Kosova e Terrorizuar I

Në anën tjetër, krimi bashkëjeton me politikanët milionerë. Dosja e NATO-s e cila u publikua në vitin 2011, tregoi se Shtetet e Bashkuara dhe disa prej fuqive të tjera perëndimore që mbështesin qeverinë e Kosovës, kanë pasur njohuri të gjerë të lidhjeve të dyshuara kriminale të disa politikanëve prej disa vitesh.
Lladovë, KOSOVË - Tetor 2014 — Edhe pse disa vite kaluan që nga përfundimi i luftës, atje ka një prani të fortë të forcave ushtarake të NATO-s. Kampi Bondsteel, është baza kryesore e ushtrisë amerikane nën komandën e KFOR-it, e cila është e vendosur në afërsi Ferizajit në pjesën jugore të Kosovës. Kjo është baza më e madhe e ushtrisë amerikane në Evropë. Për Shtetet e Bashkuara, Kosova është një vend strategjik për pozicionin e saj gjeografik! — ©Laura Aggio

Terrorizmi?! E gjitha fillon me një shaka në Kosovë: “Në qoftë se ju jeni me mjekër, hiqeni atë, sepse nëse një polic kalon andej, ju do të mund të përfundoni sonte i burgosur” – thonë disa të rinjë kosovarë në perëndim të vendit.

Që nga përfundimi i luftës me Serbinë, Kosova qëndron ndër vendet më të varfra të Evropës me politikanët milionerë të zhytur në krim. Një e treta e fuqisë punëtore është e papunë dhe korrupsioni është i përhapur kudo. Rreth dy në tre nën moshën 25 vjeçare janë aktualisht të papunë, dhe gati 50% e 1.8 milionë qytetarëve të Kosovës konsiderohen të jenë të varfër. Universitetet publike frekuentohen kryesisht nga të varfërit, edhe pse cilësia e studimeve është në prag të përmbytjes! Janë gjetur asistentë që kanë bankrotuar me nota, fakultete që prodhojnë diploma false e shumë plagjiatura baçelorësh, masterësh e doktorësh të profesorëve pa u ndëshkuar!

Në anën tjetër, krimi bashkëjeton me politikanët milionerë. Dosja e NATO-s e cila u publikua në vitin 2011, tregoi se Shtetet e Bashkuara dhe disa prej fuqive të tjera perëndimore që mbështesin qeverinë e Kosovës, kanë pasur njohuri të gjerë të lidhjeve të dyshuara kriminale të disa politikanëve prej disa vitesh. Kohët e fundit një mision i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) u identifikua si një mision për Sundimin e Krimit, sipas zbulimeve që i pohoi dhe dokumentoi një prokurore britanike, e cila ishte punonjëse e këtij misioni.

Për Shtetet e Bashkuara, Kosova është një vend gjeostrategjik. Ajo është myslimane, por vetëm e moderuar, i vetmi vend mysliman që e ka mbështetur pushtimin amerikan të Irakut në fillim të vitit 2003. Kosova historikisht si pjesë e Ballkanit Perëndimor ka qenë një përplasje e ndarjes së zonave të influencës, e veçmas në shekullin e fundit, ndërmjet dy rivalëve superfuqish: Rusisë dhe SHBA-së, pa përjashtuar edhe shtetet e tjera të rëndësishme të rendit global. Kosova është e pozicionuar në një korridor të botës së ngarkuar me energji. Autostrada “Prishtinë-Durrës” (në kufirin shqiptar) nënkupton një avantazh të mundshëm gjeo-strategjik e ushtarak për amerikanët: baza ushtarake “Bondsteel”, është sigurisht duke përfituar qasje të drejtpërdrejtë në detin Adriatik, ku Shqipëria ka autorizuar tashmë Shtetet të Bashkuara për përdorimin e portit detar.

Komandanti i ashpër kosovar i forcave kryengritëse me orientim të deklaruar islamik ISIS, Lavdërim Muhaxheri, kishte punuar më parë për Kampin Ushtarak amerikan në “Bondsteel”, një vend ku askush nuk e di se çfarë në të vërtetë ka brenda tij. Nga qyteti i tij Kaçaniku, i cili kufizohet me Maqedoninë, duhen vetëm 30 minuta për të arritur në bazën më të madhe të ushtrisë amerikane në Evropë. Më vonë, siç raportojnë mediet në Kosovë, ai ka punuar edhe për misionin e tyre në Afganistan, dhe më pas ai u kthye në një personalitet të ‘popullarizuar‘ i cili gjatë vitit 2014 u bë karakteri me një famë mediatike duke u renditur në kryetitujt e lajmeve të paverifikuara të medieve në Kosovë. E kur amerikanët ose mekanizmat qeveritarë të Kosovës janë të dyshuar si të përfshirë në situata komprometuese, mediet pothuajse asnjëherë nuk pyesin: Kush? Si? Kur? Pse? dhe Ku?!

Procesi i indoktrinimit, politizimit fetar si dhe rekrutimi i të rinjve kosovarë të cilët ishin të bindur se ata ishin duke shkuar për t’u bërë ushtarë, siç pohojnë ata, “Ushtarët e Allahut”, është vëzhguar dhe toleruar nga zyrtarët e shërbimeve të fshehta të jashtme dhe të brendshme, – ka thënë një burim i një shërbimi të fshehtë në Kosovë, pohimi i të cilit është verifikuar. Përveç kësaj, shoqëria jonë në Kosovë kanë qenë dëshmitarë që krejt këto zhvillime janë toleruar, dhe kjo hap dyshimet se Qeveria e vendit në Kosovë mbase është e përfshirë dhe ka qenë në dijeni të saj!

Unë kam qenë dëshmitar se vetëm gjatë vitit 2012 rreth 150 shqiptarë kishin ardhur në Lindjen e Mesme për të luftuar përkrah forcave laike në Siri, vend ky i cili më vonë u kthye në një fushëbetejë ndërmjet grupeve të huaja të cilat erdhën aty në emër të ‘Xhihadit-Islamik’, zhvillim ky i cili erdhi për pasojë nga refuzimi i laikëve sirianë për t’u bashkërenduar me interesat e Fuqive Perëndimore. Lufta civile e Sirisë, shërbeu si një gur në lum për themelimin e Shtetit Islamik të Sirisë Irakut dhe Levantit. Raportet e paverifikueshme thonë se mbi 28 shqiptarë kanë vdekur dhe se numri i shqiptarëve të vrarë në shkretëtirën e Lindjes së Mesme besohet se është në rritje.

Rreth dyzet kosovarë të dyshuar si rekrutues, mbështetës ose pjesëmarrës të luftimeve në Irak dhe Siri u patën arrestuar vetëm dy muaj pas zgjedhjeve në Kosovë, kur partia në pushtet e ministrit të jashtëm Hashim Thaçi, kishte pësuar një rënie serioze në procesin zgjedhor. Veprimi policor nën urdhërat e ministrit në detyrë Bajram Rexhepit ishte zhvilluar gjatë gushtit të vitit 2014, në një operacion i cili kishte vënë në cak siç ishte thënë “islamistët ekstremist”. Gjetjet në terrenin diplomatik dhe inteligjent, sygjerojnë se investimi në një projekt të pavarur për të gjetur rekrutuesit do të ketë shkuar ‘huq’, meqë caku i hulumtimeve po del të kenë qenë individët të cilët kanë bërë thirrje të mos shkohet në luftën e Sirisë, e të njëjtit po rezulton se iu kanë bërë thirrje xhematit që të mos votojnë partinë e ministrit të jashtëm Hashim Thaçi. Pas këtyre zgjedhjeve Kosova kishte kaluar nëpërmjet një ngërçi politik pa institucione, me ç’rast në varësi të zbulimeve për të cilat kishte dyshime se arrestimi i hoxhallarëve ishte hakmarrje e kryetarit të PDK-së Hashim Thaçi, një deputet në koalicionin parazgjedhor të PDK-së dhe PD-së (Partia e Drejtësisë) Gëzim Kelmendi kishte dhënë dorëheqjen, duke shpalosur arsyet, e të cilat hedhnin akuza kundrejt kreut Hashim Thaçi, se arrestimet kishin motive të një lloj lufte politiko-partiake, një fakt të cilin as imamët nuk e mohojnë, por që hezitojnë të flasin pasi që siç thonë disa prej tyre: “Ne e paguam njëherë biletën, nuk duam të shkojmë përsëri në burg!”!

ARRESTIMET

“Policia e Kosovës (PK) ka hapur hetime dhe ka ushtruar kallëzime penale për mbi 130 persona lidhur me pjesëmarrjen në organizata terroriste, organizimin, rekrutimin nxitjen dhe financimin e individëve për t’iu bashkangjitur organizatave terroriste” – thotë zyra për informim e PK-së, në një komunikim elektronik, duke shtuar se për të gjitha këto raste është duke u bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë Speciale.

Derisa PK shkruan se institucioni i sigurisë posedon strategjinë e luftës kundër terrorizmit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) thotë se PSRK nuk ka departament të veçantë për luftën kundër terrorizmit, por “… lëndët që ndërlidhen me terrorizmin, sikurse edhe lëndët që kanë të bëjnë me vepra tjera penale u ndahen me radhë të gjithë prokurorëve të PSRK-së.”

PSRK ka filluar hetimet ndaj 135 personave që nga janari i vitit 2014, duke treguar se prokurori ndaj një personi, ka pushuar hetimet për vepër penale që ndërlidhet me terrorizmin, kurse për të njëjtin rast, ka ngritur aktakuzë për vepër penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” – thotë zyrtarja për informim znj. Liridona Kozmaqi.

“Gjatë vitit 2015 janë ngritur 4 aktakuza kundër 14 personave. Në një rast ka përfunduar gjykimi dhe për 1 person është shpallur Aktgjykim fajësues, ndërsa për të tjerët vazhdon gjykimi”, duke mos saktësuar për çfar gjykimi bëhet fjalë, thuhet në mes tjerash në një përgjigje elektronike të zyrës për informim të PSRK-së, duke konfirmuar se “në mesin e këtyre të pandehurve ka edhe hoxhallarë, ndaj të cilëve janë duke u zhvilluar hetime”.

Në lidhje me fenomenin e dyshuar mbi terrorizmin, deri më tani janë arrestuar mbi 80 persona dhe janë bastisur mbi njëqind lokacione të personave të dyshimtë. Disa nga të arrestuarit që mbahen janë të dyshuar për përfshirje apo mbështetje të Shtetit Islamik (IS) dhe Frontit Çlirimtar Sirian ‘AL-Nusra’. Por, gjetjet në terren sygjerojnë se të rinjtë kosovarë të cilët iu bashkuan ‘Xhihadit’ të shpallur në Siri, janë të mbështetur nga mekanizma të cilët besohet se janë të lidhur me qeverinë në Prishtinë, e cila deri në vitin e kaluar udhëhiqej nga ish-komandanti i gueriles tani Ministër i Jashtëm Hashim Thaçi, i cili akuzohet për krime të luftës dhe është identifikuar si një nga ‘peshqit’ më të mëdhenj në krimin e organizuar në vendin pa dalje në det të Gadishullit Ballkanik.

Të dyshuarit e arrestuar në Kosovë ose kishin luftuar për, apo kishin mbështetur në mënyra të ndryshme kryengritësit e ISIS-it dhe Frontit AL-Nusra, – patën thënë për mediet zyrtarët policorë pas aksionit të arrestimeve.

“Ne kemi konfiskuar armë të gjata duke përfshirë AK-47, armë të kalibrit të vogël, pajisje të ndryshme elektronike, municioneve dhe eksplozivëve,” – kishte potencuar policia në një deklaratë për shtyp.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta për t’u takuar me zyrtarët e Policisë së Kosovës për t’i ballafaquar me dëshmitë e mbledhura të cilat i vëjnë në dyshim deklaratat dhe pretendimet e policisë, ata vazhdimisht kanë refuzuar të takohen me ne. Shumë prej armëve që janë ekspozuar për media, nuk rezlutojnë tu jenë konfiskuar të dyshuarve siç precizojnë disa prej proces-verbaleve të prokurorisë të cilat dokumente i ka parë redaksia.

Sidoqoftë pretendimet e policisë mbeten të paverifikuara dhe si të tilla edhe të dyshimta duke qenë se zyrtari për media i këtij institucioni nuk ka pranuar t’i përgjigjet pyetjeve në një intervistë të drejtpërdrejtë. Preferenca e tij ishte komunikimi me e-mail, ndërsa për ekipin tonë një komunikim i tillë do të ishte një pikëpyetje serioze se kush do t’i përgjigjej pyetjeve tona të kombinuara, të strukturuara e spontane për shkak të natyrës mjaft komplekse të temës së hulumtuar!? Ndërkohë që dëshmitarët dhe dokumentet që disponon ekipi ynë, sygjerojnë se operacionet policore që kanë rezultuar me konfiskimin e armëve nga të dyshuarit, në disa prej rasteve kanë qenë operacione të simuluara nga Njësiti i Inteligjencës së policisë, për çfarë drejtoria e policisë do duhej t’i përgjigjej pyetjeve tona, në raport me dëshmitë e mbledhura në terren. Kështu e konfirmojnë edhe dokumentet me numër PPS nr.94/2013 dhe PPRKR.nr.347/13.

Qasja e autoriteteve të Kosovës ndaj të dyshuarve për përfshirje në aktivitete të terrorizmit duket se nuk i ka përmbushur standardet profesionale dhe aq më pak ato të drejtave themelore të njeriut. “Disa nga të arrestuarit janë rrahur brutalisht nga forcat speciale të policisë gjatë arrestimit”, – tregojnë dëshmitarët dhe familjarët e të arrestuarve të cilët thonë se djemtë e tyre janë rrahur rëndë.

Avokati i Popullit ka pranuar një ankesë nga familjarët e njërit prej të arrestuarve i cili siç pohohet është rrahur brutalisht (Doc #575/2013, P. #1246/2014 D. 27/08/2014), por ankesa e familjarëve u kthye përsëri në favor të atyre që i kanë shkelur të drejtat themelore të njeriut! Policia e Kosovës ka shkelur (ndër të tjera!) edhe Konventën e Gjenevës kundër Torturës, në lidhje me Pjesën I, të nenit 1, i cili veprim sanksionohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Rreth 60 bastisje ishin kryer në të gjithë Kosovën. Ndër vendet e synuara kishin qenë xhamitë e improvizuara, të cilat ishin dyshuar se ishin përdorur si qendra të rekrutimit. Këto bastisje kanë ndodhur pikërisht në zonën e përgjegjësisë së trupave ushtarake të SHBA-ve, të cilët kanë ndërtuar bazën më të madhe ushtarake në Evropë.

Kosova e Terrorizuar

Kliko në dokument, për ta shikuar në formatin e smadhuar. Dokumenti është skanuar nga redaksia THEFrontliner.net

Në gusht të vitit 2012, Këshilli Lokal i Bashkësisë Islame (KLBI) në Prishtinë, kishte njoftuar Ministrinë e Brendshme dhe Komunën e Prishtinës (#07-348-21722), se siç thuhet: “Xhamia te ngrohtorja e qytetit nuk është nën administrimin dhe mbikqyrjen e KLBI-së”. Kështu fakton dokumenti me numër: “163/12, datë: 13.06.2012” i cili ishte deponuar në MPB, për të alarmuar autoritetet në Prishtinë se KLBI nuk mban asnjë përgjegjësi rreth aktivitetit që mund të zhvillohet në të. Mirëpo, siç thotë sekretari i KLBI-së në Prishtinë z. Adnan Berbatovci, ata (KLBI) nuk kishin marrë asnjë përgjigje nga asnjëri prej autoriteteve shtetërore, të cilat ishin vënë në dijeni. Bërbatovci tregon se motivet që e kishin shtyrë KLBI-në ta njoftonin autoritetin e sigurisë, kishin të bënin me faktin se ajo xhami, nuk i plotësonte kriteret e kërkuara nga BIK-u për të funksionuar. Në aksionin e gushtit të vitit 2014, policia e Kosovës e kishte bastisur edhe atë objekt, ndërkohë që gjetjet tregojnë se e ashtuquajtura “Xhamia e Termokosit” i ka paguar qeranë vllaut të deputetit të Kuvendit të Kosovës z. Rexhep Selimi. Policia konfirmon se ka evidentuar aktivitete të dyshimta në atë ambient, për të cilin KLBI, që në vitin 2012 kishte shprehur shqetësimin e tyre.

Presidentja Atifete Jahjaga, një ish-oficere e Shërbimit Policor të Kosovës, në një deklaratë të saj kishte thënë: “…Kosova nuk do të jetë një strehë e ekstremizmit” dhe se qeveria e Kosovës do ta dënojë çdo kërcënim ndaj shtetit “pa mëshirë”.

Në një intervistë për të përditshmen në Prishtinë ‘Zëri’, Presidentja Jahjaga, lidhur me të burgosurit kishte deklaruar se ata janë një grup i individëve radikalë të izoluar, dhe të cilët, sipas presidentes, kanë për qëllim për të manipuluar të rinjtë.

“Ka pasur baza të arsyeshme ligjore se këta njerëz janë të afërt me grupet terroriste në mënyrë që të kryejnë veprat terroriste në Republikën e Kosovës dhe më gjerë “, – kishte thënë presidentja Jahjaga në atë deklaratë, por më vonë pothuajse të gjithë të arrestuarit, ishin liruar për shkak të mungesës së fakteve ligjore. Kjo në fakt tingëllonte edhe si gjykatëse e prokurore, e jo vetëm si presidente!

Megjithatë, deri më tani asnjë akt terrorist nuk është kryer në Kosovë, përveç një siç u raportua përpjekja e një punonjësi të qeverisë së Serbisë, i cili ishte kapur nga autoritetet në dhjetorin e vitit të shkuar, por për të cilin ka një terr informativ dhe konfuz.

[vazhdo ‘Kosova e Terrorizuar II]


cropped-logo_frontliner.pngTeksti dhe Fotografitë janë e drejtë ekskluzive e THEFrontliner.net — Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ky material është i hartuar vetëm për përdorim personal dhe shpërndarje të lirë për lexuesit. Çdo riprodhim tjetër, publikim ose rishpërndarje komerciale e këtij materiali pa pëlqimin me shkrim të redaksisë është rreptësisht i ndaluar dhe çdo shkelje e këtyre rregullave apo të drejtave të autorit do të konsiderohet veprim i kundërligjshëm. | THEFrontliner.net — Qershor 2015 |

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY