Kosova gjinekologjike, jetë apo vdekje?!

Për t’i rënë shkurt, nga 359 vdekje të foshnjave në 12,661 lindje që kanë ndodhur në vitin 2001, përkushtimi njerëzor e profesional i personelit mjekësor ka arritur suksesshëm ta...

Sektori i shëndetësisë publike në Kosovë lë shumë për të dëshiruar, mirëpo e gjitha nuk varet nga personeli mjekësor, por nga administrata qeverisëse e vendit, të cilët me apo pa vetëdijen e tyre e kanë lënë shëndetësinë publike në rëndësinë e dorës së dhjetë. Personeli mjekësor, të cilët përmbajtshëm e kujtojnë Betimin e Hipokratit, u përmbahen këtyre normave, mirëpo mundësitë e tyre përfundojnë aty ku përgjegjësia e tyre ligjore i kufizon ata. Sigurisht ka edhe prej atyre që njerëzit i shohin si çanta parash, të cilët fatmirësisht janë pak, por mjaftueshëm për të sakatuar xhepat e qytetarëve të varfër. Kulturë e mbjellë thellë nga mafia politike në vend, e cila u rizgjodh për të udhëhequr administratën e vendit në zgjedhjet e qershorit të vitit 2014.

Raporte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare kanë treguar se banorët e Kosovës janë të pakënaqur me shërbimet e ofruara në kujdesin shëndetësor, e korrupsioni është një sfidë e pashmangshme në sektorin e shëndetësisë publike. Gjithsesi, përfundimet e tilla janë arritur pa ndonjë analizë të thellë. Megjithatë, programi për zhvillim i OKB-së (UNDP) i është përkushtuar hartimit të një raporti të quajtur “Pulsi Publik”, një veprim ky i cili kishte për qëllim që të nxirrte analiza më të thella lidhur me perceptimin e korrupsionit në sektorin e shëndetësisë publike, e që kishte për qëllim edhe të maste reagimet e pacientëve, të cilët janë subjekt i shërbimeve të kujdesit shëndetësor në Kosovë.

Raporti i “Pulsit Publik” ka trajtuar përgjigjet e më se 1.334 pacientëve, të cilët ishin trajtuar në institucionet publike të kujdesit shëndetësor. Rezultatet tregojnë se pacientët janë shumë të kënaqur me shërbimet e ofruara në institucionet shëndetësore publike në Kosovë, vlerësimet me theks të veçantë pacientët i drejtojnë ndaj personelit mjekësor. Përderisa korrupsioni mbetet të jetë një shqetësim për të gjithë, megjithatë ankesat e pacientëve janë në një masë shumë më të vogël nga sa është raportuar. Vetëm 4% e të anketuarve kanë treguar se kanë qenë subjekt i përfshirjes në korrupsion gjatë vizitave të tyre më të fundit në institucionin publik.

Shumica e të anketuarve (43%), kanë deklaruar se ata nuk paguajnë për shërbimet që ofrohen në institucionet shëndetësore publike. Vetëm 666 të anketuar nga 1.334, kanë paguar për shërbimet shëndetësore të ofruara. Pacientët që vijnë nga zonat rurale paguajnë afërsisht nga 50 euro deri në 200 euro për të udhëtuar në qendrën e tyre më të afërt mjekësore, e cila ende mbetet një nga problemet më shqetësuese të sistemit të kujdesit shëndetësor të Kosovës.

Megjithatë, sa i përket performancës së personelit mjekësor në shëndetësinë publike, rreth 16% e të anketuarve janë ndarë kryesisht të shqetësuar për kohën e shkurtër që mjekët kanë kaluar me ta, duke u ankuar kështu edhe për përfshirjen e tyre (pacientëve) në vendimmarrje, e cila ishte shumë e ulët. Atributi më i fortë i mjekëve të Kosovës është respekti që ata japin për pacientët e tyre, pasi vetëm 225 (15%) prej pacientëve ishin ankuar në këtë aspekt.


Çfarë thanë mediet!? — Në një intervistë me identitet të fshehur, të transmetuar në marsin e këtij viti nga Gazeta “Express” në Prishtinë, një grua pretendon se ka qenë dëshmitare e një “krimi” në repartin e lindjes në Klinikën Gjinekologjike. Ajo përpiqet të tregojë se si para dy viteve një foshnje kishte vdekur për pasojë të pakujdesisë së personelit shëndetësor, mirëpo kalkulimet e rrëfimit të saj lënë shumë hapësirë për të dyshuar. Zonja pretendon se kjo ngjarje tragjike ka ndodhur para (rreth) dy viteve kur kjo e kishte lindur fëmijën e parë, por duke u përpjekur të tregonte nëse e njëjta infermiere (që dëshmitarja e mban përgjegjëse) ka vazhduar të punojë në repartin gjinekologjik, gjërat shkojnë huq pasi dëshmitarja tregon se e kishte lindur fëmijën e dytë pas dy viteve e gjysmë dhe fëmijën e tretë pas tre viteve e gjysmë. Nëse i kalkulojmë vitet janë rreth gjashtë vite kohë, e që d.m.th. se kjo ngjarje e cila u publikua në portalin e “Express”-it në vitin 2015, mbase (nëse) ka ndodhur në vitin 2009. Por edhe nëse ka ndodhur, përsëri nuk mund të thumbohet me etiketa i gjithë personeli mjekësor në Klinikën Gjinekologjike, e patjetër që përgjegjësia bie mbi Ministrinë e Shëndetësisë, e cila duket se nuk është duke i zbatuar përgjegjësitë e tyre kushtetuese, të cilat e detyrojnë çdo Ministri për të krijuar mekanizma kontrolli, të cilët do të garantonin mundësinë për krijimin e shërbimeve kualitative për taksapaguesin e vendit.

Vetëm një muaj pas këtij raportimi (dyshues) stigmatizues ndaj shëndetësisë publike në Kosovë, i cili u publikua në muajin mars 2015, Gazeta “Express” paraqet lindjet e suksesshme në një spital privat, origjina e të cilit vjen nga ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Për spitalin në fjalë më shumë se dy familje shqiptare, anëtarët e të cilëve kanë qenë pacientë në këto klinika, janë përpjekur të vërtetojnë dyshimet se “klinika private ua ka vjedhur organet e shëndetshme prindërve dhe i ka raportuar ata si të vdekur”, duke refuzuar më pas të japin evidencat dhe raportimet evidentuese të veprimit shëndetësor. “THE Frontliner” është duke hetuar për më shumë se një vit këto pretendime dhe gjetjet konsistojnë me pretendimet e dyshuara nga familjarët, të cilat sugjerojnë se klinikat private në fjalë mund të jenë të përfshira në veprimtari të paligjshme shëndetësore. Edhe këtu përgjegjësia është e administratës qendrore dhe assesi e personelit mjekësor publik në vend.

Fakti që përbërja kryesore e deklaratave të cilat disa prej medieve në Kosovë pretendojnë se i kanë marr nga nënat dëshmitare, gjithnjë flet për anën profesionale dhe se kushtet e mjerueshme në hapësirat e shëndetit publik në Kosovë janë një tregues i qartë se (disa) nëna nuk janë të informuara për procesin e lindjes, gjë kjo e cila është përgjegjësi e administratës qeverisëse të vendit për të siguruar kushtet teknike e logjistike.

Ta zëmë, i nderuar lexues, bëjeni një shëtitje përreth objekteve të QKUK-së në Prishtinë dhe mendojeni nëse edhe ndërtimet e paligjshme, si dhe mbeturinat që mund t’i gjeni aty përgjegjësi e kujt janë, e personelit mjekësor, apo e administratës që e qeveris vendin në nivel lokal dhe qendror?

Ajo çfarë u tha gjatë muajit mars në mediet e Prishtinës, të krijonte përshtypjen se reparti i lindjes në Klinikën Gjinekologjike të QKUK-së ishte një terren i zi lufte, ndonjë lloj vendi ku njeriu klith për ndihmë dhe nuk e merr atë, sikur diku që sheh gjak gjithandej, sikur diku që pluhuri të mbyt, e shikimet e njerëzve apo stafit punonjës të nxjerrin sytë. E vërteta dukshëm qëndron se taksapaguesi i Kosovës nuk është i informuar drejt, sigurisht pacientët që kanë kaluar nëpërmjet atyre shtigjeve do t’i kenë përjetuar trajtimet aty, qofshin ato të kënaqshme apo të pakënaqshme, por megjithatë përkushtimi njerëzor i personelit mjekësor në shëndetësinë publike, e sidomos te reparti i lindjes në Klinikën Gjinekologjike, është për t’u vlerësuar.

Pastaj, deshët apo/jo ju, jeta do t’ju shpie deri aty, që ju vetë të jeni dëshmitarë dhe të kuptoni vetë se si do të trajtoheni.

Gjatë marsit të këtij viti, unë takova një prind nga Kamenica, fëmija i të cilit ishte sjellë nga një spital privat në atë publik në Prishtinë. Ai tregoi se fëmija i tij ishte duke u trajtuar në spitalin publik në Gjilan, mirëpo “dikush nga personeli mjekësor” e kishte rekomanduar atë në një spital privat, e këta të fundit pasi kishin mbajtur fëmijën më shumë se katër ditë, duke i kërkuar kështu prindit të paguante një shumë të majme parash, të cilat ai duhej t’i merrte hua, spitali privat e kishte referuar fëmijën në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. E gjithë kjo besohet se ka ndodhur pasi që spitali privat nuk ka personel të kualifikuar mjekësor dhe pajisje teknike.

“Thuajse 90% të rasteve, spitalet private i referojnë në spitalin publik” e konfirmon Dr. Mynevere Hoxha, e cila është drejtoreshë e Neonatologjisë në Klinikën Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare, në Prishtinë.

Unë mora një dëshmi nga një prind, informacionin e konfirmoi doktoreshë Hoxha, të cilin fakt e vërteton edhe raporti i Programit për Zhvillim i OKB-së, i cili tregon rezultate edhe më interesante. Aty në mes tjerash thuhet “…pacientët janë shumë të kënaqur me shërbimet shëndetësore”, pasi që shërbimet dhe trajtimet që mund t’i marrin në spitalet publike nuk mund t’i marrin në spitalet private.

Në qendrën spitalore universitare të Kosovës, gjegjësisht Klinikën Gjinekologjike në repartin e lindjeve isha një dëshmitar i pacenuar për të parë, dokumentuar dhe raportuar se çfarë në të vërtetë po ndodh aty.


Çfarë po ndodh në repartin e lindjes?

Personeli mjekësor ishte tronditur nga një numër raportimesh të paverifikuara dhe të patrajtuara profesionalisht nga disa medie portale në kaosin e errësirës informative në Kosovë. Mungesa e fakteve mbështetëse, kontradiktat dhe gjuha nxitëse e stigmatizuese e medieve në Kosovë nuk u kursyen pa i quajtur stafin shëndetësor publik edhe “kriminelë”, veprim ky i cili nxiti personelin shëndetësor të reagojë nëpërmjet një proteste të organizuar në oborrin e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë. Disa medie në Kosovë sulmuan shëndetësinë publike pa ndonjë fakt mbështetës, por nuk e kishin të njëjtën qasje edhe rastet e panumërta që mund edhe të cilësohen si krime në shërbimet e shëndetësisë private. Kujtoni rastin e stendave, shërbime këto që ofrohen nga spitalet private.

Dr. Sueda Latifi, shefe e repartit të lindjes në Klinikën Gjinekologjike, QKUK në Prishtinë. 'Ne i realizojmë me sukses 10,290.00 lindje brenda vitit' thotë Dr. S. Latifi.

Dr. Sueda Latifi, shefe e repartit të lindjes në Klinikën Gjinekologjike, QKUK në Prishtinë. ‘Ne i realizojmë me sukses 10,290.00 lindje brenda vitit’ thotë Dr. S. Latifi.

Në repartin e lindjes u takova me Dr. Sueda Latifi, një grua shtatmesëm dhe e kujdesshme për veten dhe të tjerët rreth saj. Ajo ishte e frustruar, por përvoja ime me reagimet e tilla njerëzore nuk ishte e para. “Dera është hapur, ju lutem ejani dhe shiheni vetë se çfarë po ndodh këtu”, shprehej Dr. Sueda. Ajo më shoqëroi nëpër disa dhoma të lindjes për të më shpjeguar procesin dhe për mënyrën se si trajtohen nënat. Pavarësisht pse në korridoret e mureve të kaltra të repartit të lindjes në Klinikën Gjinekologjike dëgjoje klithma nënash nga mundimet e procesit të lindjeve, disa zëra tjerë përkëdhelës e balanconin trishtimin. Ato ishin mamitë të cilat me fjalët e tyre përkëdhelëse përpiqeshin njerëzisht të ishin pranë nënave në momentet e tyre të vështira të një çudie që një krijesë e vogël njerëzore po zbarkonte në planetin tokë.

Vetëm pak minuta pas lindjes Dr. Sueda më propozoi të flisja me një nënë, ajo po e përqafonte krijesën e saj të vogël, fytyrëskuqur dhe flokëbardhë. Nëna dukej e lumtur nga fytyra e saj, por meqë ky ishte fëmija i parë i saj, ajo e shikonte me habi. Ajo ishte plotësisht e vetëdijshme dhe në gjendje të mirë e stabile shëndetësore së bashku me fëmijën e saj, ishte 29 vjeçe. “Unë jam ndi shumë mirë, nuk e kam dit që mamitë janë sikur nënat ose gjyshet, gjithmonë m’thojshin zemër mos u tut, na jemi këtu me ty, krejt mirë ka me shku”, u shpreh Fitorja. Një nënë tjetër që po priste kohën e saj të lindjes, luante si një fëmijë me njërën prej mamive. Një nënë tjetër përqafonte njërën nga mamitë sikur të ishte fëmija i saj. Mamitë asnjëherë nuk dukeshin të mërzitura në fytyrë, gjithnjë zonja të hijshme dhe të përkushtuara në detyrat e tyre.

Naxhije Sekiraqa dhe Hava Gërguri janë mami të cilat punojnë për më shumë se 30 vjet në Klinikën Gjinekologjike. Zonjat në të bardha tregojnë për kënaqësinë që iu ka dhënë atyre përvoja jetësore, por ato kanë nevojë për respekt dhe vlerësime njerëzore, mënyrë kjo për t’i inkurajuar ato në punën jetësisht të rëndësishme që ato e bëjnë.

Kryeshefja e Klinikës Gjinekologjike Dr. Elmaze Vela, ndryshe e njohur si motra Galë, e buzëqeshur në korridorin e repartit të lindjes në Klinikën Gjinekologjike të QKUK-së në Prishtinë.

Kryeshefja e Klinikës Gjinekologjike Dr. Elmaze Vela, ndryshe e njohur si motra Galë, e buzëqeshur në korridorin e repartit të lindjes në Klinikën Gjinekologjike të QKUK-së në Prishtinë. “Është ç’njerëzore se çfar kanë raportuar disa medie, ne këtu punojmë edhe pa orar për t’u siguruar se lindjet do të shkojnë me rregull” thotë ajo.

Korridoreve të kaltra ishte një zonjë tjetër shtatlartë, një kaçurrele flokëthinjur. Ajo me zërin e saj kumbues konsultohej dhe hapëronte sa në atë e në këtë sallë të lindjes. I kërkova ta takoja, dhe më tha: “…fol djali jem, unë jam motra Galë, çka muj me t’ndihmu?”. U interesova të kuptoja për përvojën e saj: “..qe 43 vjet punoj këtu”, u përgjigj ajo me nxitim. Reagimi i saj më la përshtypje dhe desha me çdo kusht ta takoja. Më vonë e takova në zyrën e saj, dhe më tregoi shumëçka për t’u vlerësuar, e mes tjerash ajo tregoi se në dy vitet e fundit në repartin e lindjes nuk ka pasur asnjë vdekje. Pastaj unë u interesova të kuptoja nëse kishte diçka që iu mungonte në kuptimin logjistik në vitet e ’80-ta dhe çfarë dallimi ka tani logjistika e Klinikës Gjinekologjike krahasuar me kohën e sotme, përgjigjja e saj ishte e shkurtër dhe thumbuese: “… na kurrë nuk e dimë çka na ka mungu atëherë, se kurrgjë s’na ka mungu, e tash po e dimë se po mungon shumëçka, osht keq me thonë por, kjo është e vërteta e keqe për popullin tonë”, përfundoi ajo, duke nxituar të kthehej në sallën e lindjes.

Kështu erdhi koha që të ndryshojmë ngjyrat e mureve, pasi që unë duhej ta vizitoja edhe Repartin Neonatologjik të Klinikës Gjinekologjike, nëpërmjet shkallëve të mureve ngjyrë kafe të klinikës i shoqëruar nga Magbule Elezi, një aktiviste e cila lobon për lindjen natyrale të nënave arritëm në korridoret me muret e bardha dhe me figura të filmave vizatimorë, si: Tomi dhe Xheri, Xhaxhi Patak etj.

Ky është vendi në të cilin trajtohen foshnjat e sapolindura, të cilat përballen me probleme shëndetësore. Drejtoresha e këtij reparti Dr. Mynyvere Hoxha, e cila kishte nisur misionin e saj pediatrik prej vitit 1981, tregon për statistikat e repartit dhe problemet me të cilat përballet reparti. Ajo i kujton me trishtim vitet e paskonfliktit në këtë repart. “Në 1000 foshnje 31 prej tyre kanë vdekur”, tregon Dr. Hoxha. Prej arsyeve kryesore ishin ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike, me ujë dhe me medikamente kujton doktoresha.

Mortaliteti Neonatal, sipas grup-peshave

Mortaliteti Neonatal, sipas grup-peshave

Promil është njësia matëse e numrit të foshnjave që vdesin para lindjes ose pas 28 ditëve të lindjes. Tabela në vazhdim ofron detaje se sa foshnja kanë vdekur në periudhën neonatale (28 ditët e para të jetës), gjithashtu detajet e shkallës së mortalitetit neonatal të shprehur në promil dhe numrin e foshnjave që janë referuar për Beograd në vitet para të konfliktit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. “Fati i tyre nuk dihet”, thotë Dr. M. Hoxha.

Ndërkohë që për analizë statistikore, sipas rekomandimeve të OBSH-së, merren të gjitha foshnjat që lindin me peshë mbi 500 gr., dhe 22 javë të moshës së barrës.

shendetesia_kosovare_gr_2Grafikoni evidenton shkallën e mortalitetit sipas grup-peshave. Foshnjat me grup-peshë më të vogël se 1000 gr., kanë gjasa për më pak mbijetesë kudo në botë, por në Kosovë mundësitë janë më të vogla, pasi që ka mungesë të kapaciteteve profesionale, thotë Dr. Mynyvere. “Investimi në ngritjen e kapaciteteve profesionale, d.m.th. investim në ngritjen e mundësive për të mbijetuar foshnjat e kësaj kategorie, pastaj kuptohet veç kapaciteteve profesionale, duhen edhe ato teknologjike”, shton ajo.

85% e foshnjave të lindura në grup-peshën prej 1000 gr. deri në 1499 gr., nuk kanë mbijetuar. Për t’i rënë shkurt, nga 359 vdekje të foshnjave në 12,661 lindje që kanë ndodhur në vitin 2001, përkushtimi njerëzor e profesional i personelit mjekësor ka arritur suksesshëm ta ulë shkallën e vdekjeve në vitin 2014 me 95 vdekje në 10.422 lindje.

Rreth 120 fëmijë me qëndrim ditor kalojnë nëpërmjet Repartit Neonatologjik, rreth 50 prej të cilëve duhet të transferohen në kujdesin intensiv.

Shtimi i personelit mjekësor në Repartin Neonatologjik është shumë i nevojshëm tregon drejtoresha, pastaj ajo përmend edhe nevojën e futjes në listën e medikamenteve esenciale medikamentin e quajtur “Survanta”, i cili ndihmon në nxitjen e pjekurisë së mushkërive te foshnjat, të cilat përballen me këtë problem. “Deri më tash me ‘Survantë’ na kanë furnizuar një shoqatë amerikane, të cilës i jemi shumë mirënjohës”, shprehet Dr. M. Hoxha, duke treguar se rreth 250 foshnje brenda vitit do të kishin vdekur nëse nuk do të ishte medikamenti “Survanta”.

Evidencat e Repartit Neonatologjik tregojnë se rreth 11.000 fëmijë brenda një viti lindin në Kosovë, prej tyre 10.500 lindin në klinikat gjinekologjike të shëndetit publik, 750 në klinikat private të cilat pas komplikimeve të paraqitura i sjellin foshnjat në QKUK, rreth 2000 kanë nevojë për kujdes intensiv, rreth 1.100 lindin para kohës dhe rreth 250 prej tyre kanë nevojë për medikamentin “Survanta”.

Mantas në foto Dr. Mynyvere Hoxha, drejtoreshë e repartit Neonatologjik dhe Kryeinfermierja e Kujdesit Intenziv në repartin e Neonatologjisë në QKUK Sabrije Ahmeti.

Majtas në foto Dr. Mynyvere Hoxha, drejtoreshë e repartit Neonatologjik dhe Kryeinfermierja e Kujdesit Intenziv në repartin e Neonatologjisë në QKUK Sabrije Ahmeti.

Sabrije Ahmeti, kryeinfermiere e Kujdesit Intenziv, e cila punon në Klinikën Gjinekologjike që 28 vite, i ka treguar “THE Frontliner” se ajo me gjithë stafin e saj janë të përkushtuar për arsye njerëzore ndaj detyrës dhe përgjegjësive që i mbajnë. “Ne përpiqemi t’ju rekomandojmë nënave që të ushqejnë fëmijët e tyre me ushqim sa më natyral, e inkurajojmë dhënien e gjirit, dhe kemi refuzuar reklamat e kompanive farmaceutike të cilat përpiqen t’i nxisin nënat të përdorin ushqim artificial. Për këtë e kemi pasur mbështetjen e drejtoreshës dhe mund të them se jemi një ekip shumë i mirë për interesin e foshnjave”, thotë ajo. Gjatë kohës sa isha duke vëzhguar punën në Repartin Neonatologjik një foshnje e sapolindur ishte sjellë nga “Spitali Amerikan”. Brenda atyre dhjetë minutave gjendja e saj u përkeqësua dhe i duhej kujdesi intensiv, moment ky që na e shkëputi bashkëbisedimin me kryeinfermieren Sabrije. Me këtë rast unë pata rastin të bisedoja edhe me disa nëna të tjera, të cilat pa hezitim dëshironin të flisnin fjalë mirënjohëse për personelin e Repartit Neonatologjik. Kështu, kalova përsëri në muret kafe të Klinikës Gjinekologjike për të hapëruar në oborrin e QKUK-së, për të takuar përsëri kaosin e rrugëve me tym e mbeturina si pasojë e mungesës së kujdesit institucional të Qeverisë së Kosovës. Në dalje të QKUK-së një shtyllë e bardhë e ngjyrosur me shenja të kuqe sa ngrihej e binte në nivelin horizontal, një burrë shtatlartë, i cili i takonte një kompanie private të sigurimit ua shkëpuste qytetarëve nga një euro nga xhepat e tyre vetëm pse ata hynin në oborrin e QKUK-së.

Sidoqoftë, në sytë e nënave nëpërmjet të cilave kemi kaluar të gjithë ne dikur, në ditët tona të lindjes, mamitë ende janë aty, me ëmbëlsinë e tyre njerëzore. Ndoshta dikush edhe mund të ketë të drejtë, ato duhen gjobitur, mbase edhe pushohen nga puna, të paktën një vërejtje e sjelljeve brenda një dite e meritojnë, dhe a e dini pse, sepse ato nuk e respektojnë orarin e tyre të kohës së pushimit, ato nuk pushojnë, sepse kanë të paktën tridhjetë nëna të reja, të cilave duhet t’u ndihmojnë për t’i lindur frytet e tyre të jetës, për t’i dhënë jetë këtij vendi, për t’u përpjekur që të sigurojnë shëndetin dhe vazhdimësinë e jetës së një kombi.

Ju mund të jeni të pasur, milionerë po të doni, zgjidhni çfarëdo emërtimi që mund të dëshironi t’i vini vetes tuaj, por nëse jeni martuar dhe gruaja juaj është shtatzënë, herët apo vonë, për të parën apo të dytën herë, ka për të përfunduar në duart e nënave të sallës së lindjes e deri tek ato të Neonatologjisë, aty ku fëmijës tuaj i ofrohet mundësi për të vazhduar jetën në rast se ai apo ajo është duke u përballur me ndonjë komplikim shëndetësor. Ju mund edhe ta keni dërguar gruan tuaj për të lindur në një spital privat, mirëpo ata do t’jua rrjepin xhepat, dhe në një mënyrë apo tjetër ju do të shqetësoheni e mbase edhe do t’ia rrezikoni jetën fëmijës tuaj, duke qenë se spitali privat në mungesë të mjeteve dhe personelit mjekësor nuk do ta trajtojë më tutje fëmijën tuaj, por do ta referojë në qendrën më të afërt emergjente të spitalit publik. Dhe kur kuptojmë se koha është jeta vetë, atëherë mund të jeni edhe vetë shkaktari i vdekjes së fëmijës tuaj, pasi që nuk e keni dërguar atë që në fillim në spitalin publik. Sekondat ecin, dhe jo gjithnjë fati i fëmijës tuaj mund të ecë paralel me kohën e duhur për të qenë në momentin, në kohën dhe vendin e duhur për trajtim. Prandaj, vlerësojeni, çmojeni dhe mirëmbajeni institucionin e shëndetësisë publike, sepse herët a vonë, aty keni për të përfunduar, i pasur apo i varfër, për të pritur dikë të dalë në jetë, për t’u shëruar apo edhe për të vdekur.

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY