Përvjetori dhe vitet e intervenimeve

Në pushtimin e Millosheviqit po vdisnim më shpejtë por nuk ishim aq të sigurtë nëse po vdisnim, sepse sa më shumë që e njihnim armikun, aq më tepër rezistenca rritej.

Sot, vendi më i varfër, më i korruptuar dhe më i izoluar në Evropë shënon përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, i cili veprim kishte për qëllim për të ndalur spastrimin etnik dhe vrasjen masive të shqiptarëve, nga “i forti i Beogradit,” Sllobodan Millosheviq.

24 Marsi, shënon përvjetorin gjashtëmbëdhjetë kur NATO filloi luftën kundër Armatës Jugosllave të Serbisë. Ky intervenim ndaloi deportimin e shqiptarëve në vitin ’99, por jo edhe atë në  mes të dhjetorit 2014 dhe shkurtit 2015, kur mbi 5% e qytetarëve të Kosovës, ishin detyruar të largoheshin në mënyrë masive nga vendi si pasojë e krimit dhe korrupsionit.
»Siguria e gazetarëve në Kosovë është në një pikëpyetje serioze, ne duhet të shqetësohemi të gjithë, pasi në Kosovën e pasluftës nëntë+1 anëtarë të personelit mediatik janë vrarë ose raportuar si të vdekur në rrethana të dyshimta« Vedat Xhymshiti

»Siguria e gazetarëve në Kosovë është në një pikëpyetje serioze, ne duhet të shqetësohemi të gjithë, pasi në Kosovën e pasluftës nëntë+1 anëtarë të personelit mediatik janë vrarë ose raportuar si të vdekur në rrethana të dyshimta« Vedat Xhymshiti

Pas intervenimit të NATO-s në Kosovë, ne i kemi të gjitha. Ne u pushtuam nga Perëndimi një psuhtues më i avancuar. Në pushtimin e Millosheviqit po vdisnim më shpejtë por nuk ishim aq të sigurtë nëse po vdisnim, sepse sa më shumë që e njihnim armikun, aq më tepër rezistenca rritej. Nën pushtimin e oligarkëve ‘miqësor’, ne po vdesim por po vdesim ngadalë dhe sigurtë. Si të jetojmë kur sëmuremi dhe nuk kemi para për t’u kuruar; kur kemi dije, por nuk kemi ku ta shprehim atë; kur kemi shkolla, por ato nuk na mësojnë; kur kemi universitete por ato na diplomojnë; kur kemi gjykata, por ato i shërbejnë krimit; kur kemi të rinjë, por ata rekrutohen për të vrarë e prerë të rinjët e tjerë; kur kemi fabrika por ato janë bërë stalla lopësh dhe supermarkete e theqafje të zhytura në pluhur dhe dryshk; kur kemi media por ato [me shumë pak përjashtime!] i shërbejnë rrjetit të mafias që u pasuruan mbi shpinën tonë; kur kemi Teatro, por aty luajnë politikanë e diplomatë; kur kemi zgjedhje, por ne nuk mund të zgjedhim; kur kemi liri, por atë nuk mund ta jetojmë.

Për Shtetet e Bashkuara, Kosova është një vend strategjik. Ajo është myslimane, por vetëm në mënyrë të moderuar, vendi është afër Rusisë dhe i pozicionuar në një korridor të botës së ngarkuar me energji. Kosova është ndër vendet e pakta që e ka mbështetur pushtimin amerikan të Irakut në fillim të vitit 2003, i cili pushtim shkaktoi vdekjen e më shumë se 2 milion civilëve të pa-armatosur dhe të pa-mbrojtur. Ndërtimi i autostradës “Prishtinë-Durrës” [në kufirin shqiptar] nënkupton një avantazh ushtarak për amerikanët. Baza ushtarake në Sojevë “Bondstill” ka përfituar drejtpërdrejtë qasje në Detin Adriatik, ku Shqipëria i ka autorizuar tashmë Shtetet e Bashkuara për përdorimin e portit detar, me autostradën nuk përfitoi vetëm Pentagoni, por edhe korporata “Bechtel & Enka” dhe ambasadori Christopher Dell në Prishtinë, i cili më vonë u shpërblye si drejtor vendi në zyrën e “Bechtel & Enka” në Afrikë, ndërsa buxheti i Kosovës u varfërua më shumë.

Prezenca dhe kontrolli i qeverisë së Uashingtonit na solli edhe “komandantë të fortë,” të cilët vrasin e presin civil të paarmatosur dhe të pambrojur, po kështu çfarë kishin bërë policët serbë të Jugosllavisë në Gadishullin Ballkanik dhe ata amerikanë në Irak e gjetiu në Lindje të Mesme. Komandanti ‘i fortë’ i shqiptarëve të Kosovës në Ushtrinë Islamike të Sirisë dhe Irakut (ISIS) Lavdrim Muhaxheri, para se të zhvillonte karrierën e tij prej një drejtuesi ushtarak ka punuar për kampin ushtarak amerikan në Sojevë “Bondstill”, nga qyteti i tij Kaçaniku, i cili shtrihet përgjatë vijës kufitare me Maqedoninë, rrugëtimi me makinë deri tek baza më e madhe e ushtrisë amerikane në Evropë merr vetëm 30 minuta, më vonë ai gjithashtu punoi për misionin e tyre në Afganistan siç edhe kanë raportuar mediat Kosovare.

Lavdrim Muhaxheri, është vetëm 25 vjeçar, gjashtëmbëdhjetë vjet më parë ai ishte vetëm nëntë vjet, pas gjithë këtyre viteve Kosova nuk ka arritur të ndërtoj një ushtri të rregullt e cila do të bënte rekrutimin e të rinjëve për të kryer shërbimet ushtarake, por, ndoshta Lavdrimi ka marrë mësime ushtarake gjatë kohës sa ka punuar në ‘Bondstill’ si dhe në misionin e forcave amerikane në Afghanistan, megjithatë këto dyshime Oligarkët në Dragodan, duhet t’i sqarojnë për publikun Kosovar me fakte të verifikueshme.

KOSOVA DHE LIRITË E SHTYPIT 

Javës së shkuar portali ‘insajderi.com’ në Prishtinë, i cili në një përpjekje për të zbuluar dyshimet për përfshirjen e gjerë të qeverisë në krim organizuar dhe korrupsion, përkatësisht për të vënë në dukje gjendjen e rëndë shëndetësore dhe sociale në vend, kishte bërë bujë duke botuar një lajm i cili tregoi se vëllai i kryeministrit të vendit Isa Mustafa, kishte kërkuar azil në Evropë. Portali udhëhiqet nga një gazetar i njohur për publikun e vendit Vehbi Kajtazi, e kaluara e të cilit [në raste të ndara!] sa i përket etikës profesionale lë shumë për të dëshiruar. Por njerëzit bëjnë gabime dhe megjithatë ne duhet t’i pranojmë, t’i njohim ato dhe të kërkojmë falje, dhe pse jo, për të mirën e të gjithëve, të japim llogari para ligjit. Unë shkrova një kritikë. Në të vërtetë ishte joetike për të publikuar një sëmundje të një civili të vendit, i cili nuk ka të bëjë asgjë me sistemin e korruptuar politik, ushtarak, policor e gjyqësor, — vendas dhe të huaj në Kosovë. Një plak i cili ndodh që të jetë vëllai i një kryeministri të dyshuar për korrupsion dhe krim të organizuar, me të cilin plaku nuk e ndanë madje as adresën e shtëpisë, nuk duhej t’i cenohej e drejta e tij e privatësisë, ky veprim është i dënueshëm me ligj dhe i papranueshëm nga kodi etik dhe standardi profesional. Por, kjo situatë solli një zhvillim edhe më interesant, pasi rreth dhjetë degët lokale të LDK-së dolën me një deklaratë për të kërkuar dënimin e gazetarit.

Gazetari Vehbi Kajtazi është i përfshirë në një numër të artikujve të tij që evidentojnë qartë thyerjen e kodit etik, por që ai të merret para përgjegjësisë, ne së pari duhet të sigurohemi që ligji është njejtë i zbatueshëm për të gjithë. Pastaj, LDK duhet të lejoj organet e drejtësisë që t’i hetoj dhe ndjekë secilin prej udhëheqësve të saj të dyshuar për përfshirje në krim dhe korrupsion, ndërsa Kryeministri Isa Mustafa, është gjetur i përfshirë në raste të ndara në krim dhe korrupsion, duke përfshirë edhe dyshimet e fundit për përfshirjen e tij në kërcënimin ndaj gazetarit Kajtazi.

Siguria e gazetarëve në Kosovë është në një pikëpyetje serioze, ne duhet të shqetësohemi të gjithë, pasi në Kosovën e pasluftës nëntë+1 anëtarë të personelit mediatik janë vrarë ose raportuar si të vdekur në rrethana të dyshimta, duke përfshirë edhe zyrtarin e lartë për informim [Hamdi Sopa] të qeverisë së Kosovës, atëhere kur vendi qeverisej nga Hashim Thaçi. Dhe për gjithë këto krime, askush nuk është sjellur para drejtësisë. Vrasësit janë të lirë — e madje besohet se janë të lidhur me politikanët, të cilët nuk po i lejojnë organet e drejtësisë t’i hetojnë dhe zbulojnë individët ose grupet e përfshira.

Kryeministri Isa Mustafa, e ndanë pushtetin bashkë me Hashim Thaçin, i cili përveq se dyshohet nga Këshilli Evropian për përfshirje në ‘tregti të organeve,” ai jo pak herë pëshpëritet si i dyshuar edhe për përfshirje në një numër të vrasjeve të aktivistëve politikë të LDK-së, kur kryetar i saj ishte Ibrahim Rugova, -deri tek reporteri Ali Uka, i cili ishte gjetur i vdekur në një apartament të cilin po e ndante me Hashim Thaçin në Tiranë, në qershor të vitit 1997.

Këto janë ato që duhen hetuar me nxitim. Të na dëshmojnë udhëheqësia se duan shtet, pavaërsisht pse unë jam i vetëdijshëm se një udhëheqësi e tillë totalisht e korruptuar dhe si pasojë e kontrolluar nga [1]Oligarkët e Dragodanit, nuk mund të kenë apetite të vërteta për shtet. Pa u vënë pas hekurave ata që sistematikisht shkatërruan ekonominë e vendit, cilësinë e jetës dhe të edukimit, sistemin politik dhe administratën publike, kulturën dhe mediat, ne nuk mund të përparojmë.


SHBA flet për lirinë e shtypit, por a ka Liri të Shtypit në SHBA? — Liria e shtypit në Shtetet e Bashkuara në vitin 2008 ishte vlerësuar në pozitën e 36-të për të pësuar një rënie trembëdhjetë vende më poshtë në vitin 2015, siç është rradhitur në vendin e 49-të nga raporti i Indeksit të Lirisë së Medias i Reporterëve Pa Kufij, me seli në Paris. Viti 2014 u shënua me ngacmime serioze që i bëri gjyqësori amerikan reporterit hetues të gazetës me ndikim global “The New York Times”, profesorit James Risen.

Risen u kërcënua me 10 vjet burg, pasi ai nuk do të zbulonte identitetin e burimit të tij të CIA-s, i cili dëshmoi se CIA ishte e përfshirë në një operacion të sajimit të bazave të armatimit bërthamor në Iran, me qëllim që të shkaktonin një luftë në mes të Oligarkëve të Uashingtonit dhe regjimit diktatorial në Teheran. Shtetet e Bashkuara i kanë përndjekur vazhdimisht njerëzit që folën të vërtetën për administratën e Shtëpisë së Bardhë. Mos harroni se ata duan ta varin Edward Snowdenin, por kur Teherani i var qytetarët e saj, Uashingtoni përpëlitet në konferenca e zhurmë pafund për “të drejtat e njeriut”, dhe kur Arabia Saudite e bënë të njëjtën gjë, ata e kthejnë një sy qorr. Nuk jam i befasuar, fundja ata “janë të lirë” për të luajtur lojën e tyre të keqe të dyfishtë e të trefishtë, pasi nuk janë të nënshkruar në asnjë nga Konventat Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Njeriut. Ajo çfarë mua më befason pafund është se si është e mundur që ata mund t’i shesin gënjeshtrat e tyre kaq lehtë?!

Gazetarët amerikanë janë ende të pambrojtur nga një mburojë e ligjit federal që do të garantonte të drejtën e tyre për të mos përmendur burimet e tyre ose për të mos zbuluar informacionet e tjera konfidenciale në lidhje me punën e tyre. Ndërkohë, të paktën 15 gazetarë në ShBA ishin arrestuar në mënyrë arbitrare gjatë përleshjeve midis policisë dhe demonstruesve që protestonin kundër të shtënave fatale të cilat kishin për cak të riun Michael Brown nga një oficer policor në Ferguson, Missouri.

Unë jam zyrtarisht i njohur si “viktimë” nga departamenti amerikan i shtetit respektivisht nga raporti i tyre i vitit 2012 për të drejtat dhe liritë njerëzore, por e dyfytyrësia e Oligarkëve ndodhi që pas përfshirjes sime në hulumtimin e terrorizmit, nxitësit, mbështetësit dhe furnizuesit e terrorizmit me armë dhe financa gjatë periudhës Shtator 2012 — Janar 2015, është vetë qeveria e SHBA-së ata që më kanë vënë në një listë të dyshuar për terrorizëm, dhe pavarësisht kësaj, AGK në Prishtinë pretendon se mbrojnë të drejtat dhe liritë e gazetarëve, por ata nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje në e-mailat e dërguar nga unë, dhe nuk kanë treguar shqetësim për këtë, kujt i thonë ata se mbrojnë të drejtat e gazetarëve?

A duam të jetojmë në një botë ku denoncuesit dhe gazetarët hulumtues të jenë të persekutuar edhe nga të ashtuquajturat popujt tanë “të qytetëruar”? Demokracia ka nevojë për një qeverisje të mirë dhe agjencitë e fshehta nuk duhet të lejohet të veprojë kundër vlerave themelore të mishëruara në kushtetutat tona dhe në Kartën e të Drejtave të Njeriut, por me sisteme të mentalitetit dhe përmbajtjes oligarke, sigurisht se secili nga ne është i rrezikuar.


[1] Një studim i fundit nga Universiteti Princeton me Profesorin Martin Gilens dhe Universiteti ‘Northwestern’ me profesor Benjamin I. Page thotë: »SHBA është e dominuar nga një elitë të pasurish që janë bërë të fuqishëm, duke i përdorur institucionet shtetërore. Vendi nuk është demokraci, por një Oligarki.« Për këtë stuim është shkruar edhe në BBC dhe në Huffington Post, të cilët citojnë ish-presidentin amerikan Jimmy Carter, duke e mbështetur studimin.


Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina '2.0' në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Enter your email address to subscribe to THEFrontliner.net and receive notifications of new posts by email.

RELATED BY