Kosova e Terrorizuar VI

A ka ndonjë kërcënim terrorizmi në Kosovë?
Veri-lindje e Kosovës - Tetor 2014 Një nënë, djali i të cilës është raportuar i vrarë në Siri, duke respektuar vendimin e tij qoftë edhe ai i gabuar, shikon Malin në një përpjekje për ta shuar dhimbjen për të birin që po i mungon. "Unë megjithatë mendoj se ai nuk duhej të kishte shkuar atje, në një vend që s'është i yni" tha ajo, duke kujtuar se djali i saj kishte qenë nxënës i Hoxhë Zeqirja Qazimit, ajo mallkonte këtë njeri. [©Laura Aggio]

Imam Zeqirja Qazimi është në mesin e hoxhallarëve të arrestuar në gushtin e vitit 2014, në kohën kur policia e Kosovës kishte filluar të vepronte për t’i kapur të dyshuarit.

Qazimi ka një xhami jashtë juridiksionit të BIK-ut, e cila vepron në Gjilan. Një familjar i cili jeton në afërsi të “Xhamisë së Zeqës” tregoi se fëmijët e tij kur ktheheshin nga mësimet e asaj xhamie, luanin me thikat e kuzhinës në shtëpi.

“Po tybe vallahi n’trrej, kur ja nisën me shku thamë lej nasht se nashta msojnë naj sen, po kur ja nisën me lujt me thika, u çuditum thamë çka o kjo punë ku po dini ju kështu, thanë po na mësojnë te Xhamia” tregon një kryeplak i një shtëpie që gjendet afër xhamisë, i cili nuk deshi të identifikohej për publikun.

PRISHTINË, Kosovë - Tetor 2014 — Gjatë muajit maj 2012, Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj kishte shprehur mbështetjen për sirianët që luftojnë për të larguar presidentin Bashar al-Asad. Hoxhaj bëri të qartë në atë kohë se Prishtina ka ofruar mbështetje politike të opozitës siriane. (Foto: Laura Aggio)

PRISHTINË, Kosovë – Tetor 2014 — Gjatë muajit maj 2012, Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj kishte shprehur mbështetjen për sirianët që luftojnë për të larguar presidentin Bashar al-Asad. Hoxhaj bëri të qartë në atë kohë se Prishtina ka ofruar mbështetje politike të opozitës siriane. (Foto: Laura Aggio)

Kjo xhami gjindet tek lagjja e “Bllacëve”, në qytetin jug-lindor të Kosovës, në periferi të Gjilanit. Fondet me të cilat Hoxhë Zeqirja Qazimi e ka ndërtuar këtë xhami nuk janë verifikuar nga autoritetet. Më shumë se dhjetë familjarë me të cilët kam komunikuar, e fëmijët e të cilëve janë raportuar si të vrarë në Siri, kanë deklaruar se ata e njohin emrin e Hoxhë Zeqirja Qazimit, pasi që fëmijët e tyre e kishin zënë në gojë emrin e tij disa herë në shtëpi. Prindërit nuk e dijnë se ku janë kockat e fëmijëve të tyre, përveç që janë informuar siç kujtojnë ata: “Djali yt ka rënë shehid!” Disa nga familjarët ndjejnë se “Zeqa u ka borxh atyre fëmijët që ua mori në qafë!” E disa dhjetëra hoxhollarë që preferojnë anonimitetin, nuk kanë dëgjuar fjalë të mira për Zeqën. Nxënësi i tij i cili mësohet se ka qenë ‘Xhemat’ i Zeqës Hajrullah Aliu është arrestuar si një i dyshuar në mars të këtij viti nga autoritetet në vend, një tjetër nga Shteti Islamik Ridvan Haqifi i cili besohet se ka ndjekur mësimet në xhaminë e Zeqës, vazhdon të dërgoj porosi kërcënuese nga Shteti Islamik, e disa medie në Kosovë, nuk e kanë problem t’i transmetojnë këto porosi.

Megjithatë, i riu nga Gjilani me inicialet  A. H, në lagjen e Xhamisë së Zeqës kishte një hall! Ai dëshironte të ndante përvojën e tij me ne. Na tha se është nën urdhrin e gjykatës me arrest shtëpiak dhe përveç kësaj ai me çdo kusht na kërkoi që ta shënojmë këtë se, “asnjë nga ata që shkojnë për të luftuar në mesin e forcave ISIS në Siri, nuk mund të dalin të gjallë, pasi organizata ushtarake islamike ISIS, ua instalon një mjet shpërthyes në rripin e belit të gjithë të huajve!” Ai jep këshilla se si do të duhej të vepronte shteti i Kosovës me luftëtarët kosovarë në vendet arabe, në mënyrën e mëposhtme:

“Është e pamundur për të shpëtuar, pavarësisht pse thuajse të gjithë shqiptarët duan të arratisen. Qeveria në Prishtinë nuk duhet të ndjek penalisht, por të na ofroj mbështetje që të kthehemi në shtëpi, dhe sa për t’jua kujtuar të gjithëve, nuk është aq e lehtë për të ikur, sepse sapo të përfundoni në duart e ISIS, ata do të instalojnë një pajisje shpërthyese në belin tuaj, dhe në qoftë se ju do të përpiqeni për të dalur nga zona e kontrollit, druaj se ajo do të shpërthejë “, – tha ai dhe u largua larg nga dritarja e shtëpisë.

Tregimi i tij në kokën time krijoi situatë të ngjashme me situatën e magnetit të instaluar si alarm në rrobat e dyqaneve që i shesin ato, kur në momentin që merret rroba pa dijeninë e shitësve të autorizuar, sapo hedhësh hapat e këmbës nga dyqani, ndezet alarmi për të treguar se dikush ka vjedhur rroba!

Përpjekjet disaditore për të komunikuar me A. H., ishin të kota, dhe jo vetëm me atë, i cili ishte arratisur nga forcat ISIS, por me të paktën edhe dy të tjerë të cilët ishin arratisur (të dy këta besohet se kanë qenë nxënës të Zeqës!) por që kishin një urdhër-arresti shtëpiak, e të cilët i kishte kërcënuar shërbimi i fshehtë i vendit se nëse flasin me ne, ata nuk do të kalonin lehtë, gjë që kjo përbënte shkelje kushtetuese të lirisë së medias, për çfarë krijon edhe hapësirë të mjaftueshme për dyshimet që i përfshijnë edhe agjencitë e inteligjencës së vendit, të cilëve gjoja se të huajt po ua rekrutojnë rininë!

“Shumica e njerëzve në këtë lagje janë banorë të ardhur si pasojë e konflikteve matanë kufirit administrativ të Kosovës. Ata vijnë nga malet e Maqedonisë apo nga Lugina e Preshevës në Serbinë Jugore”, – tha një banor i Gjilanit, i cili punonte në një dyqan afër lagjes.

Megjithatë, rruga e angazhimit për terrorizëm ndërkombëtar ka një origjinë dhe gjetjet sygjerojnë se ajo po vjen edhe nga përtej kufiri juglindor i Kosovës, përkatësisht Maqedonisë dhe Serbisë, për çfarë autoritetet vendore, sigurisht se janë përgjegjëse, por edhe trupat e KFOR-it, e veçanërisht ato amerikane, që janë të mandatuara me përgjegjësi specifike për ruajtjen dhe kontrollin e kufirit juglindor të Kosovës.

FUND — Me pasaportat e disa kosovarëve të cilët nuk kishin vula hyrëse dhe dalëse në periudhat që ata akuzoheshin se kishin shkuar në Siri gjatë korrikut 2012; me Gencin që ka vetëm një vulë hyrjeje (pas deportimit nga Turqia për në Kosovë) në pasaportën e tij në Prishtinë; me Patriotin i cili thuhet se është vrarë në Siri që ka djegur pasaportën e tij në sytë e prindërve të tij për t’i bindur ata se ai nuk do të shkonte atje dhe me faktin se nuk ka nxjerrur një pasaportë të re; me Granitin i cili gjithashtu thuhet të jetë vrarë në Siri dhe me pasaportën e tij të konfiskuar nga policia siç pretendojnë prindërit; me Arbënorin i cili gjithashtu u raportua i vdekur në Siri dhe nuk ka asnjë informacion nëse ai ndonjëherë kishte ripërtërirë pasaportën e tij pasi policia ia kishte konfiskuar atë; me veprimtari pa etikë dhe standard profesional që disa medie kanë bërë në Kosovë, e cila duket se ka pasur qëllim për të mbuluar maskaradën qeveritare të Prishtinë… Me krejt këto gjetjet tona, faktet e grumbulluara në terren qartësojnë se autoritetet e Kosovës (të mbështetura nga disa prej medieve!), janë dokumentueshëm të dyshuar në krijimin e rrethanave lehtësuese për t’u zhvilluar një procedurë rekrutimi të kosovarëve për organizatat terroriste.

Është e frikshme kur autoriteti shtetëror dokumentueshëm dyshohet të jetë i përfshirë në shkelje të qëllimshme të privatësisë dhe të drejtave themelore të njeriut të garantuara nga kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë liritë e njeriut.

“Kur e drejta e publikut për tu informuar drejtë është e kërcënuar, dhe kur të drejtat e fjalës së lirë dhe të shtypit të lirë janë në rrezik, të gjitha liritë e tjera që neve na takojnë janë të rrezikuara,” thotë me të drejtë senatori amerikan nga Connecticut z. Christopher Dodd

Kosova, e cila gojarisht shpalli pavarësinë e saj për më shumë se 7 vjet, dhe doli nga një konflikt i armatosur me regjimin jugosllav të Serbisë për më shumë se 15 vjet; me një numër të madh të autoriteteve ndërkombëtare dhe vendore të zbatimit të ligjit të cilat kanë investuar në zhvillimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit; me politikanë të zhytur thellë në krim të organizuar; me Misionin Evropian për Sundimim e Rendit e të Ligjit (EULEX) të përfshirë në rastet e korrupsionit dhe koketimit me ‘peshqit e mëdhenj’; me një përqindje të lartë të normës tepër shqetësuese të papunësisë; me një cilësi jashtëzakonisht të ulët të arsimit parafillor, fillor, universitar e pasuniversitar; me një organizatë të policisë të dyshuar për përfshirje në veprime të paligjshme duke filluar nga ministrat që e drejtonin atë fushë të sigurisë; me një shoqëri civile e cila i përshtatet interesave të disa prej ambasadave të huaja që i kanë mbështetur në një mënyrë apo tjetër këto krime; me ‘dalje pa viza në Lindje’ e me dyer të blinduara në ‘Perëndim’, e të zezash të tjera të panumërta, duket se ky vend nuk jep shumë premtime; nuk siguron as parimet themelore të barazisë dhe drejtësisë për të gjithë pa dallim, pasi që përditë e më pak shihet një shans për tu ushqyer lirisht, përditë e më shumë po shndërrohet në një vend depresioni kolektiv dhe dëshpërim të thellë social.

Nëse këtu ka me të vërtetë terrorizëm, atëhere dikush duhet të ketë dështuar të zbatojë detyrimet e tij kontraktuese, ose duhet të jetë i përfshirë në një mënyrë apo tjetër për të krijuar rrethana lehtësuese për krejt këtë trishtim shoqëror, prandaj përgjegjësia është, mbetet dhe duhet të kërkohet në Administratën Qendrore të vendit. Ata janë përgjegjës, pati apo jo terrorizëm real në Kosovë apo situata e persona potencialë për të bërë akte të tilla!

NATO ndërhyri në vitin 1999 me 78 ditë sulme ajrore kundër Serbisë, duke u përpjekur për të ndalur masakrën dhe spastrimin etnik që po ushtrohej ndaj shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe të cilat kishin shkaktuar një kryengritje të gjerë në rajon.


Materiali vizual, është një galeri e fotografive dokumentare të realizuara nga Laura Aggio, fotografe Italiane. Ju lutem, shfletojini fotografitë me kujdes dhe përpiquni të lexoni përmbajtjen e fotografive pa i paragjykuar — © THEFrontliner.net — Qershor 2015

 


©THEfrontliner.net — Qershor 2015

©THEfrontliner.net — Qershor 2015

Teksti dhe Fotografitë janë e drejtë ekskluzive e THEFrontliner.net — Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ky material është i hartuar vetëm për përdorim personal dhe shpërndarje të lirë për lexuesit. Çdo riprodhim tjetër, publikim ose rishpërndarje komerciale e këtij materiali pa pëlqimin me shkrim të redaksisë është rreptësisht i ndaluar dhe çdo shkelje e këtyre rregullave apo të drejtave të autorit do të konsiderohet veprim i kundërligjshëm. | THEFrontliner.net — Qershor 2015

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY