Putini i vogël

Megjithatë, teoritë konspirative nuk duhet hedhur poshtë, sepse, me përdorimin e logjikës dhe arsyes, njeriu në bazë të fakteve ekzistuese mund të punojë që t’i testojë argumentet mbi këto...
Shpend Kursani ©THE Frontliner

Debatet dhe analizat në lidhje me ngjarjet në Kumanovë u mbështetën në teori konspirative, dhe kjo për një arsye të mirë, sepse ishte terri informativ dhe problemi i lidhjes logjike mes asaj se kush e organizoi këtë operacion, kush mori pjesë, pse mori pjesë, kur mori pjesë, dhe lidhja e të gjitha këtyre ngjarjeve me rrethanat në Maqedoni e në rajon.

Pamje nga Shkupi, kryeqytet i Maqedonisë — ©THEFrontliner

Pamje nga Shkupi, kryeqytet i Maqedonisë — ©THEFrontliner

Megjithatë, teoritë konspirative nuk duhet hedhur poshtë, sepse, me përdorimin e logjikës dhe arsyes, njeriu në bazë të fakteve ekzistuese mund të punojë që t’i testojë argumentet mbi këto teori, dhe të vendosë se cilat mund të jenë të qëndrueshme, e cilat të paqëndrueshme. Deri më tani u paraqitën shumë argumente për t’i mbështetur një numër pretendimesh, dhe të cilat do t’i përmbledh në dy, për t’i testuar qëndrueshmëritë e tyre si valide ose jovalide, apo edhe shkallën e validitetit të tyre.

Pretendimi 1: Përfshirja e fuqive të mëdha, siç janë SHBA-ja dhe shërbimi i saj sekret, në rrëzimin e Gruevskit.

U tha se SHBA-ja tashmë nuk e do Gruevskin në pushtet o për shkak të lidhjes së ngushtë të tij me Serbinë, o për shkak të lidhjes me Rusinë dhe gazin, dhe kësisoj dëshiron ta largojë që andej. Ky pretendim ka shkallë të ulët vlefshmërie, për të mos thënë që nuk do të duhej fare të qëndronte si pretendim valid, për faktin se Maqedonia dhe lidershipi i saj, me Gruevskin në krye, nuk përbëjnë një shtet, e as qeveri, aq të pavarur nga Perëndimi sa të duhej të organizohej një puç ushtarak i stilit latino-amerikan për ta hequr qafe Gruevskin. Po ta pengonte Gruevski kaq shumë SHBA-në, kësaj të fundit nuk i nevojitej të shkrepte asnjë plumb të vetëm. Po të ishte ky qëllimi, i duhej vetëm një zyrtar, dhe jo shumë relevant, i ambasadës së SHBA-së në Shkup që të bënte një takim me Ali Ahmetin, ku t’i kërkohej këtij të largohej nga qeveria, dhe një takim me Menduh Thaçin, ku t’i shtrohej kërkesa për të mos u futur në qeveri, dhe Gruevski binte. Gruevski nuk mund të qëndrojë në qeveri pa partnerë apo parti shqiptare në bashkëqeverisje, kështu që nëse SHBA-ja dhe përfaqësuesit më të mëdhenj të shqiptarëve në Maqedoni nuk e dëshirojnë Gruevskin, mund ta çojnë atë në shtëpi brenda nate.

Disa opinionistë e komentues argumentuan se SHBA-ja nuk e pranon faktin që Gruevski po lidhet me Serbinë, duke aluduar kështu gjoja se SHBA-ja ka ndonjë armiqësi me Serbinë. Ky është këndvështrim i 1999-s dhe i fillimvitit 2000. SHBA-ja nuk ka ndonjë kundërshti karshi Serbisë në 2015-n, përkundrazi, në dhjetë vitet e fundit ka patur një marrëdhënie serioze me të, dhe më shumë se me Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë, apo me vendet e tjera të rajonit. P.sh., ndërkohë që Kosovës nuk i lejohet të blejë qoftë edhe një helikopter të vetëm për nevojat e FSK-së, SHBA-ja e ka ndihmuar ushtrinë e Serbisë me 9 milionë dollarë për çdo vit deri në 2009-n, ndihmë e cila përbënte çerekun e buxhetit të FSK-së. Po ashtu, sipas ambasadës së SHBA-së në Beograd, 60 për qind e stërvitjeve ushtarake të Serbisë jashtë vendit zhvillohen sot në SHBA. Kjo nuk paraqet ndonjë çudi, dhe është krejtësisht normale në marrëdhëniet mes dy vendeve, por duhet që komentatorët në Kosovë ta ripërtërijnë vështrimin e tyre për marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Serbisë, që i shohin si armiqësore, e që në fakt nuk janë aspak të tilla. SHBA-ja mund të mos e dojë Gruevskin, por jo për arsyet konspirative që thuhen. Nuk ka bazë që aksioni gueril të lidhet me ndonjë ndërhyrje nga jashtë, e, ndërkaq, zbulimi i materialeve përgjuese mund të ketë bazë, gjë së cilës i kthehem në pretendimin e dytë.

Pretendimi 2: Operacioni i Kumanovës ka të bëjë me luftimin e opozitës në Maqedoni dhe me zhvendosjen e vëmendjes nga krizat politike e sociale në vend.

Se ky operacion ishte i organizuar nga vetë Gruevski dhe qarqet e lidhura me të, mund të ketë pak dyshime. Nuk është siç thanë disa komentues, se kjo u organizua për ta zbutur përkrahjen e protestës që opozita synon ta organizojë më 17 maj, pasi u bë e qartë se ky operacion planifikohej muaj më herët, dhe se ishte e pamundur të dihej data e protestës së radhës, e cila bëhet në plan të jetë masive në ditën e përmendur më lart. Janë disa argumente pse ky mund të jetë operacion i organizuar nga vetë pushteti i Gruevskit.

I pari argument ka të bëjë me dyshimin që Gruevski mund të ketë për përfshirjen e fuqive të mëdha në lëshimin e dhjetëra mijëra materialeve të përgjuara në duart e opozitës së udhëhequr nga Zaev. Ky dyshim i Gruevskit mund të jetë me bazë vetëm për dy arsye. Arsyeja e parë ka të bëjë me pamundësinë që Zaev t’i ketë marrë vetvetiu në duar materialet e përgjuara, dhe se kjo, në mendjen e Gruevskit, është e mundur të bëhet vetëm nga shërbime sekrete të sofistikuara, e që Zaev vetiu nuk mund t’i ketë. Arsyeja e dytë lidhet me dyshimin apo paranojën e Gruevskit mbi qëllimet e disa aktorëve perëndimorë për ta larguar atë duke u munduar së pari që t’i humbin legjitimitetin, dhe kësisoj ta bëjnë më të lehtë largimin.

I dyti argument, e i cili lidhet me të parin, ka lidhje me kohën se kur filloi të planifikohet ky operacion. Disa informata të lëshuara nga përfaqësues të ndryshëm në Maqedoni e Kosovë bëjnë të ditur se ky operacion filloi të organizohet, apo të përshpejtohet, afërsisht në kohën kur Zaev filloi t’i zbulojë skandalet e pushtetarëve maqedonas e shqiptarë përmes materialeve të siguruara nga përgjimet. Nga paranoja e këtyre zbulimeve, dhe nga dëshira e tij e fortë për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht, Gruevski nuk kishte rrugëdalje tjetër, veçse të bëhej një Putin i vogël i Ballkanit; të përdorte çfarë kishte në dorë për të krijuar destabilizim ndëretnik, dhe sikurse Putini, të zgjonte ndjenjën nacionaliste mes maqedonasve, duke u kërkuar atyre t’i besojnë Putinit të vogël, si një “lider” i cili mund ta mbrojë Maqedoninë nga një kërcënim i jashtëm i ardhur prej shqiptarëve të Kosovës. Këtë narrativë ai e kishte të gatshme tani e sa kohë, duke i bindur maqedonasit se prania e shqiptarëve në Maqedoni, që përbëjnë rreth 30% të popullatës, është si rezultat i refugjatëve shqiptarë të Kosovës gjatë vitit 1999; variant të cilin e besojnë tanimë shumë maqedonas. Kjo përforcohet dhe më tepër kur dëgjon deklaratën e tij pas operacionit ushtarako-policor në Kumanovë, ku duke lavdëruar punën e organeve të veta të sigurisë, tha se, “oficerët e policisë parandaluan vrasjen e ndoshta 8.000 njerëzve”, duke zgjuar kështu ndjenjën e frikës tek maqedonasit prej kërcënimit që po i vjen Maqedonisë nga “terroristët” shqiptarë të Kosovës.

I treti argument ka të bëjë me vetë zanatin e elitës udhëheqëse politike në Ballkan, që edhe pse e përfshirë qartazi në krimet më bizare, përkrahet nga aktorë perëndimorë vetëm pse u shërben këtyre për ta ruajtur “paqen” dhe “stabilitetin”, e që është qëllimi parësor i Perëndimit. Përderisa Gruevski dyshon se Perëndimi është prapa zbulimit të materialeve përgjuese me skandalet e tij dhe të partnerëve shqiptarë, ai ia kthen me kartën e “paqes” dhe “stabilitetit”, duke u munduar ta ripozicionojë veten si aktori i vetëm me të cilin Perëndimi mund të punojë nëse e dëshiron “paqen” dhe “stabilitetin”. Skenarin e Gruevskit po e ndihmojnë më së shumti disa nga elita udhëheqëse politike e shqiptarëve në Maqedoni (për shkak të pronës së tyre private që mund ta sigurojnë dhe mund të mos e humbin vetëm duke qëndruar në pushtet me këdo qoftë), dhe një grusht shqiptarësh nga Kosova (për shkak të përfitimit të parave), të cilët manipulojnë me dhjetëra të tjerë në emër të kombit.

Putinin e vogël mund ta largojnë më së miri nga pushteti shqiptarët të cilët nuk mashtrohen nga thasët e ilustruara me simbole kombëtare nga jashtë, e të mbushura me para dhe kontrata të pronës private nga brenda, por bashkëpunojnë me ata maqedonas që kërcënimin shtetëror nuk e shohin tek shqiptarët, po te kërcënimi i përbashkët, i cili është shteti i padrejtë, i mbajtur nga krimi e korrupsioni në majat e qeverisë së tyre maqedonase-shqiptare.

Shpend Kursani, pursued his masters degree at the University of Cambridge (2010-2011) where he earned his M.Phil. degree in International Relations with distinctions on his thesis topic “Using Soft Power: The EU’s Ability to Influence the Domestic and Foreign Policies of the States of the Western Balkans”. He is an External Senior Researcher at the Kosovar Centre for Security Studies - KCSS. He is Founder and Member of the Steering Committee at the Balkan Think Tense - BTT. He is also an adjunct lecturer in the field of International Relations at the University College Universum. Shpend has previously (2011-2013) been a Senior Researcher at the Kosovar Institute for Policy Research and Development - KIPRED, where he published a number of policy analysis that in general cover the functioning and political development of Kosovo and Kosovo's relations with Serbia and other international actors.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY

  • »In praise of WikiLeaks« Jill Stein

    I’ve gotten a first—hand look at how the establishment attacks people who challenge the status quo. These attacks are intended to brand their targets as pariahs and stigmatize anyone...
  • Berati dhe belaja me Turqinë

    Unë ngritem për të mbrojtur lirinë e shprehjes, por nuk mund të hesht kur një imam apo i ri dënohet për nxitje të dhunës derisa gazetarët duartrokiten. Unë jam...
  • Are Black Lives Terrorist Lives?

    Well, this is what happens when the full force of the domestic state-terrorism apparatus sets itself against the innocent and frequently impoverished citizens of colour that mistakenly chose to...
  • If Other Professions Were Treated Like Photography…

    what if other professions were treated like photography? Here’s what a “part-time professional’s” Facebook posts might look like if other careers experienced the “everyone’s a photographer” phenomenon,...