Çështja kurde

Ndërkohë, militantët islamistë të ISIS-it kishin marrë në kontroll pjesë të mëdha të Irakut, përfshirë Mosulin, qytetin e dytë më të madh në Irak dhe i qenë sulur kryeqytetit, Bagdadit.

Dy Assad-ët, baba e i biri, për dekada me radhë ushtruan represion kundër kurdëve të Sirisë. Bile s’ua njihnin të drejtën as të shkruheshin si të tillë.

Kur shpërtheu Lufta Civile atje, një pjesë të madhe të meritave në moszgjerimin e opozitës – sidomos organizatave terroriste – në verilindjen kurde të Sirisë, pati edhe Këshilli Kombëtar Kurd dhe forcat e tij të armatosura, “Njësitë e Mbrojtjes Popullore”. Si shpërblim, qeveria qendrore i ka premtuar kurdëve se pas luftës do t’ia njohë autonominë e shpallur në zonën e tyre.

Autori Fitim Salihu | ©THE Frontliner

Autori Fitim Salihu | ©THE Frontliner

Në fqinjësi me Sirinë, në Irak, kurdët për shumë dekada janë ndeshur me politikat asimiluese e genocidiale të Sadamit. Pas ndërhyrjes amerikane, kurdët fituan Rajonin Autonom në veri të vendit (që e udhëheq Masud Barzani) dhe e kanë postin e Presidentit të Irakut (Fuad Masumi tani, Xhalal Talebani më parë).

Por, muaj më parë pati shpërthyer një grindje ndërmjet qeverisë qendrore të Bagdadit dhe qeverisë rajonale kurde në lidhje me kontrollin e burimeve të pasura me naftë në rajonet kurde të Irakut. Turqia ka pranuar që naftën e Kurdistanit irakian ta transportojë përmes naftësjellësit të portit të Xhejhanit edhe pa miratimin e qeverisë qendrore irakiane, gjë që jo vetëm ka zemëruar kryeministrin shiit Hajder al Abadin, por edhe ka tensionuar marrëdhëniet mes tij dhe kurdëve. Këta të fundit, madje kërcënonin edhe me ndarje nga Iraku.

Ndërkohë, militantët islamistë të ISIS-it kishin marrë në kontroll pjesë të mëdha të Irakut, përfshirë Mosulin, qytetin e dytë më të madh në Irak dhe i qenë sulur kryeqytetit, Bagdadit. Armata irakiane pësoi debakël në terren dhe sërish, ironokisht, sikurse në Siri, kurdët dalin mbrojtësit më të mëdhenj të shteteve ku jetojnë. Madje ata organizuan rezistencë edhe më të fortë sesa vetë armatat e rregullta të shteteve respektive. Peshmergat kurde (Peshmergat janë ish-kryengritësit kurdë në Irak që janë shndërruar në milici të rregullt pas krijimit të Rajonit Autonom Kurd më 2003; peshmerga, në gjuhën kurde do të thotë “ata që përballen me vdekjen”) ia kanë dalë që t’ia mohojnë xhihadistëve të ISIS-it depërtimin në Irakun verior, d.m.th. në zonat kurde. Madje, i dolën në ndihmë qeverisë qendrore edhe në mbrojtjen e Bagdadit dhe rikthimin e qyteteve të humbura – siç qe rasti i Kirkukut – si dhe strehuan mijëra refugjatë irakianë.

Pak më në veri, Turqia e Erdoanit e cila haptazi e fshehtazi përkrahte e furnizonte opozitën siriane (dhe jo vetëm FSA-në laike, por edhe grupet xhihadiste) rrezikon të gjendet përballë bumerangut. Pas dështimit të politikës së jashtme davutolliane të “zero problemeve me fqinjët”, Turqia mund të rrezikohet tani edhe prej “pëlcitjes së bretkosës të cilën e nxiste të bëhej ka”. Nëse bie rezistenca kurde në sagën e ISIS-it, atëherë destinacioni i radhës i këtyre të fundit padyshim që do të jetë vetë Turqia. Mu ajo Turqi që vetëm pak muaj më parë iu ofronte territorin, linjat ajrore, pikat kufitare, logjistikën e ndihmën ushtarake vetëm e vetëm për ta rrëzuar diktatorin Asad.

Në Turqi situata përshkallëzoi gjatë tetorit të vitit të kaluar, kur gjatë pak ditëve Erdoani vrau afër njëzet të rinj kurdë që protestonin kundër indiferencës së Ankarasë zyrtare karshi terroristëve të ISIS-it. Shkollat u mbyllën, ushtria doli në rrugë me tanke dhe gjithçka të përngjante me gjendje lufte. Në qytezën e Vanit protestuesit dogjën statujën e Ataturkut, në Dijarbakër (Amed) u panë disa kurdë me kallashnikovë, kurse në Stamboll e Ankara patën djegur gjithçka që i kish dalë përpara. Për më tepër, Abdullah Oxhallani, lideri historik i PKK-së kurde, nga ishulli-burg i Imralësë ku po mbahet nga autoritetet turke tash e gjashtëmbëdhjetë vjet, kishte kërcënuar Ankaranë zyrtare se do t’i ndërpres bisedimet paqësore dhe armëpushimin e PKK-së, në qoftë se Ankaraja vazhdon ta pengojë fushatën kundër ISIS-it në Kobanin kurd, në verilindjen e Sirisë.

Kësisoj, ironike apo jo, kurdët në dy shtete arabe po dalin paradoksalisht mbrojtësit më të suksesshëm të shteteve që i llogarisin si pushtuese të tyre. Bile më të suksesshëm sesa vetë qeveritë e Damaskut e Bagdadit. Koha do na tregojë se a do t’ia njohin kurdëve më pastaj të drejtën e shtetformimit këto qeveri arabe! Kurdët, për më tepër, po vendosen edhe si barrikadë para ekstremistëve sunitë, sikur duan t’i mbrojnë Turqinë e Iranin, dy shtete tjera këto ku kurdët autokton shtypen për çdo ditë.

Konstelacioni aktual i forcave në rajon nxjerr në pah domosdonë e revidimit të traktatit të famshëm “Sykes–Picot” (marrëveshja britanike-franceze e vitit 1916 mbi Azinë e Vogël), rishqyrtimin e traktatit të Sevrit të vitit 1920 (me ç’rast u njoh shteti i pavarur kurd, ndonëse i reduktuar) dhe riravijëzimin real të hartës së shteteve në bazenin Tigër-Eufrat.

Po ashtu, ridalja në skenë e kurdëve (sidomos pas invadimit amerikan të Irakut dhe Luftës Civile të Sirisë) shton nevojën e njohjes së të drejtës për vetëvendosje të popullit 30-40 milionësh kurd, i cili paraqet një nga grupet etnike më të mëdha në botë që akoma s’e kanë shtetin e tyre. Krijimi i Kurdistanit të pavarur në kufijtë e sotshëm të Turqisë juglindore, Sirisë verilindore, Irakut verior dhe Iranit perëndimor – shtoja kësaj pozitën nyjëtuese gjeografike dhe pasuritë natyrore me burime uji, naftë dhe gaz natyror të kësaj zone (pasuri këto aktualisht nën kontrollin turk, irakian e iranian) – padyshim që do t’i ndryshonte ndjeshëm rrjedhat e rrymat gjeostrategjike dhe gjeopolitike në Lindjen e Mesme, posaçërisht në Levant.

Zëri.info

Fitim Salihu, është përkthyes artikujsh, kapitujsh e librash shqip-anglisht dhe anglisht-shqip. Ai është studiues i spikatur i marrëdhënieve ndërkombëtare, neokolonializmit dhe filozofisë së historisë. Fitimi, shkruan editoriale dhe analiza politike. Ai një kohë të gjatë udhëhoqi organizatën studentore aktiviste "Klubi Politik i Studentëve" dhe vazhdimisht merret me qytetari aktive. Gjatë vitit 2015, ai punoi si redaktor për kulturë në të përditshmen Zëri.info në Prishtinë. Pos gjuhës amtare, flet rrjedhshëm edhe anglishten dhe mjaftueshëm spanjishten e turqishten.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY