PËR GAZETARINË DHE ÇMIMET PREJ LETRE!

Përparimet profesionale të (disa!) gazetarëve në Kosovë janë të limituara, këtë e konfirmon edhe Raporti Vjetor i Progresit për Kosovën, i hartuar nga Bashkimi Evropian.

Në një editorial të dërguar për media nga ambasada amerikane në Prishtinë, me autorësi të Sekretarit John Kerry, thuhet se “…në Kosovë, gazetarja Arbana Xharra ka shkruar një varg të artikujve hulumtues mbi ekstremistët fetarë në vendin e saj.

Me përpjekjet e saj të palodhshme, ajo nxorri në dritë lidhjet me organizatat e huaja terroriste, gjë që na ndihmon për ta luftuar rritjen e ekstremizmit radikal që po kërcënon paqen dhe begatinë në botë…….”
Foto: Mike Smith

»Gazetarët që hetojnë terrorizmin nuk janë kryeredaktorë, sepse pozita të detyron të jeni ngjitur për një karrige dhe jo në terren« Vedat Xhymshiti

Unë duhet ta pohoj që në fillim të kësaj kritike profesionale se, parimisht i gëzohem secilit lajm i cili konfirmon depërtueshmërinë e kolegëve të mi jashtë kufijve administrativ të Kosovës. Koleges Arbana Xharra, do t’ia uroja me gjithë zemër vlerësimin e përkushtimit të saj profesional, sikur ky vlerësim të vinte nga Qendra “Pulitzer” për gazetari hulumtuese, apo ndonjë institut i pavarur i cili është i thirrur për vlerësime të individëve apo grupeve të cilat veprojnë në mbështetje të zhvillimeve demokratike, lirive njerëzore dhe shtimit të cilësisë në gazetari profesionale. Mirëpo, kur një vlerësim për veprimtari gazetarie vjen nga një departament shtetëror, atëhere kjo është një arsye serioze për t’u shqetësuar, pasi që është shumë e qartë se kemi të bëjmë me ndërhyje politike të një shteti në mediat e pavarura. Sekretari Kerry është politikan, apo jo?! Ai mund të jetë po ashtu pjesë e hulumtimeve të gazetarëve sepse është figurë publike, aq më shumë politikan me ndikim të fuqishëm global! Sigurisht se të dalësh në një fotografi me Zonjën e Parë të SHBA-ve, shtetit ndaj të cilit shumica shqiptare kanë treguar besnikëri të plotë dhe shtetit që është superfuqi globale sot, mund edhe të llogaritet si një prestigj individual, por jo edhe profesional në këtë rast, për shkak të problematizimit të etikës profesionale.

Tutje, liria e shtypit në Shtetet e Bashkuara në vitin 2008 kishte qenë në vendin e 36-të për të pësuar një rënie trembëdhjetë vende më poshtë në vitin 2015, siç është rradhitur në vendin e 49-të nga Indeksi i Lirisë së Medias i Reporterëve Pa Kufij, me seli në Paris.

Viti 2014 u shënua me ngacmime serioze që i bëri gjyqësori amerikan reporterit hetues të gazetës me ndikim global “The New York Times”, profesorit James Risen. Gazetarët amerikanë janë ende të pambrojtur nga një mburojë e ligjit federal që do të garantonte të drejtën e tyre për të mos përmendur burimet e tyre ose për të mos zbuluar informacionet e tjera konfidenciale në lidhje me punën e tyre. Ndërkohë, të paktën 15 gazetarë në ShBA janë arrestuar në mënyrë arbitrare gjatë përleshjeve midis policisë dhe demonstruesve që protestonin kundër të shtënave fatale të cilat kishin për cak të riun Michael Brown nga një oficer policor në Ferguson, Missouri.

Sekretari Kerry, i cili pretendon se gazetarja Xharra ka shkruar “..një varg artikujsh hulumtues mbi ekstremistët fetar..”, mbase edhe e kupton se sikur të hulumtohej brenda parimeve profesionale të gazetarisë, atëhere sigurisht se gazetarët do të shtronin edhe këto pyetje:

  • Si ka mundësi që SHBA vazhdojnë të kenë miqësi me ‘sauditët’, të cilët dokumentueshëm dyshohen për financimin e grupit terrorist ISIS?;
  • Pse SHBA me ‘aleatët perëndimorë’ hezitojnë t’i imponojnë sanksione ISIS-it?;
  • Pse SHBA dhe aleatët perëndimorë imponojnë ‘sanksione’ organizatave mediatike (WikiLeaks!) dhe në vazhdimësi përpiqen t’i izolojnë gazetarët e pavarur?;
  • Pse SHBA dhe ‘aleatët e saj perëndimorë’ financojnë dhe armatosin organizata të cilat janë në listën e tyre terroriste? etj.

Pyetjet e shkruara më lartë nuk janë ngritur ndonjëhere nga mediet në Kosovë, sepse ato përpiqen t’i nënshtrohet diskursit të retorikës së politikanëve! Disa medie si dhe gazetarja në fjalë, përveç se kanë raportuar materiale të paverifikuara, janë përfshirë në shkelje serioze të etikës profesionale të gazetarisë pasi që në vazhdimësi kanë publikuar emra dhe mbiemra dhe detaje të tjera të rëndësishme të individëve të cilët kanë qenë cak i hetimeve, veprimtari kjo e sanksionuar me ligjet kushtetuese në fuqi, etikën profesionale dhe standardet e gazetarisë kualitative, duke cënuar kështu të drejtën e privatësisë së të gjithë individëve të arrestuar si të dyshuar.

Pas aksionit të arrestimeve dhjetra individë janë liruar nga paraburgimi për shkak të mungesës së fakteve ligjore për t’i mbajtur ata në paraburgim. Pra, këta individë, disa medie në Kosovë i kishin deklaruar tashmë si terroristë, por pa ndonjë verdikt gjyqësor, apo ndonjë provë materiale!

Përparimet profesionale të (disa!) gazetarëve në Kosovë janë të limituara, këtë e konfirmon edhe Raporti Vjetor i Progresit për Kosovën, i hartuar nga Bashkimi Evropian.

SHBA është flamurtare e të drejtave njerëzore (të paktën deklarativisht!), por shkelja e këtyre të drejtave duket të jetë e tolerueshme në Kosovë kur bëhet fjalë për ‘interesat e huaja perëndimore’, ose të ndonjë fuqie rajonale, krerët e të cilës mund të jenë të miqësuar me krerët politikë të administratës së dyshuar si të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion në Prishtinë.

Disa medie në Kosovë jo pak herë kanë qenë zërat kryesorë të nxitjes stigmatizimit ndaj grupeve fetare në vendin tonë dhe gjuhës joprofesionale të përdorur për emra të caktuar që kanë përfaqësuar këto grupe. Përfaqësia diplomatike e SHBA-ve, ka intervenuar gjithnjë për t’i ulur tensionet ndërpartiake, madje shpeshherë edhe i ka detyruar ligjvënësit kosovarë për t’u ulur kokë-më-kokë në një tavolinë pajtimi dhe bashkëveprimi. Pavarësisht pse jam me çdo kusht kundër ndërhyrjeve të përfaqësive të huaja diplomatike, unë përsëri jam kurioz të pyes:

“Pse përfaqësia diplomatike e SHBA-së nuk reagoi asnjëherë kundër disa medieve në Kosovë të cilat kanë terrorizuar opinionin kosovar me raportimet e tyre joprofesionale, përveç se kanë shkaktuar burgosjen e individëve të pafajshëm?!”.

Raportimet e këtyre medieve kanë nxitur shoqërinë që t’i izolojnë disa familje, fëmijët e të cilëve po mbahen në burg nën dyshimet për përfshirje në aktivitete terroriste, e për të cilat dyshime nuk ka fakte mbështetëse ligjore, por për shkak se disa nga mediet dhe gazetarët e stolisur me çmime prej letre kanë raportuar (qoftë edhe pa fakte mbështetëse!). Kështu që, organet përgjegjëse, si rezultat i kësaj, kanë hezituar t’ua japin lirinë individëve të dyshuar për të cilët nuk ka fakte mbështetëse për t’i mbajtur nën arrest.

Të nderuar lexues, dhe sekretar Kerry,

Gazetarët që hetojnë terrorizmin nuk janë kryeredaktorë, sepse pozita të detyron të jeni ngjitur për një karrige dhe jo në terren. Të zbulosh lidhjet e huaja terroriste, d.m.th. ta braktisnit karrigën, të mos kërkonit ajër të pastër nga cepi i dritares duke parë dritat e makinave teksa qarkullojnë në kryeqytet, por të ecnit këmbë edhe atje ku të tjerët gjuajnë shtrigat, atje ku plumbi të thyen mburojën, ku nuk thith ajrin e pastër nëpërmjet dritares, por nëpërmjet xhamave të thyer, atje ku zhurma e makinës mbase është zhurmë e pushkës!!!

Sigurisht, unë nuk jam i habitur, pasi që jam i vetëdijshëm se për t’u vlerësuar nga çmimet prej letre prej një shteti, individët ose grupet duhet të dëshmojnë besnikëri të njëanshme politike. Prandaj, gazetarët për guxim dhe profesionalizëm mund të vlerësohen vetëm nga institute e organizata mediatike të pavarura dhe asnjëherë nga shtetet të cilat duhet të jenë në vazhdimësi nën llupën e vëzhgimit hulumtues gazetaresk. 


cropped-cover_thefrontliner-01.pngNë Kosovën e pasluftës janë likuiduar rreth tetë gazetarë, në mesin e të cilëve 3 të huaj, dy gjermanë dhe një serb. Katër vite pasi Kosova kishte shpallur pavarësinë, një gazetar i pavarur ishte përballur me një vrasje në tentativë. Një gazetar tjetër kishte gjetur vdekjen në një aksident të dyshuar komunikacioni. Për aktivitetin e tij gazetaresk dhe për përkushtimin e tij profesional, redaksia dhe organizatat e thirrura për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve nuk kanë sqaruar asgjë, pos shprehje të ngushllimeve ndaj familjarëve të gazetarit.

Mënyrat dhe format e presionit ndaj lirisë së medias nuk kanë të ndalur, ato sa vijnë e shtohen, derisa Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës në Prishtinë, është tejet i dobët për shkak të mungesës së gatishmërisë për të vepruar gjithmonë në mbrojtje të lirisë së shtypit. Dikur Kosova renditej e 80-ta nga 180 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, por kriza e sigurisë për gazetarët në vazhdimësi është duke e thelluar vendin nga viti në vit, duke e sjellur Kosovën shtatë vende më poshtë nga 80 sa ishte në vitin 2013. Kosova tani renditet e 87-ta për këtë vit, si pasojë e vazhdimësisë së shkeljes së lirive themelore të shtypit dhe fjalës së lirë, të cilat, janë të garantuara në mënyrë të shkruar me Kushtetutë, përkatësisht nga neni 40!

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY