues dhe refugjatë, që t’i shpiejnë në vendet e Evropes Perëndimore. Grupet e organizuara bëjnë premtime të shumta për këta perona në emër të asaj se e kanë të siguruar daljen jashtë shtetit, përmes falsifikimit te dokumentave, kalimit të kufirit në mënyrë ilegale etj.

Shpërlarja e parave përbëhet nga aktivitetet të cilat ndërmirren në mënyrë që paratë e fituara nga transaksionet dhe aktivitetet kriminale të deponohen dhe investohen në punë dhe veprimtari legale e pastaj ato të përdoren si para të pastruara, të “lara”. Analizat e organeve te autorizuara për luftimin e kësaj forme te krimit të organizuar kanë provuar se ky aktivitet kalon në tri faza, e të cilat janë: alokimi, qarkullimi dhe integrimi. Aktiviteti i “larjes” së parave ka për qëllim humbjen e origjinës së parave që janë fituar në mënyrë ilegale dhe në këtë mënyrë iu mundësonë kriminelëve që t’i shijojnë rezultatet e veprimtarisë së tyre kriminale. Paratë e fituara rrjedhin kryesisht nga aktivitetet ilegale si: prostitucioni, trafikimi me armë, trafikimi me njerëz, reketimi, trafikimi i personave, dhe forma të tjera të krimit të organizuar.

Në Kosovë është i identifikuar edhe reketimi që manifestohet me ndërmarrjen në mënyrë të organizuar të kërcënimeve, shantazheve të llojllojshme nga individi dhe grupe të organizuara ndaj personave përgjegjës dhe bartësve të detyrave në firma, dyqane, shitore, punëtori, restorane, fabrika, hotele, ndermarrje dhe korporata të ndryshme, me qëllim që në dobi të tyre, rregullisht apo kohë pas kohe, të paguajnë sasi të caktuar të të hollave. Këto kërkesa bëhen me qëllim që gjoja t’u ofrohet ndihmë dhe mbrojtje këtyre ndermarrjeve nga grupet e tjera kriminale. Sipas autorit amerikan W.Reckles, në grupet kriminale që merren me reket zakonisht janë të përfshirë persona me karrierë kriminale, tipa agresivë, persona me biografi të dyshimtë, nëntoka e krimit etj. Zakonisht organizatorët e këtyre akteve kriminale kanë lidhje të caktuara edhe me segmente të caktuara të shtetit, pasi që edhe ata janë bashkëpjesmarrës në kryerjen e aktiviteteve të tilla.


Luftimi përmes legjislacionit

Si një dukuri kriminale mjaft e pranishme dhe e rrezikshme në shoqëritë bashkëkohore, krimi i organizuar ka shfaqur nevojën e inkriminimit të tij dhe aktiviteteve brenda tij në rrafshin ndërkombëtar dhe nacional. Për këtë arsye janë hartuar akte ligjore ndërkombëtare dhe kombëtare, andaj edhe ndarja e akteve ligjore për krimin e organizuar bëhet në akte ndërkombëtare dhe kombëtare. Si aktet me të rëndësishme ligjore ndërkombëtare që rregullojnë fushën e krimit të organizuar paraqiten konventat e OKB-së, Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian. Si konventa më të rëndesishme të OKB-së cilësohen të jenë:

  • 1) Konevnta e Kombeve të Bashkuara kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, e miratuar në vitin 2000, me dy protokollet shtesë të saj:
  • 1.1) Protokolli kundër trafikut të emigrantëve në rrugë toksore ajrore dhe detare;
  • 1.2) Protokolli për parandalimin, pengimin dhe ndëshkimin e trafikut të personave, veçanarisht grave dhe fëmijëve.
  • 2) Konventa për ndjekjen e tregtisë së qenieve njerzore dhe të shfrytëzimit të prostitucionit të të tjerëve e vitit 1949.
  • 3) Konventa e vetme narkotike, e plotësuar nga protokolli i vitit 1972 për ndryshimin e saj
  • 4) Konventa e OKB-së e vitit 1988 kundër trafikut të paligjshëm të drogave narkotike dhe lëndëve psikotropike, ose konevnta e Vjenës.

Në kuadër të Këshillit të Evropës janë nxjerrë këto konventa:

  • 1) Konventa e Këshillit të Evropës për masat kundër trafikimit të qenieve njerzore e vitit 2005.
  • 2) Konventa e Këshillit të Evropës për pastrimin, depositimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e produkteve të krimit dhe financimin e terrorizmit, e vitit 2005.

Kodi penal i Republikës së Kosovës ka paraparë veprat penale të krimit të organizuar si dhe ka paraparë disa vepra tjera penale që në fakt janë veprimtari që kryhen në krimin e organizuar. Kështu, neni 283, i kapitullit XXIV te Kodit penal të Kosovës, i miratuar dhe hyrë në fuqi në vitin 2012, ka paraparë veprën penale pjesmarrje në krimi të organizuar. Gjithashtu Kodi Penal i Kosovës ka paraparë edhe disa vepra penale të cilat zakonisht kryhen nga grupe të organizuara kriminale, e që në faktë bëjnë pjesë në krimin e organizuar.

Këto vepra janë p.sh: kontrabandimi me emigrantë, trafikimi me njerëz, mundësimi ose detyrimi në prostitucion, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, etj. Nga kjo del se Republika e Kosovës duke inkriminuar në mënyrë të tillë këto vepra penale është e përkushtuar që ta luftojë dhe zbardhë krimin e organizuar. Legjislacioni penal për krimin e organizuar është në përputhje të plotë me legjislacionin evropian paralel në këtë fushë, ku dihet mirfilli se është kusht për aspiratat euro-atlantike. Gjithashtu Republika e Kosovës ka themeluar task-forca të ndryshme për luftimin e krimit të organizuar, si dhe njësitë speciale anti drogë, dhe llojeve të tjera të agjencioneve te vecanta.

Vështirësitë shfaqen tek zbulimi, luftimi dhe parandalimi i këtij lloji të krimit për shkak të veçorive të cilat i shfaqë ai në rrethanat kosovare. Ai kërkon angazhime të veçanta nga institucionet e vendit. Dhe për shkak të ndikimit të fuqishëm të tij në konsolidimin e shoqërisë së dalë nga lufta, institucionet e Republikës së Kosovës duhet që të ngrisin grupe të veçanta të ekspertëve për hulumtimin dhe analizimin e fenomeneve, të formojnë trupa të specializuara që do të merren me parandalimin dhe luftimin e tij. Duke pasur parasysh se për shkak të brishtësisë institucionale pasojat e tij janë shkaterrimtare për Kosovën, siç me të drejtë potencohet në vazhdimësi nga Raportet, autoritetet duhet shtuar angazhimin ne luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Musa Xh. Dragusha, me profesion është Avokat. Për katër vjet ka qenë kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës, ai ka shërbyer në shumë organizata të ndryshme institucionale të vendit në fushën e ekspertizës ligjore. Dragusha në Dhjetor 2014, i ka vënë detyrë vetës për t'i trajtuar shqetësimet e lirisë së medias në Kosovë, duke nënshkruar një marrëveshje të bashkëpunimit profesional më Asociacionin e Gazetarëve në Kosovës — AGK.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY

  • »In praise of WikiLeaks« Jill Stein

    I’ve gotten a first—hand look at how the establishment attacks people who challenge the status quo. These attacks are intended to brand their targets as pariahs and stigmatize anyone...
  • Berati dhe belaja me Turqinë

    Unë ngritem për të mbrojtur lirinë e shprehjes, por nuk mund të hesht kur një imam apo i ri dënohet për nxitje të dhunës derisa gazetarët duartrokiten. Unë jam...
  • Are Black Lives Terrorist Lives?

    Well, this is what happens when the full force of the domestic state-terrorism apparatus sets itself against the innocent and frequently impoverished citizens of colour that mistakenly chose to...
  • If Other Professions Were Treated Like Photography…

    what if other professions were treated like photography? Here’s what a “part-time professional’s” Facebook posts might look like if other careers experienced the “everyone’s a photographer” phenomenon,...