Partia e Fortë thërret "Të protestohet deri në fund"

Flamuri kuq e zi në këto protesta dhe brohoritjet nacionaliste na afrojnë çdo herë e më shumë me fashizmin të cilin e kemi luftuar....

Krahu radikal i Partisë së Fortë shpreh zëshëm nevojën për të protestuar, jo vetëm të mërkurën por vazhdimisht deri në përmirësimin e standardit jetësor në Kosovë. Sado që dorëheqja e ministrit Jabllanoviç dhe nacionalizimi i Trepçës janë arsye legjitime për të protestuar, nuk kemi pse të fshehim arsyen themelore të kësaj revoltë—dinjitetin.


Të tregohemi qytetarë të përgjegjshëm. Protesta është përgjegjësi. Të protestojmë jo vetëm këtë të mërkurë, por vazhdimisht çdo javë, muaj e vjet! — Partia e Fortë Pamja tregon zhvillimin e protective te javës së kaluar në Prishtinë. ©THE Frontliner/Vedat Xhymshiti

Të tregohemi qytetarë të përgjegjshëm. Protesta është përgjegjësi. Të protestojmë jo vetëm këtë të mërkurë, por vazhdimisht çdo javë, muaj e vjet! — Partia e Fortë
Pamja tregon zhvillimin e protestave te javës së kaluar në Prishtinë. ©THE Frontliner/Vedat Xhymshiti

Neni 23 i Kushtetutës së Kosovës thotë:

“Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.”

Nuk kemi nevojë të gjejmë arsyetime për të kërkuar atë që me të drejtë na takon, një jetë e dinjitetshme. Ofendimet e bëra nga ministri Jabllanoviç nuk vijnë as afër të gjitha ofendimeve dhe poshtrimeve që i janë bërë qytetarëve të Kosovës nga e gjithë klasa politike për 16 vitet e fundit, me premtime boshe, mungesë të llogaridhënies, dhe injorimit në mënyrën më arrogante të shumicës së kërkesave dhe nevojave të atyre viktimave që ndryshe njihen si banorë të zakonshëm të Kosovës.

Me gjitha ofendimet e pranuara deri sot, është mbase e turpshme që fjalët e ministrit Jabllanoviç të jenë ato që na e “livritin damarin”. Na bën të kujtojmë që, me gjithë të këqijat e vendit dhe pushtetarëve tonë, të kemi ende tendencë ta hedhim fajin aty ku është më së lehti, ndikimit të Serbisë në vendimmarrjen e Kosovës.

Përderisa ne po mundohemi të krijojmë një shtet i cili garanton përfaqësim të drejtë të të gjitha grupeve etnike, nuk mund të presim që kjo të ndodhë kur partitë ndahen në baza etnike. Ligji për zgjedhje dhe rregulla për regjistrimin e partive politike duhet të ndryshohet ashtu që kandidatë të të gjitha grupeve etnike që synojnë ulëset e garantuara ta bëjnë këtë prej të gjitha partive. Partitë duhet të jenë të formuara në bazë të ideve dhe pikëpamjeve të përbashkëta e jo përkatësisë etnike. Vetëm kur çdo parti do të ketë kandidatë të të gjitha komuniteteve mund të kapërcejmë ndikimin e partive nacionaliste sikur Lista Srpska.

Trepça, si arsye tjetër për të protestuar, është e vërtetë që nganjëherë po përdoret për nxitje duke thënë se “u shit”. Jemi të vetëdijshëm që likuidimi i kësaj ndërmarrjeje është shtyer dhe ndoshta edhe ka të drejtë qeveria kur thotë se i duhet më shumë kohë që ta përpilojmë një ligj më të kompletuar për Trepçën. Në anën tjetër, në bazë të përvojës deri sot, a kemi arsye, ne si qytetarë të Kosovës, të besojmë në fjalët e pushtetarëve? As nji grimë. Trepça është pasuri shumë e madhe (nga aq sa na ka mbetë) që të rrezikojmë t’ia besojmë fjalëve të njerëzve që prioritet e kanë pushtetin. Duhet të protestojmë me javë e me muaj, të ushtrojmë presionin mbi institucionet tona deri sa të sigurohemi që Trepça t’i kthehet qytetarëve të Kosovës.

Këto dy kërkesa janë veç sa me u nxehë. Ne, si qytetarë të një shteti të ri, kemi më shumë përgjegjësi se një votë çdo 3-4 vjet. Ne kemi përgjegjësi që t’i tregojmë qeverisë, pa marrë parasysh me cilën parti është, se pushteti nuk është i garantuar dhe kërkesat tona duhet të jenë primare.

Protesta nuk është vetëm e drejtë, është obligim qytetar!

Protestat nuk duhet të përqendrohen në shkarkimin e ministrit Jabllanoviç dhe ligjin për Trepçën. Protesta duhet të ketë deri sa të shohim përparim në sistemin e shkollimit, ashtu që diploma të mos jetë vetëm letër për fyshek t’farave t’zeza por simbol i njohurive profesionale e shkencore.

Të protestohet deri kur shëndeti jonë të ketë prioritet mbi kilometrat e autostradave. Duhet të kemi trajtim të denjë në spitalet tona e jo një autostradë për të shkuar më shpejtë në spitalet e Shkupit.

Të protestohet deri kur të reformohet i gjithë sistemi tatimor, i cili nuk lejon polarizimin klasor të shoqërisë në varfëri e pasuri ekstreme. Të kemi tatime të larta në luks e të lirohen tatimet për teknologjinë informative e cila ka potencial të jetë shtyllë kryesore për ekonominë tonë. Deri sa të bëhemi një shtet i cili fokusohet më shumë në lirinë e shpërndarjes së informimit dhe njohurisë e jo në parandalim të kopjimit. Deri sa të kemi një shtet që dëgjon kërkesat e qytetarëve e jo që përgjon telefonat e tyre. Të kemi reforma strukturore që do të parandalonin rritjen e dallimit të klasave ekonomike e shoqërore.

Të protestohet deri kur nuk kemi nevojë të mbijetojmë në shtetin tonë e jetë të kërkojmë me autobusë drejtë Hungarisë.

Pamje nga protestat e javës së kaluar në Prishtinë. ©THE Frontliner/Vedat Xhymshiti

Pamje nga protestat e javës së kaluar në Prishtinë. ©THE Frontliner/Vedat Xhymshiti

Ne si qytetarë kemi përgjegjësi.

Duhet të jemi të drejtë në atë që e kërkojmë. Nëse jemi kundër fashizmit, është hipokrizi të brohoritet “Biri i shkinës jashtë!” duke valuar flamujt kuq e zi. Në fakt, kjo është pikërisht e njejtë me tubimet e Millosheviçit që nxiste nacionalizmin serb duke i bërë të ndjehen si viktima ndaj popujve tjerë. Nëse dimë diçka për nacionalizmin, është që në emër të një krenarie të bazuar në përalla bëhet një nga forcat më destruktive të një shoqërie e që shumë shpesh kushton edhe me humbjen e mijëra jetërave. Ne, si viktima direkte të nacionalizmit, duhet ta dimë mirë këtë. Flamuri kuq e zi në këto protesta dhe brohoritjet nacionaliste na afrojnë çdo herë e më shumë me fashizmin të cilin e kemi luftuar.

Edhe pse shumë shpeshë përmendet fakti që Kosova ka popullatën më të re në Evropë, nuk duhet të mashtrohemi nga ky fakt e të sillemi si fëmijë. Nuk ka vend për arsyetime “ky ma hini i pari” nga asnjëra palë e përfshirë në dhunë. I kemi bo do vjet, duhet të mësohemi të mbajmë përgjegjësi për veprat që i bëjmë. Dhuna nuk është e vetmja mënyrë radikale për të protestuar. Por, nëse dhuna eskalon në protestë duhet të kuptohet që protestuesit nuk do të tërhiqen mu për shkak të atij dinjiteti që është pjesë aq e rëndësishme në Kushtetutë. Është pushteti ai që duhet të reflektojë për arsyet që dikush do t’i kishte që të rrezikonte shëndetin e tij duke u përleshur me polici. Dhe kur themi dikush, mendojmë për mijëra dikusha. E në anën tjetër protestuesit s’kanë pse të fshihen prapa arsyetimeve si “mos na e rrethoni Skendërbeun”. S’kemi nevojë për asrye kot të mllefosemi. Arsye të vërteta për mllef ka sa të duash.

Të tregohemi qytetarë të përgjegjshëm. Protesta është përgjegjësi. Të protestojmë jo vetëm këtë të mërkurë, por vazhdimisht çdo javë, muaj e vjet, deri sa neni 23 i kushtëtutës sonë për dinjitetin të zbatohet ashtu si duhet. Të jemi të përgjegjshëm dhe të kërkojmë përgjegjësi nga kushdo që është në pushtet.


Partia e Fortë | Krahu Radikal

P.S. Për të gjithë ata që presin vetëm deklarata sarkastike nga Partia e Fortë, mos u brengosni për asgjë se gjithçka mirë osht. Qëndroni në shtëpi me programin argëtues të RTK-së.


Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY