Gazetari Apelon Kundrejt Një Gjykate në Kosovë, e Cila 'Shfajësoi' Dhunën Policore Kundër Tij

Gazetari i Pavarur Vedat Xhymshiti, i mbështetur nga OJQ — CLARD, respektivisht fushata e tyre, “Drejtësia dhe Qytetarët”, të Hënën deponoi një ankesë kundër masës së Denimit sipas Aktgjykimit...

Gazetari i Pavarur Vedat Xhymshiti, i mbështetur nga OJQ — CLARD, respektivisht fushata e tyre, “Drejtësia dhe Qytetarët”, të Hënën deponoi një ankesë kundër masës së Denimit sipas Aktgjykimit P.nr.83/2012 të Gjykatës Themelore në Gjilan, Departamenti i Përgjithshëm Dega në Kamenicë, i cili është ndërmarrë më 1 Dhjetor 2014, por i cili ka arritur në adresën e Xhymshitit siç dokumenton ai, më 20 dhjetor.

Ankesa është deponuar sot nga vetë gazetari Xhymshiti, në Gjykatën Themelore të Gjilanit, dega në Kamenicë. Mediat ishin të ftuara ta përcjellin dhe të shkruajnë për këtë veprim të drejtë ligjor të gazetarit.


Por, për çfar po bëhet fjalë?

Gazetari i Pavarur Vedat Xhymshiti, më 14 janar, 2012, kishte qenë cak i një sulmi fizik, i cili besohet të ketë qenë i paramenduar dhe i inskenuar gjatë një proteste të organizuar nga partia ‘Vetëvendosje’, në pikën kufitare ‘Dheu i Bardhë’, që lidh Kosovën me Luginën e Preshevës.

Gazetari Vedat Xhymshiti (në mes) dy individ (Faruk Ibrahimi në uniformë majtas, dhe një zyrtar tjetër në uniformë civile) dukshëm pjesëmarrës në skenarin e sulmit tentim-vrasës. Kliko në Foto për ta smadhuar fotografinë (PrintScreen Foto)

Gazetari Vedat Xhymshiti (në mes) dy individ (Faruk Ibrahimi në uniformë majtas, dhe një zyrtar tjetër në uniformë civile) dukshëm pjesëmarrës në skenarin e sulmit tentim-vrasës. Kliko në Foto për ta smadhuar fotografinë (PrintScreen Foto)

Sipas dëshmive të vlerës ligjore, sulmuesit ishin më shumë se dy persona, njëri i uniformuar me uniformë të policisë së Kosovës (shih fotografinë djathtas—>!), i cili edhe është identifikuar si Faruk Ibrahimi, ndërkohë që personat e tjerë me veshje civile, të cilët dyshohen të kenë qenë pjesëtar të Policisë së Kosovës, nuk janë identifikuar, me ç’rast në mungesë të interesimit të autoritetit hetues për t’i identifikuar dhe hetuar, ata i kanë shpëtuar mundësisë për të qenë subjekt i një procedure gjyqësore, e cila ligjërisht do të kërkonte llogaridhënie nga ata.

Polici F. Ibrahimi, në kohën kur qëllimshëm e ka sulmuar gazetarin Vedat Xhymshiti, (gjatë kohës sa gazetari po kryente detyrën e tij zyrtare të caktuar nga agjencia britanike Demotix.com) ka qenë në detyrë si shofer i komandantes rajonale të stacionit policor të Gjilanit. Ngjarja kishte ndodhur në zonën e përgjegjësisë së stacionit policor të Kamenicës. Komandantja besohet të ketë qenë e stacionuar në Gjilan.

Pohime të paverifikueshme brenda policisë së Kosovës, dëshmojnë se sulmi ndaj gazetarit Xhymshiti, ka qenë i përgatitur, gjë që sjell arsye përmbajtësore për të besuar se ky akt ishte një tentim-vrajse me paramendim ndaj një gazetari hetues, hetimet e të cilit siç pohon edhe vetë Xhymshiti, kishin zbarkuar edhe në ‘kuletat’ e anëtarëve të ndryshëm të komandës policore në Gjilan.

“Sigurisht, unë kam qenë duke u përpjekur për të verifikuar dëshmitë e dëshmitarëve të cilët dyshohet se kanë qenë subjekt i një rrjeti kriminal, e që dyshohet të jenë të lidhur me anëtarë të komandës së policisë së gjilanit dhe atë rajonale. Unë kam qenë subjekt i një përpjekje për t’u frikësuar dhe për t’i ndaluar hetimet, mirëpo nuk jam ndalur, për pasojë siç edhe isha paralajmëruar, tentim-vrasja ngjau më 14 Janar, 2012 siç edhe është dokumentuar” — tregon Xhymshiti, i cili refuzon të hap dosjen e tij të hetimeve, pasiqë thotë se, kjo do të rrezikonte dëshmitarët dhe individët, të cilët janë cak i hetimeve të tij gazetareske, që mund të rezultojë edhe të mos jenë të përfshirë!

“Hetimet nuk i kam përfunduar, tentim-vrasja e 14 janarit, është një inkurajim për t’i vazhduar ato, por në rradhë të parë unë duhet të sigurohem se përgjegjësit e mundshëm të lidhur me inskenimin e tentim-vrasjes, të marrin përgjigje ligjore nga drejtësia, pastaj unë mund të konsideroj vazhdimin e veprimtarisë sime profesionale, në raport me zhvillimet që kam qenë duke i hetuar” shton ai.

Pavarësisht nga përpjekjet e tij për të tërheqë vëmendjen e kolegjit të Gjykatës, gjatë dy seancave gjyqësore të mbajtura më 8 Janar, 2014 e cila kishte dështuar në mungesë të prokurorit, dhe asaj më 19 Shkurt, 2014, lidhur me të Drejtat njerëzore dhe profesionale të garantuara me Kushtetutë, të cilat i janë shkelur nga ana palës sulmuese i konfirmuar si Faruk Ibrahimi, Gjykata kishte refuzuar të marrë në konsideratë përpjekjet ligjore të gazetarit. Por, në vend të kësaj, kolegji i Gjykatës, më 1 dhjetor gjykon se polici Faruk Ibrahimi, duhet ndëshkuar si i pandehuri i cili ka kryer sipas gjykatës vetëm veprën penale “të keqtrajtimit” përmes rrjedhës së nenit 164 paragrafi. 1… i cili thotë se “Gjykata e gjykon të akuzuarin Faruk Ibrahimi, me aktgjykimin të cilin duhet shqiptuar një dënim prej 120 ditësh efektive në burg …” 

Duke kundërshtuar këtë aktgjykim të Gjykatës së Kamenicës, gazetari Xhymshiti, në një komunikim të mëhershëm për THE Frontliner, kishte thënë ndër të tjera se “… Gjykata ka inkurajuar një vrasës, i cili ishte duke u përpjekur të më vras më 14 janar 2012.”

Ankesa bëhet për shkak se Aktgjykimi i 1 dhjetorit ka sjellur këto rezultate: 1) Shkeljen e dispozitave procedurale; 2) Vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe 3) Zbatim të gabuar të të drejtës materiale.

Lufta në Kosovë përfundoi në mars të vitit 1999 pas një fushate të zgjatur të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi që përfundimisht detyroi kuvendin serb t’i jap Kosovës autonominë politike, ndërsa duke e mbajtur atë brenda kufirit të saj territorial. Nëntë vjet pas përfundimit të luftës, Kosova shpalli pavarësinë e saj, por statusi i saj si Republika e vetë shpallur e Kosovës, është e njohur nga 110 e 193 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Në Kosovën e pasluftës janë likuiduar rreth tetë gazetar, në mesin e të cilëve 3 të huaj, dy gjerman dhe një serb. Kosova renditet e 80-ta nga 180 vende në indeksin e lirisë së shtypit të Reporterëve pa Kufij për vitin 2014, ndërkohë që renditja vazhdon e thellohet nga viti-në-vit, si pasojë e vazhdimësisë së shkeljeve fundamentale të lirisë së shtypit dhe fjalës së lirë, të cilat janë të garantuar në mënyrë të shkruar me Kushtetutë.

Raportet e ShBA-së për Praktikat e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, thonë se “më 14 janar, një zyrtar policie kishte sulmuar fizikisht dhe rrahur Fotoreporterin Vedat Xhymshiti ndërsa ai kishte qenë duke dokumentuar ngjarjet e një konflikti në një kalim kufitar mes Kosovës dhe Serbisë. Xhymshiti kishte ngritur një padi kundër qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme më 14 Maj, 2012, dhe më vonë u largua nga vendi, pas marrjes së kërcënimeve,” përfundon raporti i departamentit amerikan të shtetit.

Kundër këtij veprimi të dhunshëm e të jashtëligjshëm të një zyrtari policie kishin reaguar edhe redaksia editoriale me seli në Londër Demotix, Federata Ndërkombëtare dhe ajo Evropiane e Gazetarisë — IFJ/EFJ, Organizata Evropiane për Mediat e Evropës Juglindore SEEMO, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit —IPI dhe Asociacioni i Gazetarëve në Kosovë — AGPK.

Për sigurinë dhe të Drejtat Njerëzore e Profesionale të gazetarit dhe fotoreporterit të pavarur Vedat Xhymshiti, janë të shqetësuar edhe Organizata Ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë njerëzore, “Amnesty International”, të cilët kanë konfirmuar interesimin e redaksisë THE Frontliner.

Për ironi, fondacioni Britanik “Rory Peck Trust”, i cili mbështet reporterët e luftës, në raportin e tyre të vitit 2012, thonë se Xhymshiti pas deponimit të padisë kundër qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme më 14 Maj 2012 në Prishtinë, nuk ndihej i sigurtë në Kosovë, me ç’rast kishte vendosur të raportonte nga lufta civile e Republikës Arabe të Sirisë.


logo_frontlinerTË DREJTAT QË GARANTOHEN ME KUSHTETUTË, E TË CILAT I JANË SHKELUR Gazetarit Xhymshiti, me rastin e sulmit i cili besohet të ketë qenë një tentim-vrasje e paramenduar ekzekutuar nga Polici Faruk Ibrahimi,  janë të shënuara më poshtë:

Nenet ligjore nga kapitulli i Kushtetutës së Republikës së Kosovës për të Drejtat dhe Liritë Themelore, nga Ligji për Policinë numër 04/L-076 (tash e tutje Ligji për Policinë).

Nenet Ligjore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës saktësojnë se çfar të drejtash i janë shkelur me rastin e sulmit fizik nga ana e të pandehurit, të cilit tash e tutje do t’i referohemi si Polici Faruk Ibrahimi: Me aktin e sulmit fizik i cili edhe është transmetuar gjithandej medieve të Kosovës, gazetarit i është shkelur dinjiteti njerëzor i cili dënohet sipas nenit 23 të kapitullit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për të Drejtat dhe Liritë Themelore, i cili nen mes tjerash thotë: “Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është baza e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.”

Poashtu është shkelur edhe e Drejta e Integritetit Personal gjë që dënohet sipas Nenit 26 (par 2), i cili thotë: “Secili person gëzon të drejtën e respektimit fizik, dhe psikik të tij/saj, që përfshin: (2) Të drejtën që të ketë kontroll mbi trupin e tij në pajtim me ligjin.”

Neni 27 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës (Ndalimi i Torturës, Trajtimit Mizor, Çnjerëzor ose Poshtërues) thotë: “Askush nuk i nënshtrohet torturës, ndëshkimit a trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.”

Mënyra e sjelljes së policit Faruk Ibrahimi, i cili pa asnjë arsye të ligjshme ose legjitime qëllimshëm e ka goditur gazetarin dhe alivanosur, e bënë përgjegjës atë si shkelës të nenit 26 dhe 27 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Neni 40 (paragrafi 1) Liria e Shprehjes thotë: “Liria e shprehjes është e garantuar, liria e shprehjes përfshinë të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, përkatësisht fotografi dhe për t’i shpërndar më pastaj ato nëpërmes mediumeve për të cilat punon një zyrtar i medias.”

Me pengimin e punës së tij në mënyrë brutale, polici Faruk Ibrahimi ka bërë shkeljen e nenit 40, paragrafit 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili flet për lirinë e shprehjes që në asnjë mënyrë nuk guxon të jetë objekt i dhunës, rebelimit apo përgjegjësisë penale.

Neni 42 (par 1 dhe 2) Liria e Medieve, thotë:

Garantohet liria dhe pluralizmi i mediave. Censura është e ndaluar. Askush nuk mund të pengojë shpërndarjen e informacionit ose të ideve nëpërmjet medieve…”

Polici Faruk Ibrahimi me veprimet e tij antikushtetuese dhe antiligjore ka bërë shkelje të nenit 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke e penguar gazetarin në kryerjen e detyrave të tij zyrtare që kanë pasë për qëllim publikimin dhe informimin e drejtë të publikut të gjerë për ngjarjet e asaj dite që kanë pasur mbulesë mediatike vendore dhe ndërkombëtare.

Neni 49 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, paragrafi 1, E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit, thotë: E Drejta e Punës, garantohet. Secili person është i lirë të zgjedh profesionin dhe vendin e punës.

Polici Faruk Ibrahimi, përveç neneve të lartëpërmendura, bënë shkeljen e rradhës respektivisht të nenit 49 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke e penguar gazetarin në ushtrimin e natyrës së profesionit të tij, si dhe vendit të punës që në këtë rast vendi ku ishte sulmuar fizikisht ka qenë vend-ngjarja e protestës.

Më tutje, do t’i referohem Ligjit për Policinë, #04/L-076 

Veprimet e policit Faruk Ibrahimi zyrtar i policisë së Republikës së Kosovës, janë të kundërligjshme, sepse ai i ka tejkaluar autorizimet dhe kopetencat e tij. Polici Faruk Ibrahimi me veprimet e tij, ka shkelur detyrat dhe autorizimet ligjore që i kishte në kryerjen e funksionit si polic i Republikës së Kosovës.

Neni 10 i Ligjit për Policinë, thotë se detyrat e përgjithshme të policisë janë ndër të tjera:

  • Të mbrojë jetën, sigurinë dhe pronën e të gjithë personave;
  • T’i mbrojë të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë personave;
  • Të parandalojë rrezikun ndaj qytetarëve dhe të mbaj rendin dhe sigurinë publike;
  • T’i parandalojë dhe zbuloj veprat penale;
  • T’i hetojë veprat penale;

Në raport me gazetarin Vedat Xhymshiti, polici Faruk Ibrahimi, në fakt ka bërë të kundërtën e detyrave që i ka si polic. Ai ka cënuar jetën, sigurinë dhe pronën e tij. Ka shkelur një mori të drejtash kushtetuese, si dhe në fakt ka krijuar rrezik serioz për jetën e tij si dhe ka shkaktuar dëme shëndetësore dhe pronësore, deri tek cënimi i integritetit dhe dinjitetit personal.

Neni 12 i Ligjit për policinë nuk autorizon sjelljen brutale dhe nokautimin dhe rrezikimin e jetës së gazetarëve. Në fakt ligji për policinë, obligon policinë që edhe në rast se i duhet të përdorë forcën që në këtë rast nuk është njëri nga rastet e parapara me ligj, gjë që kërkohet nga polici që ta bëjë atë në mënyrë proporcionale dhe të përshtatshme. Polici në fjalë, duke mos vepruar konform nenit 12 të ligjit për policinë që e detyron policin të zbatojë parimin e përshtatshmërisë dhe proporcionalitetit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ka bërë edhe këtu shkelje. Poashtu veprimet e Policit Faruk Ibrahimi, ndër të tjera janë në kundërshtim edhe me Nenin 19 të Ligjit për Policinë, përkatësisht paragrafët 1, 2 dhe 3 të Nenit 19 dhe 14, (prezantimi i Zyrtarit Policor).

Kundërligjshmëria e veprimeve të policit Faruk Ibrahimi, bëhet edhe më serioze edhe tek shkelja e Nenit 25 Ligjit për Policinë, gjegjësisht katër paragrafëve të parë të këtij neni. Të cilët përshkruajnë në nënyrë të precizuar përdorimin e forcës nga ana e policisë.

  • 25.1: Zyrtari Policor është i autorizuar ta përdor forcën vetëm atëhere kur është e domosdoshme dhe vetëm deri në nivel që kërkohet për t’i arritur objektivat legjitime të policisë.
  • 25.2: Zyrtari Policor mund të përdorë forcën për ta mbrojtur jetën e personit, për ta parandaluar sulmin, kryerjen e veprës penale etj.
  • 25.3: Zyrtari Policor vepron me maturinë e tij/saj për të përcaktuar llojin e forcës, për ta parandaluar sulmin apo kryerjen e veprës penale etj.
  • 25.4: Në rastet e përdorimit të forcës, zyrtari policor duhet të përpiqet të minimizoj ndërhyrjen, në të drejtat dhe liritë e personit, dhe të minimizojë çfarëdo pasoje të dëmshme.

Asnjë nga kriteret e përcaktuara nga Ligji për policinë, nuk është përmbushur nga veprimet e policit Faruk Ibrahimi, nga çka lehtësisht konkludohet se ka ndodhur tejkalimi i kompetencave të cilat i jepen zyrtarëve të policisë me Ligjin për policinë. Asnjë nga veprimet e policit Faruk Ibrahimi nuk kanë qenë të përputhshme me nenet ligjore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Të gjitha veprimet e policit Faruk Ibrahimi, janë të dënueshme sipas neneve ligjore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe Ligjit për policinë e Kosovës me numër 04/L-076, prandaj një panel i pavarur gjyqësor është i domosdoshëm dhe ri-shqyrtimi i krejt procedurës është e domosdoshme në bazë të ligjeve kushtetuese në fuqi.


Gazetari Vedat Xhymshiti, është identifikuar si një “Portret Lirie” nga Grupi Ndërkombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Njerëzore “Civil Rights Defenders dhe Youth Initiative for Human Rights”. Rasti i sulmit të 14 Janarit 2014 ndaj tij, është i përfshrië në një film të shkurtër dokumentuar, i cili mund të shikohet në videon e poshtëshënuar.



 

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY