Si ta shpëtojmë Kadarenë nga Kadareja? [II]

Në këtë pjesë do të shkruaj për mungesën e guximit të Kadaresë për t’u rrëfyer për të bëmat, flirtimet, romancat, bashkëpunimet e tij me regjimin e Enver Hoxhës.
»Në këtë pjesë do të shkruaj për mungesën e guximit të Kadaresë për t’u rrëfyer për të bëmat, flirtimet, romancat, bashkëpunimet e tij me regjimin e Enver Hoxhës« Shkodran Ramadani

»Në këtë pjesë do të shkruaj për mungesën e guximit të Kadaresë për t’u rrëfyer për të bëmat, flirtimet, romancat, bashkëpunimet e tij me regjimin e Enver Hoxhës« Shkodran Ramadani

Kadaresë i duhet një prift për t’u rrëfyer

Ismail Kadare, siç e thamë edhe në pjesën e parë të këtij shkrimi, është një figurë kontraverse e cila bart një mori problemesh politike dhe e cila ka ngjallur debate të shumta në mesin e kritikëve dhe apologjetëve të tij. Përderisa në pjesën e parë të shkrimit u munduam që t’i mëshojmë sëpatë iluzionit se “Shkrimtari Kadare” është peng i pashpresë i “Kadaresë Politik”, në pjesën e dytë do të shkruajmë për mungesën e guximit të Kadaresë për t’u rrëfyer për të bëmat, flirtimet, romancat, bashkëpunimet e tij me regjimin e Enver Hoxhës. Nga kush apo nga çfarë ka frikë ai?

Ismail Kadare para disa ditëve pranoi se kritikat dhe ofendimet që ai i kishte lëshuar në drejtim të Gjergj Fishtës ishin të gabuara. Në njërin nga shumë shkrimet e Kadaresë në shërbim të Partisë së Punës dhe regjimit komunist më 13 janar, 1974: (‘Realizimi socialist – arti i madh i revolucionit’ në gazetën: ‘Zëri i Popullit’) ai e kishte quajtur “filoitalian të papërmbajtshëm, emisar të pushtimit fashist, partizan të çkombëtarizimit” dhe për fat të keq të atyre që Kadarenë mundohen ta nxjerrin si liberal, Kadareja nuk nguroi t’ia afishojë Fishtës edhe një tiketë që nga Kadare përdoret në konotacion negativ: “kryeliberal dhe kozmopolit i tërbuar”. Kjo fjali ka saktësi deri në një masë sepse dihet se Fishta ka qenë bashkëpunëtor i pushtuesve fashistë italianë, por nuk ai nuk ishte liberal e as nuk ishte kozmopolitan.
Ditë më parë ai pra tha gjykimet e tij mbi Fishtën ishin të gabuara, por nuk e di se për cilat gjykime ai mendon se ishin të gabuara. Në të njëjtin shkrim Kadare sulmon ashpër edhe Fadil Paçramin dhe Tod Lubonjën duke i shpallur si antishqiptarë dhe nga ta nuk dëgjuam nga ai që të kërkojë falje. Ai nuk kërkon falje as nga Fatos Lubonja dhe as nga të gjallët tjerë ndaj të cilëve ai kreu shumë mëkate. Ai nuk kërkon falje as nga shumica dërrmuese e shqiptarëve muslimanë nga të cilët paturpësisht kërkon që ta ndërrojnë fenë. Ai nuk kërkon falje as nga refugjatët e krizës së vitit 1997 të cilët ai i ofendoi rëndë dhe këtë e bëri nga kolltuku i tij në Francë. Mos të harrojmë, ai iku në Francë si një refugjat ose edhe si një azilant politik të cilit nuk i kishte mbetur vend pas rrëzimit të regjimit tek i cili Kadare gjeti prehje, pushtet dhe privilegje. Ai duhet të kërkojë falje edhe nga ata që mbesin të përjashtuar nga paradigma e tij e eurocentrizmit dhe nga orientalët të cilët ai i dehumanizon. Nëse ka vendosur që të ndjekë shembullin e Ivo Andriqit, atëherë atij i dëshirojmë çdo të mirë!

Ta kemi të qartë, Kadare politik është dikush që nuk meriton të mirret shumë seriozisht. Ai është person që ka turp nga e kaluara e tij, të cilin e bren ndërgjegja dhe që asnjëherë nuk pati guximin intelektual e moral të rrëfehet për të kaluarën e tij, që ta pranojë se ishte shërbëtor i regjimit enverist. Ai, poashtu si kritikët e tij, ka frikë se mëkatet e tij politike e vrasin atë si shkrimtar. Ai edhe pse kërkon nga ne që të konvertohemi në Krishtërim, refuzon që të praktikojë Krishtërimin, të rrëfehet për mëkatet e tij. Michel Foucault thotë se Krishtërimi është religjioni i rrëfimit dhe Kadare deri tash ka refuzuar që të futet në kabinën e rrëfimit. Kadare refuzon ta praktikojë Parrhezian, koncept i lashtë grek dhe të cilin Michel Foucault e përmbledh kështu:

“Pra e shihni, Parrhezian është dikush që rrezikon. Sigurisht, rreziku nuk është gjithmonë rrezik për jetën. Në jetën publike Parrhezian është ai që rrezikon popullaritetin e tij për shkak që ai thotë diçka që mund të tërbojë njerëzit. Kështu, Parrhezia është e lidhur me guximin përballë rrezikut: kërkohet guxim për t’u thënë e vërteta në një mjedis kërcënues. Dhe në formën e saj ekstreme, Parrhezia mund të vëjë në lojë jetën dhe vdekjen. Parrhezia është praktika përmes të cilës folësi shpalos me çiltërsi relacionin e tij me të vërtetën, edhe nëse i duhet të kalojë nëpër rrezikun për jetë, edhe nëse i duhet të përballet me kritikë të shumtë. Parrhezia është një aktivitet verbal ku folësi tregon për relacionin e tij me moralin publik.”

Parrhezia është versioni sekular i rrëfimit të krishterë ose anasjelltas dhe Kadare para se të kërkojë nga ne që të konvertohemi kolektivisht në Krishtërim, më saktësisht në Katolicizëm, bën mirë që së pari ai vetë të jetë i krishterë, të bëhet një i tillë dhe të rrëfehet për mëkatet e tij. Soren Kierkegaard thoshte se mëkatet janë ato që neve na bëjnë njerëz unikë dhe të cilët neve na vendosin në kontakt me autenticitetin. Ai gjithashtu duhet të pranojë një varg mëkatesh tjera: eurocentrizmin, orientalizmin, provincializmin etj. Vetëm atëherë ai mund të llogaritë në faljen e të tjerëve. Ndoshta Kadare po kërkon të konvertohemi në Krishtërim në mënyrë që ta falim atë pa na kërkuar falje sepse Krishtërimi është fe e mëshirës. Rrëfimi i krishterë në fillim bëhej në pjesët publike të kishave, por më pas ai mori trajtën e rrëfimit në hapësirat private dhe sekrete të kishave. Kadare duhet që të praktikojë modusin e parë të rrëfimit, të atij në publik, të rrëfehet para nesh. Më keq se e kaluara e tij është vetëm heshtja përballë kësaj të kaluare. Rrëfimi bën mirë. Rrëfimi hap një shteg përmes të cilit mund të mbërrijmë tek shëlbimi. Por Kadare ka zgjedhur rrugë qorre, rrugë e cila nuk e dërgon askund.

Megjithatë, për ta përmbyllur, Kadare nuk është i vetmi shkrimtar, figurë, regjisor a filozof i cili ka qenë bashkëpunëtor apo përkrahës i regjimeve të ndryshme gjatë historisë. Shkrimtarë të ndryshëm gjatë historisë kanë qenë oborrtarë të mbretërive të ndryshme, brutale e më pak brutale. Martin Heidegger ka qenë anëtar me letra i Partisë Nacional-Socialiste të Hitlerit dhe personi i tij publik do të mbetet gjithmonë i njollosur, por në të njëjtën kohë mbetet njëri prej filozofëve më të mëdhenj në histori dhe mbase më i madhi i shekullit XX edhe pse vdiq pa kërkuar falje. Gabriel Garcia Marquez ishte mik i ngushtë me Fidel Castron, ndërkohë që regjisorë të shumtë rusë në kohën e Bashkimit Sovjetik si Tarkovski, Eseinstein, Mikhalkov (ky i fundit kishte lidhje të fuqishme me regjimin komunist sovjet) gëzonin privilegje të shumta.

Veprat e tyre filozofike, artistike, librat e filmat mbeten imunë përballë kontaminimit politik të autorëve. William Faulkner dhe në veçanti Charles Dickens kishin elemente raciste në librat e tyre, por ata mbeten ndër shkrimtarët më të mëdhenj që njeh bota. John Locke kërkonte që skllavëria të rregullohej me ligj dhe vetë zotëronte skllevër, por filozofia e tij tejkalon aktivitetin e tij politik dhe ai mbetet njëri ndër kampionët e liberalizmit. Etërit themelues të SHBA-ve të gjithë zotëronin skllevër, por praktika e tyre nuk arriti të vrasë frymën e lirisë që kishte filluar të mbushte mushkëritë amerikane përmes shpalljes së pavarësisë nga ana e tyre. Nietzsche ishte mizogjin, por është e pamundur që jehona e tij të kufizohet aty.

Jo se dua ta fus Kadarenë në mesin e këtyre emrave gjigandë, por vetëm po dua të nxjerr në pah faktin se megjithatë ekzistojnë dallime në mes të filozofisë, artit, letërsisë, filmit dhe konteksteve në të cilat lindin ato. Kadare ka qenë shërbëtor i regjimit enverist dhe për këtë ne duhet ta gjykojmë politikisht atë, por atentati mbi veprën e tij letrare për shkak të aktivitetit të tij politik jo që është i padrejtë, por edhe i pamundur. Letërsia u shpëton gjithmonë këtyre atentateve. Nuk mund të digjen letrat, poezitë, tregimet, rrëfimet e romanet që veç digjen në flakët e dashurive, përjetimeve dhe emocioneve në fjalët e shkrimtarëve mjeshtëra.

Pi]

Shkodran Ramadani, është autor i rregullt tek 'THE Frontliner'. Ai është student i Universitetit Publik 'Hasan Prishtina' në Prishtinë, në fushën e Sociologjisë në nivelin MA. Shkodrani është i interesuar në interpretimin dhe anilizën filozofike të zhvillimeve politike në shoqërinë shqiptare dhe atë të huaj.

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY