PROTESTAT ANTI-JABLLANOVIÇ, ZGJIDHJE APO KONFUZITET!

Është e Premte, ditë shiu në Gjilan, studentët e Universiteti Publik të Gjilanit ‘Kadri Zeka’ po përgatiten t’i prijnë një marshi-protestues të paralajmëruar një ditë më parë, i cili...
Studentët kujdestar me shirita të kuq, të cilët e kujdestaruan protestën për të parandaluar ndonjë eskalim. (©THE Frontliner)

Studentët kujdestar me shirita të kuq, të cilët e kujdestaruan protestën për të parandaluar ndonjë eskalim. (©THE Frontliner)

Është e Premte, ditë shiu në Gjilan, studentët e Universiteti Publik të Gjilanit ‘Kadri Zeka’ po përgatiten t’i prijnë një marshi-protestues të paralajmëruar një ditë më parë, i cili ka për kërkesë shkarkimin e ministrit për kthim dhe komunitete të Republikës së Kosovës Aleksandar Jabllanoviç.

Jabllanoviç, i cili njëherësh është edhe deputet në Kuvendin e Serbisë dhe njeriu i besueshëm i qeverisë serbe për implementim të marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi, ai është emëruar si ministër ngase partia e tij ‘Lista Serpska’, është pjesë përbërëse e koalicionit qeverisës ndërmjet LDK—PDK, kjo e fundit udhëheq diplomacinë me ish kryeministrin tani zëvëndës kryeministër Hashim Thaçin.

Mejdi Sadiku, i cili është sekretar i bordit të USPE-së (Unioni i Studentëve Pro-Evropian) një organizatë studentorte e themeluar në vitin 2010, thotë se deklarata e Jabllanoviç i cili i kishte quajtur nënat gjakovare “Egërsira”, është e pa-ranueshme, si të tillë edhe shkarkimin e tij ai e sheh si një zgjidhje.

Studenti i studimeve Master në fushën e ekonomisë dhe kontabilitetit Uran Salihu, e ndan afërsisht të njejtin mendim, por ai shpreh shqetësimin për Trepçën, për të cilën thotë se “… ndërhyrja e Serbisë në Trepçë, është cenim serioz i sovranitetit të Republikës së Kosovës.”

Qindra mijëra studentë dhe qytetarë të Gjilanit, anëtarë të partive të ndryshme politike dhe organizatave që veprojnë në anamoravë morrën pjesë në një marsh-protestues duke kërkuar kështu shkarkimin e zëvëndës kryeministrit Jabllanoviç.

Në një bashkëbisedim me disa prej anëtarëve të këshillit organizativ u insistua se organizimi nuk vjen nga ndonjë parti politike, mirëpo e kundërta u dëshmua gjatë protestës e cila ishte ankoruar në parkun e betonuar përball hotelit ‘Kristal’ të Gjilanit.

Në foto, Luan Aliu, sekretari teknik i partisë Vetëvendosje në Gjilan, gjatë fjalimit të tij në protestën e 23 Janarit, në Gjilan. (©THE Frontliner)

Në foto, Luan Aliu, sekretari teknik i partisë Vetëvendosje në Gjilan, gjatë fjalimit të tij në protestën e 23 Janarit, në Gjilan. (©THE Frontliner)

Aty përveq studentëve e mori fjalën edhe Luan Aliu, sekretar i partisë së Albin Kurtit ‘Vetëvendosje’. Aliu mes tjerash i bëri thirrje kryeministrit që ta shkarkoj ministrin Jabllanoviç, pasiqë kjo sipas tij, është zgjidhja për Kosovën.

Vetëvendosje, është e njohur për organizimin e një-pas-njëshëm të protestave në Kosovë, ata madje janë të famshëm sidomos me protestën e dhjetë shkurtit të vitit 2007, ku edhe ishin vrarë dy protestues dhe dhjetëra të tjerë ishin plagosur, në një qëllim të deklaruar kundër Pakos së Ahtisaarit dhe kundër një shteti kosovar, i cili do të ndërtohej mbi bazat e asaj pakoje. Partia e Kurtit, i kishte kontestuar edhe zgjedhjet në Kosovën e pasluftës, pasiqë kishin argumentuar se “… meqë ne nuk e kemi të drejtën për vetëvendosje dhe referendum, të zgjedhësh është njejt sikur të zgjedhësh brenda burgut se në cilit shtrat dëshiron ta bëshë gjumin..”, mirëpo disa muaj pasi kishin bërë fushatë kundër zgjedhjeve, ata kishin hyrë brenda sistemit politik në vend edhe pse shqiptarëve në Kosovë u mohohet e drejta për vetëvendosje dhe referendum.

Pesëmbëdhjetë vjet që kur Kosova ishte ndarë nga një konflikt me Jugosllavinë, vendi qëndron në mesin e vendeve më të varfra të Evropës me politikanët milioner të zhytur në krim. Një e treta e fuqisë punëtore është e papunë dhe korrupsioni është i përhapur kudo. Rreth dy të tretat e popullsisë nën-25 vjeç janë aktualisht pa punë dhe gati 50% e 1.8 milionë qytetarëve të Kosovës konsiderohen të jenë të varfër.

Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Ajo është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të BE-së. Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për 17 shkurtin e vitit 2008, saktëson se grupet politike në vend kanë shpallur një deklaratë e cila nuk aspiron të fuqiozhet ndonjëhere në kuptimin legjislativ.

Paqeruajtësit e NATO-s janë në Kosovë që nga viti 1999 dhe kanë dështuar për të ushtruar mandatin e tyre të plotë për të siguruar një mjedis të qetë, të sigurt dhe paqësor për të gjithë, sidomos në bregun verior të vendit që është zhytur në dhunë dhe veprime të jashtëligjshme nga grupet e armatosura separatiste pro-Serbisë të mbështetura edhe nga politikanët etnikë Serb të cilët janë pjesë përbërëse e administratës qeverisëse në Prishtinë.

KU QËNDRON PROBLEMI? — A është zgjidhje apo vetëm simbolikë shkarkimi i ministrit serb Aleksandar Jabllanoviç apo kjo mund të jetë një sekuencë politike e orkestruar, këtë e spjegon politologu Shkelzen Krivaqa i cili ka diplomuar në drejtimin e shkencës politike pranë universiteti publik në Prishtinë. “Sigurisht se shkarkimi i Jabllanoviç nuk është zgjidhje, deklarata e tij nuk ka të bëjë me të, por me synimet politike të partisë të cilën ai e përfaqëson” thotë ai.

“… Lista serpska mund edhe të ndryshoj retorikën politike në kuptimin verbal, por problemi është në terren për shkak që strukturat paralele serbe veprojnë në territorin e Kosovës” shton Krivaqa.

Shkelzeni i referohet edhe një emisioni televiziv në të cilin ministrit i ishte drejtuar pyetja nëse ai e pranon shtetin e Kosovës për të cilën ai ishte përgjigjur “… e pranoj gjendjen faktike në terren” e gjendja faktike është se Serbia është operative plotësisht në Kosvovë duke përfshirë edhe listën ‘Serpska’ vlerëson Krivaqa.

Në foto, duket kreu i KK-Gjilan Lutfi Haziri, duke mbajtur një fjalë rasti në ceremoninë përkujtimore të 70 vjetorit të Masakrës së Gjilanit, e cila ndonëse kishte karakter zyrtar shtetëror, aty mbizotërojnë simbolet partiake. (©THE Frontliner)

Në foto, duket kreu i KK-Gjilan Lutfi Haziri, duke mbajtur një fjalë rasti në ceremoninë përkujtimore të 70 vjetorit të Masakrës së Gjilanit, e cila ndonëse kishte karakter zyrtar shtetëror, aty mbizotërojnë simbolet partiake. (©THE Frontliner)

Tutje ai rithekson se ne si qytetarë nuk do duhej të mjaftoheshim vetëm me deklarata simbolike, qofshin ato pro ose kundër shtetit të Kosovës, pasiqë do të ishte shumë e lehtë që një zyrtar i listës serbe në qeverinë e Kosovës të deklarohej pro-institucioneve të Kosovës, por faktikisht në terren do t’i sfidonte ato. Thyerje e rendit kushtetues nuk është vetëm deklarata që japin zyrtarët serb në qeverinë e Kosovës, thyerje përbëjnë edhe vetë strukturat paralele të cilat shtrihen në një të tretën e territorit të Kosovës thotë ai. Thyerje është edhe mos-përdorimi i simboleve zyrtare ashtu siç e saktëson kushtetuta dhe aktet ligjore të saj.

Por, nuk është vetëm lista “Serpska” ajo që e thyen rendin kushtetues në raport me përdorimin e simboleve shtetërore, LDK e cila kryeson qeverinë e vendit në aktivitete shtetërore përdor portretin e ish-presidentit Ibrahim Rugova në vend të presidentes aktuale Atifete Jahjaga, ata madje e përdorin edhe simbolin e flamurit të propozuar nga ish-presidenti. Përveq LDK-së, edhe partia e Albin Kurtit ‘Vetëvendosje’ në vazhdimësi është duke vepruar në thyerje të rendit kushtetues në raport me simbolet e shtetit, ndonëse emocionalisht çdo qytetar do ta aprovonte përdorimin e simbolit kombëtar në institucionet publike të shtetit të Kosovës, ky veprim në sytë e politologut Krivaqa vlerësohet si një përpjekje e partive shqiptare për t’i sfiduar institucionet e shtetit të Kosovës, madje deri tek fakti i krijimit të një precedenti të rrezikshëm (dhe motivues!) për dhe nga minoriteti serb të cilët po konsiderojnë se thyerjet nuk po bëhen vetëm nga ata, por edhe nga Shpend Ahmeti në Prishtinë dhe Lutfi Haziri në Gjilan.

Ai personalisht e përkrah shkarkimin simbolik të ministrit serb Jabllanoviç, por shton se ne nuk mund të hamendësohemi nëse “jemi apo nuk jemi” plotësisht të pavarur në varësi të interpretimeve të një ministri nga minoriteti serb, duke shtuar se “lindja e një shteti është një qështje më shumë faktike se sa juridike, ai lind rritet dhe zhvillohet pavarësisht interpretimeve të disa zyrtarëve serb, është e njejtë me një fëmijë të posalindur, të cilin, e emëruam apo jo, ai do të jetoj. Pra, problemi nuk është se si shprehen zyrtarët e listës “Serpska”, por se si veprojnë ata, përfundon Krivaqa.

Në fotografi duket Adonis Tahiri, ish zëdhënësi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti nga rradhët e partisë Vetëvendosje, i cili në një përpjekje për t'a përvetësuar protestën e studentëve të 23 Janarit në Gjilan, iu prinë protestuesve pa pëlqimin e këshillit organizativ. (©THE Frontliner)

Në fotografi duket Adonis Tahiri, ish zëdhënësi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti nga rradhët e partisë Vetëvendosje, i cili në një përpjekje për t’a përvetësuar protestën e studentëve të 23 Janarit në Gjilan, iu prinë protestuesve pa pëlqimin e këshillit organizativ. (©THE Frontliner)

A PO MONOPOLIZOHEN PROTESTAT? — Partia Vetëvendosje, në vazhdimësi është përpjekur të monpolizoj thuajse çdo protestë të mundshme e të cilat kanë rezultuar me dështime të arritjes së qëllimeve të deklaruara. Përpjekja e tyre për të përvetësuar edhe nismën reaguese të ‘Thirrjeve të Nënave”, e cila mori mbështetje gjithandej Kosovës deri tek organizatat studentore, e ka shqetësuar politologun Krivaqa, i cili thotë se në rrafshin ndërkombëtar partia ‘Vetëvendosje’ shihet si “ultra-nacionaliste” e ngjashme me listën “Serpska”, gjë që do të shihej si hegjemoni ose shovenizëm i shumicës shqiptare karshi pakicës serbe, siç edhe ishin raportuar në mediat ndërkombëtare trazirat e marsit 2004, shprehet ai, duke thirrur në vetëdijen e qytetarëve se “mbrojtja e kushtetuetshmërisë, është detyrë e çdo qytetari, prandaj këto protesta duhet të kenë karakter qytetar dhe asesi partiak”, përfundon ai.

Përpjekja e partisë ‘Vetëvendosje’ për t’a përvetësuar protestën e sotme në Gjilan, ka shkaktuar reagime brenda këshillit inicues organizativ. Valdrin Halimi, kryetari i Këshillit të Veprimit Rinor Lokal të Gjilanit, tha se KVRL-ja nuk është më pjesë e kësaj proteste.

“Sigurisht se ne nuk ishim pjesë përbërëse e këshillit inicues prej momentit që e pamë se ata të Vetëvendosjes u ngjitën në skenë për të mbajtur fjalim, fjalimi i tyre kishte përmbajtje partiake” tha ai, duke përfunduar se “… ne nuk duam të jemi pjesë e agjendave partiake të askujt” përfundoi ai.

Kështu, Vetëvendosje me vetëdije po bëhet edhe mekanizmi i cili shkakton përçarje të nismave të mundshme qytetare në vend, ndoshta ky është edhe qëllimi final i tyre, pra kontrollimi dhe menaxhimi i pakënaqësive qytetare.

Një protestë tjetër gjithë-popullore është paralajmëruar për ditën e Shtunë të mbahet në Prishtinë nga partia e Albin Kurtit. Atje, mbase edhe do të thyhen kocka, por asgjë në përmbajtje nuk do të ndryshoj, sistemi administrativ i përbërë nga rrjete kriminale, do t’i shpëtojë shpërbërjes. Këta që po e organizojnë këtë performancë, janë pikërisht ata të cilët më 10 Shkurt, 2007 e kishin organizuar të njëjtën dhe e kishin ndaluar pikërisht atëhere kur kishte filluar ajo!

Përpjekja për krijimin e Gjykatës speciale, duket se e ka frikësuar Hashim Thaçin dhe shokët e tij në guerilën e UÇK-së, i cili jo pak here (sipas rrjedhjeve të WikiLeaks) e ka kërcënuar Bashkësinë Ndërkombëtare për krijimin e një situate kaotike në Kosovë, në rastë të ndonjë përpjekje të ndërkombëtarëve për ta hetuar atë.

Organizatorët e performancës, jo pak here e kanë dëshmuar se janë mjeti i ish-kreut të qeverisë gjatë së cilës qeverisje (mes shumë krimeve tjera!) ishte bastisur dhoma e dëshmive në stacionin qëndror të Policisë së Kosovës dhe “bastisësit” nuk u gjenden asnjëhere! Sipas profesorit Francez të kriminologjisë Xavier Raufer, “…çdo here kur në një krim është i përfshirë shteti, autori i krimit mbetet i panjohur për publikun”.

Protesta e nesërme është thirrur edhe në mbrojtje të gjigandit Trepça. Mbi katërmbëdhjetë-mijë qytetar të Kosovës e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë ngjarje të nesërme, njësitet speciale të Kosovës për kontrollimin e trazirave janë të përgatitur nën-urdhërat e Ministrit të Brendshëm nga rradhët e LDK-së Skender Hyseni, partia e të cilit në vazhdimësi ka refuzuar ta shkarkoj ministrin.


HISTORIKU — Qeveria aktuale është duke u përballur me një presion nga Perëndimi që të marrin parasysh gjetjet e hetimit të krimeve të luftës, të cilat kërcënojnë me burg ish-shokët e armatosur luftëtarë të kryeministrit në detyrë Hashim Thaçi, i cili është identifikuar si “peshku më i madh” në krimin e organizuar në vendin e rrethuar me kodra e male të Gadishullit Ballkanik.

Një ekip me detyrë të veçantë i Bashkimit Evropian ka nxjerrë rezultatet e një hetimi, e cila pohon përfshirjen e ushtrisë guerile të Kosovës në siç thuhet “korrjen e organeve” nga të burgosurit serbë të luftës dhe se gjoja i kanë shitur ato në tregun e zi gjatë konfliktit të vitit 1998-1999.

Nisja e hetimeve pasoi pas një raporti të vitit 2011 nga raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty, i cili drejtoi gishtin ndaj kryeministrit të atëhershëm Thaçi, duke mos i përjashtuar kështu ish-kryengritësit e tjerë të afërt me Hashim Thaçin. Në kutinë e akuzave përfshihen katër anëtarë të lartë të PDK-së dhe kandidatë të parlamentit, si dhe zëvëndësi i partisë së Thaçit, Kadri Veseli, i cili jo pak herë ka qenë subjekt i diskutimeve për dyshimet e operacioneve të tij sekrete për t’a mbështetur partinë përmes aktiviteteve të jashtëligjshme të krijesës së tij të njohur si SHIK (Shërbimi Informativ i Kosovës).

Hashim Thaçi ishte një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që mori armët në fund të viteve ‘90 për t’u çliruar nga sundimi i dhunshëm i Jugosllavisë së atëhershme nën udhëheqjen e njeriut të fuqishëm të Beogradit Slobodan Millosheviç. Ky i fundit nuk është dënuar për krime kundër njerëzimit në të gjithë Gadishullin e Ballkanit, por gjeti vdekjen e tij gjatë gjykimit në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, Hagë.

Serbia dhe pasardhësit e Millosheviqit (shokët e tij të ngushtë!), të cilët kishin luajtur një rol të rëndësishëm në spastrim etnik, vrasje masive dhe masakra kundër civilëve të pafajshëm në Jugosllavinë e asaj kohe, në vend të gjykimit, u shpërblyen me lirinë e lëvizjes në të gjithë tokën evropiane.

NATO ndërhyri në vitin 1999 me 78 ditë sulme ajrore kundër Serbisë, duke u përpjekur për të ndalur masakrën dhe spastrimin etnik që po ushtrohej ndaj shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe të cilat kishin shkaktuar një kryengritje të gjerë në rajon.

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY