Kosova dhe Mediat e Terrorizuara

SI U PENGUAN MEDIAT PËR TË KUPTUAR TË VËRTETËN LIDHUR ME TERRORIZMIN NË KOSOVË?

Në një përpjekje për të qenë dëshmitarë, për të dokumentuar dhe raportuar zhvillimet politike dhe sociale të cilat po e shqetësojnë mbarë botën, gazetari i pavarur Vedat Xhymshiti, në vitin 2012 kishte rrugëtuar në drejtim të Republikës Arabe të Sirisë.

Ai atje si gazetari i vetëm shqiptar kishte raportuar për revista e gazeta të rëndësishme evropiane dhe amerikane. Gjatë qëndrimit në kryengritjen paqësore të Sirisë e cila ishte përshkallëzuar në një konflikt të armatosur, Xhymshiti kishte takuar luftëtarë shqiptarë të cilët kishin shkuar për të luftuar përkrah forcave laike të Ushtrisë Çlirimtare të Sirisë. E shqiptarët më vonë kishin përfunduar në duart e grupeve të huaja të armatosura, të cilat kishin ardhur për ‘xhihadin islamik’ në Siri, por “këto grupe ishin themeluar pikërisht pasi sirianët laikë, kishin refuzuar të bashkërendoheshin me interesat e Perëndimit,” – dëshmon gazetari Xhymshiti, ku dy prej dëshmitarëve kryesorë, komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Sirisë ishin vënë në cak të vrasjeve të orkestruara – tregon ai mes të tjerash.

Sidoqoftë, gazetari Vedat Xhymshiti, së bashku me kolegen e tij, italianen fotografe Laura Aggio, kishin vendosur të takonin dëshmitarë dhe të bashkëbisedonin me thuajse të gjitha palët që ishin subjekt i zhvillimeve që llogariteshin si kërcënim për sigurinë në Kosovë, si dhe me palët të cilat kanë obligime kushtetuese për ta mbrojtur vendin nga këto kërcënime, temë kjo e cila e kishte bërë kurioz gazetarin Xhymshiti që nga viti 2013.

Kosova ishte terrorizuar, një ekip i gazetarëve të pavarur ishte përpjekur për të dokumentuar dhe hulumtuar se kush i krijoi rrethanat terroriste në Kosovë. Gjatë kësaj detyre të vështirë e fisnike, Xhymshiti dhe Aggio kishin qenë subjekt i përpjekjeve të frikësimit. Mjetet e tyre të transportit, ishin përballur me probleme teknike në më shumë se dy raste të ndara, me ç’rast kur ata kishin shkuar për të hapur rast në polici, dhe për të zbuluar se ‘kush ishte vënë në gjueti’ ndaj gazetarëve me akreditime ndërkombëtare, policia i kishte refuzuar përpjekjet e tyre për të denoncuar një krim të dyshimtë, një tjetër shkelje kjo e kryer nga organizata e policisë ndaj një stafi punonjësish ndërkombëtarë të medieve të pavarura. I kujtojmë Policisë së Kosovës se sipas Konventës së të Drejtave të Njeriut në Gjenevë, dhe rendit kushtetues në Kosovë, gazetarët duhet të trajtohen, si dhe ofruar mbrojtje dhe siguri brenda kornizës ligjore.

PERSEKUTIMI!

Tutje, gazetari Vedat Xhymshiti qëkur kishte filluar të verifikonte dyshimet e përfshirjes së disa grupeve të krimit të lidhura me disa qeveritarë në Kosovë të cilët dyshoheshin se ishin të përfshirë në krijimin e rrethanave lehtësuese për rekrutimin e të rinjëve në ISIS ishte vënë në cak të mekanizmave shtetëror. Ai gjithnjë ishte ndaluar dhe mbajtur në pikat kufitare të Kosovës sa herë që ai ka rrugëtuar jashtë ose brenda vendit.

Në Prill të këtij viti, përpara rrugëtimit të tij në drejtim të Londrës për të folur për zhvillimet në Siri në një konferencë ndërkombëtare të shkencave politike në universitetin e Birkbeck-ut, ambasada amerikane në Shkup i përgjigjet negativisht kërkesës së gazetarit Xhymshiti për vizë amerikane, duke e etiketuar gazetarin Xhymshiti si gjoja të përfshirë në mbështetje të grupeve terroriste, diçka që nuk është aspak për tu habitur, gjykuar nga fakti që administrata e Barak Obamës i ka shpallur luftë lirisë së medias duke e fundosur vendin nga 36 në 49 në indeksin e lirisë së medias të hartuar nga Reporterët Pa Kufij.

Ndërhyrja politike e qeverisë amerikane për ta shëndërruar gazetarinë kosovare nga një gazetari e cila duhej të ishte e paanshme dhe etike në një gazetari propagandistike dhe të njëanshme evidentohet qartë edhe me përpjekjen e tyre për të ndarë “çmime gazetarie” në adresë të gazetarëve me ndikim në Kosovë për të cilin veprim, gazetari Xhymshiti kishte shkruar një kritikë profesionale.

Vendimin etiketues të qeverisë amerikane, i cili shënon edhe veprimin e parë të Uashingtonit zyrtar në Ballkan kundër lirisë së medias janë duke e përcjellur me shqetësim edhe organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias dhe liritë njerëzore si dhe editor e redaktor me të cilët ka bashkëpunuar gazetari Xhymshiti në detyrat ndërkombëtare.

Duke e vlerësuar si një përpjekje serioze të cënimit të lirisë së medias, gazetari dhe editori zvicrran Charly Pache ka shkruar se kjo është një luftë e pa deklaruar ushtarake e qeverisë amerikane e llojit “nëse nuk je me mua, je me armikun” shkruan ai në një editorial kushtuar këtij rasti.

Organizatat siç janë RSF, SEEMO, IPI, Komiteti Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit dhe Amnesty International, me seli në Londër janë të njoftuar gjithashtu dhe duke e vëzhguar me shqetësim këtë veprim të qeverisë Amerikane, i cili kërcënon seriozisht lirinë e medias.

Në Kosovën e pasluftës janë likuiduar rreth tetë gazetarë, në mesin e të cilëve 3 të huaj, dy gjermanë dhe një serb. Katër vite pasi Kosova kishte shpallur pavarësinë, një gazetar i pavarur ishte përballur me një vrasje në tentativë. Një gazetar tjetër kishte gjetur vdekjen në një aksident të dyshuar komunikacioni. Për aktivitetin e tij gazetaresk dhe për përkushtimin e tij profesional, redaksia dhe organizatat e thirrura për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve në Kosovë nuk kanë sqaruar asgjë, pos shprehje të ngushllimeve ndaj familjarëve të gazetarit.

Mënyrat dhe format e presionit ndaj lirisë së medias nuk kanë të ndalur, ato sa vijnë e shtohen, derisa Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në Prishtinë, është tejet i dobët për shkak të mungesës së gatishmërisë për të vepruar gjithmonë në mbrojtje të lirisë së shtypit.

Dikur Kosova renditej e 80-ta nga 180 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, por kriza e sigurisë për gazetarët në vazhdimësi është duke e thelluar vendin nga viti në vit, duke e sjellur Kosovën shtatë vende më poshtë nga 80 sa ishte në vitin 2013. Kosova tani renditet e 87-ta për këtë vit, si pasojë e vazhdimësisë së shkeljes së lirive themelore të shtypit dhe fjalës së lirë, të cilat, janë të garantuara në mënyrë të shkruar me Kushtetutë, përkatësisht nga neni 40!


Sidoqoftë të dashur lexues, hulumtimi i emëruar KOSOVA E TERRORIZUAR është botuar në gjashtë vazhdime tek THEFrontliner.net -nga dita e Hënë, më 1 Qershor 2015.

Me respekt, THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY