Kur Qelbet Kripa, ç’pret nga Peshku?

Nisja e hetimeve pasoi pas një raporti të vitit 2011 nga raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty, i cili drejtoi gishtin ndaj kryeministrit të atëhershëm Thaçi, duke mos i përjashtuar kështu ish-kryengritësit e tjerë të afërt me të.

Qeveria e Isa Mustafës, ka përjetuar një presion të menjëhershëm nga Perëndimi që të marrin parasysh zbulimet dhe hetimin e krimeve të luftës.

Një grup i posaçëm i Bashkimit Evropian në detyrë në korrikun e vitit të kaluar ka nxjerrë rezultatet e një hetimi mbi akuzat se ushtria guerilase e Kosovës është e përfshirë në tregti me organe nga të burgosurit serbë të luftës dhe gjoja se i ka shitur ato në tregun e zi gjatë konfliktit të vitit 1998-‘99.

Deklarata e kryeprokurorit të ekipit special ndërkombëtar mes tjerash thotë se pa marrë parasysh se çfarë janë rrethanat që çuan në konfliktin e vitit 1998 –‘99, megjithatë, nuk ka asgjë që arsyeton faktin se dikush ka kryer krime të qëllimshme ndaj individëve të pafajshëm [lexo deklaratën].

“Çfarë ndodhi si pasojë e konfliktit nuk kishte qëllim për të mbrojtur Kosovën apo për të luftuar për liri. Përkundrazi, ky ishte një sulm brutal ndaj një pjese të rëndësishme të popullatës civile” thotë mes tjerash kryeprokurori Clint Williamson.

Nisja e hetimeve pasoi pas një raporti të vitit 2011 nga raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty, i cili drejtoi gishtin ndaj kryeministrit të atëhershëm Thaçi, duke mos i përjashtuar kështu ish-kryengritësit e tjerë të afërt me të.

Hashim Thaçi ishte një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që mori armët në fund të viteve 1990 për t’u çliruar nga sundimi i dhunshëm i Jugosllavisë së atëhershme nën udhëheqjen e njeriut të fuqishëm të Beogradit Slobodan Millosheviç, i cili nuk është dënuar për krime kundër njerëzimit në të gjithë Gadishullin e Ballkanit, por gjeti vdekjen e tij gjatë gjykimit në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, Hagë.

Serbia dhe pasardhësit e Millosheviqit (shokët e tij të ngushtë!), të cilët kishin luajtur një rol të rëndësishëm në spastrim etnik, vrasje masive dhe masakra kundër civilëve të pafajshëm në Jugosllavinë e asaj kohe, në vend të gjykimit, u shpërblyen me lirinë e lëvizjes në të gjithë tokën evropiane.

Kërcënimet ndërkombëtare

“Nëse Kosova nuk e krijon vetë Gjykatën, atë do ta bëjë OKB-ja dhe se marrëdhëniet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare mund të vihen në pikëpyetje!” kishte kërcënuar Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara Viktoria Nulland, pas një takim-korriku me presidenten e vendit në Prishtinë. 

Jo vetëm amerikanët, aty përveç unitetit të BE-së për t’i dhënë legjitimitet gjykatës speciale, veçmas ishte angazhuar edhe ambasadori holandez në Prishtinë Robert Bosch, vendi i të cilit i dha liri të përkohshme më 6 nëntor 2014, njërit prej liderëve serb Vojislav Sheshelj, i cili në fund të shkurtit të vitit 2003, i ishte dorëzuar Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY) nën aktakuzën e “tetë akuzave për krime kundër njerëzimit dhe gjashtë akuza për shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës për pjesëmarrjen e tij të dyshuar në një ndërmarrje të përbashkët kriminale” në ish Jugosllavi.

“Për Gjykatën Speciale duhet të votohet këtu. Nëse asaj i thuhet ‘jo’ këtu, atëherë kjo çështje do të transferohet në kompetencë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ky mund të jetë një rrezik shumë serioz. Ju nuk do të mund të fitoni asgjë me refuzimin e Gjykatës Speciale, përveç Tribunalit të OKB-së për krime lufte,” kishte thënë mes tjerash ambasadori holandez Robert Bosch, transmeton e përditshmja ‘Zëri’.

Kjo përpjekje e vazhdueshme e Perëndimit për ta aprovuar gjykatën në Kosovë, duket të jetë rezultat i përpjekjes për ta shpëtuar nga drapëri i akuzave ministrin e jashtëm Hashim Thaçin, pasi ai në vazhdimësi i ka shërbyer interesave njëanshmërisht Perëndimore, e këta të fundit nuk do të mund ta shpëtonin zt. Thaçi nga një gjykatë e krijuar nga Kombet e Bashkuara.

Opozita e Kosovës e cila përbëhet nga partitë AAK, LVV dhe NISMA kanë bërtitur shumë në hapësirat e ndryshme publike në Prishtinë, ca në parlament ca në foltore të ndryshme të konferencave për shtyp e disa prej tyre edhe nëpërmjet ekraneve televizive, duke bërë kështu zëdhënësin e krejt procesit politik, por duke dështuar të parandalojnë një proces i cili sipas tyre, qenka cënues i integritetit territorial të Kosovës, të cilin Kosova në fakt nuk e ka, pasiqë është e drejtë ekzkluzive e forcave të NATO-s, të cilët janë këtu mbi bazat e rez. 1244 të KS të OKB-së dhe Marrëveshjes së 10 Qershorit 1999.

Opozita e Kosovës tha se gjykata speciale është anti-kushtetuese, mirëpo nuk vepruan asgjë për ta mbrojtur kushtetutën.

E kuptojmë se ka qenë e pamundshme parandalimi i thuajse secilit proces politik në kuptimin legjislativ nga ana e opozitës pasi kapitalin politik me të cilin këta disponojnë brenda legjislativit ua pamundëson ndikimin në këtë vendimarrje, mirëpo është shqetësuese kur këta vazhdimisht paraqiten si kërcënues dhe premtojnë se do t’i parandalojnë proceset qoftë edhe nëpërmjet protestave dhe revoltave gjithnjë rezulton se nuk janë hiqgjë tjetër pos ‘elefantë prej letre’.

Opozita madje tha se ky proces është cënues i rendit kushtetues të Kosovës, por veprimi nëpërmjet aksioneve të ndryshme qytetare për t’i parandaluar këto procese pavarësisht pse është brenda rendit kushtetues, nuk po përdoret nga opozita.

Gjithnjë kur fjalët ‘rezistencë, kundërshtim, protestë, revoltë etj’ deklarohen nga partitë opozitare, për një moment këto fjalë duket sikur e humbin kuptimin e tyre të vërtetë, pasi ndodh plotësisht e kundërta. Ne e kujtojmë mirë se ‘opozita’ në Kosovë ka dëshmuar se është aty e këtu sa për të përmbushur ‘gjë-e-gjëzën’ e lojës kundërshtare. Teoritë e partive politike kujtojnë se opozita duhet të jetë aq e fortë sa dëshmueshëm të tregoj se janë aty për ta mbrojtur dhe ndryshuar të ardhmen e vendit, e këta vazhdimisht po krijojnë rrethana që lejnë të kuptojmë se pozita është e vetmja zgjidhje për vendin. Krejt kjo ka dëshmuar se opozita plotësisht angazhohet për të kontrolluar reagimet qytetare duke i kanalizuar ato në interesat e kapitalit partiak, nëpërmjet përmbajtjes ‘Përçaj e Sundo’, kështu Kosova nuk ka parë asnjë revoltë që nga ajo e marsit të vitit 2004.


Lexo më shumë: Nusja e Stabilitetit Politik në Kosovë!


Perëndimi dukshëm ka partneritet të fshehur me opozitën, e të hapur me pozitën, pasiqë e para në vazhdimësi ka shërbyer si vegël e kontrollit qytetar dhe e dyta vazhdimisht ka marr vendime të cilat kanë nxitur reagimet qytetare. Duket qartë se rregulli i pashkruar por i vepruar është që rotacioni i pushtetit në vazhdimësi të jetë në dorën e partive politike, por asnjëhere i qytetarëve.

Është po kjo opozitë që vazhdimisht ‘kërcënon’ me revolta qytetare për t’i kundërshtuar proceset politike, por protestat e tyre iu ngjajnë mbledhimeve të fushatave parazgjedhore, duke u përpjekur të përfitojnë kapital partiak kush më shumë e kush më parë, në këtë mënyrë bëhet edhe shfryrja e mllefit qytetar, pasi ata përfundojnë duke brohoritur parulla të shekullit XX, derisa ne jemi në shekullin XXI me rrethana dhe zhvillime krejtësisht të reja shpesh duke përfunduar edhe në takime të fshehta e publike me ambasadat e huaja.

Është vetë opozita që në vazhdimësi deklarohet se pozita e ka kapur shtetin, mirëpo i besojnë gjykatës kushtetuese, veprimtari kjo e cila ka lënë të nënkuptohet se gjykata nuk ka qenë e kapur, gjë që është jashtë logjikës.

Se kjo gjykatë do të aprovohej pa problem, i kishte rënë këmbanave që në muajin mars të këtij viti edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija, e cila i kishte thënë ‘Radio Evropës së Lirë’ se nuk do të ketë krizë të votave në momentin kur të vijë në votim themelimi i Gjykatës Speciale.

Sido qoftë, më 3 gusht deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro ndryshimit të amandamentit kushtetues, që i hapi rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Ndërkohë, opozita e cila kundërshtoi zëshëm gjatë ditës së 3 gushtit themelimin e Gjykatës Speciale, dëshmuan se zërat e tyre në foltore ishin thjeshtë retorikë e zakontë pasi ata nuk votuan kundër.

Nëse themelimi i gjykatës speciale me të vërtetë do të vënte në pikëpyetje përpjekjen çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, atëhere kemi të bëjmë me një pozitë qeveritare prej peshku, e cila ka një opozitë të kripur, për çfarë arsyeshëm komandanti austriak në ‘Vitin e Mbrapshtë’ të Kadaresë shprehet “kur qelbet kripa, ç’pret nga peshku!’.


Artikulli është btuar më 21 Gusht, për Gazetën JNK/BIRN

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY