Çfarë është duke bërë Turqia në Siri ?

Sipas të dyshuarve të tjerë të ISIS, të cilët do të përballen me gjyqin në Turqi, organizata kombëtare turke e inteligjencës ushtarake (MIT) kishte filluar kontrabandën e armëve, duke...

Një bombardues rus u rrëzua nga Turqia në luftën kundër ISIS! Çfarë është duke bërë Turqia në Siri ?

Duke premtuar një përgjigje të ashpër ndaj rrëzimit të një fluturake bombarduese ruse nga Turqia këtë javë, Presidenti rus Vladimir Putin i ka zbarkuar raketat tokë-ajër të njohura si S-400 në bazën ajrore Latakia të Sirisë, dhe fluturaket e tij po i vazhdojnë operacionet në këtë zonë. Por kjo përgjigje nuk ishte e mjaftueshme për të kënaqur disa në Rusi, e cila ka parë një derdhje të pikëllimit për vdekjen e një piloti të tyre në incidentin ajror, si dhe një tërbim mbi veprimet e Turqisë, e cila thotë se qëlloi fluturaken ruse SU-24 pasi ajo injoroi paralajmërimet e përsëritura që të tërhiqet nga hapësira ajrore turke. Rusia mohon se fluturakja bombarduese hyri në Turqi.

Raportet në mediet turke e përshkruanin incidentin si një pasojë e shkeljes së qartë të kufirit pasi fluturakja ruse ishte paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për t’u tërhequr nga hapësira ajrore turke. Të dhënat e radarëve të fluturimit të publikuara nga ushtria turke, tregojnë se fluturakja-bombarduese SU-24 kishte kaluar një pjesë të vogël të territorit turk pranë provincës siriane kufitare Idlib, dhe kryeministri turk Ahmet Davutoglu tha se ishte detyra e Turqisë që të mbrojë territorin e vet, edhe pse është më se e qartë se Rusia nuk i ka shpallur luftë Turqisë dhe se të dy fuqitë botërore tanimë të përfshira në një konflikt serioz besohet se qëndrojnë deklarativisht në luftë kundër terroristëve të mbështetur nga sauditët dhe toleruar nga SHBA-të. Një pilot i katapultuar rus ishte vrarë nga kryengritësit, ndërsa tjetri ishte shpëtuar të mërkurën, tha një zyrtar, raporton BBC.

Dallimi në qëndrime daton në fillim të përfshirjes së Rusisë në konfliktin në Siri, pasi pjesa më e madhe e sulmeve ajrore ruse besohet se kanë goditur kryengritësit të cilët po e kërcënonin presidentin Bashar al-Assad. Perëndimi ka thënë se Moska është e interesuar kryesisht në forcimin aleatit të saj në Siri. Putin e ka pranuar këtë, por ai ka argumentuar se e ka mbështetur Assadin pasi sipas tij, kjo është mënyra më e mirë për të luftuar ISIS-in, të cilët ai tha se paraqesin një kërcënim të drejtpërdrejtë për Rusinë. Media shtetërore ruse [rëndom si ato Perëndimore!], të cilat janë burimi kryesor i informacionit për shumicën e rusëve, e kanë portretizuar fushatën ajrore ruse si një veprim kundër ISIS-it dhe grupeve të tjera “terroriste” të cilat kërcënojnë stabilitetin e sigurisë dhe atë politik në Siri. Por, Perëndimi pavarësisht pretendimeve për mbështetjen e kryengritësve të moderuar, ata në fakt i kanë përmbytur ata që dikur njiheshin si “Ushtria Çlirimtare e Sirisë — UÇS”, proces ky dëshmitar i të cilit kam qenë unë gjatë kohës sa po raportoja për magazinën gjermane ‘Der Spiegel’ në Siri. Por, është fakt se ISIS nuk e kontrollon provincën e trazuar veriore të Sirisë, Alepon, dhe pavarësisht kësaj rusët kanë bombarduar këtë qytet duke lënë të vdekur qindra civilë, siç vlerësojnë raporte të paverifikuara.

Në tetor, fluturaket turke kishin rrëzuar një fluturake tjetër pa pilot, për të cilën një zyrtar amerikan kishte thënë se ishte rus, edhe pse Moska mohoi pronësinë. Një delegacion ushtarak rus thuhet se ka udhëtuar për në Turqi pas dy shkeljeve të hapësirës ajrore turke, për të kërkuar falje dhe për ta sheshuar çështjen.

Megjithatë, ky incident po ndodh pikërisht në javën kur presidenti francez Francois Hollande ka vizituar Uashingtonin dhe pritet të vizitojë Moskën, në kërkim të krijimit të një koalicioni të gjerë kundër ISIS. Ky veprim do të forconte kurdët dhe Assadin, prandaj duket të ketë shqetësuar presidentin turk Erdogan, i cili ka provokuar durimin rus, mbase duke pritur që rusët do të përgjigjen në një mënyrë emocionalisht të pakujdesshme, e cila veprimtari do të  provokonte një thellim të krizës në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit, përpjekje kjo për të parandaluar çdo mundësi të fuqizimit të kurdëve dhe dobësim të ISIS-it, përkrah të cilave qëndron shteti turk, siç rekomandojnë edhe gjetjet e poshtëshënuara.

Një luftëtar Kurd, pjesëtar i UÇS-së, bashkë me luftëtarë të tjerë duke patrulluar në rrugët e shkatërruara të qytetit të trazuar verior sirian, Aleppo. [Foto: Vedat Xhymshiti, për Der Spiegel]

Një luftëtar Kurd, pjesëtar i UÇS-së, bashkë me luftëtarë të tjerë duke patrulluar në rrugët e shkatërruara të qytetit të trazuar verior sirian, Aleppo. [Foto: Vedat Xhymshiti, për Der Spiegel]

LUFTA CIVILE SIRIANE DHE PËRFSHIRJA E KURDËVE

Raportet sugjerojnë se kurdët e Sirisë veriore, së bashku me kurdët e Turqisë dhe Irakut, kanë qenë në luftë me ISIS-in pasi këta të fundit e ngritën dhe e shpallën të ashtuquajturin Kalifatin e tyre. Ishin kurdët sirianë dhe shokët e tyre kurdë në Turqi të cilët ndihmuan për të shpëtuar Jezidët, pasi ata kishin ikur nga sulmet e ISIS, duke u strehuar në malet e Sinjar-it. Ishin kurdët sirianë dhe shokët e tyre në Turqi që çliruan qytetin Kobani nga ISIS. Por kurdët e Sirisë veriore nuk kanë qenë të përfshirë vetëm në bërjen e luftës. Ata kanë qenë gjithashtu të përfshirë në bërjen e paqes. Kurdët kanë krijuar strukturat e reja demokratike, kanë deklaruar kantone autonome; kanë ngritur shkollat, universitetet e spitalet.

Duket se ata janë frymëzuar nga Zapatistat e Meksikës, mijëra prej të cilëve u tërhoqën nga xhungla e Chiapas dhe së bashku me Mayan-ët krijuan një shoqëri të re e të lirë nga shtypja e autoriteteve meksikane. Me pak fjalë, kurdët veriorë sirianë kanë krijuar dhe janë duke jetuar një revolucion shoqëror. Nuk është çudi, pra, që Erdogan, i cili është në krye të Qeverisë së Turqisë, po bën gjithçka që mundet për të thyer kurdët, duke përfshirë edhe ofrimin e mbështetjes fshehtë të armikut kryesor të kurdëve, ISIS.

Në një artikull të kohëve të fundit të botuar në britaniken The Guardian, Profesori David Graeber i Shkollës Londineze të Ekonomisë “London School of Economics — LSE”, ka deklaruar se si “Kthimi në gusht, i YPG-së, ishte i freskët nga fitoret e tyre në Kobani dhe Gire SPI, ata janë gati për të kapur Jarablus, nga duart e ISIS, i cili formacion terrorist ishte duke e mbajtur qytetin e fundit në kufirin turk, të cilin kufi organizata terroriste e kishte përdorur për rifurnizim me armë, materiale dhe rekrutët e rinjë në kryeqytetin e saj në Raqqa. Pra, linjat e furnizimit të ISIS kalojnë direkt përmes Turqisë “. Kështu rekomandojnë edhe gjetjet në hulumtimin tim trevjeçar, të cilat tregojnë se dhjetëra shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria kishin fluturuar në drejtim të Turqisë pa pasur dokumente zyrtare të udhëtimit.

Komentuesit parashikuan se me humbjen e Jarablus nga ana e terroristëve edhe kryeqyteti i Kalifatit Raqqa do të pësojë së shpejti, por Erdogan reagoi duke e deklaruar Jarablus një “vijë të kuqe”: Nëse kurdët do të sulmonin, forcat e tij do të ndërhynin ushtarakisht – kundër YPG-së. Pra Jarablus mbetet në duart e terroristëve në këtë ditë, nën mbrojtjen faktike të ushtrisë turke, një vend anëtar i NATO-s.

SI PO E MBËSHTETË ISIS-in TURQIA?

Për më shumë se një vit Qeveria turke ka qenë duke e mbështetur në fshehtësi ISIS-in, por SHBA-të dhe NATO-ja, e kanë bërë një sy qorr për këtë, mes tjerash edhe për shkak të pozitës gjeopolitike të Turqisë dhe për shkak të miqësisë së zellshme të qeverisë në Uashington ndaj asaj Saudite. ISIS si një forcë e armatosur – megjithëse jo terroriste jashtë rajonit të Lindjes së Mesme, me shumë gjasa do të mundej shumë kohë më parë sikur të mos ishte mbështetja e Turqisë dhe disa prej fuqive Perëndimorenxitura nga Sauditët, të cilët janë logjistika kryesore financiare për ata.

Këtë vit, e përditshmja turke Zaman kishte raportuar se “..më shumë se 100.000 pasaporta të rreme turke” ishin dhënë për anëtarët e ISIS. Qeveria e Erdoganit, shtoi gazeta, “… ka qenë e akuzuar për mbështetje të organizatës terroriste duke e kthyer një sy qorr ndaj militantëve të saj, derisa ata po kalonin kufirin dhe madje edhe duke blerë naftën e saj.”

Bazuar në një raport të vitit 2014, Sezgin Tanrikulu, zëvendës kryetar i opozitës kryesore, Partia Republikane Popullore (CHP), ka thënë se terroristët e ISIS-it të cilët luftojnë në Siri pretendojnë se janë trajtuar në spitalet në Turqi.

Në janar, dokumentet e legalizuara zyrtare të ushtrisë turke kishin rrjedhur në internet, duke treguar se shërbimet e inteligjencës së Turqisë (MIT) ishin kapur në Adana nga oficerë ushtarakë duke transportuar raketa, mortaja dhe municione anti-ajrore nëpërmjet kamionëve “për nevojat e organizatave terroriste Al-Qaeda” në Siri.

Sipas të dyshuarve të tjerë të ISIS-it, të cilët do të përballen me gjyqin në Turqi, organizata kombëtare turke e inteligjencës ushtarake (MIT) kishte filluar kontrabandën e armëve, duke përfshirë edhe armët e NATO-s ndaj grupeve xhihadiste në Siri, në kohën e hershme të vitit 2011.

 

ISIS_Oil_Syria_Siri

Fusha e Arit të Zi ‘Al-Omar’ në Dier Ezzour të Sirisë, e cila kontrollohet nga ISIS

Turqia ka luajtur një rol të rëndësishëm në lehtësimin e trajtimit shëndetësor ndaj pjesëtarëve të ISIS duke përfshirë edhe: shitjet e naftës në tregun e zi. Burime të larta politike dhe të inteligjencës në Turqi dhe Irak konfirmojnë se autoritetet turke në mënyrë aktive e kanë ndihmuar ISIS-in për shitjen e naftës nëpër vend, me Perëndimin të cilët në vazhdimësi e kanë toleruar këtë. Verën e kaluar, një politikan i opozitës ka vlerësuar sasinë e shitjeve të naftës nga ISIS në Turqi në rreth 800 milion $.

Një linjë e qëndrueshme e furnizimit me armë nga CIA, vendet e Gjirit, dhe vetë Turqia është vënë në shërbim të vazhdueshëm për ISIS. Krejt kjo është dokumentuar plotësisht përmes analizës së numrit serik të armëve nga qendra e kërkimit të armëve në territoret e përfshira në konflikt me seli në Londër, [Conflict Armament Research — CAR], baza e të dhënave e të cilëve lidhur me tregtinë e armëve të paligjshme financohet nga BE dhe Departamenti Federal i Punëve të Jashtme në Zvicër. Në të vërtetë, CAR me seli në Londër, e ka dokumentuar programin e njohur të ndërmarrë nga CIA dhe Sauditët [të cilët e kanë pranuar publikisht që kanë filluar në vitin 2012] për të transferuar mijëra tonelata armatimi në drejtim të siç pretendohej kryengritësve të moderuar në Siri, por kjo rezultoi se në fakt programi i Uashingtonit dhe i Riyadit ka qenë i destinuar për armatosjen e luftëtarëve të ISIS-it.

Si material më i fundit evidentues [shih lidhjen në këtë cicërimë] është një artikull që raporton lidhur me një grup të përfshirë në bërjen e marrëveshjeve të armëve në emër të drejtuesve të Shtetit Islamik në Siri, duke përfshirë blerjen e FN-6 sisteme portative të mbrojtjes ajrore dhe armatime të tjera, të cilat ishin dërguar për ISIS në Siri përmes Turqisë, duke i transferuar paratë në llogaritë bankare turke.

Agresioni i Rusisë në Krime nxiti fuqitë perëndimore për të vendosur sanksione mbi Federatën e Rusisë deri në tërheqje të saj nga një territor ukrainas, i cili dikur ishte i Rusisë. Veprimi sanksionues ‘perëndimor’ ishte një tregues vendimtar në kërkesën e Perëndimit për ta pushuar mbështetjen ruse për forcat separatiste pro-ruse në Ukrainë. Megjithatë ‘lufta perëndimore’ kundër terrorizmit nuk duket të jetë aq e vërtetë sa në deklaratat e tyre në konferenca shtypi kundër ISIS-it, e cila forcë terroriste duket të jetë e themeluar dhe e financuar nga sauditët, së bashku me përfshirjen turke dhe klientë të tjerë perëndimorë. Lufta civile në Siri, nuk duket të jetë një luftë për çlirim, por një terren i përleshjeve të superfuqive, për të rritur ndikimet e mëtejshme, një përpjekje e zgjerimit politik dhe kontrollit të tregut mbi rrënjët e vjetra të urrejtjes ndaj bllokut lindor. Derisa trumbetues me ndikime serioze, tanimë kanë filluar të alarmojnë se njerëzimi gjindet në prag të një situate e cila mund të shënohet si numri III në natyrën e kalendarit romak, si vazhdimësi e asaj të dytës.


Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY