Si ta shpëtojmë Kadarenë nga Kadareja? [I]

Tabori tjetër, ndërkohë, mundohet që, duke identifikuar Kadarenë me pushtetin e Enver Hoxhës, të zhvleftësojë gjithë veprën e tij letrare.

Sa herë që afrohet dita kur përfaqësues të komisionit të Akademisë Suedeze dalin përballë shtypit botëror dhe nga zarfi nxjerrin emrin e autorit laureat të Çmimit Nobel për Letërsi, në mesin e opinionit publik shqiptar dhe më gjerë plas debati përreth mundësive të Ismail Kadaresë për të fituar ndoshta çmimin më prestigjioz në letërsi, atë të Nobelit.

Në të shumtën e kohës ky debat nuk është fare debat, por shkëmbim fyerjesh mes palëve të përfshira në përplasje. Palët e kyçura në këto piskama në të shumtën e kohës shpalosin pseudoargumente nga pozicione fundekry dogmatike. Kadare, i cili pa më të voglin dyshim është nga shkrimtarët më të mëdhenj (dhe mbase më i madhi) që ka dalë nga mesi i shqiptarëve (dhe ky nuk është aspak egzagjerim), është gjithashtu një personazh kontravers që në vete bart një mori potencash politike. Janë pikërisht këto potenca ato rreth të cilave gravitojnë përplasjet mes palëve të përfshira në atë që vetëm debat letrar nuk mund të quhet.

Shkodran Ramadani — © THE Frontliner

»Tabori tjetër, ndërkohë, mundohet që, duke identifikuar Kadarenë me pushtetin e Enver Hoxhës, të zhvleftësojë gjithë veprën e tij letrare.« Shkodran Ramadani

Sa herë që afrohet dita kur përfaqësues të komisionit të Akademisë Suedeze dalin përballë shtypit botëror dhe nga zarfi nxjerrin emrin e autorit laureat të Çmimit Nobel për Letërsi, në mesin e opinionit publik shqiptar dhe më gjerë plas debati përreth mundësive të Ismail Kadaresë për të fituar ndoshta çmimin më prestigjioz në letërsi, atë të Nobelit. Në të shumtën e kohës ky debat nuk është fare debat, por shkëmbim fyerjesh mes palëve të përfshira në përplasje. Palët e kyçura në këto piskama në të shumtën e kohës shpalosin pseudoargumente nga pozicione fundekry dogmatike. Kadare, i cili pa më të voglin dyshim është nga shkrimtarët më të mëdhenj (dhe mbase më i madhi) që ka dalë nga mesi i shqiptarëve (dhe ky nuk është aspak egzagjerim), është gjithashtu një personazh kontravers që në vete bart një mori potencash politike. Janë pikërisht këto potenca ato rreth të cilave gravitojnë përplasjet mes palëve të përfshira në atë që vetëm debat letrar nuk mund të quhet.

Përveç faktit se ai ishte shkrimtar i regjimit të diktaturës komuniste në Shqipërinë e Enver Hoxhës, disa nga qëndrimet më të përfolura politike të Kadaresë janë eurocentrizmi, katolikocentrizmi, antiislamizmi, orientalizmi etj. Janë mu këto elemente politike ato të cilat çajnë si sëpatë spektrin e opinionit publik rreth figurës së tij. Kjo çarje më pas edhe krijon shtegun për lindjen e debatit rreth Kadaresë.

Dy është numri i palëve kryesore që kundërpozicionohen përballë njëra-tjetrës në këtë betejë: eurocentrikët, katolikocentrikët, orientalistët dhe ata që kundërshtojnë këto paradigma mbi të arsyetuarit mbi botën.

Njëri tabor sulmon ashpër Kadarenë, kurse tjetri tabor luan avokatin e tij. Meqenëse vlerësimi për validitetin botëkuptimor të këtyre sistemeve të dijes kërkon hapësirë të veçantë për ta shtruar si çështje, ky shkrim synon që të argumentojë se debati politik rreth figurës së Kadaresë është irrelevant në raport me veprën e tij letrare.

Siç edhe thamë më lart, dy janë palët që përfshihen në këtë përplasje. Që të jemi më korrektë, kemi për obligim të përmendim faktin se në mesin e atyre që flasin për Kadarenë ka edhe nëngrupe dhe individë që i ikin kësaj dikotomie të dhunshme: “Për” apo “Kundër” Kadaresë. Para së gjithash dhe më e rëndësishmja, duhet ta kemi të qartë se nënshtrati në të cilin ngriten këto dy pozicionime ka natyrë politike. Kjo dikotomi ka karakter imponues, për shkak që synon të na detyrojë të marrim pozicion strikt në këtë ndarje, dhe karakter rrënues për shkak që synon të rrëzojë muret midis Kadaresë si shkrimtar dhe Kadaresë si intelektual dhe aktivist politik. Kjo çarje arbitrare priret të vret impulset që mëtojnë të kalojnë kufijtë e vendosur dhunshëm nga sëpata e dikotomisë dhe përmes logjikës së saj homogjenizuese ajo mundohet të asimilojë me llavën e saj të gjitha elementet heterogjene që vibrojnë në mesin e diskutuesve dhe atyre që flasin rreth Ismail Kadaresë, por që refuzojnë të përfshihen në arenën e dyluftimeve.

Kjo ofensivë orvatet që të mbytë qasjen pluraliste dhe të zbojë nga horizonti publik të gjithë ato argumente që refuzojnë t’i përshtaten skeletit dikotomik. Struktura dikotomike gjithmonë ka qenë e natyrës autoritare dhe totalizuese. Vetë origjina e kësaj fjale ka kuptimin e çarjes, ndarjes të së Tërës. Mirëpo, edhe pse e Tëra pëson frakturë, gjurmët e logjikës totalizuese transferohen, deponohen dhe ruhen në dy degët e krijuara nga kjo thyerje dhe ato mbetje më pas kryengriten sikur instinkti i ndrydhur tek aparati psikologjik i skicuar nga Sigmund Freud. Domethënë, spektri i totales ende ndjekë si fantazmë dy degët e lindura nga ndarja e së Tërës. Fantazma e së Tërës është në kërkim të gjetjes së mbetjeve mortore të së Tërës në degët e krijuara nga vdekja e saj, ngjashëm me “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur” që kërkon eshtrat e ushtarëve të tij të vdekur. Kështu, disi prirja totalitare ia del që të rigjenerohet dhe të shfaqet përsëri përmes trysnisë dhe imponimit që na shtyen neve të marrim pozicion strikt.

Kjo logjikë neve na situon në një mjedis totalitar. Debatuesit e përfshirë në luftën pro dhe kundër kështu biejnë në grackën të cilës ata mundohen t’i ikin: diktaturës. Tabori apologjet i Kadaresë mundohet që kinse nga prizmi liberal ta shpëtojë Kadarenë duke thënë se ky i fundit nuk ishte shërbëtor i sistemit komunist në Shqipëri, por ishte disident, në rastin më të mirë, dhe jokonformist i heshtur në rastin më të keq. Por, gjithsesi, kjo palë mundohet që ta shpëtojë Kadarenë përmes thirrjes në vlerat liberale dhe përmes identifikimit të tij me idealin e lirisë dhe refuzimit të tij prëballë regjimit të hekurt enverist. Tabori tjetër, ai sulmues ndaj Kadaresë, ndërkohë, përpiqet ta paraqesë Kadarenë si shërbëtor të regjimit dhe në pako me këtë supozim kërkon nga ne që ta braktisim dhe bojkotojmë “Kadarenë shkrimtar”, gjegjësisht veprat e tij letrare. Ai që gjithë kohën pëson nga ky pluhur i ngritun nga vrapi i atyre që, në njërën anë, sulmojnë Kadarenë dhe nga këmbëngulja e atyre që, në anën tjetër, përpiqen ta mbrojnë nga këto sulme është “Shkrimtari Kadare.”

Tabori apologjet i Kadaresë është gjithmonë në përpjekje për t’ia fshehur dhe minimizuar Kadaresë veprimtarinë e tij dhe privilegjet në regjimin e Enver Hoxhës, kurse pala tjetër mundohet t’i nxjerr në pah dhe madje t’i ekzagjerojë ato. Pikëtakimi i këtyre kampeve ndodh brenda idesë se “Shkrimtari Kadare” nuk mund të jetojë me “Kadarenë politik”. Ata që ia mbulojnë të kaluarën politike e bëjnë me qëllimin që ta shpëtojnë Kadarenë si shkrimtar. Kjo përpjekje në fakt kryen atë të cilën kjo përpjekje synon të pengojë në parim: atentatin mbi veprën letrare të Kadaresë. Kjo sepse, sipas kësaj logjike, Kadare është asgjë, një hiç i madh nëse historia e nxjerr atë si shërbëtor të regjimit enverist. Pra, për ta, vepra letrare e Kadaresë nuk është e vetëmjaftueshme dhe është e varur nga veprimtaria e tij politike. Nëse ai ka qenë në anën e padrejtësisë historiko-politike, vepra e tij mbetet lakuriq dhe madje shembet e tëra në kotësinë e saj, prandaj – thonë ata në heshtje – ne duhet të kamuflojmë të vërtetën e tij politike në mënyrë që të shpëtojmë nga rënia kështjellën e tij të letërsisë.

Tabori tjetër, ndërkohë, mundohet që, duke identifikuar Kadarenë me pushtetin e Enver Hoxhës, të zhvleftësojë gjithë veprën e tij letrare. Kjo palë, figurativisht, përmes pushtetit që Kadare gëzonte në regjimin e Enver Hoxhës, vendos që ta vendosë “Shkrimtarin Kadare” para çetave të pushkatimit dhe t’ua vëjë flakën të gjitha letrave, poezive, rrëfimeve dhe librave të shkruar, që është vendim hiç më pak se totalitar dhe diktatorial. Edhe për palën sulmuese, ashtu si për palën mbrojtëse, “Shkrimtari Kadare” nuk mund të mbijetojë pa “Kadarenë politik”. Kësisoj tabori sulmues dhe mbrojtës na dalin si dy anë të së njëjtës monedhë. Në botën e kësaj pale, Kadare u ngjan të rinjve që dështojnë të braktisin shtetin shqiptar në librin “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”. “Shkrimtari Kadare”, ashtu sikur shumë të rinjë të vrarë nga rojet kufitare, dështon të arratiset nga “Kadare politik”. “Shkrimtari Kadare” futet në qerthullin e “Kadaresë Politik” dhe jeton si një i burgosur në qeli pa pasur mundësi të lulëzojë si shkrimtar. Nganjëherë kur dikush provon ta shpërblejë “Shkrimtarin Kadare”, ky tabor u dërgojnë letra dhënësve të çmimit që të mos bëjnë diçka të tillë.

“Sekretariati i Përgjithshëm” i kësaj pale kështu mundëson ndërtimin e një mjedisi totalitar në të cilin “Politikani Kadare” kontrollon, mbikëqyr dhe dekurajon të gjitha ëndërrat që fshihen në tekstet e “Shkrimtarit Kadare” dhe përmes kësaj ata rishkruajnë “Pallatin e Ëndërrave” të Kadaresë, në të cilin regjimi totalitar përpiqet të kontrollojë çdo ëndërr. Kjo godinë totalitare e “Kadaresë politik” synon të disiplinojë dhe shpërbëjë çdo impuls ëndërrimtar që skutohet nëpër librat e Kadaresë, në mes të rreshtave të tyre. “Shkrimtarit Kadare” i ndodh ajo që i ngjan Marias tek “Nata me hënë” e Kadaresë, ku punëtorët e një fabrike, të cilët janë të gjithë në shërbim të strukturave politike të shtetit, komplotojnë kundër saj dhe i shkatërrojnë asaj gjithë jetën personale. Kjo palë, gjithashtu, sikur pala e parë, rezonon prej prizmit liberal, por kësaj radhe për ta kritikuar Kadarenë. Mirëpo, përkundër dëshirës së tyre për të qenë liberalë, ata në diskursin e tyre inxhinierojnë një burokraci kafkiane që gëlltit “Shkrimtarin Kadare”, e cila i djegë librat e tij dhe e cila personazhet e Kadaresë, me të gjitha ëndërrat dhe dëshirat e tyre, i dërgon në Gulaget e ndërtuara enkas për ta. Kjo palë kështu ia rrëmih varrin vetes dhe bëhet një me objektin e saj të kritikës, me diktaturën.

Kafka dikur kërkonte prej mikut të tij të dashur, Max Brod, që të digjte çdo dorëshkrim, letër, dokument, fletore që mbante gjurmë nga dora e tij. Kafka ishte dëshpëruar aq shumë me jetën, sakaq kërkonte me ngulm që të vriste çdo gëzim, gjallëri dhe puls lumturie që buronte në veprat e tij madhështore. Ai kishte djegur një pjesë të opusit të tij letrar dhe me këtë rast Kafka kreu një tentimvrasje mbi karakterin e tij si shkrimtar. Ai mund ta kishte vrarë veten si shkrimtar edhe sa ishte gjallë dhe ky fakt përbën argument që vë në dukje se ekziston një shkëputje në mes të shkrimtarit dhe personit politik, ose së paku na tregon se shkrimtari nuk mund të kufizohet brenda kornizës së personit politik, se lidhja mes këtyre dyve nuk është qenësore. Shkrimtari arrin t’i mbijetojë politikanit edhe në qoftë se krijohet iluzioni se ky i dyti ka kontroll të plotë mbi të parin. Kjo për shkak që shkrimtari është vetë gjuha e cila me fluiditetin e saj arrin t’i shpëtojë shtrëngesave të kontekstit edhe përkundër faktit se gjuha është shpesh peng i trurit të rrjetit të pushteteve.

Jacques Derrida shkruante se mungesa e autorit është kusht i domosdoshëm për mbijetesën e gjuhës. Ai madje thotë se kjo ndodh krejt natyrshëm, sepse “të shkruash do të thotë të tërhiqesh prapa, të mos banosh brenda tekstit, por ta braktisësh atë. Autori arratiset nga teksti dhe ikë sa më larg tij. Të jesh poet do të thotë të dish si të braktisësh tekstin, ta lësh tekstin të flet vetë dhe ta lësh tekstin që të arratiset. Të braktisësh të shkruarit do të thotë të jesh aty vetëm në mënyrë që të bësh rrugën përmes të cilës ikë teksti nga autori, ose anasjelltas”. Dhe kjo ndodh me apo pa dëshirën e autorit sepse gjuha refuzon të mbetet rob i autorit. Kështu ndodh edhe me veprat e Kadaresë. Ato refuzojnë të mbeten peng të autorit fizik, historik e politik të Kadaresë. Gjuha dhe tekstet e tij refuzojnë të limitohen në kontekstin në të cilin ato lindën. Ato transhendojnë kufijtë që përpiqen t’ia ngulfasin pulsimin e zemrës. Prandaj vepra e tij, larg nga konteksti ku lindi, çmohet dhe vlerësohet deri në superlativ. Një numër i madh institucionesh dhe institutesh kanë ndarë çmime për veprën e tij. Gazeta Le Monde në listën e saj për 100 librat më të mirë të shekullit XX, librin e Ismail Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” e renditi në vendin e 73-të. Janë me dhjetëra çmime tjera prestigjioze të ndara për të. Kadare vazhdon edhe sot të shkruajë me një elan rinor dhe talenti i tij prej letrari nuk do të resht së shpërblyeri me çmime të tilla prestigjioze.

Pi]

Shkodran Ramadani, është autor i rregullt tek 'THE Frontliner'. Ai është student i Universitetit Publik 'Hasan Prishtina' në Prishtinë, në fushën e Sociologjisë në nivelin MA. Shkodrani është i interesuar në interpretimin dhe anilizën filozofike të zhvillimeve politike në shoqërinë shqiptare dhe atë të huaj.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY