Kosova e Terrorizuar II

Qeveria dhe Mediet!
Bresalc, KOSOVË - Tetor 2014 — Gjetjet sugjerojnë se politika editoriale e mediave të shtypit lokal synon të përgojojë secilin që ndoshta mund të jetë i dyshuar për aktivitetet e terrorizmit. Angazhimi i politikës editoriale qëndron për krijimin e një klime të urrejtjes dhe frikës në vend. Kjo ka shkaktuar izolimin thuajse total të familjarëve nga shoqëria pas arrestimit të vëllait të (vajzës në foto) saj për dyshimin se është i përfshirë në organizata terroriste. ©Laura Aggio

Përfshirja e Qeverisë — Në maj të vitit 2012, Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, shprehu një mbështetje të fortë për opozitën e Sirisë në Kombet e Bashkuara, duke thënë se qeveria e tij kishte krijuar tashmë kontakte diplomatike me sirianët që luftojnë për të larguar presidentin Bashar al-Asad e të cilët kishin vizituar Prishtinën zyrtare në muajin Prill 2012.

Ministri Hoxhaj kishte bërë të qartë në atë kohë se Prishtina është duke ofruar mbështetje politike për opozitën siriane, e cila është mbyllur në një betejë tashmë katërvjeçare me forcat besnike të Presidentit të rizgjedhur Al-Assad.

Raporte të paverifikuara në atë kohë thonin se Kosova ishte duke shërbyer si një vend pritës për të trajnuar një lloj grupi të forcave të armatosura nga shkretëtira e Lindjes së Mesme. “Po, Kosova ka qenë vendi ku ne kemi trajnuar kryengritës të huaj, unë kam qenë kundër kësaj, mirëpo qëndrimi im nuk është respektuar” – tregon një zyrtar vendor në kushte anonimiteti, i cili e ka dokumentuar pohimin e tij.

Një dëshmitar tjetër tregon se opozitarët sirianë kishin vizituar Qendrën e Trajnimeve të Policisë së Kosovës në Vushtrri, me ç’rast siç pohon dëshmitari “atyre ua kanë ofruar qendrën e trajnimeve të Policisë në dispozicion për me rekrutu edhe me trajnu sirianë”, pohon ai, i cili dispononte edhe dëshmi fotografike gjatë një diskutimit të shkurtër me të. Se opozitarët sirianë kishin kërkuar këshilla nga guerilasit shqiptarë në Kosovë, raporton edhe ‘Associated Press’, lajm i transmetuar nga Fox News.

Udhëheqësia e besimtarëve kosovarë që i takojnë komunitetit me shumicë myslimane përjetoi një kataklizmë serioze. Ata ishin raportuar si terroristë ende pa u sjellur ndonjë verdikt final gjyqësor dhe shumica prej tyre janë liruar më vonë në mungesë të fakteve dhe janë duke u mbajtur nën shpatën e hetimeve.

Dyshimet e dokumentuara të çojnë drejt një rruge që të lë të besosh se dikush nga autoritetet e Kosovës mbase është i përfshirë në procesin e shtyrjes së të rinjëve shqiptarë për t’i ndihmuar sirianët të largojnë nga udhëheqja presidentin Sirian (tanimë i rizgjedhur!) Bashar Al-Assad.

Por, shqiptarët më vonë përfunduan si luftëtarë të grupeve të huaja të armatosura të njohur me emrin edhe ISIL, apo në shqip: “Shteti Islamik i Sirisë Irakut dhe Levantit”.

Dhjetra shqiptarë që fluturonin nga Prishtina, Tirana dhe Shkupi, nuk kanë vulat e daljes në pasaportat e tyre nga vendet që kanë fluturuar dhe nuk kanë vulën e hyrjes në vendin e hyrjes, që është Stambolli i Turqisë.

Dokumentet e evidentuara, kanë provuar se një kosovar i ri në moshën e tij 19-vjeçare, kishte arritur të fluturonte nga Prishtina pa një vulë dalëse në pasaportën e tij, në momentin e parë që ka ateruar në Stamboll, ai kishte përfunduar në duart e policisë kufitare turke, të cilët menjëherë e kishin kthyer atë në Prishtinë, nën pretendimin e shprehur se “nëse nuk keni vulë dalëse, ju mund të jeni një i arratisur nga drejtësia e vendit prej të cilit po vini.”

Dokumenti i lëshuar nga autoritetet e Republikës së Turqisë.

Dokumenti i lëshuar nga autoritetet e Republikës së Turqisë. Kliko në dokument, për ta parë atë në detaje.

Një oficer (i kontaktuar në vitin 2014) kufitar turk për të huajt në portin ajror të Stambollit, ka sqaruar se çfarë do të thotë të marrësh një letër të atillë çfarë e ka marrur njëri prej të dyshuarve i cili ishte kthyer në Prishtinë, identiteti i të cilit është i njohur për gazetën. Zyrtari kufitar tha: “Ne nuk mund të pranojmë individët e huaj pa një vulë dalje nga vendi i tyre, pasi që ata mund të jenë të arratisurit e krimit, kështu që ne zakonisht e organizojmë deportimin e tyre në shtetin prej të cilit ata vijnë”. Një vulë hyrëse në aeroportin e Prishtinës është shënuar në pasaportën e këtij personi, i cili është në përputhje me dokumentin e lëshuar nga autoritetet turke pas deportimit të tij në Prishtinë. Ndër të tjera, kjo provë hap akuzat e dokumentuara në lidhje me përfshirjen e autoritetit të shtetit në krijimin e rrethanave nxitëse për rekrutimin e të rinjve kosovarë për të luftuar përkrah rradhëve të ISIS-it. I riu është arrestuar nën dyshime për terrorizëm në rrethana të simuluara nga vetë Njësiti Anti-terror i Policisë së Kosovës. Dëshmitarët zbulojnë se grupi i të arrestuarve në nëntorin e vitit 2013 janë duke u mbajtur pa ndonjë dëshmi me vlerë ligjore, sa i përket dyshimeve për akte terroriste. Disa nga dosjet e klasifikuara që mbahen nga Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë – EULEX, janë shqyrtuar për të verifikuar pretendimin e dëshmitarit, të cilat rezultojnë në përputhshmëri të plotë me pretendimin. “Po, ka një dëshmi, dhe ajo është dëshmia e armëmbajtjes pa leje, por këto armë janë të policisë e cila i ka përdorur qëllimshëm ndaj individëve që kanë qenë cak i simulimit të policisë”- tregon dëshmitari, duke shtuar se një armë ishte gjetur gjatë muajit gusht 2013 në një automjet transportues ‘TAXI’, mirëpo “ajo armë ka qenë e S.M. dhe jo e njërit prej të arresturave” – përfundon dëshmitari. Por, gjetjet sygjerojnë se S.M. është raportuar si i vrarë në vitin 2014 në Siri.

ROLI I MEDIEVE

Raportimi i mediave ka shkaktuar konfuzion dhe situata të përgjithshme frikësimi në terren, pavarësisht se njerëzit nuk mund të besojnë atë që po ndodh, ata gjithashtu janë të shqetësuar dhe të frikësuar nga autoritetet e vendit, si dhe mediet. Pothuajse çdokush që reagon edhe duke kërkuar respektimin e procedurës strikte ligjore e të kodit moral profesional të autoriteteve, në mbrojtje të së drejtës universale të njeriut duke përfshirë edhe ata të cilët janë arrestuar nën akuzat për terrorizëm, shpejt do të margjinalizohet dhe të etiketohet si “pro-lindor”, “pro-islam”, “pro-terrorist”!

Fytyrat e të dyshuarve u shfaqën në medie pa hezitim, nën shkëlqimin e plotë verbues për publikun. Titujt thanë: “Këta janë terroristët!”, duke harruar se një i dyshuar është një i pafajshëm derisa të provohet si fajtor! Autoritetet e Kosovës nuk duhej t’i kishin shfaqur të arrestuarit në medie për spektakël, e këto të fundit duhej të kishin demonstruar cilësi, etikë profesionale, ligjore e njerëzore në lidhje me këto zhvillime, por kjo nuk kishte ndodhur!

Ekspozimi i tillë, pas gjithë asaj fushate, mbase ka pasur për qëllim që të dëmtohej reputacioni i secilit prej të arrestuarve. Edhe në qoftë se një gjykatë do t’i shfajësonte ata më vonë, askush nuk mund të riparon dëmin e bërë. Publiku në të gjithë vendin arriti t’i sheh fytyrat e të dyshuarve dhe tanimë e dijnë kur ata do të dalin jashtë për të rigjykuar krimet e tyre të supozuara nga mediet në vend dhe në të vërtetë të afërmit e tyre siç edhe u dokumentua gjatë hulumtimit, ishin bërë një subjekt i izolimit të shoqërisë, për shkak të keqinterpretimit të medieve dhe sjelljeve joprofesionale.

Megjithatë, veprimi i policisë në Kosovë, gjithashtu ka shkelur Protokollin Multirateral të Kombeve të Bashkuara me Nr.17. 512, si dhe Konventën e Gjenevës të 12 gushtit 1949, në lidhje me mbrojtjen e viktimave të konflikteve të armatosura ndërkombëtare, neni 47 për Mercenarët 12, duke përfshirë nenin 75, i cili saktëson GARANCITË THEMELORE, ku mes të tjerash thuhet se, “…secila palë do të respektojnë personin, nderin, bindjet dhe praktikat fetare të të gjithë personave të tillë.” Policia kishte zbuluar identitetin e 13 të dyshuarve për mediet, madje në disa raste kishte ekspozuar edhe valutat financiare, deri tek kartat e identitetit personal, përfshirë numrin personal identifikues, pa asnjë përjashtim të anëtarëve të familjeve të tyre, deri në emrat e tyre, ku ata punojnë, ku ata shkojnë në shkollë dhe në cilën xhami ata mund të jenë duke u lutur. Këto janë ndër pak veprimtaritë e identifikuara të jashtëligjshme, të cilat i kanë kryer autoritetet e vendit së bashku me disa medie të cilat llogariten shkelje serioze të të drejtave të njeriut të kryera nga administrata publike e vendit, e cila siç edhe dokumentueshëm dyshohet për krijimin e rrethanave lehtësuese për ata që dëshironin për t’u bashkuar me forcat e ISIS-it në Siri.

Në një botim të transmetuar nga ‘Gazetaexpress’ i cili thuhet të jetë botuar tek gazeta ‘Zëri’, më 12 Gusht 2014, janë botuar rreth 40 emra, mbiemra dhe data të lindjes së të arrestuarve si të dyshuar për terrorizëm. Mediet pretendojnë se këta janë ata që sipas medieve kanë luftuar në Siri dhe në Irak.

Të dyshuarit shpejt u bënë subjekt i editorialeve të medias dhe debateve televizive duke i dënuar ata, para se një gjykatë të merrte një vendim, derisa informacioni doli se ata mund të jenë vetëm “koka kurbanësh” për të mbuluar zhvillime të tjera.

Sidoqoftë, disa nga mediet në Kosovë duket se vuajnë nga mungesa e një stafi profesional për t’i trajtuar temat, apo edhe për t’iu qasur hulumtimeve, pasi shpeshherë hasim kur autorët e shkrimeve i huqin detajet, dhe për informacionin që “besohet se mund të ketë ndodhur ashtu”, ata shkruajnë se “ka ndodhur”, pa fakte mbështetëse. Pastaj, kemi edhe situata, kur reporterë të pakualifikuar titullohen si ‘Ekspertë të terrorizmit’, e ata asnjëherë nuk kanë shkelur në shkretëtirën e Lindjes së Mesme, apo edhe të kenë nuhatur ndonjëherë tymin e barotit të ndonjë lufte!

Po ashtu, policia i ekspozoi të dyshuarit duke cënuar të drejtat e tyre njerëzore të garantuara me Kushtetutë, e cila thotë se të dyshuarit ose të pandehurit në rastet penale duhet të konsiderohen dhe të trajtohen si të pafajshëm derisa të provohen fajtorë. Asnjë gjykatë nuk ka dhënë një verdikt ligjor përfundimtar për të konfirmuar terrorizmin e orientuar fetar në vend!

Gjatë gjithë kohës së hulumtimeve gjetëm se disa medie janë përpjekur për ta gozhduar çdo mundësi për t’u zbuluar e vërteta për ‘xhihadistët shqiptarë’, që dyshohet të kenë rrugëtuar në drejtim të shkretëtirës së Lindjes së Mesme.

[Vazhdo ‘Kosova e Terrorizuar III’]


cropped-logo_frontliner.pngTeksti dhe Fotografitë janë e drejtë ekskluzive e THEFrontliner.net — Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ky material është i hartuar vetëm për përdorim personal dhe shpërndarje të lirë për lexuesit. Çdo riprodhim tjetër, publikim ose rishpërndarje komerciale e këtij materiali pa pëlqimin me shkrim të redaksisë është rreptësisht i ndaluar dhe çdo shkelje e këtyre rregullave apo të drejtave të autorit do të konsiderohet veprim i kundërligjshëm. | THEFrontliner.net — Qershor 2015 |

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY