AS SHTETI MBI LIGJIN

Për të mësuar më shumë për rastin dhe përpjekjet e Kampanjës për të luftuar kundër shkeljeve themelore të të drejtave të njeriut lexoni opinionin e punuar nga Autorët: Korab...
Knocked-out photojournalist Vedat Xhymshiti, bearing a photo-camera on his chest and his PRESS Cards, while another camera has been cast-away during the attack. He is being dragged by the perpetrator's colleagues other Kosovo Police officers into an in-door facility.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm për shkeljet e shumta që institucionet e ndryshme të Republikës së Kosovës ua bëjnë qytetarëve të saj në baza ditore. Në fakt, shumë prej nesh jemi më shumë se të vetëdijshëm, pasi që kemi pasur rastin që të jemi edhe viktimë. E tillë është edhe historia e z.Vedat Xhymshiti, fotoreporter e gazetar me kredenciale ndërkombëtare dhe me përvojë jo vetëm në Kosovë, por edhe në disa nga konfliktet më të rezikshme në botë.

Për të mësuar më shumë për rastin dhe përpjekjet e Kampanjës për të luftuar kundër shkeljeve themelore të të drejtave të njeriut lexoni opinionin e punuar nga Autorët: Korab Sejdiu, Drejtor Menaxhues në Shoqërinë e Avokatëve Sejdiu dhe Qerkini, si dhe Agon Gashi, Këshilltar Ligjor i Kampanjës Drejtësia dhe Qytetarët.


Në ditën e 14 janarit të vitit 2012 Vedat Xhymshiti, fotoreporter i angazhuar nga disa agjenci të medieve ndërkombëtare, kishte dalë në teren për të ndjekur protestën e organizuar afër kufirit Kosovë-Serbi, tek Dheu i Bardhë. Në vendin e ngjarjes ai ishte pajisur me të gjitha shenjat identifikuese, që tregonin se ai ishte pjesëtar i medieve dhe që ishte e qartë se ai nëpërmjet aparatit të tij fotografik do të bënte mbulimin e ngjarjes së protestës së organizuar.

Fotoreporteri Vedat Xhymshiti, pak momente pas goditjes nga polici Faruk Ibrahimi, i identifikuar si polici fajtor për sulmin ndaj gazetarit Vedat Xhymshiti. (Foto: Shaban Halimi)

Fotoreporteri Vedat Xhymshiti, pak momente pas goditjes nga polici Faruk Ibrahimi, i identifikuar si polici fajtor për sulmin ndaj gazetarit Vedat Xhymshiti. (Foto: Shaban Halimi)

Rreth orës 17:30 ky tentim dhe mision për ta informuar publikun e vendit u pengua nga vetë ata të cilët do të duhej të siguronin që e drejta e shprehjes, në qëllim të informimit të opinionit të gjerë, të respektohet, ashtu siç është e garantuar me aktin më të lartë politiko-juridik në vend, Kushtetutën e Kosovës. Kështu, fotoreporteri u sulmua dhe u godit në kokë pa paralajmërim, nga nga pjesëtari i policisë dhe si pasojë ai u alivanos duke mbetur pa ndjenja përafërsisht gjysmë ore. Në fakt, përpjekja e policit për ta penguar këtë mbulim të kësaj ngjarje për pak sa nuk e la pa jetë fotoreporterin, e i cili kishte ndjekur të gjitha rregullat e protokollit të gazetarëve që duhet ndjekur në rastet e tilla, duke u rreshtuar në anën e policisë me shpresën se do t’i shmangej çfarëdo konfrontimi fizik që mund të ndodhte në mes të policisë dhe protestuesve. Për të mos mjaftuar ky veprim, gjatë gjithë kësaj kohe sa ishte nën kontrollin e policisë, ai ishte lënë pa ndihmë adekuate mjekësore.

Një rast i përmasave të tilla publike natyrisht që nuk u la pa u vërejtur nga fushata “Drejtësia dhe Qytetarët”, një rrjet i qytetarëve dhe organizatave që me qëllimin e përbashkët për ta përmirësuar sistemin e drejtësisë në Kosovë adresojnë çështje të tilla të cilat paraqesin një shkallë të gjerë të shkeljes së të drejtave të njeriut, dhe përmes sistemit gjyqësor kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi për veprime të tilla, por, mbi të gjitha, aktivistë që inkurajojnë qytetarët për të kërkuar drejtësi, edhe në ato raste kur keqbërësi është vetë shteti.

Fotoreporteri Vedat Xhymshiti (mantas në foto!) dhe avokati Korab Sejdiu (djathtas në foto) pasi kanë deponuar padinë në gjykatën komunale të Prishtinës më 16 Maj 2012. (Foto: ©PILPG)

Fotoreporteri Vedat Xhymshiti (majtas në foto!) dhe avokati Korab Sejdiu (djathtas në foto) pasi kanë deponuar padinë në gjykatën komunale të Prishtinës më 14 Maj 2012. (Foto: ©PILPG)

Me 14 maj të vitit 2012 Vedat Xhymshiti, i përfaqësuar nga partneri i fushatës “Drejtësia dhe Qytetarët”, shoqëria e avokatëve “Sejdiu & Qerkini” dorëzoi padi në Gjykatën Komunale të Prishtinës (tani Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm) kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës si dhe Republikës së Kosovës, për shkelje të të drejtave elementare të njeriut për rastin në fjalë, ku ai ishte goditur brutalisht nga pjesëtari i Policisë së Kosovës përderisa ishte duke mbuluar ngjarjen nga protesta e organizuar. Nëpërmjet kësaj padie, u kërkua përgjegjësi shtetërore për veprimet të cilat i kishte marrë pjesëtari i policisë, e që sipas ligjeve të Kosovës, bënë përgjegjëse të drejtpërdrejtë organet menaxhuese të kësaj sfere, pra Policinë e Kosovës, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe vet shtetin e Kosovës. Pra, përveç së kërkohet llogaridhënie për shkeljen e të drejtave të njeriut, gjithashtu synohet që të vihet një praktikë e qartë se veprimet e tilla të dhunshme e të paautorizuara, do të sjellin pasoja për vetë shtetin. Vetëm ashtu sigurohet mospërsëritja e shkeljeve të të drejtave të qytetarëve.

Përdorimi i forcës nga pjesëtari i policisë në këtë rast është shkelje e të drejtave individuale të z. Xhymshiti në dy nivele: fillimisht, si qytetar, dhe më pastaj, në cilësinë e tij si gazetar. Njëherësh, ky veprim i policit njollosi uniformën, dhe denigroi punën e mirë që bëjnë pjesa dërmuese e pjesëtarëve të tjerë të policisë. Për këtë duhet të mbahet përgjegjës jo vetëm polici në fjalë por edhe vetë shteti, pasi dështoi që të parandalojë këtë verpim të kundërlishëm të zyrtarit të tij. Në fakt, Ligji për Policinë e Kosovës parasheh që në rastet kur policisë i duhet të ndërhyjë me forcë fizike kërkohet nga ajo që një ndërhyrje e tillë të bëhet në mënyrë proporcionale dhe të përshtatshme. Në videon e prezantuar para publikut shihet se gjendja ishte nën kontroll të plotë, dhe se gazetari i sulmuar ishte në radhët e policisë, kjo sipas tij është një protokoll që duhet ndjekur nga reporterët në raste të tilla. Kështu, polici që sulmoi nuk kishte asnjë autorizim për të ushtruar një dhunë të tillë. Për më tepër, nuk ekzistonte asnjë arsye që bashkëkryesit e kësaj vepre penale, kolegët e policit, të mos ofronin ndihmë mjeksore për gazetarin e lënduar. Këto veprime, në bazë të ligjit, bëjnë përgjegjës shtetin e Kosovës pasi që sipas ligjeve në Kosovë dëmet që shkaktohen nga zyrtaret e saj, janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit. Gjithashtu, si pasojë e kësaj ndërhyrjeje, jo vetëm që u shkaktuan dëme në shëndetin dhe pronën e gazetarit, por u cenuan liritë dhe të drejtat të cilat janë të garantuara në Kosovë. E çka është më e keqja, u dërgua mesazh i kobët për fjalën e lirë në Kosovë.

Pas ngjarjes së 12 janarit, Inspektorati i Policisë reagoi duke filluar hetime ndaj policit Faruk Ibrahimi, i cili goditi me bërryl të dëmtuarin në pjesën e poshtme të nofullës. Ndaj tij më vonë u ngrit edhe aktakuzë, me ç’rast u akuzua se kishte kryer veprën penale keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave si dhe veprën e lëndimit trupor. Ai (polici) me datën 1 Dhjetor 2014 u gjet fajtor nga Gjykata Themelore në Gjilan dhe u dënua me burg në kohëzgjatje prej 120 ditë.

Me datën 13 mars, 2015, pas gati tre vjet pritjeje, është caktuar seancë gjyqësore për të shqyrtuar në kontekst civil shkeljen e të drejtave të fotoreporterit Vedat Xhymshiti, i cili u godit në mënyrë brutale nga pjesëtari i policisë së Kosovës, polici Faruk Ibrahimi, e cila dhunë është ushtruar gjatë protestës së organizuar tek Dheu i Bardhë në janar të vitit 2012. Ajo çfarë është kërkuar nga kjo padi është që gjykata të konstatoj se janë shkelur një mori të drejtash individuale të njeriut të garantuara me Kushtetutë dhe me shumë instrumente ndërkombëtare që aplikohen në Kosovë, si dhe të bëhet kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga kjo shkelje.

Edhe pse tashmë është marrë një vendim i Gjykatës duke shpallë fajtorë të drejtpërdrejt policin Faruk Ibrahimi, për një shkelje të tillë gjithashtu duhet të mbahen përgjegjëse edhe vetë institucionet e Kosovës, në mënyrë që të drejtat e garantuara me Kushtetutë të respektohen nga zyrtarët të cilët janë përgjegjës dhe të emëruar për të kryer shërbime ndaj qytetarëve të Kosovës, dhe që veprime të tilla që kanë për qëllim ndër të tjera kufizimin e lirisë së shprehjes dhe të informimit të qytetarëve për ngjarjet e përditshme që ndodhin në Kosovë të mos përsëriten në të ardhmen.

Mbetet të shpresojmë se gjykatat e Kosovës do të luajnë rolin e tyre të rëndësishëm dhe të marrin vendime të duhura në këtë rast dhe rastet e shumta të tjera, me ç’rast të dërgojnë porosi të qartë tek institucionet e tjera se as shteti nuk është mbi ligjin.


Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY