Kosova e Terrorizuar III

ÇFARË THONË HOXHOLLARËT?
Mitrovicë, KOSOVË - Tetor 2014 — Imam Enis Rama, anëtar i Këshillit islamik të vendit. Në shtator, Policia e Kosovës e arrestoi atë dhe Imam të tjerë të dyshuar për përfshirje në radikalizëm islamik. Këta janë klerikë të rangut të lartë të cilët janë akuzuar nga mediet për inkurajimin e anëtarëve të rinj të bëhen pjesë e organizatave terroriste si 'Al-Nusra' dhe 'ISIS' në Siri dhe Irak. Ai u lirua pas dhjetë ditësh. ©Laura Aggio

Gjatë muajve tetor-dhjetor të vitit të shkuar, ne kemi biseduar me disa prej të liruarve, ndërsa një pjesë e tyre nuk pranuan të flasin, për shkak të frikës se prokuroria apo qeveria do t’i sjellë ata përsëri në qelitë e burgut.

Disa prej imamëve të cilët kanë një ndikim të gjerë në shumicën e besimtarëve të Kosovës janë liruar. Imami Enis Rama i cili është i ngarkuar për Xhaminë “Sinan Pasha” në rajonin e trazuar verior të Kosovës, tha se ai kurrë nuk i sygjeroi të rinjët kosovarë për të shkuar në Siri.

“Ne kemi shumë probleme sociale në vendin tonë, në shtëpinë tonë. Ne nuk kemi nevojë për të shkuar atje dhe të luajmë të zgjuarin për një liri të jashtme “, – ka thënë ai.

Disa zëra dëshmitarë tregojnë për një konflikt politik të ish-Ministrit të Shëndetësisë, Dr. Ferid Aganit, i cili duke qenë se kishte humbur përkrahjen e imamëve si: Shefqet Krasniqit, Enis Ramës, Enes Gogës, Mazllam Mazllamit, Ekrem Avdiut etj., – për zgjedhjet e qershorit, ai ishte zotuar se “për këtë do ta shihnin imamët!”. Lidhjet e z. Agani me shefin e atëhershëm të qeverisë në Prishtinë kanë qenë dukshëm stabile. Madje kompania e tij farmaceutike ‘Agani Ltd’ ka fituar kontrata milionëshe nga qeveria e Kosovës.

Vetëm pak ditë para aksionit të arrestimeve, shefi i qeverisë në Prishtinë Hashim Thaçi, e kishte urdhëruar një aksion policor, të cilin edhe e kishte deklaruar në medie, pavarësisht që kjo në fakt do të minonte terrenin e forcave të sigurisë e gjyqësisë. Apo mbase edhe ishte punë e prokurorëve e jo e politikanëve.

Një hoxhë tjetër në Mitrovicë, të cilin disa e njohin si një individ të radikalizuar e disa të tjerë nuk e shohin ashtu (Fatmir Latifi), është një dëshmi tjetër e përfshirjes së tij në praktika të njëanësisë politike, apo ndryshe në përçarjen e “xhematit përmes ndasive partiake”. Ai qartësisht kishte kërkuar nga ata që “ta votonin kreun e komunës së Mitrovicës nga rradhët e PDK-së, Avni Kastratin.” Hoxhë Latifi, gjithashtu konfirmon afërsitë e tij me kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçin, por ai nuk është i arrestuar e as i dyshuar.

Sidoqoftë, vëzhgues të pavarur të video-kanaleve të ligjëratave të imamëve të arrestuar të Kosovës, kanë mendimin e tyre për krejt situatën.

“Veprimet e policisë kanë qenë hakmarrje politike, mendojmë ne, pasi që imamët kishin vendosur t’i udhëzojnë xhematin e tyre për të mos e votuar partinë në pushtet, por për të përkrahur një subjekt të vogël politik, i cili mendohej se do të garonte përkrah Partisë AKR” – thotë njëri prej vëzhguesve, në kushte anonimiteti.

Imamët e arrestuar, të liruar më vonë, dyshohen si të përfshirë në procedurat e rekrutimit, por përfshirja e tyre në një fushatë të përkatësisë partiake është e pamohueshme. Ata e mohojnë këtë, për siç thonë ata, “nuk është etike, ngase nuk kemi qëllim ta ndajmë xhematin” – argumenton Hoxhë Enes Goga, gjatë një interviste në nëntorin e vitit të shkuar. Mirëpo, njëri prej imamëve i cili nuk deshi të identifikohej e konfirmoi këtë gjatë një interviste tjetër në muajin shkurt të këtij viti. Pretendimin e vëzhguesve e mbështetë edhe një gazetar tjetër i cili preferon të mbetet anonim.

Për këtë konflikt politik në mes të Hashim Thaçit dhe hoxhollarëve, flet edhe Gëzim Kelmendi, deputet i Kuvendit të Kosovës. Ai gjatë këtij viti në një prononcim për THEFrontliner.net tha se, “në maj të vitit 2014, Partia e Drejtësisë kishte vendosur t’i bashkangjitej partisë në pushtet PDK-së, për shkak se nuk kishte arritur një marrëveshjeve me hoxhollarë”, të cilët sipas deputetit Kelmendi, “ishin përpjekur të krijonin një listë unifikuese për të përfaqësuar interesat e besimtarëve myslimanë në Kuvendin e Kosovës.” Hoxhollarët ishin përpjekur ta bindnin Ferid Aganin që të riktheshin në listë të votuesve këta emra: Munir Basha, Amir Ahmeti dhe Fuad Ramiqi. E kërkesa e këtyre tre të fundit kishte qenë që Agani të mos ishte bartës i listës, për çfarë z. Agani nuk kishte rënë dakord, gjë që kishte rezultuar me mbylljen e këtyre përpjekjeve dhe dështimin e ndonjë marrëveshje të pretenduar, tregon deputeti Kelmendi.

Hoxhollarët nuk e kishin mbështetur PD-në e Aganit, apo ndryshe partinë në pushtet të kryeministrit në detyrë, Hashim Thaçit, aktualisht njëri nga zëvendëskryeministrat dhe ministër i punëve të jashtme të Kosovës. Hoxhollarët kishin mbështetur një listë prej katër kandidatëve 1) Amir Ahmeti; 2) Driton Morina; 3) Agron Terziqi dhe 4) Agron Rexhepi. Hoxhallarët që e kishin mbështetur këtë listë kishin qenë: 1) Shefqet Krasniqi; 2) Ekrem Avdiu; 3) Mazllam Mazllami; 4) Enis Rama. Kjo listë e mbështetur nga hoxhollarët ka garuar pranë partisë së ish-presidentit Behgjet Pacolli dhe liderit të AKR-së.

“Hoxhollarët e nderuar të cilët janë arrestuar si të dyshuar për terrorizëm, janë në fakt luftëtarët më të mëdhenjë kundër ekstremizmit fetar dhe terrorizmit” – thotë deputeti Kelmendi, prandaj ai dëfton se aksionet e fillim-shtatorit të vitit 2014 kanë qenë veprime hakmarrëse politike të kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi. Duke shtuar se, “arrestimet që janë bërë, padyshim se kanë qenë të montuara për faktin e vetëm se këta hoxhollarë që janë edhe veteranë të Luftës Çlirimtare kanë vendosur të mos e mbështesin PDK-në në zgjedhjet e qershorit, siç edhe ndodhi që PDK-ja e humbi pushtetin e plotë. Mos të harrojmë se të gjithë imamët janë liruar për shkak të mungesës së fakteve ligjore” – vazhdon ai.

Deputeti Kelmendi shprehet i shqetësuar se, “përpjekja e PDK-së për të mbetur në pushtet po i lajthitën dhe i mashtron miqtë tanë ndërkombëtarë, me ç’rast në kohën e zgjedhjeve veprimet e politikës së tyre kundrejt besimtarëve fetarë ua atributojnë miqve tanë ndërkombëtarë.”

“Kjo politikë çoroditëse është duke e instaluar një antipati kundër amerikanëve dhe evropianëve, duke i thënë popullit se ne po e ndalojmë mësim-besimin në shkolla, ne po e ndalojmë shaminë e vajzave në shkolla, sepse këtë po e kërkojnë miqtë tanë ndërkombëtarë, ndërsa kjo nuk është e vërtetë. Shkoni në Evropë dhe ju mund t’i përjetoni liritë fetare atje” – shprehet deputeti Kelmendi, i cili thotë se çdo veprim ose zhvillim i mundshëm kundrejt atyre që na ndihmuan të çlirohemi është përgjegjësi e partive në pushtet!

Ndryshe, dëshmitarët tregojnë se gjatë një përpjekjeje për të hulumtuar temën e terrorizmit në Kosovë, kryeredaktorja e gazetës “Zëri” Arbana Xharra, thuhet të ketë qenë e interesuar se kush po i ndalonte të rinjët kosovarë për të shkuar në Siri, në vend se të përqëndrohej në kërkimet se kush po merrej në fakt me rekrutimet!

Në një listë emrash dhe mbiemrash të imamëve të Kosovës, të cilët pastaj bëhen cak i sulmeve të njëpasnjëshme të redaksisë editoriale, qëndrimeve, opinioneve dhe komentimeve zyrtare të gazetës “Zëri”, të drejtuar nga znj. Xharra, janë pikërisht individët të cilët ishin arrestuar gjatë veprimeve policore të vitit 2014. Fakti se imamët e stigmatizuar si “terroristët e rrezikshëm” nga artikujt e gazetës “Zëri” janë liruar në mungesë të fakteve ligjore, mbështetë edhe pretendimet e dëshmitarëve se znj. Xharra do të ketë qenë duke i kërkuar ata që (mbase!) ishin duke vepruar si parandalues të rekrutimeve, pasi jo në pak ligjërata ata kishin udhëzuar të rinjët të mos bëheshin pre e provokimeve të thirrjeve për t’iu bashkuar luftës në Siri!

Mediet e përgjithshme të vendit kanë arritur me sukses për të ‘terrorizuar popullsinë civile’. Meqë dëshmitë adresojnë përgjegjësinë ndaj autoritetit në Prishtinë si përgjegjës për krijimin e rrethanave lehtësuese për shkuarjen e të rinjëve në Siri, por për çudi dikush duket të ketë qenë më shumë i interesuar t’i identifikojë imamët që mbase po përpiqeshin t’i parandalonin të rinjët, në vend se të identifikonin rekrutuesit e vërtetë!

Gjatë arrestimeve të gushtit, qeveria ka mbyllur edhe rreth 14 organizata joqeveritare islamike (OJQ-I) dhe po heton nëse ndonjë nga organizatat kanë lidhje me grupet radikale islamike. Por, asnjë rezultat konkret zyrtar nuk e ka publikuar deri më tani. Sipas imamit Samir Salihu dhe një nga themeluesit e OJQ-së islamike “Njëshmëria”, me këtë vendim qeveria e këtij vendi ka lënë pa ushqim më shumë se 300 fëmijë jetimë, fondet e të cilëve vinin nga ambasada e Kuvajtit në Tiranë.

“Ne kemi qenë urë për këto fonde për jetimët. Që nga dita kur aktiviteti ynë është pakësuar, ne nuk mund të bëjmë asgjë. Tani ne jemi duke u përpjekur për t’u kthyer në aktivitet, vetëm për të siguruar që fëmijët të mos mbeten pa të ardhura”, – tha Salihu.

Pas lirimit të terroristëve të supozuar, ne udhëtuam për në Mitrovicë, pjesën veriore të trazuar të Kosovës (që tani faktikisht dhe me tendenca edhe kushtetuese të politikës vendore e ndërkombëtare, synohet të njihet si ‘rajon autonom’, apo i njohur me terme më të pranueshme, “asociacion i komunave serbe”) dhe u takuam me Imam Enis Rama, një imam i mirënjohur i Kosovës, anëtar i Këshillit Islam të vendit, i cili ishte arrestuar gjithashtu në veprimet e fillim-shtatorit të policisë. Ai kaloi dhjetë ditë në burg dhe pas një marrëveshjeje me qeverinë, ai u lirua më vonë sipas një deklarate të lëshuar nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm të vendit Bajram Rexhepi.

“Që nga koha kur konflikti filloi në Siri, unë ju kam thënë vazhdimisht të rinjëve të xhematit të mos biejnë pre e çfarëdo përpjekje të jashtme. Unë i kam thirrur ata për të qëndruar në shtëpi, pasi që në qoftë se sirianët janë të gatshëm për të sakrifikuar për lirinë e tyre, unë mendoj se ata kanë mjaft njerëz për ta bërë atë, pa pasur ndonjë nevojë për të rekrutuar njerëz nga vendi ynë. Kosova duhet të ketë në shtëpi çdo një të vetmin anëtar të popullsisë së saj “, – tha Enis Rama.

Gjatë intervistës, ai tha se qeveria e vendit duhej të kishte ftuar njerëzit e vetë që të kthehen në shtëpi para se të miratonte ligjin kundër atyre që shkuan atje për të luftuar kundër Assadit. “Ne nuk duhet t’i japim mëkatarin djallit”, – shtoi imam Rama. Mirëpo, kur e pyetëm përse Këshilli Islam nuk ka bërë asgjë në lidhje me familjet e izoluara të atyre të të arrestuarve, ai tha: “Se kjo nuk duhet të kishte ndodhur! Ne si shoqëri duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin, duke i dhënë fund idesë se parajsa është në Siri, ngase parajsa është nën këmbët e nënës suaj, në zemër të shtëpisë tuaj” – vazhdoi tutje Rama.

Enes Goga, një imam kosovar, i cili gjatë korrikut të vitit 2012 kishte mbajtur një ligjëratë për Sirinë, me citate nga Profeti Muhamed, mes të tjerash thotë: “Unë urdhëroj ju që të shkoni në tokat e Shamit sepse atje është një vend i zgjedhur nga Allahu dhe në atë vend jetojnë të gjithë besimtarët e mëdhenj të All-llahut.” Përmbajtje kjo e cila e vënë në dyshim Imamin për sygjerimet ndaj xhematit, mirëpo ai arsyeton se, “…qëllimi ishte të bindte xhematin për të dhënë ndihmë financiare për t’i strehuar sirianët që kërkojnë ndihmë në kufirin turk,” – tha Goga, gjatë një interviste në Pejë, qytetin perëndimor të Kosovës. Goga tregon se kjo ka qenë në të gjithë Kosovën, nëpërmjet një urdhërese të lëshuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, kështu u konfirmua edhe nga imamë të tjerë.

Ndër shqetësimet e tjera, Imami Goga shprehu qëndrimin se ai kurrë nuk e ka ftuar xhematin e tij për të shkuar dhe për të luftuar në mesin e forcave të armatosura në Republikën Arabe të Sirisë, duke argumentuar se ne kemi shumë probleme në shtëpinë tonë. Shumë ligjërata të tjera dëshmojnë se imami Goga, iu ka rekomanduar të rinjëve të qëndrojnë në shtëpi. Përkundrazi ai hapur shprehu shqetësimin dhe adresimin e tij se, sipas tij, “jo rastësisht të rinjët kosovarë që kanë shkuar në Siri për të luftuar vijnë nga rajoni juglindor i Kosovës”, siç i përmendi Hanin e Elezit, Kaçanikun, Ferizajin dhe Gjilanin, duke shtuar se përpjekjet për siç thotë ai, “…për të helmuar rininë tonë, vijnë nga përtej kufirit!”

Ai si çdo imam tjetër vë në dukje frustrimin, siç e thotë ai, “…propaganda mediatike ishte një luftë e organizuar mirë kundër imamëve”, e cila luftë siç pretendon E. Goga, është e përbërë nga një lloj grupi prej islamofobistësh. “Parimi islam nuk lejon veprime negative, aq më keq kur dikush e bënë këtë në emër të Islamit, me të vërtetë ai ka humbur rrugën e tij drejt paqes dhe dashurisë njerëzore”, – tha më tej hoxha Enes Goga.

Hoxha nga Shkupi Bekir Halimi, gjatë një interviste tregon se ai nuk pajtohet me emërtimin “Islam Politik”. Ai thotë se, “feja përveç pjesës dogmatike e ka edhe pjesën shoqërore, prandaj një lider fetar mund të jetë edhe një lider shoqëror.” Duke e arsyetuar se padrejtësitë që shteti mund t’ia bëjë një individi, lideri fetar duhet ta mbështes atë. “Nëse autoriteti shtetëror bënë një padrejtësi kundër një grupi shoqëror apo individi, lideri fetar duhet të angazhohet për të mbrojtur të drejtën civile” – thotë ai.

“Nëse një hoxhë në Kosovë kritikon pushtetin e korruptuar, dhe Kosova vazhdon të pretendojë se është vend demokratik duke u përpjekur t’ia mbyllin gojën një lideri fetar, i cili ngrit shqetësimet e tij për ato dëme, atëherë kemi një pikëpyetje serioze nëse vendi është demokratik apo/jo.” Prandaj, thotë ai, “se është joreale të quhet islam politik në rast se një hoxhë si pjesë e shoqërisë përpiqet të mbrojë të drejtat civile dhe njerëzore kudo që është ai” Bekir Halimi.

“Ne nuk mundemi me hesht përball padrejtësive që iu bëhen qytetarëve nga politikanët, për shkak që edhe ne jemi qytetar, parasegjithash” — Bekir Halimi (Foto: ©VXPictures.com)

Por në këtë pretendim ai si prijës fetar nuk e ndanë dot vetën nga aktivisti politik, duke argumentuar se “një njeri nuk mund të ndahet nga puna e tij profesionale dhe karakteri i tij njerëzor”, pasi që siç thotë ai: “…ju si gazetar nëse ballafaqoheni me një problem në lagjen tuaj, ju veproni si humanist, mirëpo nuk mund të ndaheni nga profesioni juaj si gazetar, pasi që duhet të përdorni profesionin për të shkaktuar ndikimet e nevojshme për të arritur qëllimet e nevojave të lagjes” – thotë ai.

Duke aluduar se ai si një imam ka punuar vazhdimisht për të parandaluar rininë të biejnë pre e përpjekjeve për t’i dërguar ata në rrugë të gabuara deri në luftën e Sirisë, ai thotë: “Nëse ju si profesionist e përdorni detyrën tuaj profesionale për t’i mbrojtur interesat e shoqërisë, atëherë unë mendoj se është zbatim korrekt i profesionit”. Prandaj, ai thotë se “që të dallojmë një radikal në territoret shqiptare është e lehtë, pra nëse një individ përdorë forma jodemokratike për të promovuar idetë e tij, ai është një radikal.” Ai tregon se në Ballkan më shumë kemi shembuj të radikalizmit nga partitë politike se sa nga subjektet fetare, duke qenë se sipas imamit Bekir Halimi, “partitë politike janë radikalizuar aq shumë saqë kanë shkuar deri në atë nivel kur edhe janë të përfshira në atentate ndaj rivalëve politik”.

Për bashkangjitjen e shqiptarëve në luftën e Sirisë, Hoxhë Bekir Halimi akuzon qeverinë në Prishtinë, pasi që ai thotë se “qeveria në Prishtinë ka bërë thirrje të hapur që t’i mbështesin sirianët për t’u çliruar”. Ai kujton edhe luftërat në Palestinë e shumë vende tjera në Lindje të Mesme, mirëpo nuk ka shqiptar askund tjetër pos aty ku janë thirrur nga qeveritë, të cilat kanë parapëlqyer të rreshtohen përkrah bashkësisë ndërkombëtare. “Ne kemi fol për Sirinë, por që nga fillimi. Kemi thënë se ai është vend i bekuar fetarisht, mirëpo kemi thënë që nga fillimi se s’ka nevojë askush prej nesh të shkon atje”, duke rreshtuar tri arsye: 1) Sepse ata nuk kanë nevojë për njerëz; 2) Sepse ne i kemi problemet tona reale; 3) Një njeri që merret me çështje militare dhe nuk është i përgatitur në aspektin e ndërtimit psikik, mund të shëndërrohet në një njeri të rrezikshëm, duke shtuar se ky problem ekziston edhe me forcat e rregullta ushtarake.

Tutje hoxhë Halimi tregon se ka qenë cak i sulmeve virtuale, pikërisht për shkak të angazhimit të tij kundër shkuarjes së rinisë në Siri.

“Për shkak të veprimtarisë tonë që i inkurajojmë xhematin të rrinë në shtëpi dhe të mos shkojnë në Siri, ne jemi sulmuar në botën virtuale. Imamët e arrestuar në Kosovë janë kërcënuar” – thotë Hoxhë Halimi, duke përfunduar se ka njerëz radikalë që mund të kenë mendime të tilla, mirëpo e mira është që sipas tij, kjo nuk është shndërruar në një dukuri shoqërore tek shqiptarët.

Imami Bekir Halimi tregon se në vazhdimësi i kanë treguar të rinjëve se “të shkosh në Siri, nuk është guxim dhe nuk është krenari!”

[Vazhdo ‘Kosova e Terrorizuar IV]


cropped-logo_frontliner.pngTeksti dhe Fotografitë janë e drejtë ekskluzive e THEFrontliner.net — Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ky material është i hartuar vetëm për përdorim personal dhe shpërndarje të lirë për lexuesit. Çdo riprodhim tjetër, publikim ose rishpërndarje komerciale e këtij materiali pa pëlqimin me shkrim të redaksisë është rreptësisht i ndaluar dhe çdo shkelje e këtyre rregullave apo të drejtave të autorit do të konsiderohet veprim i kundërligjshëm. | THEFrontliner.net — Qershor 2015 |

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY